EMRI I DARDANISË (II)

01Emblema_e_dardanise_BSH

Pjesa e II-te

Akademik_cabej01

Prof. Dr. Begzad Baliu

Aspekti gjuhësor Eqrem Çabej iu ka dhënë të drejtë, por vetëm në parim: shpjegimit të Hahnit për emrin dhe etimologjinë e toponimit Dardani: dardhë «vend dardhash»; 

Baldecit për shënimin e tij se kjo trevë ishte e pasur me pemë të egra; Edit Durhamit, e cila e ka tërhequr vëmendjen me konstatimin e saj përgjithësues, se «emrat e vendeve me burim nga emra bimësh janë shumë të shpeshtë si në viset sllave jugore si në trevën shqiptare; (…) Arnje, Molla, Arra, Qerreti, Kumbulla, Dardha e për sllavishten: Krushevo, Krushevac, Krushevica» , edhe Vlladimir Georgievit për deklaratën e tij se « Krushevci gjendet bash në truallin e Dardanisë së vjetër»; por Profesor Çabej e ka pasuruar kërkimin e tij për emrin e Dardanisë dhe etnonimin dardan edhe me të dhëna të tjera për praninë e një vargu toponimesh e emrash topikë, patronimesh në zona të ndryshme të Shqipërisë, të kolonive shqiptare në Greqi, tek arbëreshët e Italisë etj.

dardania_01

Për ne janë me interes dy propozime. Sipas tij «ka gjasë të hyjë edhe Darsi ( nga një Dárdhësi, Dardhsi) si dhe emri i krahinës Darsia në Shqipëri të mesme në qoftë se ajo rrjedh nga një Dardhsia» . Përhapje të madhe kanë gjithashtu edhe emrat topike Maj’e Dardhës e Qaf’e Dardhës dhe Zall i Dardhës(në Dibër), Kurora e Dardhës, emri i një kullose malore të verës në Kryezi të Mirditës . Dardha është emër katundesh i shpeshtë edhe në Greqi, veçanërisht në trajtën deminutive-kolektive Dárdhëza () në Morenë Jugperëndimore, në Antikë e në Elidë, si dhe Qardhishtja në krahinën Trifilja , emra që i ka vënë elementi shqiptar që nguli në ato anë.

Prej Italie hyn aty Dardhës, emri i një familjeje tashmë të shuar në katundin Kienti të Molizës. Gjeografisë gjuhësore të shtrirjes së toponimeve dhe mikrotoponimeve me bazë në fitonimin dardhë do të mund t’i shtonim edhe një varg toponimesh e mikrotoponimesh historike dhe të kohës sonë.

Hartae_dardanise

Nga dokumentet historike dhe arkivore Dhimitër S. Shuteriqi ka sjellë një mori emrash lidhur me bazën dardhë, që nga viti 1417 e këndej: Dardhan-i (1467), Dardhaneshi-i(1431), Dardhasi(1431, Dardas(1467), Dardhë-a(1417): un terren Darda, Dardhicë-a(1431), ndërsa nxjerr nga Leksikoni i Hans Krahes: Dardha, Dardhanesh, Dardhas dhe Dardhicë .

Duke insistuar në paraqitjen e një tërësie onomastike që për qëllim kishte paraqitjen e shtrirjes shqiptare në Gadishullin Ilirik, Rexhep Doçi ka shënuar edhe disa toponime të këtij etimoni në Gadishullin Ballknik nga V. Panajotopulos : Dardessi, Dardeon, Dardesza, Dardhëza, Dari etj., ndërsa duke u marrë me etimonin e dardhës në aspektin diakronik dhe krahasues Rexhep Doçi ka shënuar edhe një varg shembujsh: Dardhoj(1485, e ka edhe Çabej), Dardos (sipas Selami Pulahës), Varret e Dardhishtes dhe Udha Dardhishtes (në Kërboliq-Kaqanik); mikrotoponimet: Tu Dardha, Dardha Turke, Dardha Zallines, Dardha Haxhi Qazimit dhe Thepi Livadhi t‘Dardhave(Kukaj); mikrotoponimet: Dardha Madhe, Bregu i Dardhës, Fusha e Dardhave etj., (Krushë e Madhe-Prizeren) .

Toponimet e regjistruara nga Lj. Stankovska, që ne po i cit. nga Qemal Murati, Darda, Darda Kula, për ne janë të rëndësishme, sepse me këtë dëshmohet jo vetëm prania shqiptare në këtë zonë të Maqedonisë, por edhe ndikimi i shqipes në gjuhën maqedone në fushë të leksikut përgjithësisht . Ne këtu po i shtojmë edhe disa mikrotoponime të Kosovës, si: Dardha Nanes t’Madhe(Makreshi i Poshtëm-Gjilan), Te Dardha Gat, Ara Dardhes Gat, Te Dardhat Lamqe, Dardha Bizqe(te), Udha Dardhes t’Gat (Marec-Prishtinë), Lugit Dardhav (Capar-Gjilan), Makreshova Darda (Jasanovik-Novo Bërdë) etj.

Shtrirjen gjuhësore të toponimeve dhe sidomos eponimeve me bazën dardhë, tezë e hapur nga Profesor Çabej, e ka përkrahur Ruzhdi Ushaku në një diskutim shkencor, kur ka paraqitur mendimin se “eponimin Dardan e ka vënë në një kontekst të lidhjes së mundshme të emrit të Dardanisë (pra edhe të fisit të dardanëve) dhe duke kujtuar një studim të Gërga Novakut ka shtuar ekzistimin e disa përkimeve toponimike me emrin e Dardanëve në një shtrirje më të gjerë gjeografike deri te Dardanelet” .

Dardania_toka_ilire

Po lidhur me këtë temë ka tërhequr vërejtjen Shefki Sejdiu, duke sjellë një koncept të tij përgjithësisht për metodologjinë e qasjes në fushë të etimologjisë. Kur shtrohet gjeografia gjuhësore e këtij problemi, mendon ai, duhet pasur kujdes areali gjuhësor, përndryshe humben kriteret e studimit në etimologjinë moderne” . Lidhur po me fjalën dardhë dhe barazimet e saj me toponimin Dardani dhe etnonimin dardan, këtu është mirë të jepet edhe një pasqyrë e mendimit të studiuesve të huaj për zhvillimin e saj në aspektin diakronik dhe disa etimologji të saj në aspektin krahasues:

-Së pari, shpjegimi i A. Fickut, sipas të cilit “duke u nisur nga një vlerësim i historisë se dardanët ishin të papastër, gjente te emri i tyre «ndyrcakë» dhe e afronte me gr. (dardanei –molijnei) »ndyn» që e ka Heziku , merrte përgjigje prej Profesor Çabejt, sipas të cilit, këto përfundime mund të quhen me plot gojën etimologji për hir të etimologjisë;

-Së dyti, mbështetjen në aspektin gjuhësor, përkatësisht etimologjik Profesor Çabej e ka kundërshtuar edhe mendimin e studiuesit bullgar D. Deçevit dhe mendimin e studiuesit rumun I. Russu. Në këtë rast Çabej nisej nga një fazë e krahasueshme e shqipes indoevropiane: «duke e cituar gjuhëtarin S. Bugge, i cili “mendonte që kjo fjalë, si reflekse i një forme bazë *g’hard- është e afërt me gr. «dardhë e egër, gorricë; dardhë», e «dardhë e egër, gorricë; murriz», ku d-ja e shqipes i përgjigjet pas fonetikës rregullisht – -së së greqishtes, ashtu si në dimën: gr. , , «dimër» të greqishtes” .

Këtë mendim, sipas Çabejt, e kanë miratuar Gustav Majeri, Holger Pederseni dhe Norbert Jokli, ndërsa e kanë kundërshtuar Boisacq, Walde-Pokorny, Frisk, F. Ribezzo, P. Chantine dhe Schwyzer, pastaj K. Oshtir dhe G. Novak. Dy të fundit mendonin se dardhë është fjalë paraindoevropiane, ndërsa të parët fjalën greke e konsideronin të huaj.

Rrjedhimisht, përfundimet e Profesor Çabejt, dalin mjaft sintetike jo vetëm brenda zhvillimeve gjuhësore të shqipes historike por edhe në kuadër të përkimeve gjuhësore me gjuhët e Ballkanit edhe në kuadër të afrisë dhe rrjedhojave të përbashkëta me familjen indoevropiane. Pa përjashtuar krejt mendimin e ndërtuar prej Bugges, Eqrem Çabej, mendonte se “për këtë emër druri të shqipes ekziston mundësia e një tjetër afrie gjuhësore: shq. dardhë, si vazhdim i një forme bazë *d(h)orga’a mund të jetë e afërt me fjalën kelte, irland. draigen «kullumbri; dardhë e egër, gorricë» (kjo prej një baze *drageno), korn. e vje. Drani, breton. Drean, një fjalë, shpjegimi etimologjik i së cilës nga ana e Pedersenit dhe në formë të zgjeruar nga ana e J. Vendryesit nuk ka gjetur miratim të përgjithshëm.

Me këtë barazim, Eqrem Çabej shpresonte t i kalojë caqet e shqyrtimit thjesht të një fjale “dardhë” dhe të emrit të Dardanisë. Përkundrazi, duke u nisur nga ky rast, Çabej besonte se po hynte në një fushë të hapur të izoglosave shqiptare-kelte, mardhëniet e të cilave, i ka diktuar Hahni, por me metoda të rrepta gjuhësore i ka trajtuat Norbert Jokli, edhe më tutje një ide gjithpërfshirëse për fushat gjuhësore marrje-dhënëse edhe pas Profesor Çabejt ende nuk janë ndërtuar. Eqrem Çabej ka ofruar një numër të caktuar izoglosash, si: mat «buzë lumi, breg deti», top. Lumi Mati (treva përkatëse Matja), e afërt me irland. Math «rërë, kum»; e barazon me çek. Metuja, degë e lumit të Elbës» . Nga aspekti gramatikor i ndërtimit Çabej gjen edhe një varg krahasimesh. «Emrave Dukát, Filát, sipas Hahnit, në bazë të prapashtesave –at u përgjigjen sufiksave të ilirishtes –ates, që formon emra fisesh (Dalamatae, Docleatea), etnika (Olciniatae, Sapuates) dhe emra visesh, Lamatis, Aemate, dhe në këtë mes mund të krahasohen me keltishten, me emrat etnikë si Tolàsates: Tolosa, Atrebates, Tarusates, ndërsa në shqipe formon emra vëllezërish e fisesh: Bakiri:Bakirat, Demi: Demat» .

Nga këto njësi leksikore e onomastike, Profesor Çabej ka nxjerrë jo vetëm përfundime për fonetikën historike të shqipes, por edhe të gramatikës historike të saj, si dhe ka vlerësuar se izoglosat shqiptaro-kelte përfshijnë “kryesisht fushat e një ekonomie dhe të një mënyre të thjeshtë të jetesës, që është më afër më fort me natyrën, dhe rrokin kështu botën e drurëve e të bimëve, visoren e blegtorinë, pjesët e trupit dhe leksikun e një karakteri më të përgjithshëm” , por këto nuk mjaftojnë për një sintezë të thellë monografike.

Vazhdon pjesa e III-të

Kthehu Pjesa e I-rë

Shperndaje ne

The Author

Begzad Baliu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.