BUJAR VANI: Pasioni shqiptar për “kuaj Troje”

Bujar_vanifb

Nga: BUJAR VANI
Shtysën për të formuluar këtë ide dhe për të reflektuar mbi të, ma dha një kronikë inauguruese e ditëve të fundit, nga ato kronikat “rozë” ku fliten fjalë të mira, ku deklamohen protagonistët, ku përshëndesin nja dy titullarë pushteti dhe ndonjë fshatar zone për garniturë, ku mburren arritjet dhe perspektivat e këtij “investimi”, ku gjithçka duket e mirë dhe e mbarë… shkurt, një nga ato kronikat e qokave. Në këto raste nuk ka sy të mprehtë as gazetari i kronikës, as redaktori i lajmit e as analistët që rendin pas kritikës së rastit, pra nuk ngrihet një “por”. Përballë të huajve që “hedhin pare”, shqiptarët janë të çarmatosur dhe iu mpihet truri.

Por le t’i kthehemi kronikës. Bullgarët kanë ndrequr me paret e tyre një rrugë në Ballsh, rrugën që të shpie te kisha e Gllavenicës, plot 1.500 metra rrugë! Vetë nënkryetari i parlamentit, demokrati Edmond Spaho ishte i pranishëm në inaugurim dhe mbajti fjalim, përfaqësues të pushtetit vendor ishin të lumturuar përballë kamerave, edhe një Selim Hoxha i shoqatës së miqësisë, pa dyshim që do të merrte fjalën në këtë inaugurim, edhe disa banorë të mpirë (nga qejfi) folën fjalë të mira se si ky investim do të rriste ndjeshëm mirëqenien e zonës, që deri tani kishte vuajtur mjaft pa këtë rrugë, një rrugë ku do të vërshonin turistët turlilloj, që do të gjallëronte ekonominë dhe kulturën e zonës, një rrugë që të çon në kishën ku paska lindur një mbret bullgar këtu e 1000 e ca vjet më parë sipas gazetarëve tanë të kronikës, e që do të quhet: rruga “Car Boris”! Kjo në nder të mbretit të parë bullgar, që shtriu sundimin edhe në trevat juglindore të Shqipërisë e përgjatë luginës së Vjosës në shekujt VIII-IX, e tashmë Gllavenica që kujtohej për Epitafin e Gjergj Balshës shqiptar, do të përjetësohet për hir të 1.500 metrave rrugë si Gllavenica e Car Borisit bullgar…

Por, a mund të ngrihet ky investim “gjigant” i bullgarëve në një rrugë fshati a kishe në cilësinë e një “kali Troje”, siç kemi reaguar qysh në titull? A nuk duket pak si e tepruar, kur mund të shihej thjesht si një kontribut në rrafshin kulturor në kuadër të marrëdhënieve miqësore dypalëshe? A nuk u ka kaluar koha këtyre alarmeve për rreziqe fqinjësh? Nëse do të ishte rast sporadik dhe pa ndonjë koherencë me dukuritë e zhvilluara këtyre 25 viteve të fundit, pa dyshim që kështu do të ngjante; apo nëse paralel me këtë, shqiptarët të ngrinin një memorial të Mustafa Pashë Bushatlisë që shkoi deri në Sofje gjatë inkursionit të tij për të pushtuar Kostandinopojën, madje ngriti edhe shatorret në ato treva; apo nëse do të kishte ndonjë lëvizje kulturore për zgjimin e shqiptarëve në Kystendil, Burgas e vise të tjera të Bullgarisë, ku janë gjendur rëndom për shekuj të tërë. E diçka e tillë pa dyshim nuk ndodh.

Jemi shprehur në krye për “kuaj Troje”, pra në shumës, e në këtë reflektim nuk ka se si të mos përmendim disa prej tyre për të argumentuar gjykimin tonë. Investime për ngritje kishash e katedralesh sipas modelit arkitekturor grek, sheikë që hedhin parŕ për investime të stilit arab nëpër xhami, nëpër mjedise publike, me ibrikë e porta oazesh në shkretëtira, investime për lapidarë ushtarësh pushtues grekë e zhvarrime për të zhdukur gjurmët e vendasve shqiptarë, mbivendosje kishe (apo garazhi) greke mbi shenjtëroren e Nilo Katalanos; përkujtimore e kremtime për emisarin e helenizmit shën Kozmanë; rrugë e sheshe pa fund me emra të huajsh që pak prej shqiptarëve që kalojnë ndër to i njohin, shkolla greke në Himarë e Korçë, shkollë serbe në fshatrat e Fierit, pensione vorio-epirotësh (investim është edhe ky!) nga Saranda deri në Malësi të Madhe… e në fakt kronikat për të gjitha këto pothuaj kanë qenë “rozë” kur janë instaluar, madje edhe politikanë shqiptarë kanë pozuar në momente inaugurimesh, si në rastin e zotit Spaho në kronikën në fjalë…

E përmendëm përsëri zotin Spaho, jo për ndonjë protagonizëm specifik të tij, por se na sjell ndërmend një “event” tjetër shumë vite më parë me protagonist shefin partiak të tij, në kohën kur ishte President i Republikës, i cili njohu zyrtarisht “minoritetin bullgar” në Shqipëri. Ky asociacion ndoshta nuk ka lidhje, por në politikë nuk besoj se ka gjëra të rastësishme. Dikush mund të thotë se, ç’të keqe ka njohja edhe e këtij minoriteti, por vetë presidenti bullgar i kohës, Zhelev, u shpreh se kjo u arrit në sajë të miqësisë personale të ambasadorit bullgar me Presidentin e Shqipërisë, pra një koncesion politik i papërligjshëm dhe i paarsyetueshëm kur analizon statusin e atributit “minoritet” dhe gjendjen faktike në terren, kur krahas të deklaruarve si minoritet maqedon del befas edhe një minoritet bullgar!

E për të gjitha këto mund të justifikohet se janë vjelë parŕ, pra kemi përfituar ne vetë. Vërtet, paratë janë hedhur nga palët e huaja përkatëse, por duhet të jemi o syleshë, o maskarenj me veten, që të mendojmë se dikush e hedh paranë kot, për sevap, për bamirësi, e se përfituesit jemi ne shqiptarët. Apo më tej, edhe se ne qenkemi aq pehlivanë sa iu zhvatim paratë këtyre “investitorëve” të paditur! Kështu u gëzuan edhe trojanët prej dhuratës që iu mbiu në derë, por u kujtuan vonë për haraçin që duhej të paguanin për të.

Në një plan tjetër, mund të ngrihet arsyetimi i pabazë se jetojmë kohë të tjera dhe këto nuk përbëjnë më precedentë rreziku si më parë, se Greqia e Bullgaria tashmë, por edhe Serbia apo të tjerë më pas, janë e do të jenë nën çatinë e përbashkët të Bashkimit Europian, se tashmë këta elementë që përmendëm kanë vetëm vlerë kulturore. Themi “arsyetim i pabazë”, se është vërtetuar se edhe në këto kohë konvencionet kulturore, fetare apo identitare kanë shërbyer dhe vijojnë të shërbejnë për politikat e ditës.

A nuk kanë luajtur serbët në Kosovë me konvencionet e kishave ortodokse për të manipuluar institucionet dhe tryezat diplomatike ndërkombëtare; a nuk kanë luajtur e vijojnë të luajnë grekët me konvencionet fetare e minoritare, për të ndërhyrë në punët e brendshme dhe për të minuar mbarëvajtjen e shtetit shqiptar; a nuk shërben tjetërsimi i Ohrit si fakt, kur është përdorur pretendimi se aty paskan qenë dikur gjurmët historike të mbretërisë mesjetare bullgare dhe se prej aty ka lindur edhe vetë kisha bullgare; apo Manastiri i Shën Naumit se aty gjenden kujtimet fetare të ortodoksëve të ritit bullgaro-maqedon; a nuk ishin pikërisht këto konvencione si argumente në tryezat e diplomacisë së madhe për demarkacionin kufitar sa herë që janë shtruar për zgjidhje çështjet e kufijve të shteteve ballkanikë etj. etj?!

Ne shqiptarët jemi të thekur për “dhurata” si duket, dhe verbohemi prej përfitimit të çastit, pa menduar më gjatë për pasojat. E këtë patologji përpiqemi ta mbulojmë me teorizime boshe medemek të hapjes demokratike, të bashkëpunimit e të miqësisë së pakushte me të gjithë, edhe pse përherë e kemi pësuar pikërisht nga këto dhurata.

Pastaj, përgjatë historisë sonë ne kemi njohur dhe kemi pësuar mbi kurriz mjaft dyndje, pushtime, kalime të turlilloj popujve e fiseve. Ato tashmë kanë krijuar shtete, e madje edhe platforma kombëtare të tyre. Po sikur të dëshironin të gjithë të përjetësonin gjurmët që kanë lënë hordhitë e tyre këtyre viseve, çfarë do të ndodhte?! Do të kishim memorialë të pafund hunësh, vandalësh, gotësh, serbësh, bullgarësh, mongolësh, kryqtarësh, saraçenësh, çifutësh spanjollë, madje dhe kinezësh.

Do të na kthehej e gjithë Shqipëria në shembullin e Kamzës, ku larushia e emrave të rrugëve, shesheve e mjediseve i ngjan ndonjë gardërobe të OKB-së. Do të na duhej të ngrinim (kuptohet, me investimet e shteteve përkatëse) memorialin e Xhingiz Khanit, të Stefan Dushanit, të mbretit Simeon, që për hir të së vërtetës e kishte selinë në mes të liqenit të Prespës, të sulltan Muratit, të dreqit e të birit. Por nuk do të kishte vend më pastaj për memorializimin e historisë sonë, të gjurmëve tona, të vlerave tona kombëtare, pasi do të ktheheshim si ato banjat publike ku pshurr kujt i bie rruga andej…

Dhe nuk ka se si të mos bësh asociacionin mes kësaj kronike për përjetësimin e Car Borisit në zemër të luginës së Vjosës, dhe kronikës ankimore të para pak ditëve mbi mjerimin e Muzeut Arkeologjik, ku mungon hapësira për të ekspozuar pasuritë që dergjen stivë e rrëmujë në magazinë! A thua do të gjendet, apo më mirë, si ka mundësi të mos gjendet ndonjë “investitor” apo “sponsor” i huaj, sidomos nga fqinjët tanë bujarë, qofshin grekë apo serbë e bullgarë, që të hedhë parŕ për të sistemuar këto vlera të trashëgimisë shqiptare në ndonjë mjedis dinjitoz?!

E pra, këtu mund të nisë apo edhe të përfundojë refleksioni mbi dukurinë në fjalë: secili kujdeset për vlerat e veta, për gjurmët e veta, për kujtesën apo pretendimet e tij historike. Nëse fqinjët kanë platforma, gjejnë edhe paranë e duhur për të realizuar synimet e tyre, të paktën ne të mos jemi aq të gatshëm dhe pasionantë për t’iu plotësuar kërkesat, kur ne vetë vuajmë prej sindromit të tëhuajësimit dhe nënvlerësimit të vetvetes. Një trashëgimi vetjake e nëpërkëmbur dhe e keqtrajtuar, e harruar dhe në shumë raste e masakruar, e nga ana tjetër kujdes dhe përkushtim për piketat “kulturore e historike” të të tjerëve, pa dyshim që ta çon mendjen për keq. Më së paku, për mungesë të theksuar vetëdijeje dhe respekti për veten…

Po duke iu kthyer rrugës “Car Boris” të gjatë plot 1.500 metra, që do t’i sillka mirëqenie dhe lulëzim të gjithë trevës, nuk ka se si të mos shkojë mendja dhe të shtrosh pyetjen se, si ka mundësi që prej parave të atyre 8.000 kilometrave të shtruar gjatë qeverisjes së zotit Spaho, nuk teproi as një e tetëmijta pjesë për këtë rrugë kaq të rëndësishme për zhvillimin e zonës, e le të merrte emrin e ndonjërit prej qeveritarëve shqiptarë të paktën, se për memorializim historik të Balshës sundimtar shqiptar nuk i shkonte mendja kujt! Duhej të vinin bullgarët e të përjetësonin Car Borisin e të na kujtonin se 1.200 vjet më parë sundimtar ka qenë ai, e madje edhe ka lindur një mbret bullgar në kishën, që tashmë pa dyshim duhet konsideruar si konvencion historik e kulturor bullgar. Do të ishte thjesht naive të mendohej se kjo ndodh vetëm për hir të ca parave të hedhura nga të huajt, por ka një projektim më të gjerë nëse shihet gjëja në kompleks.

Megjithatë, për ta përmbyllur, edhe kjo shërben në njëfarë mënyre, pasi studiuesit e lashtësisë do të hidhen e të thonë se kështu vërtetohet se edhe Troja ka qenë dikur pjesë e jona, pasi sot e kësaj dite kemi pasion e vazhdojmë të lakmojmë “Kuajt e Trojës”.

Shperndaje ne

The Author

Bujar Vani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.