Bledar Komini: Gjeopolitika në rënie e Tiranës përballë Beogradit dhe Ankarasë

Skenderbeu_tirane01fb

bledar_komini01fb

Studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare

“Turkofobët” e vjetër, çdo herë që është diskutuar mbi marrëdhëniet e mira mes dy shteteve, nuk kanë harruar që të parashtrojnë në tryezë, si monedhë bakshishi, faktin se Turqia ka qenë kurdoherë një pushtues për shqiptarët. Ky argument i përdorur dhe i servirur kaq shumë, ka ndikuar që edhe mbështetësit më të zjarrtë të këtyre marrëdhënieve – “turkofilët”, – të tërhiqen dhe ta lënë politikën shqiptarë të zhveshur nga interesat e saj gjeopolitike. Por, a është e drejtë që Shqipëria post-moderne të marrë si shembull të kaluarën? E në këtë rast kur bëhet fjalë për shtete të zhvilluara, a nuk duhen parë ato si orientim apo si ‘virulenca ekonomike’ të cilat mund t’i japin impulse pozitive ekonomisë së rraskapitur shqiptare?

Të dyja këto pyetje kanë qenë një barrë e madhe si për “turkofobët” ashtu dhe për “turkofilët”. Të parët janë munduar të argumentojnë të gjitha efektet negative që mund të vijnë nga një afrim Tiranë-Ankara, duke përfshirë këtu dhe orientalizimin e popullsisë shqiptare si dhe largimin nga synimi i kahershëm për t’u anëtarësuar në BE. Të dytët janë munduar të tregojnë se Turqia është një destinacion ekonomik dhe marrëdhëniet e mira, si dhe përafrimi i kulturave, mund të favorizojnë Shqipërinë për një ringritje të shpejtë ekonomike. Megjithatë, nuk duhet harruar fakti se historia ka treguar se në rrafshin gjeopolitik Tirana e ka pasur të vështirë të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me Ankaranë. Edhe kur janë ndërtuar këto marrëdhënie, janë paragjykuar më shumë se sa marrëdhëniet e Tiranës me Pekinin, të Tiranës me Moskën dhe të Tiranës me OÇP; apo të Tiranës me Kajron gjatë kohës së diktaturës. E thënë në antitezë, marrëdhëniet Tiranë-Ankara janë parë si një rikthim në periudhën e Perandorisë Osmane, të paktën ky argument është përdorur gjerësisht për aq kohë sa Ankaraja kërkonte të mbështeste në një mënyrë a një tjetër një shtet ballkanik si Shqipëria.

Mendoj se, këtu duhen ndarë dy elemente të përdorura dhe keqpërdorura gjerësisht gjatë dekadave të fundit. Elementi i parë ka qenë dhe mbetet ai historik. Ndërsa elementi i dytë sot për shqiptarët është ai ekonomik. Duhet theksuar se Turqia e sotme nuk është përfaqësuese e Perandorisë Osmane. Pavarësisht tezave të hedhura nga vet kryeministri Davutoglu, që nxisin për një ringjallje të traditës, marrëdhënieve dhe kulturës që lulëzonte gjatë kohës së perandorisë me etnitë që ndodheshin nën administrimin e saj, kjo nuk do të thotë që sot Ankaraja të shikohet e krahasohet me Stambollin e aso kohe.

Në fakt sociologjikisht dhe politikisht, ndikimi i shteteve që përjetojnë rritje ekonomike, tek fqinjët e tyre, është një vektor që është studiuar gjerësisht dhe për këtë studimet nuk mungojnë. Turqia e sotme është një shtet jo vetëm i fuqishëm ushtarakisht, si dhe anëtar i NATO-s, por në 15 vitet e fundit po përjeton një lulëzim ekonomik, përmes të cilit ka filluar ta projektojë gjeopolitikën e saj në zgjerim aty ku ka pasur marrëdhënie të hershme ekonomike dhe kulturore. Për të çmontuar pikën e parë, përmes të cilës “turkofobët” e kanë parë Turqinë gjithnjë si një vend që i kujton të kaluarën dhe si një fantazmë që i vërtitet të tashmes për të trembur pasardhësit e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, mendoj se mjafton vetëm një argument: Në kohën që Perandoria Osmane me aradhet e saj përvidhej në Ballkan për ta pushtuar atë, Perëndimi krijonte aleanca për ta ndaluar. Janosh Huniadi si dhe Skënderbeu u kthyen në figura mitike për “mbrojtjen që ata i bënë Oksidentit”. Ndërkaq sot, Perëndimi që në atë kohë synonte me çdo kusht ndaljen e Perandorisë Osmane për t’u hedhur tej Danubit, e ka bërë Turqinë anëtare të NATO-s dhe e quan atë pjesë të pandashme të projektit të mbrojtjes strategjike.

Kështu të gjithë “turkofobët” që vazhdojnë të mendojnë se Turqia është një vend që ngacmon të kaluarën historikë të vendit tonë, do e kenë zili Beogradin i cili ashtu si ne ka një të kaluar të hidhur me Perandorinë Osmane, por kurrsesi nuk e ka parë Ankaranë si përfaqësuese legjitime të asaj perandorie. Madje, vizita e Davutoglusë në Beograd çeli siparin e një sërë investimesh strategjike që do derdhen në interes të Serbisë, ndërkohë që Tirana zyrtare bën sehir dhe pret që dikush ta lus, që kjo e fundit ekzigjencën e saj të kulluar ta zbresë në tokë dhe t’i japë konsensus bashkëpunimit.

Duhet theksuar se në aspektin gjeopolitik nuk ka ekzigjenca e as shtete të kulluar, por ka interesa. Kjo gjë është kuptuar fare mirë prej Beogradit, i cili ashtu si në vitet ’30 të shekullit të kaluar duke parë mefshtësinë e Ahmet Zogut për të krijuar marrëdhënie me Ankaranë, e pa të udhës të lidhte marrëveshje ekonomike dhe shkombëtarizuese për popullsinë shqiptare në Kosovë e Maqedoni. E me sa duket gabimet e të kaluarës po ribëhen sërish. Një marrëdhënie e ‘ngrohtë’ mes Ankarasë e Beogradit po rishfaqet edhe njëherë në Ballkan. Njëtrajtësisht kushtet politike janë të njëjta, ndërsa rrethanat historike duket se s’janë më ato. Kjo pasi në atë kohë (vitet ’30 të shekullit XX) Kosova ishte pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, ndërsa sot ajo është një shtet i pavarur. Për më tepër që Turqia ishte një ndër vendet e para që e njohu shtetin e pavarur të Kosovës. Por me të drejtë shtrohet një pyetje: Kujt i shërben përmirësimi i marrëdhënieve Ankara-Beograd?

Është e qartë se ky përmirësim marrëdhëniesh në radhë të parë i intereson të dy vendeve, e në veçanti Beogradit. Serbia që këto dy dekada është detyruar të tërhiqet e të humbas terren në Ballkan, tashmë synon të përfitojë prej kapitalit turk dhe të ringrejë ekonominë. Analistët në Beograd janë të qartë, vetëm përmes një vitalizimi ekonomik, Beogradi mund të “pushtojë” përsëri Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe të shtrijë ndikimin e vet mbi Shqipërinë. Duke parë mungesën e kushteve për të bërë rekurs ndaj Bashkimit Evropian si dhe SHBA-ve të cilat janë shprehur hapur se Kosova nuk është Serbi, tashmë Beogradi e kupton se për të rimarrë atë që ka humbur duhet të ndjehet i fuqishëm ekonomikisht.

E ndërsa BE-ja e ka të vështirë të alokojë fonde për Serbinë, pasi retorika e Brukselit i kërkon dhe i vë gjithnjë “kushte” Beogradit për zbutjen e tensionit me Prishtinën, kjo e fundit po eksploron alternativa të reja. Një aleancë Ankara-Beograd është e dëmshme jo vetëm për Kosovën por dhe për Shqipërinë. Zhvillimi ekonomik i Serbisë do t’i krijojë asaj të gjitha hapësirat e mundshme për të ndikuar në “kthimin pas të historisë”. Pra, atë gjë që po e bën sot Ankaraja në Ballkan, në një të ardhme të afërt do ta bëj dhe Beogradi, duke sponsorizuar kompanitë serbe të penetrojnë në Shqipëri e Kosovë (gjë e cila ka nisur prej kohe) si dhe të financojë zhvillimin e kulturës serbe, ideve dhe synimeve të kahershme që ajo ka. Kështu mund të thuhet, se zhvillimit ekonomik të Serbisë, shteti shqiptar duhet t’i përgjigjet gjeopolitikisht me një zgjerim sa më të madh të marrëdhënieve me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, si dhe duke ruajtur disa “privilegje ekonomike” në marrëdhëniet me Turqinë. Paralelisht forcimi i marrëdhënieve me Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën si dhe rritja e bashkëpunimit me Rumaninë dhe Bullgarinë duhet të jenë synimet strategjike të vendit tonë në Ballkan.

E duke qenë se kryeministri i paradokohshëm z. R. T Erdogan gjatë vizitës së tij në Tiranë u shpreh se ai ndihej si në “shtëpinë e tij”, duke nënkuptuar përafrinë e kulturave si dhe investimet e mëdha të derdhura në Shqipëri nga kapitali turk përgjatë qeverisjes së z. Berisha, mesazhi duket se nuk ishte i qartë për kryeministrin Rama.

Ecejaket e politikës shqiptare në këto vite, kanë treguar paqëndrueshmëri diplomatike karshi aleatit turk. Kjo gjë është vënë në dukje indirekt disa herë jo vetëm nga kryeministri turk (në vizitën e tij të fundit në Tiranë), por dhe nga vetë situatat politike të muajve apo dhe këtyre ditëve. Momenti kur Tirana zyrtare humbi një shans të mirë për të bashkëpunuar gjerësisht me Ankaranë si dhe për të përfituar investime në shumë sektorë strategjik, tregoi në të njëjtën kohë se shtetet fqinje janë treguar të kujdesshëm për të kapur momentin dhe për ta shfrytëzuar atë.

Fakti se vizita e Davutoglusë në Beograd u pa si një veprim “spektakolar” i diplomacisë serbe, tregon qartë se sa pas gjeopolitikisht na ka lënë “fqinji” ynë verior. Në përfundim të këtij viti, “turkofobët” do ndihen të kënaqur që Turqia e shkëputi interesin e saj nga Shqipëria drejt Serbisë, ndërsa “turkofilët” do ndihen të zhgënjyer që “vëllai i madh” nuk i sheh më trojet shqiptare si atraksion ekonomik e kulturor.

Shperndaje ne

The Author

Bledar Komini

1 Comment

Add a Comment
  1. …. thua ;””. E thënë në antitezë, marrëdhëniet Tiranë-Ankara janë parë si një rikthim në periudhën e Perandorisë Osmane,”” , po…,kjo eshte me se e vertete.
    Dhe e di pse …,se ne Tirane dhe ne Prishtine turkofilet i perkasin besimit musliman.Por nuk eshte kjo e keqja….e keqja e madhe eshte se keta njeres rrojne dhe udhehiqen ne te perditshmen e tyre nga mentaliteti mesjetar i nje islamo-osmani te rendomte ,i cili si burim kryesor te jetes kishte shitjen e gjithshkaje -fe,atdhe,meme,babe,vella,femije- ne sherbim te pushtuesit.
    Ju nuk arrini te kuptoni se sot lufte vetem disa syresh kane te drejte me ba dhe ahere kur kerkojne te pershpejtojne/nxitohen .Ekonomia dhe feja/besimi jane mjetet e ” pushtimit” sot .Ne te pushtuar jemi ekonomikisht ,mirepo kur kjo e keqe na sjelle dhe vetsyrgjynosjen e ndjenjes kombetare nga ajo fetare ,kjo,eshte e keqe e zezë.Hapeni mendjen dhe syte mbi te gjitha ,se,ndjenja fetare te “defreu” kete sallate qe ke shkruar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.