Ëndërra e të gjithë shqiptarëve të
sotëm, është kjo tokë, është ky dhé
çdo lëvizje e kombit tonë përpara
është udhë, dhe kalim mbi errësirën
Dashuria për atdheun është më e
bukura dhimbje. Ajo i jep frymën
çlirimit. I mund frikat e dënimeve
se zogu që fluturon s´pyet për kufij
Atdhe, kur do t´i ndryshojmë kufijt
pyesin të tashmit dhe të ardhshmit
pyes, si do ta zgjidhim këtë çështje
që trojet tona të jenë të bashkuara
Një marrëdhënie e re me historinë
kujtoj s´ e është e domosdoshme
toka ka sy, sheh se çfarë po ndodhë
unë do flas, vetëm për vetëm me të
Arb, Shqipëria kërkon Shqipërinë
në të tëra pjesët e saj të pushtuara
s´di si do shprehet kokrra në kalli
Shqipëri ka vetëm në gjuhën time!..
Rrustem Geci – Dortmund, 2016
The Author
Atdhe Geci
Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik.
Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron.
Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra;
1. “Demonstratat e luleve”,
2. “Antolologjia personale"
3. “Jeta në Letër”,
4. ”Mielli dhe uji”,
5. “Lirikë”,
6. “Dridhjet e barit”,
7. “Atdheu”,
8. ”Erdhëna”,
9. “Arbëreshët”,
10. “Shqipëria”,
11. “Trojet e mia” ,
12. “Rogana”,
13. “Heroika”,
14. “Gacat e prushit”,
15. “Atdhetarët”,
16. “Pasha këtë tokë”,
17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje.
Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria.
Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.