Letërsi Kombëtare: Hamit Taka – Një tufë poezi

RiBashkimi

Hamit Taka

Përshëndetje Bashkimi i Shqipërisë!

Lexoj e pëlqej faqen Tuaj.

Faleminderit për botimin e Poezisë “Konispoli”

Me kënaqësi po Ju dërgoj një tufë tjetër me poezi.

Faleminderit për mirëkuptimin.

Hamit Taka, Sarandë

 

BETIMI

Me dorën mbi Librin e Shenjtë

Përherë jam betuar: Pasha Zotin!

Pasha Diellin! Pasha kohën!

Pasha Tokën e bekuar!

Me dorën në zemër

Përherë jam betuar: Pasha flamurin!

Pasha lirinë! Pasha besën!

Pasha Shqipërinë e bashkuar!

Me shpirt e me zemër

Përherë jam betuar: Pasha familjen!

Pasha bukën!

Pasha nderin!

Pasha dashurinë e amëshuar!

Me qafë nën zgjedhë

Prapë jam betuar: Pasha idealin!

Pasah Udhëheqësin!

Pasha kinezët!

Pasha të drejtën e mohuar!

Me dy gishtat në qiell

Duke brohoritur jam betuar: Pasha demokracinë!

Pasha fjalën e lirë!

Pasha Europën!

Pasha mërgimine harruar!

Gjysëmdroguar, gjysëmesëll

Më tej kam evoluar: Pasha PS-në!

Pasha PD-në!

Pasha LSI-në!

Pasha Drejtësinë e korruptuar!

AZILKERKUESI

Mbase unë sonte nuk do të vij

Ti fike dritën kur të biesh.

E di se shtrati të duket varr

Po sqetullat prapë ti mund t’i lyesh.

Mbase as nesër në portë s’do të trokas,

Ti darkën mos e ler të shtruar

Dhe djalit, kur ta vësh në gjumë,

Përralla të frikshme mos t’i thuash.

Mbase papritur kaloj kufirin

Si një skllav i arratisur nga padroni

Dhe në tokë të huaj rrëshqas

e bie Buzë një gremine

e buzë një honi.

Mbase i dehur në kabarera

Ndeshem keqas me një

zezak a bjond,

Mbase diku në një skutë të errët

Pusi më zë një vagabond;

Mbase në një sofër të pa shtruar

Përtyp kotheren e urisë

A fillikat i vetëm në një tren

Rend mesnatës drejt lirisë;

Mban ky kurmi i të varfërit

Dhe qafë e tij si qafë e djallit…

Veç kudo qofsha, në parajsë a ferr

Unë sonte flë në shtrat të mallit.

* * * * *

Nëna ime, ish zanë me huqe

Nëpër shtëpi këndonte si harabeli

Leshrat breshër përmbi supe

Kur shplekste gërshetin gjer te beli;

Nëna ime shtëpiake prore

Gatuaj e laj, plekste e shplekste

Si mbretëreshë e bletëve puntore

Në mjaltë kthehej çdo gjë që prekte;

Nëna ime, perëndeshë e heshtur

Me buzën e bukur qesh e qaj

Herë si bora në majën e çveshur

Herë si trëndafili në maj…

ME FAL

Më fal!

Udhën s’ta shtrova dot me lule.

S’u bëra dot as lider as VIP as ofiqar.

Unë di të lëroj atje ku dielli ulet

Mëngjesin të rrënjos në sytë e tu të larë.

Më fal!

S’të shëtita dot ty nëpër botë.

Bile unë s’di as ku bie Polinezia.

Lidhjen tonë të pandarë di ta mbroj fort

Dhe humbas plot besim në ëndërrat e mia.

Më fal!

Fatin Zoti na e bën dhuratë.

Horoskopin e yjeve unë s’e kam lexuar.

Kujtoj mbrëmjet kur ti ngreje kokën lartë

Trupin ma lëronin duart e tua shtrënguar.

Më fal!

S’të çova dot në Tokën e Premtuar.

Si Magelani s’i erdha rrotull botës.

Nën hijen e agimit vargjet i kam shkruar

Zbathur kam ecur në zemër të tokës.

Më fal!

Për ditët tona rutinë e pa jetë.

Për netët plot trishtim e brenga shumë.

Të lutem, mos kujto furtunat,

lotët e shkretë,

Mos i kujto më fjalët që të thoja unë.

Kujto ti ditët e pakta plot me dashuri!

Gëzimet që na mbushnin shpirtin i kujto!

Rrugën tonë ku ecëm plot guxim e gjallëri

Bekoje, e dashur, kurrë mos e harro!

 

Shperndaje ne

The Author

Hamit TAKA

1 Comment

Add a Comment
  1. Përshëndetje BASHKIMI I SHQIPERISE! Faleminderit per botimin e poezive te mia!Po Ju dërgoj dhe disa te tjera me shpresë se do t’i gjeni të përshtatshme. respekte!

    DASHURI BALLKANASE

    Ballkanas, komshinjtë e mi të shtrenjtë!
    I njëjti diell na zgjon çdo mëngjes
    E njëjta erë na zbulon pjesët e turpshme
    Këmbët na lagen nga po e njëjta vesë.

    Të njëjtat male, i njëjti det, dallga e njëjtë
    I njëjti peshk, e njëjta bukë, e njëta kripë
    Të shënjtë e kemi vdekjen dhe lindjen të shënjtë
    Dhe vajzat i përcjellim me të njëjtën prikë.

    Në të njëjtin krua lajmë e shplajmë teshat
    Në të njejtin tel i ndejmë për t’u tharë,
    Në të njëjtën kapse i mbërthejmë shpresat
    Inatet, dashuritë dhe urrejtjet për të na i parë…

    E njëjta zënkë dëgjohet në shtëpitë tona
    Të njëjtat të bërtitura, të njëjtat të qara
    Me të njëjtat fjalë i përkëdhelim fëmijët
    Të njëjtën kafe i vëmë mikut përpara.

    I njëjti tingull na ngre ne të kërcejmë
    Me të njëjtat meze i mbushim tryezat në dasmë
    Ekzaltohemi, kapardisemi dhe dehemi
    Patjetër, të njëjtat gjëra vjellim dhe më pas…

    Të njëjtët zogj na vijnë në pranverë
    Me të njëjtin kënd vjeshtës shtegëtojnë
    E njëjta fishkëllimë dëgjohet sa herë
    Vashat e bukura para syve na kalojnë…

    E njëta kukuvajkë na lajmëron për mort
    E njëjta kukuvajkë mbi të njëjtën çati
    Në të njëjtën kohë flemë…i njëjti murë na ndanë
    I njëjti rënkim dëgjohet kur bëjmë dashuri.

    I shajmë me mllef perënditë njëri-tjetrit…
    Themelet e shtëpive… Dreqin dhe shejtanin…
    Të parët i zgjasim dorën njëri-tjetrit në skamje…
    I zgjasim kripën, hirin, kafen e duhanin…

    EMIGRACION
    Drurët në pyllë u rralluan
    Djemtë tanë të bukur u rralluan,
    Zogjtë ikën pa na përshëndetur
    Një adresë nuk na lanë se ku shkuan;
    Arat na mbetën pa lëruar,
    Tufat na mbetën pa barinj,
    Na mbetën fletoret pa u shkruar,
    Na i këndojnë këngët korbat e zinj;
    Ne mbetëm zgërbonja të vetmuara,
    Zemrat mbetën fole të braktisura,
    Gjejmë lodra fëmijësh të harruara
    Si relike nga epoka të përmbysura;
    Ne gjithë ditën presim që të ngryset,
    Lusim ëndrrën që nata të zvarget,
    Dhe i themi vdekjes që të niset
    Të vijnë djemtë të na hapin varret.

    NE DHOMEN E POETIT
    Ju bren kureshtja për dhomën e poetit?
    Hyni pa emocione, është e qetë dhe e thjeshtë,
    Sa të hedhësh hapat në qilimat e heshtur
    Do të ushtojë ajo sa qindra zgjoje me bletë;
    Mjafton ta prekësh pak tavolinën e vjetër
    Do të kumbojnë në çast partiturat muzikore
    Simfonitë e Moxartit e Bet’hovenit të verbër
    Gjatë një mbrëmjeje miqsh në paqe dimërore;
    Në çdo nyje druri ka brenda më tepër
    Cicërima zogjsh se gjithë zemra e një pylli
    Dhe karrigia e hershme me damask e veshur
    Ka pamjen flurore të një peme në mëngjes;
    Një vajzë fluturake mali vjen e të shërben
    Në se është kohë për kafe a për të drekuar,
    Përparsja e saj sjell aromën e bukës së ngrohtë,
    Të trëndafilit të freskët dhe qershisë së lulëzuar.

    ME FAL
    Më fal! Udhën s’ta shtrova dot me lule.
    S’u bëra dot as lider as VIP as ofiqar.
    Unë di vetëm të lëroj atje ku dielli ulet
    Mëngjesin të rrënjos në sytë e tu të larë.
    Më fal! S’të shëtita dot ty nëpër botë.
    Bile unë s’di as ku bie Polinezia.
    Lidhjen tonë të pandarë di ta mbroj fort
    Dhe humbas plot besim në ëndrrat e mia.
    Më fal! Fatin Zoti na e bën dhuratë.
    Horoskopin e yjeve asnjë herë s’e kam lexuar.
    Kujtoj mbrëmjet kur ti ngre kokën lartë
    Trupin ma lërojnë duart e tua shtrënguar.
    Më fal! S’të çova dot në Tokën e Premtuar.
    Si Magelani s’i erdha rrotull botës.
    Nën hijen e agimit vargjet i kam shkruar
    Zbathur kam ecur në zemër të tokës.
    Më fal! Për ditët tona rutinë e pa jetë.
    Për netët plot trishtim e brenga shumë.
    Të lutem, mos kujto furtunat, lotët e shkretë,
    Mos i kujto më fjalët që të thoja unë.
    Kujto ti ditët e pakta plot me dashuri!
    Gëzimet që na mbushnin shpirtin i kujto!
    Rrugën tonë ku ecëm plot guxim e gjallëri
    Bekoje, e dashur, kurrë mos e harro!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.