Dhunimi i simboleve kombëtare

flamuri_bashkimit_shqiptareFlamuri simbolizon: identitetin kombëtar (shqiponja), lirinë (fluturimi i shqiponjës), sakrificën për liri (gjaku). Flamuri ishte i shenjtë. I vjetër sa ekzistenca e jetës në tokë. Në betejat tona, në historinë e lavdishme, flamuri kombëtar ju printe luftëtarëve. Ai që mbante flamurin ishte më luftëtari, më i guximshmi, më i forti, më i zhvilluari. Nëse vritej luftëtari flamurtar, flamuri pa rënë në tokë do të merrej nga luftëtari tjetër. Në krahina ai që mbante flamurin vendoste për njerëzit e krahinës së tij, konsultohej nga njerëzit e krahinës së tij dhe njihej jo me emër, si njerëzit tjerë, por bajraktar (flamurtar), ishte shumë i respektuar, gjykimi dhe vendimet e tij nuk kontestoheshin, ndërsa kuvendi i shumë krahinave, që vendoste për çështje madhore, njihej me emrin ,,Kuvendi i Bajraqeve”. Pushtuesi sllav lejoi ngritjen e shumë faltore (xhami, kisha, manastire), por ndaloi flamurin kombëtar dhe shkollimin në gjuhën shqipe. Pas Luftës së Dytë Botrore kundër shqiptarëve, vazhdoi politika antishqiptare e para luftës, u ushtrua etnocid me qëllim ndryshimin e strukturës së popullsisë në favor të sllavëve. Me pretekst të mbledhjes së armëve, u ushtrua terror në popullsinë shqiptare.

Në vitin 1968 shpërthyen demonstratat të fuqishme shqiptare me kërkesat kryesore: Flamuri shqiptar të lejohej në përdorim, Kosova Republikë dhe Universitet. Në ballë të demonstratës ishte flamurtari me flamurin kombëtar. Në vitin 1970 pushtuesi sllavë ,, u demokratizua” dhe shqiptarëve(Kosova e ngushtë) ju lejua: flamuri kombëtar ( me shumë kufizime), statusi i avancuar i autonomisë për Kosovën dhe Universiteti i Kosovës. Në popull flitej se krimineli Rankoviq i kishte thënë kryekriminelit Tito: ,,Ne ju mblodhëm pushkët, por ju dhamë topin (Universitetin)!” Ndërtesa e Universitetit (ajo ndërtesë përdhese) shpejtë u bë një simbolikë e dashur për popullin tonë!

Edhe në vitin 1981 në ballë të demonstratave ishte flamurtari me flamurin kombëtar. Demonstratat ishin të fuqishme, masive, të përgjakshme, por larg Universitetit dhe fakulteteve, sepse organizatorët kishin parashikuar që me pretekstin e shuarjes së protestës, pushtuesi do t’i shkatërronte objektet e shenjta!

Edhe në demonstratat e mëvonshme të vitit 1989, 1990, 1997, 1998, flamurtari me flamurin kombëtar ishte në ballë, edhe në kohën kur rektor ishin serbët, edhe kur shqiptarëve ju ndalohej futja në objektet mësimore, demonstratat u zhvilluan larg simbolit të respektuar të dijes.

Edhe gjatë luftës sonë të shejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, flamuri ishte i shenjtë, para tij betoheshim, ai na jepte forcë në istikame, ndërsa simboli i dijes mbeti çuditërisht i pa dëmtuar nga jashtë, domethënë i mbijetoi asaj stuhie!

Erdhi qershori i 1999-ës. Gjatë këtyre 15 viteve ndodhin veprime absurde. Shumë flamujë kombëtar janë degraduar në formë nga tregtarët, që dojnë për të përfituar më shumë! Shumë njerëz të shtyrë nga të tjerët, e ngritin flamurin kombëtar pa e vërejtur se e kanë ngritur mbrapshtë, me kokat e shqiponjës poshtë, shumë flamujë janë harruar nga ata që i kanë ngritur dhe janë kthyer në lecka në shtizë, shumë flamujë mbahen nga fëmijët, në dasma a protesta dhe prekin tokën! Sikur të kisha pushtet ekzekutiv do t’i ndëshkoja të gjitha ato institucione, bisnese e individë që përdhosin vlerat kombëtare. Më mirë të mos ngritet një flamur kombëtar se sa të përdhoset ai!

Tash është edhe një dukuri tjetër absurde: ajo e përdhosjes së simbolit të dijes-Universitetit. Grupe njerëzish për interesa të ngushta kanë gjetur mundësinë ta sulmojnë objektin e rektoratit! Gjatë protestave kundër rektor Gashit dhe tash kundër rektor Zejnullahut unë kam një frikë: A do të jetë dikush nga demonstruesit që do ta ndezë objektin, ta shkatërroj atë objekt aq të dashur për atdhetarët! Kush do ta marrë përgjegjësinë për këtë? A do të shfajsohen Xhaviti e Ramadani me një deklaratë, se huliganët dogjën dhe shkatërruan objektin. Edhe nëse i shpëtojnë gjykatave, nuk do t’i shpëtojnë gjyqit të popullit!

Parimisht ka të drejtë Xhavit Jashari. Unë çmoj përkushtimin e Xhavit Jasharit për familjarët e atyre që shporrën pushtuesin dhe sollën këto begati (jo të përdhosjes së vlerave, por begatitë tjera). Familjarëve të Dëshmorëve sa do të mira t’u ofrosh (siç thuhet në popull edhe me lugë ari nëse hanë ushqim), atyre prapë ju mungon diçka që nuk kompensohet në jetë, mungesa e më të dashurit, Invalidëve ju mungojnë pjesët e trupit, Veteranëve ju mungojnë shokët me të cilët ndanë bukën e plumbat, e këto janë humbje që nuk kompensohen ndryshe, përveç Liria që është ajo për të cilën u kryen këto sakrifica. Por, nëse nën këtë kategori të njerëzve me vlerë maskohen matrapazë e njerëz të korruptuar, kjo nuk duhet të lejohet, por të ndiqet edhe penalisht, sepse shumë njerëz e njohin veten se janë familjarë të dëshmorit pa qenë në lidhje të ngushtë gjaku dhe pa e respektuar mirëfilltë veprën e dëshmorit. Edhe më tragjike është gjendja nëse në lista janë futur kandidatë me pagesë.

Parimisht ka të drejtë rektori Zejnullahu. Një institucion i respektuar nuk duhet të jetë nën ndikimin e shantazheve dhe presioneve. A duhet të shantazhohet e të presionohet rektori për të kthyer kokën nga vlerat?! Sikur të kishte vetëdije e vlera të mirëfillta të tijat, nuk do të kishte nevojë të shantazhohet as me memorandume dhe as me protesta. A është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në nivelin e duhur? Jo përfundimisht! Më mirë se unë i din rektori këto: pranim në drejtimet e preferuara me njohje e pagesë; diplomimi e magjistrimi i analfabetëve në UP; shantazhi i referentëve ndaj studentëve; imoraliteti i profesorëve; mospuna dhe mungesa e seriozitetit të punonjësve zyrtarë në respektimin e orarit të punës e vendit të punës, e dukuri tjera të shumta negative! Unë njoh shumë të diplomuar, ku përveç fjalorit të rrugaqërisë, nuk i karakterizon diçka tjetër. Me ta nuk mund të diskutosh asnjë temë, sepse as nuk e njohin diskutimin (dëshmohen edhe në debate televizive) e as nuk i njohin lëndët e studiuara. Unë njoh edhe personel të UP-së që kanë mbetur fanatikë të botëkuptimeve naive, shumë më në ekstrem se sa paraardhësit e tyre të pashkolluar, profesor të shkencave që ju besojnë naivisht dogmave fetare. Por, më shumë se seriozitet të punës, te rektori shohë mungesë të njohjes së vlerave të mirëfillta! Rektorin e shoh si kuadër të pushtetit të kaluarës, ku shumë intelektualë nuk arritën të rrijnë vërtikalisht, por ju nënshtruan pushtuesit. Ndoshta edhe rektori është pjesë e listave të të kaluarës, që njerëzit e pëlqyer nga pushtuesit jo vetëm që pranoheshin pa u testuar, por edhe profesorët ndëshkoheshin që nuk i kalonin pa dije. Pëlqimi i komiteteve partiake, fatkeqësisht, i thyen shumë njerëz që sot njihen si intelektualë me përvojë. Të rrallë ishin Ali Hadrat e Ukshin Hotat, që qëndruan vertikalisht dhe deri në fund i shërbyen me devotshmëri çështjes kombëtare. Por, edhe të ishte gjallë Ali Hadri, Ukshin Hoti, e ndonjë intelektual i kategorisë së tyre, do t’i verifikonte listat dhe do të përkulej para vlerave. Ata do t’ju ofronin mundësinë për t’u arsimuar këtyre njerëzve, por jo notë provimi pa dije ashtu, siç veprojnë shumë profesorë tuaj! Rektor do të doja t’ju shtroja një pyetje: Ku do të ishit ju, sikur të mos ishte e madhja UÇK? Ndoshta jo i persekutuar, por jam i sigurt se popoviqët nuk do t’ju linin rektor të UP-së, me komoditetin që e keni sot! Prandaj, kthe kokën nga vlerat, sepse edhe ti ke përvetësuar nga ajo kohë, pavarësisht brumosjes e kontributit tuaj! Gjuhën e diskutimit e harmonizimin e qëndrimeve duhet ta kesh në vete, sepse Universiteti Publik ,,Hasan Prishtina” nuk është pronë private e juaja, as biznes i juaji, ku mund të hyjnë të përzgjedhurit tuaj, por vlerë kombëtare ku edhe ti ke pergjegjësitë tuaja, ku paguhesh të punosh dhe ke shumë obligime. Të sugjeroj që nesër edhe biznes privat nëse udhëheq heq dorë nga despoti, sepse do të kushton shumë. Nuk ju vlen përkrahja që mund të keni nga të huajt, sepse vlerat kombëtare janë më të qëndrueshme në kohë, sesa përkrahja momentale e kujdoqoftë nga të huajt. Unë lutem, që ti rektor mos të jesh ekstrem i tradhtisë, para të cilit përkulen vulinët e qubrilloviqët dhe të mallkojnë e urrejnë bashkatdhetarët.

Pranimi në univeristet i kandidatëve të familjarëve që kanë kontribuar për lirinë e atij vendi, do ta konsideronin privilegj universitetet me famë botërore. Ata do ta kishin si flamur në kontaktet me homologët e tyre, duke e potencuar si vlerë. ushtarët amerikanë kur kthehen nga misionet janë të privilegjuar kudo ku shkojnë, kudo ku aplikojnë, konsiderohen elitë e shoqërisë. Kandidatët për të ardhur në Shtëpinë e Bardhë përmendin vlerë të tyre pjesëmarrjen në Luftën e Vietnamit, Irakut, e tjera misione.

Unë parimisht ju kisha thënë xhavitëve (nuk them jasharëve – sepse JASHARËT janë të mëdhenjë) e zejnullahëve: gjeni gjuhën e përbashkët në verifikimin e listave dhe në respektin e vlerave, por edhe nëse nuk doni të gjeni gjuhë të përbashkët, atëherë theni qafën njëri me tjetrin, por jashtë objektit të respektuar të popullit, Tempullit të Dijes-Universitetit të Prishtinës!

Shperndaje ne
Updated: 9 Dhjetor, 2014 — 10:09

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.