Tajar Zavalani- krenari e harruar kombëtare

Tajar_Zavalani_FB

“Rruga që duhet ndjekur për të modernizuar Shqipërinë është plot gjëmba, plot vështirësi të panumurta dhe lyp sakrifica të çdo çasti. Ata që do t’i përvishen kësaj pune duhet të mos ëndërrojnë jetën e një pallati por atë të kasolles, me fjalë të tjera mos kërkojnë konfort e dëfrime.”

– shkruante Tajar Zavalani ( Populli dhe intelektualët)

ZavallaniTajar Zavalani lindi më 1903 në qytetin e Manastirit 15 gusht të vitit 1903. Zavalanit ishin një familje me tradita të shquara atdhetare e patriotike. Meqë në atë kohë nuk kishte shkolla shqipe, i ati e dërgoi në shkollën franceze, të cilën e kishin hapur në Manastir misionarët katolikë, të ashtuquajturit “Vëllezërit Maristë”. Megjithatë, i ati u përpoq t’i japë edhe njohuritë në gjuhën shqipe nga një anëtar i familjes Qiriazi, anëtarët e të cilës më vonë hapën në Korçë Shkollën Femërore Shqipe. I ati ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi i kombit” botuar në Manastir më 1907-1908. Gjatë Luftës së Parë Botërore (1916), kur francezët bombarduan dhe dogjën Manastirin, me shumë të tjerë edhe Tajari la vendlindjen dhe shkoi në Selanik. Aty u hapën disa shkolla franceze, rreth të cilave u mblodhën nxënësit refugjatë. Tajari i dha të gjitha provimet gjatë gjithë viteve që mësoi aty, ku mbaroi edhe studimet në degën e letërsisë. Sipas dëshmisë së konsullit francez, i cili i kishte dorëzuar diplomën, Tajari në atë kohë ishte laureati më i ri që kishte kryer studimet në universitetet franceze.

Një vend të posaçëm në veprimtarinë e Tajar Zavalanit, si vepra më e mirë origjinale do të mbetet “Historia e Shqipnis” në dy vëllime, të cilën e botoi në Londër në vitin 1965. Pjesa e parë përfshin kohët prej Ilirëve e deri në Kongresin e Berlinit, kurse e dyta vazhdon e mbërrin deri në ditët tona (në vitet gjashtëdhjetë).

Tajari ishte erudit i madh i cili në çdo kohë të tij brengosej për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve: “Qëllimi i qytetërimit është që gruaja të mos kufizohet në rolin e një kafshe shtëpiake por të marrë pjesë aktive në jetën e shoqërisë krah për krah me burrin. Qytetërimi i vërtetë fillon atëherë kur gruaja del nga rrethi i ngushtë i familjes dhe lartësohet shpirtërisht duke zhvilluar fuqitë e saj mendore dhe ndjesitë e saj të holla. Atje, në viset e qytetëruar ku gruaja është çkëputur nga robëria shekullore dhe ka vënë mendjen e saj të hollë dhe zemrën e ndjeshme në shërbim të shoqërisë, shohim që shkëlqejnë në të gjitha fushat e aktivitetit shoqëror sa e sa përfaqësonjëse të seksit, që jemi mësuar ta quajmë, të dobët. Shkrimtaret si M-me Collete, dijetare si M-me Curie, ministreshat si Miss Perkins janë gra që me veprat e tyre kanë sjellë një kontribut të veten në thesaret e vlerave morale të njerëzimit dhe qëndrojnë shumë më lart nga shumë burra që krekohen si pjesëtare të ashtu-quajturit seksit të fortë.”

Nga jeta Tajar Zavalanit duhet të shtojmë edhe këte :Kur po i viheshin themelet shtetit modern shqiptar, më 1922, u ftua që të merrte një detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ishte nga ata pak shqiptarë me diploma franceze, ndihma e të cilëve ishte shumë e nevojshme për shtetin e ri shqiptar, që po bënte hapat e parë të jetë në pavarësi. Me të marrë ftesën ai u nis me entuziasëm në atdhe, të cilit dëshironte t’i shërbente me të gjitha fuqitë që kishte. Në fillim qe emruar sekretar i Komisionit Shqiptar për Çështjet e Kufijve, të cilin e kryesonte Ali Pash Kolonja. Ky Komision merrte pjesë në grupin e përfaqësuesve ndërkombëtar të shteteve të ndryshme, që kishin mbi vete këtë çështje. Në fakt kufijt ishin të caktuar në Konferencën e Paqes, mirëpo ky Komision kishte për detyrë t’i zbatonte përfundimet e bëra që të ishin sa më të natyrshme. 

-“Ju flet Radio-Londra”-Këto fjalë të përhapura në eter për 26 vjet me rradhë nga goja e Tajar Zavalanit, me komentet e tij të mençura e plot zjarr, do të bënin të njohur para gjithë botës, luften e drejtë të popullit shqiptar.Do të ishte BBC, që fshehurazi nëpërmjet zërit të tij, do të hynte në shumë shtëpi shqiptare, në periudhën e gjatë të territ stalinist që mbuloi Shqipërinë, që do tu dërgonte nga larg shqiptarëve të terrorizuar dhe të demoralizuar frymën e lirisë e të demokracisë.

Në Londër Tajar Zavalani ka mbajtur një varg konferencash nëpër institute të ndryshme mbi Shqipërinë. Tri vjet ishte Sekretar i Përgjithshëm i Pen Clubit të shkrimtarëve në mergim, që vinin nga shtetet e robëruara. Pothuaj se tërë një numër të “Arena” (revistë letrare e klubit të përmendur) ia kushtoi letërsisë shqipe, ku botoi edhe përkthimin e “Gjeniut” të At Gjergj Fishtës në gjuhën angleze, që ai e përgatiti.

Ishte për një Shqipëri moderne dhe një grua moderne shqiptare . Kështu që dëmi me i math i pesë shekujve të sundimit osmanlli nuk është që na la më ditë të hallit ekonomikisht: pa rrugë, pa skela, pa ndërtesa, pa fabrika dhe me një bujqësi primitive e të çkatërruar, por është sidomos ky deformim i karaktereve humbja e atyre cilësive të çmuarshme që na duhen sot për të hyrë në rrugën qytetërimit të vërtetë. Pse po të dinim të punonim, po të dinim të bashkoneshim rreth një programi përparimtar, po të dinim t’i shtroneshim një disipline të hekurt dhe të pranonim me bindje autoritetin e atyreve që me zotësinë, kulturën dhe lartësinë e tyre morale do të na delnin si prijës, lulëzimi ekonomik dhe zhvillimi i kulturës do të arriheshin shumë shpejt. Djalëria shqiptare në qoftë se do me të vërtetë të lozë rolin që i ngarkon historia, duhet pikë së pari të edukojë veten e saj, të dale si një trup i disiplinuar, me muskulla të shëndosha, me idhe të qarta, me vullnet për punë dhe me shpirtin e sakrificës. (1933 )

“Një nga mbeturinat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim ferexheja që mbulon gruan myslimane. Natyra hipokrite dhe e urryer e kësaj forme skllavërimi ishte kaqë e dukshme (ashiqare) sa nuk kujtonim të kishte nevojë të provohej. S’na shkon nga mendja se ka burra që i thonë vetes të dijshëm dhe duan të ecin hap më hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të përligjin me argumente gjoja serioze, mshehjen e gruas myslimane mbrapa një perde të zezë. “ (Ferexheja dhe qytetrimi , 1930

Dhe kështu 50 vjet më parë (1966) u shua jeta e birit të shquar të kombit tonë, intelektualit erudit të përmasave europiane, Tajar Zavalani, njeriu që investoi një jetë të tërë në BBC. Me një biografi të pasur prej shkrimtari, gazetari, përkthyesi, historiani e politikani. Si bir i Dangëllisë së Përmetit, nga ishin edhe vëllezërit Frashëri, familja e tij e vendosur në Manastir, ishte një familje me tradita të shquara atdhetare e patriotike.

Tajar_FB

Pra Tajar Zavalani, ishte një fytyrë e ndritur e nacionalizmit dhe kulturës shqiptare, por fatkeqësisht shumë pak e përmendur ; ai në çdo kohë thoshte: “Si mund të jetë i zgjuar e i mbarë një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmijës, dhe këto qysh mund të bëhen kur burri rrin veç gruas? Ç’dashuri, ç’arsye mund të mësojnë e të marrin djemtë në një të tilë familje…Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë nga burri se fëmija së pari nga mëma e marrin arsimin dhe mësimet…Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krejt i njerëzisë”

fahriu_veteFahri Xharra,24.01.16
Gjakovë

Shperndaje ne

The Author

Fahri Xharra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.