Ruaju zemërimit të të urtit…

Platoni_horrat

besi_bekteshi

Nga: BESI  BEKTESHI

Shoqëria moderne, ajo e qytetëruara është e tillë, sepse me kohë ka zgjidhur problemin kryesor që ka zhvillimi shoqëror. E ka zgjidhur sigurisht jo në mënyrë përfundimtare, por në fund të fundit, ka bërë që të kuptojnë të gjithë se jetohet më mirë dhe më me dinjitet, kur keqbërësit dhe horrat, largohen nga frika e të urtëve kur marrin vendim dhe zemërohen”!

Ne e kemi një fjalë tonën në përdorim, për të urtin dhe zemërimin e tij. Ajo thotë pak a shumë kështu: Ruaju zemërimit të të urtit”! Po, dhe është shumë e drejtë. Në një skenë “urbane” në Shkodër, u provua një nga llojet e veprimit të horrit dhe keqbërësit, ndaj një personi të urtë dhe të qetë. Ai kishte ngarkuar diçka në biçikletën e tij dhe normalisht e kishte mbështetur në trotuar, ndërkohë që kishte hyrë të blinte diçka, Dy të rinj, çohen nga kafja dhe ja rrëzojnë biçikletën. Ai del nga dyqani, shikon rreth e rrotull, por horrat bënin sikur nuk ishin ata fajtorët. Sërish futet në dyqan njeriu i urtë dhe në punën e tij, e sërish horrat ja rrëzojnë dhe për më tepër i derdhin dhe ngarkesën. Ai prapë del, shikon i habitur kush është dhe mbasi i mbledh rraqet e tij, i vendos në vend me kujdes. Sërish shkon në dyqan, por kësaj rradhe me një strategji të re, për t’i parë dy keqbërësit që në Shkodër ju thonë “horra”!

Ata afrohen te biçikleta dhe kësaj rradhe tentojnë ta hedhin me gjithë ngarkesë në rrugë. Por kësaj rradhe, i qeti dhe i urti del nga dyqani, nxjerr rripin e pantallonave dhe me qetësinë e të urtit, godet fort ndër këmbë dy horrat, që nuk ishin as adoleshentë, por në moshë afër të tridhjetave. I kap befas, sepse ata nuk e prisnin këtë veprim. I godet fort dhe me vendosmëri të madhe e ata të zënë në panik e frikë, largohen instiktivisht dhe të alarmuar në drejtime të ndryshme nga tmerri i një veprimi që nuk e prisnin kurrë. I urti i zëmëruar por krejt i qetë në fytyrë dhe veprime, fut me qetësi rripin, i hipën biçikletës i sigurtë dhe largohet duke ju bërë me shenjë të dy horrave mistrecë, që nuk ka mbaruar me ta. Të dy plehrat-horra, mbasi u largua disi qytetari i urtë, bëjnë sikur e ndjekin nga pas dhe ndalen duke e sharë me fjalë të ndyta, ndërsa i premtojnë se do ta gjejnë. Ishte një skenë tipike për të treguar horrin që të bën të bezdisesh, të jetosh nën presion të horrllëkut. Ishte një skenë sigurisht e lehtë, por që tregonte natyrën e keqbërësve të vegjël apo horrave të vegjël të rrugës.

Mbas tyre u ndez debati në lokal ku të gjithë ranë dakord se “kur zëmërohet i urti, horri vrapon apo largohet”! Ishte një leksion jete pa lekë dhe pa auditor aristokratik e me kondicioner, por kishte pastërtinë e një “live” të bukur në natyrë, dhe qytetin e madh të veriut, që sigurisht ka plot horra, por ka shumë e shumë njerëz të urtë. Në fakt dhe unë mora leksion meqë isha prezent. Veprimi i burrit të urtë me djemtë e këqinj, nuk ishte me nerva, as me sharje, ishte i ftohtë në maksimum, por shumë i vendosur dhe me trimëri të jashtëzakonshme. Kjo gjë i bëri horrat të ikin larg dhe të zbythen përpara një njeriu të vetëm, dhe mbase jo i fuqishëm fizikisht si ata. Ne që ishin afër e ndjemë veten keq, sepse nuk vepruam në kurrfarë mënyre. Përveç një njeriu aty, një kamionist që ju tha djemve: “Hë legena, deshët ta kruanit me një njeri të urtë dhe në punë të vet, kujdes legena kur të zëmërohet i urti”! Më mbeti në vesh ajo britmë e atij burri 130 kilesh të cilit nuk i kthyen fjalë, nuk ua mbajti t’i kthejnë fjalë, legenat si horra rruge.

Mu kujtua një shprehje e Ajnshtajnit që thotë: Bota është një vend i rrezikshëm, jo nga ata që kryejnë akte keqbërës, por nga ata që shikojnë pa bërë asgjë. E kjo është në përgjithësi për shoqërinë tonë duke u futur në temën kryesore të ndjesisë që duhet të ketë “zemërimi i të urtëve për horrat, që sundojnë shoqërinë dhe pastaj dhe politikën e kësaj shoqërie te ne”.

Sepse bota kështu është e ndarë në horra dhe të urtë. Aristoteli thotë: Kush ka vendosur të bëjë keq, nuk lodhet për të gjetur një pretekst. E këtë e vërejmë prej vitesh e vitesh politikisht dhe moralisht, në këtë vend. Në saj të diktaturës dikur dhe të pseudo demokracisë këto 25 vite, të urtëve dhe qytetarëve shqiptarë të mirë, ju është bërë vetëm keq. Janë trajtuar të tillë qytetarë në mënyrë barbare nga horra e keqbërës që jo vetëm dilnin në krye të formacioneve partiake, por mbronin dhe erzin e interesat e horrave të rrugës, ekonomisë dhe tregut më të poshtër që trajtohej si “kapitalizëm” në Shqipëri.

Ajo që bëjmë ne gabim dhe e kemi bërë prej kohësh si shoqëri e të urtëve apo të mirëve, është e thënë nga Platoni përpara 24 shekujve. Platoni sigurisht është filozofi antik i bazave të mendimit perëndimor si nxënës i Sokratit dhe mësues i Aristotelit. Ai thotë: vuajtja që të mirët dhe të urtët duhet të kryejnë për indiferencën ndaj gjësë publike, është ajo që janë qeverisur nga njerëz të (horra) këqinj?! Nuk mund të ketë frazë më të saktë dhe reale në të gjitha kohët.

Të urtët kanë lejuar horrat ti qeverisin dhe transformojnë urtësinë në keqbërje dhe në gjërat publike. Çdo gjë e tillë, pra publike është shkatërruar, mos mirëmbajtur, ndërruar destinacion, prishur si koncept, degraduar si funksion nga horrat. E nuk ka gjë më publike se sa shteti, arsimi, drejtësia, ekonomia, shëndetësia, leku, kultura etj., etj.

Në Europë, të urtët kanë kryer funksionet e tyre me revolucionet, iluminizmin, rilindjen, dhe krijimin e bazës filozofike e kulturore që horrat të mos duken më në të tilla gjëra serioze. Janë rebeluar, kanë marrë rripin dhe ju kanë hyrë këmbëve dhe nganjëherë dhe kokave të tillë keqbërësve. Po, dhe atyre që kishin shumë fuqi dhe para. Ne nuk kemi filluar akoma në mënyrë figurative e jo të bëhet fjalë në mënyrë historike, dhe një rebelim që kemi bërë e kemi bërë për lekë (viti 97) se për ide dhe për moral. Jemi rebeluar për gjënë private biles kemi prishur dhe gjithë gjënë publike.

Të urtët dhe të mirët, duhet të zemërohen një ditë nëqoftëse duan që të mos jenë viktima akoma ndër vite. Ky zemërim nuk mund të jetë prishja dhe shkatërrimi, por ndryshimi i madh në mendim dhe moral. Horri nuk mund të jetë kurrë përfaqësues i njerëzve dhe pse shumë prej tyre mund ta duan si të fortë! Horri nuk mund të jetë “filozof” dhe qeverisës i të urtëve. Ata asnjëherë nuk duhet ta pranojnë. Por e kanë bërë (ne shoqëria) për vite e vite për dy tre individë që kanë aktivitet horrash (mbledhin shokë) ndër kohë të këtij tranzicioni të zgjatur dhe idiot në ideologji horrash. Tani shoqëria, pothuaj nuk i beson askujt, është e inatosur me të gjithë. Por në krye të shoqërisë duhet të vijnë të urtët dhe të zemërohen ata. Vetëm atëhere horrat largohen.

Shperndaje ne

The Author

Besi Bekteshi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.