Trashigimia jonë Kombëtare-Gjurmët më të vjetra Pellazgo-ilire-shqiptare e qyteteve të UNESCO-s.

Historia e 65 qyteteve të Shqipërisë: Kur janë themeluar, gjurmët më të vjetra ilire, origjina e emrit.

Historia e 65 qyteteve të Shqipërisë: Kur janë themeluar, gjurmët më të vjetra ilire, origjina e emrit

Në vitin 1990 popullsia e Shqipërisë zinte 70 për qind në fshat dhe 30 për qind në qytet dhe vendi ynë ishte gati një fshat i madh. Megjithatë edhe pse shifrat ishin kokëforte, Shqipëria numëronte 66 qytete. Një paradoks, në një Shqipëri me 3 milionë banorë dhe me raport skandaloz mes qytetit dhe fshatit. Në fakt qytetet që ishin zyrtarë të tillë linin shumë për të dëshiruar. Ata kishin vetëm emrin qytet, ishin shumë të vegjël, në shumë raste më shumë se artificialë dhe nuk kishin asnjë lidhje, fjala vjen, më qytetet që dikur gëzonin një traditë me të vërtetë qytetare si Shkodra, Durrësi, Korça, Berati e të tjerë.

Megjithatë, pas vitit 1990 asnjë qytet nuk e humbi statusin, por ama sot ne kemi një panoramë shumë më të qartë dhe shumë më reale. Është e vërtetë që sot në vendin tonë janë po aq qytete sa në vitin 1990, por vetëm një pjesë e tyre janë realisht të tillë. Më saktë akoma, qytete të mirëfilltë janë qendrat e qarqeve dhe disa qytete të tjerë që të paktën kanë një histori. Gjithsesi, pa e paragjykuar këtë zhvillim apo mos zhvillim, në suplementin e sotëm, “Tirana Observer” boton historitë dhe e 65 qyteteve të vendit tonë. Kur janë themeluar, cilat janë gjurmët më të vjetra, kur dhe nga kush janë pushtuar, cila është origjina e emrit. Në vend të parë natyrisht janë disa qytete që nisin me Beratin 2400-vjeçar, por edhe me Durrësin dhe Shkodrën, Vlorën dhe Gjirokastrën e UNESCO-s.

TIRANE

Tirana_jone

Origjina e emrit: (Katër variantet) “Tiranë” mendohet se vjen nga fjala “Theranda”, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin Te Ranat, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujrat nga malet përreth.

“Tirana” vjen nga “Tirkan”. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpat të Malit të Dajtit. Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë që daton në fillimin e shekullit I para Krishtit. Kjo mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop, (shek.VI), e quan Kështjella e Tirkanit.

“Tirana” vjen nga greqishtja e vjetër, “Tyros” që do të thotë bulmet. Mendohet se ky variant ka mbetur ngaqë në fushën e Tiranës bëhej tregtimi i bulmetrave nga barinjtë e zonave përreth.

Tiranë vjen nga Teheran, kryeqytet i Iranit, në kujtim të një fitoreje të korrur nga Sulejman Pasha, (themeluesi i qytetit) në krye të ushtrisë turke gjatë fushatës në Persi.

Me siguri dihet që për herë të parë emri i Tiranës përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut.

Themeluar: 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini.

Gjurmët më të vjetra: Tirana u themelua si qytet më 1614, por toka mbi të cilën u ndërtua ka gjurmë më të hershme banimi. Nga faktet e gjetura në rrënojat e një kështjelle ka mundësi të bëhet fjalë mbi një kështjellë të cilën Prokopi von Caesarea në shekullin e gjashtë e ka quajtur “Tirkan”.

Shpallet kryeqytet: 20 shkurt 1920

Objektet kryesore: Të gjitha institucionet shtetërore më të rëndësishme të shtetit, kështjella e Petrelës, Kalaja e Pezës, Xhamia e Ethem Beut në qendër të Tiranës, Muzeu Kombëtar, Muzeu Arkeologjik, Galeria e Arteve.

Aktualisht ka: 595 mijë banorë (Census 2011).

 

DURRES

Durrës_Albania_2

Origjina e emrit: Durrahium

Emra të mëparshëm: Epidamus

Themeluar: Në vitin 627 para Lindjes së Krishtit.

Pushtuar: në 314 B.C. nga Aleksandri i Maqedonisë dhe në vitin 229 B.C. ai u pushtua nga romakët, më pas nga otomanët, serbët dhe italianët.

Objekte kryesore: Amfiteatri, Forumi bizantin, Muzeu Arkeologjik ku janë të paraqitura periudhat greke dhe romake, Torra Veneciane, Xhamia e Fatihut, Monumenti i Rezistencës, Muzeu Etnografik etj.

Karakteristika:

-Durrësi mund të krahasohet me qytetet më të mëdha të Mesdheut të lashtë dhe mesjetar. Qyteti Dyrrah u ndërtua nga ilirët taulantë, dallëndyshasit në shekujt XIII-XI p.K. Banorët e parë të Dyrrahut, para ilirëve të quajtur protoilir, pellazgë, ngritën në rrethinat e këtij qyteti, vendbanimet e para parahistorike.

– Në afërsi të Shkëmbit të Kavajës është zhvilluar beteja e famshme mes Çezarit dhe Pompeut

– Në vitin 1200, pas një cunami, qyteti nuk është banuar për 6 vjet

-Ka qenë kryeqytet:

-Ka portin më të madh në Shqipëri

Aktualisht ka: 295 mijë banorë

LEZHE

Lezha-2014

Origjina e emrit: Lisus

Themeluar: 669 para Lindjes së Krishtit

1300: Ndërtohet kalaja e qytetit

Deri në vitin 1398 qyteti ishte në dorë të familjes feudale të Dukagjinasve, të cilët më pas ia lëshuan Venedikut

Ngjarje kombëtare: 2 Mars 1444, u mblodh “Kuvendi i Lezhës” nën drejtimin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kuvendi formoi një lidhje politike-ushtarake të princërve shqiptar duke formuar një ushtri shqiptare prej 10 mijë trupash kundër rrezikut osman.

Aktualisht ka: 30 mijë banorë.

KORÇE

KorcaDayTour_statue_image

Origjina e emrit: Gjoriçë, Goriçë. (Por edhe sot asnjë studiues nuk ka një ide të qartë se nga vjen emri i qytetit të Korçës).

Gjurmët e vjetra: Zona e Korçës e ndodhur në kufi me Mbretërinë Ilire dhe Epirin është banuar që nga mijëvjeçari i katërt p.e.s

Themelimi: Qyteti modern i Korçës u formua në shekullin XV kur Iljaz Bej Mirahorie zhvilloi Korçën sipas urdhrit të Sulltan Mehmeti II. Nën pushtimin osman Korça me emrin “Göricë” ishte sanxhak i vilajetit të Manastirit.

Data me rëndësi kombëtare: Është hapur shkolla e parë shqipe në këtë qytet që daton në vitin 1887, shkolla e parë në Shqipëri për vajza, si dhe liceu Francez i ndërtuar në vitin 1917.

Aktualisht ka: 86 mijë banorë.

VLORE

vlora

Origjina e emrit: Aulona

Gjurmët më të hershme: Shekulli i 6-të para lindjes së Krishtit. Duke qenë një nyje e rrugëve tokësore e detare, i njohur për verën, ullinjtë e kripën, u bë porti kryesor i Ilirisë pas rënies së Apolonisë e Orikumit.

Data me rëndësi kombëtare: Më 28 Nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Lufta e Vlorës, 1920.

Pushtuar: Nga normanët më 1081, 1205 nga Venediku, më pas nën sundimin e Hohënshtaufëve gjermanë dhe më 1272 në mbretërinë e Arbërisë. U pushtua nga osmanët më 1417, italianët, gjermanët.

Objektet kryesore: Kalaja, porti, etj.

Aktualisht ka: 124 mijë banorë.

ELBASAN

Elbasan_Castle_1

Origjina e emrit: Në shekullin e 2-të para Krishtit njihej me emrin Skampa dhe më vonë Skampini. Elbasani u themelua nga Sulltan Mehmeti II në shekullin XV. Iu vu ky emër sepse ishte një ndër trevat e para të pushtuara nga osmanët, ELI-BASAM (vura dorë).

Themelimi: Nga osmanët në shekullin e 15-të

Ndërtimi i kalasë së qytetit: më 1466 për 25 ditë dhe për të punuan 150 mijë njerëz.

Gjurmët më të hershme: Historia e trevave të Elbasanit e ka zanafillën e saj në shekullin II p.e.s. me vendbanimet e hershme ilire. Të dhënat arkeologjike besohet se emri i pare i Elbasanit ka qene mansius që do të thotë vend-qëndrim.

Data me rëndësi kombëtare: Më 2-9 shtator 1909 u thirr Kongresi i Elbasanit, ndër vendimet më kryesore të të cilit qe hapja e Shkollës Normale

Pushtuar: Romakët, turqit, italianët e gjermanët.

Objektet kryesore: Kalaja, banjat turke, stadiumin “Elbasan Arena”.

Aktualisht ka: 128 mijë banorë.

GJIROKASTER

gjirokaster

Origjina e emrit: Qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, Argyrókastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët. Për herë të parë emri i Gjirokastrës përmendet në shekullin XIII. Kështjella e Gjirokastrës mendohet të jete filluar nga prijësi shqiptar Gjin Bue Shpata, i cili i dha dhe emrin qytetit, Gjirokastër. Zgjerimet e kështjellës janë bërë nga Ali Pashë Tepelena, dhe nga qeveria e Zogut, e cila me pas e konvertoi pjesën veriore të kalasë në burg.

Objektet kryesore: Në Gjirokastër gjendet kalaja më e madhe e Shqipërisë. Aty mund të vizitoni Muzeun e Armëve, i cili gjendet brenda në kala, Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë ku ka lindur ish-diktatori komunist Enver Hoxha si dhe muzeun e ri në shtëpinë e shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

1963: Shpallet Qytet-Muze

2005: Shpallet Pasuri Botërore nga UNESCO.

Aktualisht ka: 25 mijë banorë.

BERAT

Berat

Origjina: Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës në të para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnoni

Themelimi: 313-310 Para Krishtit si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea

Emrat që ka përdorur: Antipatrea, Albanorum Oppidum, Pulheriopolis,

Gjurmët e para: 2600 para Krishtit

Pushtuar: grekët, maqedonasit, bullgarët, osmanët,

1961: Shpallet Qytet Muze

2008: Shpallet Pasuri Botërore nga UNESCO

Objektet kryesore: I gjithë qyteti, Kalaja, Ura e Goricës, etj

Aktualisht ka: 60 mijë banorë.

SHKODER

shkodra

“Një njeriu të zakonshëm, të ardhur nga qyteti ortodoks i Manastirit, Shkodra i duket fillimi i Europës” – Ismail Kadare

Orgjinë e emrit: Skodrin, ose vendi ku shkon Drini, Skutari

Themelimi: Mes shekullit të 5-të dhe 6-të para Krishtit

Gjurmët e vjetra: Paleoliti (guri i vjetër), Neoliti.

Ka qenë kryeqytet i mbretërisë ilire në 181 Para Krishtit,

Pushtuar: Në vitin 168 nga Roma, sllavët, bullgarët, Venediku, turqit, serbët, malazezët, italianët, gjermanët.

Objektet kryesore: Kalaja e Rozafës, Muzeu Historik, Fototeka Marubi, etj.

Aktualisht ka: 115 mijë banorë

KAMZA

Deri në vitin 1990: Një qendër e banuar e Ndërmarrjes Bujqësore të Tiranës

Pas vitit 1990: Popullohet me të ardhur nga qytete dhe fshatra të nryshëm.

Sot: Një nga bashkitë dhe qytetet me dendësinë më të madhe në vend.

Karakteristikë: Një zonë periferike e Tiranës që pret të sistemohet falë një plani urbanistik

Aktualisht: Ka 104 mijë banorë.

KONISPOL

Qytet i ndërtuar si fillim për të rinjtë aksionistë që hapën tarraca për agrume

Fillimet: Në vitet ‘70

Karakteristikë: Kultivimi i agrumeve dhe zonë plazhi

Aktualisht: Ka 13 mijë banorë

KSAMIL

U ngrit si qytezë bregdetare gjatë periudhës komuniste. Në nëntor 1966 Enver Hoxha porositi që në këtë vend të bukur dhe të virgjër të ngrihej një qendër e prodhimit të agrumeve dhe ullirit. Kështu “lindi” Ksamili, vetëm 5 km larg Butrintit, përballë ishujve piktoreskë, në gadishullin e Heksamilit, (gjashtë miljeve nga Butrinti). Peisazhit të bukur të detit dhe kodrave i shtohen dy ngjyrat jetësore, e kaltra dhe e blerta, që e hijeshojnë edhe më tepër gjirin e Ksamilit, i cili ndodhet pothuaj përballë ishullit më të madh të Jonit, Korfuzit.

Aktualisht ka: 3 mijë banorë

 

KRASTA

Qytet i ri minatorësh në rrethin e Matit. Ka qenë pjesë e fshatit Gjon të Martaneshit. Ndërtimi filloi më 1970 me ngritjen e minierës së Kromit në Batër. Më 1974 u vendosën banorët e parë. Më 1979 u shpall qytet.

Aktualisht: Ka dy mijë banorë.

MALIQ

Themelimi: Pas Luftës së Dytë Botërore, pas tharjes së kënetës

Gjurmët e vjetra: Në Maliq janë zbuluar gjurmët më të vjetra në Shqipëri që i përkasin kohës së Neolitit

Aktualisht ka: 6 mijë banorë

LESKOVIK

Administrimi: Ish-pjesë e rrethit të Kolonjës, sot në qarkun e Korçës

Origjina e emrit: Nuk gjenden të dhëna.

Themelimi: Vend pushimi për bejlerë në kohën osmane

Gjurmët e vjetra: Në lashtësi

Karakteristikë kryesore: Ujërat termale, muzika popullore, sazet

Aktualisht ka: Rreth 4 mijë banorë.

SHIJAK

Origjina e emrit: Me këtë emër që ka sot, Shijaku njihet që para Mesjetës. Toponimi gjeografik i Shijakut është me prejardhje fetare nga Shën Jaku ku fillimisht është quajtur Shen Jak, Shenjak, Shejak, Shinjak e me pas Shijak.

Themelimi: I lidhur gjithnjë me qytetërimin e Durrësit

Gjurmët e vjetra: Gjurmët më të vjetra të jetës njerëzore i përkasin kohës së Gurit të Ri, gjë që vërtetohet nga objekte të gjetura si: çekanë, sëpata prej guri të lëmuar etj. Në zonën e Shijakut janë gjetur prefëse të po kësaj periudhe.

Aktualisht ka: 27 mijë banorë.

BILISHT

Origjina e emrit: Nga maqedonishtja, Bilišta-Bilisht.

Themeluar: Si qendër e banuar, Bilishti është rreth 3000-vjeçar dhe kjo dëshmohet nga mbeturinat e një kalaje ilire në një nga kodrat mbi qytet. Gjurmët e saj të fundit u zhdukën në fillim të viteve ’70 të shekullit XX, kur gurët u përdorën për ndërtimin e objekteve publike ose private.

Karakteristika: Shkolla e parë që u hap në këtë qytet daton në vitin 1917

Aktualisht ka: 12 mijë banorë.

CERRIK

Themeluar: Në vitin 1947 me krijim e Ndërmarrjes Bujqësore Ushtarake

1956-1957 është ndërtuar Uzina e Përpunimit të Naftës

Objektet kryesore: Radiostacioni, Instituti i Duhanit, Sektori Pyjor i Përpunimit, i Tregtisë, TELEKOMIT, ELEKTRIKUT, i Shërbimit Komunal (janë mbyllur pas viti 1990)

Aktualisht ka: 14 mijë banorë.

MEMALIAJ

Themeluar: 1946 si qendër industriale për prodhimin dhe shfrytëzimin e mineralit qymyrguri.

Objektet kryesore: Miniera e Memaliajt

Karakteristika: Në vitin 1990 arriti kapacitetin e prodhimit të qymyr gurit 500.000 tonë në vit. Qymyret e Memaliajit radhiteshin në qymyret e para për fuqinë kalorifike me vleftë 4500-4700

Aktualisht ka: 10 mijë banorë.

ORIKUM

orikum

Themeluar: Është themeluar si koloni mbi ndonjë vendbanim ilir më parë se shekulli VI p.e.s

U krijua si qendër bashkie në vitin 1960 dhe u emërtua si një qytezë ushtarake. Ndërsa si qendër e banuar, lagjja më e vjetër e këtij qyteti njihet me emrin “Lagjja e Fermës”, është formuar në vitin 1949.

Tradicionalisht mbahet si qendër e themeluar nga kolonialistët Eubeas, që u kthyen nga lufta e Trojës, por në të vërtetë duhet të jetë themeluar nga Apolonia për të kontrolluar guroret e Akrokerauneve.

Emrat e mëparshëm: Erihoi

Objektet kryesore: Monumenti më i njohur është teatri, i cili është hapur gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1958.

Aty përveç shfaqjeve teatrale zhvilloheshin dhe ndeshje me gladiatorë

Karakteristika: Qyteti luajti një rol të rëndësishëm në betejën e romakëve kundër Filipit të V-të të Maqedonisë si dhe në betejat e Cezarit kundër Pompeit në Orikum që janë dokumentuar në luftërat civile të Cezarit.

Është një nga vendet më turistike shqiptare.

Është qyteti antik më i mbrojtur, sepse është në hapësirën e paprekur të Pashalimanit.

Në 1989 gërmimet nxorën në dritë një varrezë, e cila mendohet të jetë helenistike.

Orikumi është shpallur park arkeologjik kombëtar.

Aktualisht ka: 11 mijë banorë.

BALLSH

Themeluar: Në shekullin e 4-t para lindjes së Krishtit

Objektet kryesore: Kompania e Naftës “Armo”

Karakteristika: Është një qytet shumë i vjetër ilir, janë akoma rrënojat e Bylisit të vjetër.

Është cilësuar si një qytet arkeologjik afër Bylisit.

Është një nga qytet kryesore në Shqipëri për nxjerrjen e naftës.

Aktualisht ka: 39 mijë banorë.

FIER

fieri

Origjina e emrit: Ekzistojnë dy hipoteza:

E para, paraqet variantin e emrit Fier që vjen nga italishtja FIERA, d.m.th treg ose panair.

E dyta, bazohet tek toponimi i rajonit. Duke qenë se shumica e tyre janë me origjinë bimore, ajo thekson se emri i qytetit të Fierit rrjedh nga bima e fierit që rritej me shumicë në këtë vend.

Themeluar: Në vitin 558 p.e.s në një kodër pranë detit dhe afër grykëderdhjes së lumit Aoos ( Vjosa) nga kolonë të ardhur nga Korinti e Korfuzi.

Objektet kryesore: Qyteti antik i Apolonisë, Muri rrethues, Biblioteka, Odeoni, Portiku dhe Kisha Bizantine e shekullit të XIII

Karakteristika: Ndodhet në rrënojat e qytetit antik të Apolonisë

Në periudhën ‘45-‘90, Fieri kthehet në një nga qendrat më të rëndësishme industriale të vendit.

Aktualisht ka: 85 mijë banorë.

ÇOROVODE

Origjina e emrit: (Nga sllavishtja) Çorrnaja Voda,(Uji i Zi)

Themeluar: Në vitin 1912

Objektet kryesore: Kanionet e Osumit, Teqeja e Kulmakut, Tyrbeja e Abaz Aliut, etj.

Karakteristikë: Dallohet për rakinë e famshme të rrushit

Aktualisht ka: 8 mijë banorë

POLIÇAN

Origjina e emrit: Poliçan (nga sllavishtja poli-fushë, çan-e pjerrët)

Themeluar: 1963 si qytet industrial për prodhimin e armëve

Objektet kryesore: Kombinati i armëve, municioneve dhe barutit

Aktualisht ka: 9 mijë banorë.

 

LUSHNJE

Origjina e emrit: Një gojëdhënë e përhapur, tregon për “Hanin e Salushes” si burim nga rrjedh dhe emri i qytetit Lushnjës. Për Salushen, mendohet që ajo të ishte e veja e Pashait ose skllavja e tij, disa thonë vajza e tij. Përpos kësaj ekziston një tjetër gojëdhënë, e cila duket se është më e pranueshme nga këndvështrimi historik dhe logjika gjuhësore. Sipas saj, “qyteti fillimisht ka qenë i vendosur në kodrën e Vainit pranë Kishës së Madhe të Kuqe”.

Themeluar: Dokumenti më i hershëm historik i zbuluar deri më tani, e citon Lushnjën si qendër banimi, që në vitin 1431.

Data me rëndësi kombëtare: Në vitin 1920 u zhvillua “Kongresi i Lushnjës”, u zhvillua në shtëpinë që mban emrin Shtëpia e Kongresit të Lushnjës. Kjo shtëpi është kthyer në muze

Objektet kryesore: Shtëpia ku u zhvillua Kongresi i Lushnjës

Karakteristika: Dallohet si një qytetet ku kanë lindur personalitete të muzikës dhe artit, si Vaçe Zela, Margarita Xhepa, Vath Koreshi etj.

Aktualisht ka: 54 mijë banorë.

SARANDE

saranda

Origjina e emrit: Vjen nga një manastir i hershëm kristian që iu kushtohet Dyzet Shenjtorëve (Ágii Saránda në greqisht),(Santi Quaranta në italisht).

Emra të mëparshëm: Onhezmi ose Porto Edda për nder të vajzës së Benito Musolinit gjatë periudhës së mbretërisë së mbretit Zog.

Themeluar: Saranda është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori, ngritur në zonën e bregdetit jugor të Shqipërisë, i pasur në vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike shqiptare, por edhe evropian.

Objektet kryesore: Kalaja e Butrintit, kalaja e Lëkursit

Karakteristika: Është cilësuar si riviera shqiptare

Aktualisht ka: 41 mijë banorë.

POGRADEC

pogradec1

Origjina e emrit: “Pogda grada”, që do të thotë “nën qytet” ose qytet kala dhe vjen nga sllavishtja.

Themeluar: Në shek. V para Krishtit

Dikur qyteti kishte dimensionet e kalasë, ku momentalisht gjenden vetëm rrënojat. Enkelejtët kanë qenë fis që kanë jetuar brenda mureve të kalasë.

Pushtimi avaro-sllav në shekullin e VII-VIII dhe sidomos perandoria bullgare në shekujt XI-XII ndryshoi mënyrën e jetës nga ajo “polis” (jetohej brenda mureve të kalave) në atë sedentare fushore duke formuar vendbanime me toponimi sllave.

Objektet kryesore: Kalaja e Pogradecit, ka qenë kala iliro-shqiptare.

Karakteristikë: Është njohur si një qytet industrial dhe turistik.

Njihet edhe nga liqeni i Ohrit.

Aktualisht ka: 38 mijë banorë.

 

PATOS

Themeluar: Rreth vitit 1949 për të strehuar punëtorët dhe inxhinierët që punësoheshin në të quajturën zona (Patos-Marinëz)

Karakteristika: Një nga zonat më të pasura me naftë të Shqipërisë

Aktualisht ka: 22 mijë banorë.

PEQIN

Origjina e emrit: Klodiana-Biklinet-Peklin-Peqin (vend i lashtë ilir)

Emrat e mëparshëm: Biklinet, Peklin

Ka ekzistuar si një nga qytete më të lashta të vendit tonë

Themeluar: Rreth viti 1431

Objektet kryesore: Kalaja e Peqinit mendohet se i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës “Egnatia”

Aktualisht ka: 26 mijë banorë.

GRAMSH

Themeluar: 18 shkurt 1960.

Objektet kryesore: Uzina e armëve, uzina e baterive për ushtrinë. i Ujëvara e Sotirës, Uji i Ftohtë më malin e Lenies, liqeni i Dushkut, Pishat e Grabovës, liqenet në malin e Rovjes, Shpellat në malin e Poroçanit, kalaja e Tunjës Irmanjit, etj.

Aktualisht ka: 24 mijë mijë banorë

ROSKOVEC

Themeluar: Roskoveci u titullua “qytet” në vitin 1968, në baze të kritereve të asaj kohe.

Objektet kryesore: Një nga kishat më të vjetra në vendin tonë, kisha e Kurjanit

Karakteristikë: Është një qendër e banuar e hershme.

Një nga degëzimet e rrugës Egnatia, ka qenë me pikë fundore pikërisht në këtë zonë.

Ka pazarin më të madh në vend i quajtur Pazari i Roskovecit.

Në këtë pazar behej tregtia më e madhe e gurëve të çmuar dhe e materialeve prej argjendi në kohën e Perandorisë Osmane

Aktualisht ka: 12 mijë banorë.

URA VAJGURORE

Origjina e emrit: Vjen nga një urë me çimento e hekur, që besohet të jetë ndërtuar nga italianët që e përdorën për kalimin e tubave të naftës që nga Kuçova për në Vlorë

Emra të tjerë: Ura e Hasan Beut

Themeluar: Rreth 1960

Karakteristikë: Rrënojat e këmbëve të urës gjenden si dëshmitarë të ekzistencës së hershme.

Është e njohur herët për minierat sipërfaqësore të gurit.

Aktualisht ka: 5 mijë banorë.

DELVINE

Themeluar: Delvina është një qytet që përmendet që në antikitet. Rreth fundit të shekullit të XVII-të, Evlija Çelebiu e përshkruan kështu qytetin: Themeluesit e parë të Delvinës janë (Ispanja) spanjollët. Më vonë, venedikasit e shtinë në dorë me djallëzi. Kaloi në duart e sulltan Bajazitit, përsëri ra nën sundimin e të huajve dhe përsëri u mor nga sulltan Sulejmani, kur erdhi të mësyjë Korfuzin. Pushtimin e Delvinës ai ia ngarkoi Ajaz Pashës, shqiptar nga gjaku.

Objektet kryesore: Fabrika e Miellit, Fabrika e Vajit

Fabrika e Reçelit, Fabrika e Salcës (Përpunimi i domates)

NPA (Ndërmarrja e Përpunimit Artizanal, veshmbathje, tapiceri etj)

Aktualisht ka: 7 mijë banorë.

PERMET

permet

Origjina e emrit: Nga heroi i kohëve të lashta i quajtur Premt, i cili për të mos rënë i gjallë në duar të armiqve ishte hedhur nga maja e “Gurit të Qytetit”, një shkëmb në afërsi të qendrës së qytetit

Themeluar: Qyteti u krijua si një qendër administrative, në shekullin e XV dhe XVI, cituar nga të dhëna historike turke, si një lokalitet i pasur me tregje, dyqane magazina dhe bujtina, kështu kjo zonë ishte një qendër e lulëzuar komerciale.

Karakteristika: Qytet i kulturës dhe i këngës shqiptare. Ndryshe quhet edhe si qyteti i trëndafilave. Është vendlindja e disa nga patriotëve shqiptarë, ku më të njohurit janë vëllezërit Frashëri. Parku Kombëtar i Hotovës me bredhin e rrallë mesdhetar, banjat  kuruese në Bënjë, kanionet e Bënjës dhe të Lengaricës, Shtëpia e vëllezërve Frashëri,  Kishat e Leusës, Kosinës, Bualit, Bënjës pasohen nga  disa ura tipike me harqe, ndërtime të shek. të XVIII-të si ajo e Katiut apo Bënjës.

Aktualisht ka: 12 mijë banorë.

PRRENJAS

Origjina e emrit: Ka lidhje me fitoren e betejës së Skënderbeut në betejën e Torviollit, që e fitoi, por pati humbje të mëdha dhe se gjaku luftëtarëve rridhte si përrenj. Pikërisht nga kjo gojëdhënë u quajt Prrenjas.

Emra të mëparshëm: Fusha e Domosdovës, Fusha e Torviollit

Themeluar: 1958

Objektet kryesore: Miniera hekur-nikelit në Përrenjas-Fshat, Miniera e Nikel-Silikatit në Pishkash, e Sektori Minerar i Bushtricës dhe Skroskës

Karakteristike: Ka pasuri të shumta minerale

Aktualisht ka: 10 mijë banorë.

ERSEKE

Themeluar: Rreth vitit 1768 me rreth 100 shtëpi

Karakteristika: Është qyteti më i lartë në Ballkan me një lartësi prej 1030 m. Në zonën e Ersekës kanë lindur një sërë patriotësh dhe personalitetesh.

Aktualisht ka: 7 mijë banorë.

KELCYRE

Origjina e emrit: Vjen nga fjala e greqishtes së lashtë Klisura, dhe përkthehet në shqip “vend i mbyllur”, pra Grykë.

Themeluar: Këlcyra në lashtësi ka pasur funksionin e një mansio, stacion ku ushtarët romakë kalonin natën me një garnizon që mbronte kalimin prej Adriatikut drejt Maqedonisë.

Emra të mëparshëm: Në shek. XIV qyteti kishte emrin Chisania Kisania) ose me emrin greko-romak Clazura (Klazura), Klelsoupa, Clisania (Klisania), Klisura.

Objektet kryesore: Kalaja e Ali bej Këlcyrës. Kisha e Këlcyrës, Teqeja në Këlcyrë, etj.

Karakteristika: Në grykën Këlcyrës në kohët e Fauces Antigonës, Filipi V i Maqedonisë u preu rrugën romakëve të Flaminit për në Greqi/

Qyteti ka qenë pronë e Muzakajve, Andrea Muzakës – zot i Beratit dhe Mareshall i Arbërisë (1280-1319)

Aktualisht ka: 3 mijë banorë.

KUÇOVE

Origjina e emrit: (Është quajtur për disa kohë Qyteti Stalin)

Themeluar: Kuçova ka qenë vendbanimi i hershëm ilir i fisit të Desarëve.

Data me rëndësi kombëtare: Në vitin 1928 në vendin që sot quhet “Dikatër” (D4) u shpua pusi i parë i naftës në Shqipëri. Që nga ky moment Kuçova u hodh në hartat gjeologjike të botës si vendburim nafte dhe më vonë edhe në hartat politike dhe ushtarake.

Objektet kryesore: Uzina Mekanike e Naftës (U.M.N)

Uzina e Riparimit te Avionëve (U.R.A.),

Në kodrën e Omurit në verilindje të qytetit, janë gjetur amfora, shpata e mburoja të kohës ilire.

Ka arritur shifrën rekord në Shqipëri për temperaturën më të lartë të regjistruar me 44,4′C në korrik 1986

Aktualisht ka: 31 mijë banorë.

TEPELENE

Ali_Pashas_in_Tepelena

Origjina e emrit: Gjeneza e emrit Tepelena është shpjeguar në mënyra të ndryshme. Ekziston varianti Tepedelenë (kokëshpues) krahas Tepe e Lenës (Kodër e Lenës) e jo më pak intrigues e bindës është emri Antibylynë (përballë Bylynëve), që më pas evoluoi në Tepelenë.

Në lashtësi, Tepelena bënte pjesë në trevën e Kaonisë.

Në fundin e shekullit të 9-të, Tepelena hyn në Themën e Nikopopjës pastaj në Despotatin e Epirit

Themeluar: Rreth shek IV

Objektet kryesore: Kalaja e Ali pashë Tepelenës

Data historike: Në shekullin e XVI, Tepelena bënte pjesë në sanxhakun e Vlorës. Më 1789 Tepelenën ra në dorë të Ali pash Tepelenës

Karakteristika: Është një vendbanim i hershem që lidhet me ndërtimin e një kështjellë në shek IV-VI, të ngritur në këtë pikë strategjike në kryqëzimin e rrugëve të Vjosës.

Uji i Ftohtë është një zonë turistike 8 km në jugë qytetit të Tepelenës.

Aktualisht ka: 12 mijë banorë.

HIMARE

himara

Origjina e emrit: Vjen nga fjala e vjetër shqipe e përdorur në këto anë “Hi(j) Marë” – “Eja Marë”, që ka të bëjë me ftesën që i bëhet një vajze apo fqinje të marrë pjesë në një gëzim familjar apo t’i bashkohet një grupi që këndon një kënge shumë-zërëshe. Një tjetër tjetër variant është se emri Himarë mund të vijë emri i një kafshe të përmendur në mitologjinë e lashtë të quajtur Chimera, një luan mitologjik.

Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, konsulli francez i asaj kohe, Pukevil, i mrekulluar dhe i hutuar nga madhështia, bukuria, trimëria dhe ngrohtësia e viseve dhe banorëve të tyre ka bere një krahasim për “Iliadeën” e Homerit. Sipas konsullit Pukëvil, “nëse Homeri do të kishte zgjedhur malet e Himarës për skenën e “Iliadës”, gjërat do të kishin marrë rrjedhë tjetër”.

Themeluar: Përmendet që në kohët e lashta ku paraardhësit ishin fisi Ilir i Kaonëve. Historia moderne fillon në 1199, kur në qytet u vendos sundimi i Venedikasve. Në shekullin e XIII zona e Himarës u përfshi nga Karli i Anzhuinëve në atë që ai e quajti Mbretëria e Arbërisë.

Karakteristika: Në Himarë veç gjuhës shqipe flitet edhe gjuha greke. Ka të zhvilluar turizmin, tregtinë, peshkimin.

Aktualisht ka: 7 mijë banorë.

LIBOHOVE

Origjina e emrit: Emrin Libohovë duhet ta ketë marrë pas shek. të VI pasi sllavët u dyndën në Arbëri. Mbi këtë emër mendohet të ketë dy kuptime:

I pari libohova-vend buzë fushës, luginës.

I dyti libo-do të thotë i dashur me kuptimin vend i bukur dhe prapashtesa përkëdhelëse ovo.

Themeluar: Studiuesi Moikom Zeqo mendon se ka mundësi që të lokalizohet me një emër të vjetër që përmendet në hartat e lashta dhe që thirret Elaeus. Ky, sipas studiuesit Zeqo është një variant. Varianti i dytë është sipas tij përmendja e një qyteti antik me emrin Omfalius. Zeqo dhe studiues të tjerë e lidhin krijimin e qytetit me krijimin e qendrave të mëdha në luginën e Drinos si Antigonea, Adrianopoli etj.(shek.i IV-para Krishtit). Është cilësuar si një vend antik që arriti kulmin në shekullin e 17

Objektet kryesore: Kalaja e Libohovës

Karakteristika: Një nga vendet më të rëndësishme për të vizituar në këtë qytet është kështjella e motrës së Ali Pashë Tepelenës, Shanishasë, e cila u martua me një nga anëtarët e familjes Libohova

Aktualisht ka: 3 miië banorë.

SELENICE

Origjina e emrit: Dëshmitë e para për emrin Selenicë datojnë në vitin 1700 dhe deri më sot vazhdon të njihet me këtë emër. Emri i këtij qyteti është i lidhur kryesisht me pasuritë e nëntokës së saj.

Objektet kryesore: Miniera e Selenicës

Karakteristika: Nxjerrja e bitumit.

Bitumi i këtij vendi është përdorur për shtrimin e rrugëve të Parisit

Bitumi është shfrytëzuar që para erës sonë. Aristoteli, Straboni kanë shkruar për Selenicën dhe për bitumin e saj, që eksportohej në vende të ndryshme të pellgut të Mesdheut.

Aktualisht ka: 7 mijë banorë.

LIBRAZHD

Themeluar: Më 18 shkurt 1960

Historia: Librazhdi nuk ka pasur ekzistuar si qytet deri në vitin 1960, por pranë këtij qyteti ndodhet zona e Çermenikës, që daton që nga lashtësia. Nga kjo zonë ka lindur edhe Dita e Verës. Sipas studiuesve festa i kushtohej Dianës së Kandavëve, e cila, tempullin e vet, e ka pasur në  Çermenikë (Djana Kandaviensis).

Karakteristikë: Gjergj Aranit Komneni lindi në zonën rreth Librazhdit në vitin 1376 dhe vdiq në vitin 1470 në moshën 94-vjeçare. Ashtu si Bardhyli i Ilirisë (shek. IV p.e.s.) edhe Gjergj Araniti, ky luftëtar i madh deri në moshën 94 vjeç, kundërshtoi dhe fitoi ndaj ushtrive të Perandorisë Otomane. Ai është një njeri me disa emra. Emrin e vërtetë e ka Aranit Komneni, më së shumti njihet si Gjergj Araniti, në legjendat popullore e thërrasin Gjorg Golemi, mbi bustin e tij në Librazhd shkruhet Gjorg Golemi Araniti, disa të tjerë e thërrasin thjesht Gjergj Golemi.

Aktualisht ka: 10 mijë banorë.

DIVJAKA

Origjina e emrit: Divija (Dy vija)

Gjurmët më të vjetra: Në shekullin e II dhe III para erës tonë

Objektet më kryesore: Parku kombëtar Divjakë-Karavasta

Aktualisht ka: 7 mijë banorë.

KRUJË

kruja

Origjina e emrit: Krua nga burimet e shumta të ujit

Themeluar: Në shekullin e XII

Gjurmët më të vjetra: Vendbanim ilir që në shekullin e III para erës së re. Për herë të parë emri “Krujë” përmendet në shekullin e IX ne një dokument kishtar të vitit 879-të redaktuar nga peshkopi i krahinës, në përmbajtje të së cilit citohet ne latinisht, emri i qytetit “Croia” (Krua).

Pushtuar nga: Turqit

Objektet më kryesore: Kalaja e Krujës, monumenti i Skënderbeut dhe pazari i vjetër.

Data me rëndësi historike kombëtare: Pushtimi i parë otoman në 1369 dhe për herë të dytë në 1415. Dështimet e tre rrethimeve otomane 1450, 1466, 1487. Lindja dhe vdekja e Skënderbeut në 6 maj 1405 dhe vdekja e tij në 17 janar 1468

Aktualisht ka: 20 mijë banorë

 

KUKËS

Origjina e emrit: Në vitin 1571 njihet me emrin Kukufic. Në vitin 1879 shënohet me emrin Kukusa.

Themeluar: Në vitin 1160. Në vitin 1978 Kukësi antik u evakua pasi u përmbyt nga ujërat e ndërtimit të hidrocentralit të parë mbi lumin Drin. Qyteti i ri me të njëjtin emër u ndërtua 350 metra mbi nivelin e detit dhe njohu zhvillim gjatë regjimit komunist.

Gjurmët më të vjetra i përkasin periudhës së Neolitit 6000-4000 vjet para Krishtit.

Objektet më kryesore: Muzeumi Historik, Fabrika e Qilimave dhe aeroporti.

Karakteristikë: Motoja e qytetit është “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.

Në vitin 2000 Kukësi u kandidua për Çmimin Nobel për Paqe me motivacionin e pritjes së mbi 450.000 shqiptarëve nga Kosova të dëbuar nga ushtria, paraushtarakët serbë dhe serbët e armatosur në Kosovë. Në vitin 2010, banorët e Kukësit u shpallën nga USAID, si më të lumturit e Shqipërisë.

Aktualisht ka: 16 mijë banorë.

KLOS

Origjina e emrit: Kilos

Themeluar: Në shekullin XV

Gjurmët më të vjetra: Tre nekropole dhe 5 tuma ilire

Objektet më kryesore: Tre nekropole të lashta dhe 5 tuma ilire, ura guri në formë harku.

Karakteristikë: Klosi është i pasur me burime të shumta natyrore, tokësore dhe nëntokësore. Pyjet dhe kullotat komunale zënë një sipërfaqe të konsiderueshme, ku përveç lëndës drusore, ka edhe mjaft bimë mjekësore.

Aktualisht ka: 2 mijë banorë.

KOPLIK

Origjina e emrit: Kopenik

Themeluar: Në shekullin XV

Objektet më kryesore: Kështjella e vjetër e Barcelës, që vendasit e njohin me emrin Podgorës. Është ndërtuar në shekullin I-II të erës sonë.

Karakteristikë: Kopliku është qyteti më verior i Shqipërisë pranë kufirit me Malin e Zi në piken doganore të Hanit të Hotit dhe është kryqendra e rrethit të Malësisë së Madhe.

Aktualisht ka: 12 mijë banorë.

PUKË

Origjina e emrit: Pikaria

Themeluar: Në lashtësi, Puka përfshihej brenda trevës veriore të fisit ilir pirust, i njohur si shkrirës dhe përpunues metalesh.

Gjurmët më të vjetra: Të shekullit II para erës sonë

Objektet më kryesore: Muzeu Historik “Migjeni”.

Karakteristikë: Terreni malor i Pukës është shumë i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit malor; krahas pasurive dhe burimeve natyrore me vlera të mëdha ekonomike që gjenden brenda hapësirës gjeografike të Pukës, kryesisht pyje natyrore, bimë mjekësore, pasuri nëntokësore minerare.

Aktualisht ka: 11 mijë banorë.

BAJRAM CURRI

tropoje

Origjina e emrit: Tre Fushat, Tri Polje, në vitin 1952 merr emrin Bajram Curri

Gjurmët më të vjetra: Qyteti i Bajram Currit ka një popullim të hershëm dhe të vazhdueshëm që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Kjo vazhdimësi e popullimit dhe vendbanimeve paraqitet nëpërmjet gjetjeve arkeologjike..

Objektet më kryesore: Muzeu dhe përmendorja e heroit Bajram Curri. Përmendorja e Asim Vokshit.

Karakteristikë: Turizmi malor është nën sektori kryesor, i cili është i zhvilluar kryesisht në Luginën e Valbonës. Rrethi i Tropojës karakterizohet nga etnografia, folklori, historia dhe gastronomia e pasur.

Aktualisht ka: 8 mijë banorë.

KRUMË

Kruma është kryeqendra e rrethit të Hasit.

Gjurmët më të vjetra: Janë gjetur objekte arkeologjike të kohës së ilirëve. Ishte qendër e prefekturës së Kosovës gjatë viteve 1921-1925.

Pushtuar nga: Turqit, serbët dhe bullgarët.

Aktualisht ka: 8 mijë banorë

 

BULQIZË

Gjurmët më të vjetra: Populli i këtyre krahinave ka qenë gjithmonë në  luftë me pushtuesit osmanë, sllavë e italianë sepse lugina e Bulqizës është një nga rrugët kryesore për ardhjen e pushtuesve lindorë e futjen e tyre në thellësi të Shqipërisë.

Objektet më kryesore: Miniera e kromit

Data me rëndësi historike kombëtare: Viti 1948 kur u ngrit Miniera e Kromit.

Aktualisht ka: 4 mijë banorë.

 

BURREL

Origjina e emrit: Bujril dhe Burril

Themeluar: Në shekullin XV

Gjurmët më të vjetra: Vendbanim i lashtë në pellgun e kulturës tumulare ilire

Objektet më kryesore: Busti i Skënderbeut dhe i Pjetër Budës, Uzina e Ferrokromit.

Data me rëndësi historike kombëtare: Lindja e mbretit Zog më 8 tetor 1895 dhe 31 korrik. Hapja e burgut famëkeq komunist, ku vuajtën dënimin nga Pjetër Arbnori, Don Zef Jubani e deri tek Fatos Lubonja.

Aktualisht ka: 27 mijë banorë

 

RRËSHEN

Origjina e emrit: Fushë-Lumth

Themeluar: Në vitin 1635

Gjurmët më të vjetra: Ka qenë banuar që në kohët e fiset Piruse të ilirëve të lashtë, të njohura për nxjerrjen e mineraleve dhe të prodhimit të armëve. Prejardhja e banorëve rrjedh nga tre bajrakët: Orosh, Kuzhnen, Kthellë. Rrësheni është kryeqendra e rrethit Mirditë.

Objektet më kryesore: Kisha Mesjetare e Shën Mërisë dhe 8 kishat e tjera të ndërtuara pas vitit 1992, shkolla.

Aktualisht ka: 22 mijë banorë.

 

RUBIK

Origjina e emrit: Rubik

Themeluar: Në Mesjetë

Objektet më kryesore: Një kishë e vjetër 900-vjeçare dhe pikturat murale që ndodhen brenda saj, të njohura ndryshe si afresket e Rubikut. Uzina e Rafinimit të Bakrit, e cila ka filluar që në vitin 1938.

Data me rëndësi historike kombëtare: Ngritja e uzinës më të madhe të rafinimit të bakrit më 1965.

Aktualisht ka: 8 mijë banorë.

 

FUSHË-ARRËS

Origjina e emrit: Nga pemët e shumta të arrës.

Themeluar: Në vitin 1949.

Gjurmët më të vjetra: Që në shekullin IV-V të erës së re.

Objektet më kryesore: Stabilimenti i përpunimit të drurit

Aktualisht ka: 7 mijë banorë.

 

PESHKOPI

025

Origjina e emrit: Peskopija. Lidhet me qendrën peshkopale që përmendet në vitin 1020.

Themeluar: Në shekullin XV

Gjurmët më të vjetra: I përkasin një vendbanimi të fisit ilir të Doberëve në shekullin IV-II para erës së re. Emri i Dibrës përmendet që nga shekulli i pestë para erës sonë nga Herodoti, e më vonë në shekullin e parë të erës sonë nga Straboni dhe Plini.

Objektet më kryesore: Muzeu Etnografik

Aktualisht ka: 25 mijë banorë.

 

MILOT

Origjina e emrit: Milot

Themeluar: Në vitin 1467.

Gjurmët më të vjetra: Sipas të dhënave nga studiues të ndryshëm, banorët e zonës janë me prejardhje ilire nga fisi ilir i Karavanteve (Ndre Mjeda) që u pasuan nga Albanët (Ptolomeu, sh. II pas K.).

Aktualisht ka: 12 mijë banorë.

 

FUSHË-KRUJË

Origjina e emrit: Ura e Zezë, prej lumit të Zezës që i kalon përmes

Themeluar: Në vitin 1970

Gjurmët më të vjetra: Në shekullin XVI

Objektet më kryesore: Instituti i Foragjereve dhe Fabrika e Çimentos

Data me rëndësi historike kombëtare: Dëshmia e shkrimit të shqipes që më 1805 me alfabetin arab. Beteja prej disa ditësh kundër turqve në vitin 1910. Vizita e presidentit amerikan, Xhorxh Bush, në 10 qershor të vitit 2007.

Aktualisht ka: 25 mijë banorë.

 

MAMURRAS

Origjina e emrit: Marmur dhe Shpërdhet

Themeluar: Në vitin 1970

Gjurmët më të vjetra: Në vitin 1431

Objektet më kryesore: Busti i Skënderbeut

Aktualisht ka: 7 mijë banorë

 

LAÇ

Origjina e emrit: Laçi

Themeluar: Më 1959

Gjurmët më të vjetra: Në periudhën bizantine me kështjellën e Sebastjesë

Objektet më kryesore: Kombinati Kimiko-Metalurgjik

Aktualisht ka: 30 mijë banorë.

 

VORA

Origjina e emrit: Thuhet se emri Vorë nga koha e Skënderbeut, sepse aty u varrosnin ushtarët e rënë në luftë dhe u quante “vorre”. Me kalimin e viteve emri është transformuar në VORË.

Themeluar: Më 1943

Aktualisht ka: 25 mijë banorë.

 

KAVAJË

Origjina e emrit: Kavalje

Themeluar: Në shekullin XV

Gjurmët më të vjetra: Qendër e lashtë e banuar që nga ilirët

Objektet më kryesore: Muzeu Historik, Etnografik dhe kullën e sahatit

Data me rëndësi historike kombëtare: Lindja në 2 prill të vitit 1879 e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu. Kryengritja e fshatarëve të Shqipërisë së Mesme 1914-1915.

Aktualisht ka: 29 mijë banorë.

 

RROGOZHINË

Origjina e emrit: Rrogozhinë

Gjurmët më të vjetra: Vendbanimet e lashta ilire që në shekullin II të erës së re dhe nyje kalimi në rrugën Egnatia.

Aktualisht ka: 5 mijë banorë.

 

SHËNGJIN

shengjin-2

Origjina e emrit: Emrin që mban sot, qyteti e ka marrë nga Kisha me të njëjtin emër që ndodhej në Malin e Shëngjinit.

Gjurmët më të vjetra: Burimet historike tregojnë se Shëngjini është njohur si qendër banimi dhe banohej nga fisi ilir i Abrejve. Për herë të parë në dokumentet historike të periudhës romake. Në veprën e tij “Lufta Civile”, Cezari e përmend Shëngjinin si një liman i mbrojtur mirë nga erërat ku strehohej edhe një pjesë e flotës së tij.

Karakteristikë: Qeveria e Nolit e pas revolucionit të qershorit 1924 i vuri emrin Qyteti Uillson qytetit të Shëngjinit në nder të presidentit të SHBA-ve Woodrow Wilson. Emërtimi u mbajt deri në kohën e komunizmit.

Aktualisht ka: 4 mijë banorë./Tirana Observer/

Shperndaje ne

The Author

Admin

2 Comments

Add a Comment
  1. bajram curri eshte i vendosur ne krahinen e tropojes para komunizmit ka qene fshat e quhej kolgecaj ,ska lidhje me tri polje qe thoni juve .tropoja ose sic quhet tropoja e vjeter eshte e vendosur ne nje cep te fushes e jo bajram curri qe eshte i vendosurne shpat te malit te radeshes se gashit

  2. www.mentealternativa1.blogspot.com dhe www.whale.to

    Pellazget jane shume te lasht dhe shqiptaret jane pasardhsit e tyre.

Lini një Përgjigje te eduart kosumaj Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.