Naum Veqilharxhi, i pari që artikuloi kombin modern, atdheun e gjuhën kombëtare

Naum_keshillaekeqeMe pavarësinë e saj Greqia, dhe me autonominë e saj Serbia, krijuan epërsi krahasuar me popujt e tjerë të Ballkanit, qofshin këta të krishterë (bullgarë), qofshin myslimanë (shqiptarë, boshnjakë). Këto zhvillime u dhanë një impuls të fuqishëm veprimeve të organizuara të bandave greke në rajonin e Epirit, çka ishte edhe frika e parisë shqiptare.

Dokumentacioni i kohës, që vjen për gazetën “Panorama” nga historiani Dritan Egro, dëshmon se tri ishin rrugët që grekët përdorën për të avancuar drejt veriut të banuar nga shqiptarët: Së pari, hapja e një numri të konsiderueshëm shkollash në rajonin e Epirit ku arsimi zhvillohej në gjuhën greke, duke ngjallur superioritetin helen ndaj kulturës shqiptare. Së dyti, përmes përpunimit fetar të ortodoksëve shqiptarë, duke vendosur shenjën e barazimit mes shqiptarit ortodoks dhe ortodoksit grek.

Së treti, dërgimi i mjekëve në zonat e banuara nga shqiptarë, të cilët përkundrejt “kujdesit shëndetësor, përkujdeseshin” të rekrutonin sa më shumë vendës që t’i përdornin në momentet e duhura. Dokumentacioni osman që ka hulumtuar historiani Egro, dëshmon se, qysh në fillim të viteve 1830, bandat serbe filluan të zbresin në Kosovë. ]

Ata ndoqën rrugën e eliminimit fizik masiv të shqiptarëve ose spastrimin etnik me anë të shpërnguljes së dhunshme. “Qysh në vitet ’20 të shek. XIX, diversiteti fetar në terren, përkatësisht ortodoks/ serb e mysliman/shqiptar, nën pretekstin e shpërnguljes së popullsisë myslimane/turke, u përdor për të spastruar etnikisht territore deri atëherë të banuara nga shqiptarë, por që gjendeshin jashtë kufijve të Serbisë autonome”, nxjerr në pah historiani Dritan Egro, i cili në disa numra radhazi në gazetën “Panorama” na ka njohur me çështjen shqiptare dhe ngjarjet, personazhet, dokumentet etj. që i paraprinë Pavar- ësisë së Shqipërisë…

Kryengritja e vitit 1847, me qendër në Labëri, e cila shpërtheu kundër masave që parashikonte Tanzimati, duhet vlerësuar si përpjekja e fundit shqiptare për shkëputje nga Perandoria Osmane. Më pas, duke parë agresivitetin e fqinjëve që kërkonin të zgjeroheshin në toka të banuara historikisht nga shqiptarët, elita vendase hoqi dorë nga përpjekjet për shkëputje nga Perandoria Osmane. Mahmut bej Vlora, i biri i Ismail bej Vlorës dhe i ati i Ismail Qemalit, një nga organizatorët e kësaj kryengritjeje, në vitin 1853-4, u rreshtua krah trupave osmane në Thesali për të frenuar përparimin e ushtrisë greke, që u hodh në ofensivë jashtë kufijve të shtetit të pavarur duke përfituar nga angazhimi i ushtrisë osmane në Luftën e Krimesë.

Në këto kushte, për herë të parë, shqiptarët u ndjenë të kërcënuar nga fqinjët dhe elita shqiptare u shty drejt zgjedhjeve të detyruara për aleancë politike dhe ushtarake, mes Perandorisë Osmane dhe fqinjëve. Kishte ardhur koha për të përcaktuar se cili ishte rreziku më i vogël që do të kërcënonte ekzistencën e tërësisë së tokave shqiptare. Për shqiptarët filloi koha e kërcënimit të trojeve të tyre etnike nga fqinjët.

Bashkëpunimi i tyre me shtetin osman, sidomos në gjysmën e dytë të shek. XIX, më tepër se dëshirë ishte domosdoshmëri në kushtet kur rreziqet për humbje territoresh në favor të fqinjëve, të sponsorizuara nga Fuqitë e Mëdha, ishte eminent. Në përpunimin e opinionit europian, i cili duhej të përgatitej për hapat e mëtejshëm politikë që do të merreshin kundër Perandorisë Osmane, një rol shumë të madh kanë luajtur udhëtarët, misionarët e diplomatët perëndimorë.

Në shkrimet e tyre shqiptarët, tashmë të konvertuar masivisht në islam, përshkruhen si tjetri/others, jo të njëjtë me ta, por jo të njëjtë edhe me shqiptarët e kohës së Skënderbeut. Këtu i kanë fillesat paragjykimet e europianëve ndaj shqiptarëve, kryesisht për shqiptarët myslimanë. Rasti më tipik është ai i Pouquevilleit, konsullit francez pranë Ali Pashës, i cili marrëdhëniet e tendosura të shtetit që përfaqësonte, Francës, dhe të tijat personale me Ali Pashën, i transmetoi në librat e tij. Falë këtyre botimeve në opinionin europian përmes figurës së Ali Pashës u ravijëzua profili i pashait mysliman, despot oriental. Përveç Pouqueville-it, për keqësimin e imazhit të shqiptarëve në sytë e opinionit europian “u kujdesën” edhe fqinjët. Qeveria greke punoi fort që, përmes shtypit europian, të sabotonte takimet e Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Pashë Vrionit në kancelaritë europiane, në pranverën e vitit 1879. Kërcënimi për humbjen e territoreve ishte faktori që i dha fund hegjemonisë së elitës myslimane në formulimin e kërkesave shqiptare për pavarësi dhe i hapi rrugë procesit të bashkimit të nacionalistëve shqiptarë të të gjitha besimeve fetare. Fillimi i gjysmës së dytë të shek. XIX shënon edhe momentin kur përmes kohezionit nacional të intelektualëve shqiptarë, Lëvizja Nacionaliste Shqiptare hyri në hullitë e modeleve europiane të zhvillimit të proceseve nacionale.

-DIMENSIONI IDEOLOGJIK E KULTUROR I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

Në shek. XVII-XVIII, Roma kishte pushuar së qeni qendra simbol e mendimit të përparuar në botën perëndimore. Sa kohë që qytetërimi perëndimor ishte esencialisht katolik dhe protestant, ai ishte i papranueshëm për popujt ortodoksë. Kur u bë shkencor dhe sekular, u bë i pranueshëm, madje i dëshirueshëm për ortodoksët e Ballkanit. Armiqësia e Ortodoksisë kundër Perëndimit katolik mishërohet në fushatën e Kishës Ortodokse Ruse kundër carit reformator, Pjetrit të Madh, që donte të themelonte një akademi shkencash, sipas modelit europian. Gjithsesi, revolucioni shkencor perëndimor solli me vete edhe revolucionin politik, esenca e të cilit konsistonte në dhënien fund konceptit të ndarjes hyjnore të njerëzimit në sundimtarë dhe të sunduar.

Tregtarët serbë në Jug të Hungarisë, ata bullgarë në Rusinë jugore, principatat e Danubit dhe tregtarët grekë që ishin në kontakt intensiv me Triesten, Venecian, Vjenën, Budapestin, Bukureshtin dhe Odesën, kontribuuan dukshëm në njohjen, përçimin e modeleve europiane të zhvillimit dhe më pas në zgjimin ideologjik të komuniteteve ortodokse të Ballkanit. Doktrinat nacionaliste serbe (Naçertanije) e greke (Megali Idea) në vitin 1844, nuk shërbyen vetëm si doktrina ideologjike për krijimin e Serbisë autonome dhe Greqisë së pavarur, por edhe për formulimin e pretendimeve afatgjata nacionale dhe për parashtrimin zyrtar të kërkesave respektive nga qeveritë greke e serbe nëpër forume ndërkombëtare.

Publikimi i këtyre dy doktrinave bëri që këta dy popuj zyrtarisht të hynin në epokën e kombformimit. Që nga ky moment, vendin e fesë si një element themelor identifikues filloi ta zërë ndërgjegjësimi nacional. Koha po kërkonte ndryshime themelore në mënyrën e të menduarit të shoqërive ballkanike, madje edhe përgatitjen e saj ideologjike. Naum Veqilharxhi është i pari intelektual shqiptar që artikulon hapur dhe qartë konceptet iluministe mbi kombin modern, atdheun dhe gjuhën kombëtare. Ai është në dijeni të plotë të zhvillimeve ideologjike e politike që solli Iluminizmi në Europë. Veqilharxhi është gjithashtu i pari që gjuhën shqipe e vendos si elementin përbashkues mes shqiptarëve të të gjitha besimeve. Për të evidentuar faktin që shqiptarët janë të ndryshëm nga fqinjët, alfabetin me germa të veçanta e konsideronte si një element politik dallues. Veqilharxhi është personaliteti që Lëvizjes Nacionaliste Shqiptare i dha dimension të mirëfilltë ideologjik dhe kulturor. STAMBOLLI DHE NACIONALIZMI SHQIPTAR Sidomos pas shkëputjes përfundimtare të Greqisë, për shtetarin osman në Stamboll shqetësim kryesor ishte riafirmimi në çdo moment i ruajtjes së integritetit territorial të Perandorisë. Nuk mund të thuhet që shtetarët osmanë nuk e kuptuan tharmin nacionalist të zhvillimeve të reja. Për t’iu përgjigjur frymës nacionaliste, që po shtrihej gjithkund, shteti osman: 1. deklaroi ligjërisht barazinë e të gjithë shtetasve osmanë, pavarësisht besimit të tyre fetar; teorikisht, para ligjit dhe në mundësitë për t’u punësuar në poste publike, të gjitha subjektet e Perandorisë ishin të barabartë.

2. Njohu, madje i zgjeroi të drejtat dhe privilegjet e minoriteteve, duke i trajtuar ato “si milete dhe jo si kombe më vete”. Synimi ishte që doktrina e osmanizmit të promovonte barazinë shekullare mes besimtarëve të të gjitha besimeve. 3. U përpoq maksimalisht të parandalonte ndërhyrjen e Fuqive Europiane (Franca, Austria dhe Britania) në punët e brendshme të Perandorisë, që më së shumti shfaqej në formën e kërkesave në favor të minoriteteve. Në këtë çështje kampione mbetej Rusia. 4. U përpoq të parandalonte ambasadat e huaja në Stamboll që u lëshonin pasaportat e tyre shtetasve osmanë jomyslimanë. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, diçka më pak se një milion shtetas osmanë posedonin pasaportë britanike.

Mbajtës i saj ishte edhe Naum Veqilharxhi. 5. Bashkëveproi me një ose më shumë fuqi të mëdha, për të balancuar ndikimin e një tjetër fuqie të madhe që, brenda një koniunkture të caktuar, mbështeste autonominë apo pavarësinë e një populli nën sundimin osman. 6. Sipas rastit, bënte tërheqje strategjike, madje edhe përfundimtare. Në vitin 1862, Stambolli u detyrua të pranonte zgjedhjen e princërve për principatat e Rumanisë, jashtë dëshirës së saj. 7. Përdori forcën, kur e shihte të mundur dhe të domosdoshme.

Kështu ndodhi në rastin kur Porta e Lartë iu kundërvu Lidhjes së Prizrenit. Sidoqoftë, aty nga gjysmën e dytë e shek. XIX u hodh edhe ideja që Perandoria Osmane të shndërrohej në një shtet federal. Më 1867, Rusia propozoi që Perandoria Osmane të organizohej në rajone autonome, bazuar mbi nacionalitetin e popullsive; kurse një grup intelektualësh të moderuar bullgarë propozuan që shteti osman të transformohej në një monarki dualiste sipas modelit austro-hungarez; ndërsa më 1872, një shtetar i lartë osman propozoi për shtetin osman modelin e Bismarkut të bashkimit të Gjermanisë.

Me kërcënimin grek të Thesalisë dhe Epirit (1854-56), krerët shqiptarë preferuan të qëndronin nën administratën osmane. Që nga ky moment Lëvizja Nacionaliste Shqiptare, e cila më parë kishte pasur axhendën e saj të pavarur, të mendimit dhe veprimit politik, tani fillon të marrë karakter reagues. Hapat që ajo do të hedhë më pas, më së shumti, do të ishin kundërpërgjigje ndaj zhvillimeve dinamike që do të ndodhnin në territoret osmane nën drejtimin e Fuqive të Mëdha.

Jani Vreto dëshmon se, në vitet ’60, aktiviteti nacionalist shqiptar në kryeqytetin e Perandorisë kishte “… dijeninë dhe përkrahjen e Ali Pashës, vezirit të madh, i cili pat marrë pjesë edhe vetë në to”. Në vitin 1867, Kryeministri osman, Ali Pasha, tregoi mirëkuptim për kërkesat me karakter kulturor të intelektualëve shqiptarë. Por, më pas, ndryshoi qëndrim nën presionin e qarqeve konservatore, që mbi gjithçka mendonin ruajtjen të pacenuar të sundimit osman në Ballkan.

-ARBËRESHËT E ITALISË DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE

Një linjë të veçantë të nacionalizmit shqiptar po zhvillonin arbëreshët e Italisë. Deti Adriatik vazhdonte të ishte një pengesë natyrore në kontaktet kulturore shqiptare në të dy anët e tij. Por, duke mos qenë politikisht pjesë e shtetit osman, arbëreshët kishin avantazhin që të ishin plotësisht të integruar në zhvillimet ideologjike dhe kulturore europiane.

Si të tillë, këtë avantazh ata e përdorën për t’i bërë të njohur opinionit europian se cilët ishin shqiptarët dhe sa të vjetër ishin ata në trojet e tyre. Intelektualët arbëreshë kanë meritën se, duke e hedhur dhe artikuluar për së pari tezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve e, për pasojë, tezën e autoktonisë së shqiptarëve, vunë gurë themeli në fazën parapërgatiture të hartimit të doktrinës teorike të nacionalizmit shqiptar.

Duke u futur thellë në kohë për të gjetur elementet, referencat e nevojshme historike dhe pikëtakimet me realitetin e shek. XIX, ata në fakt i prinë futjes së lëvizjes nacionaliste shqiptare në hullitë e një nacionalizmi etnik.

Këtë trajtim vertikal të pikëlidhjeve të shqiptarëve me të shkuarën historike më pas do ta përqafojnë edhe ideologët kryesorë të nacionalizmit shqiptar, Pashko Vasa dhe Sami Frashëri, duke e bërë zyrtarisht pjesë të doktrinës nacionaliste shqiptare. KISHA KATOLIKE DHE PERANDORIA AUSTRO-HUNGAREZE Qysh prej vitit 1615, Perandoria Habsburge gëzonte të drejtën e protektorat kultus (protektorat/mbrojtje fetare) mbi popullsinë katolike që jetonte në territoret ballkanike osmane.

Por, në ecurinë e aktivitetit të Kishës Katolike në Ballkanin osman, përcaktues ka qenë balanca historike e fuqisë politike mes Perandorisë Osmane si sunduese, dhe asaj Habsburge si pretenduese për sundim në këtë rajon. Rigjallërimi i aktivitetit të Kishës Katolike dhe i klerikëve të saj në tokat shqiptare fillesat i ka me Fermanin e Reformës (1856). Në vitin 1886, Shkodra u bë qendër metropolitane e Shqipërisë. Peshkopët ishin kryesisht austriakë, kurse kleri i ulët vendas.

Ishin austriakët ata që më së shumti realizonin marrjen e dekreteve të sulltanit për priftërinjtë shqiptarë. Shteti osman mendonte që ndikimin austriak mbi katolikët shqiptarë ta neutralizonte sadopak përmes financimeve shtetërore osmane për ndërtimin e institucioneve arsimore që përgatisnin klerin katolik vendas.

Rigjallërimi i aktivitetit të Kishës Katolike, veç ngritjes së objekteve të reja të kultit (Kisha Katedrale e Shkodrës, Kolegji Saverian, Kisha Katolike e Durrësit), konsistoi edhe në përgatitjen e klerikëve katolikë vendas, të cilët duke filluar nga vitet e fundit të shek. XIX dhe në dekadat e para të shek. XX luajtën një rol shumë të rëndësishëm në ecurinë e nacionalizmit dhe në procesin e pavarësimit të Shqipërisë (Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Nikollë Kaçorri etj.).

Me Fermanin e Reformës (1856), Perandoria Habsburgase fitoi të drejtën e protektorit kulturor mbi popullsinë katolike që banonte në Perandorinë Osmane. Por, puna e saj në terren, për njohjen e shqiptarëve dhe historisë së tyre, kishte filluar kohë më parë.

Vepra Studime Shqiptare (1854) e Hahnit është jo vetëm një nga veprat e para tërësore për jetën materiale dhe shpirtërore shqiptare, por ajo deri në fund të shek. XX ka shërbyer si bazë prej nga ku i kanë pasur fillesat e tyre studimet në të gjitha disiplinat shkencore të albanologjisë. Sot mund të thuhet pa mëdyshje që librat dhe studimet e konsujve, si J. v. Hahn, Th. A. Ippen, F. Nopcsa etj., u kanë shërbyer gjerësisht autoriteteve vendimmarrëse austriake për qëllime politike, strategjike dhe komerciale./Gazeta “Panorama”

dritan_egro_01DRITAN EGRO

Shperndaje ne

The Author

Dritan Egro

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.