BASHKIMI POLITIK E USHTARAK I SHQIPTARËVE

Skenderbeu_lezhe_01

Beslidhja shqiptare e Lezhës (2 mars 1444)

dr_nebi_dervishi_01

Prof. Dr. Nebi Dervishi

Lidhja ose Kuvendi i Lezhës, zë një vend nderi në pantenonin e historisë sonë kombëtare. Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezisterncës antiosmane, në mesin e shekullir XV, që ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.

Historiografia jonë e udhëhequr deri vonë nga politika ditore, nuk e ka trajtuar sa duhet çështjen e historisë së trojeve shqiptare gjatë mesjetës, të cilat sot gjenden jashtë kufirit politik të Shqipërisë. Që këtej, edhe Kuvendi i Lezhës (2 mars 1444) ose Lidhja e Princave Shqiptar, e njohur ndryshe me emrin BESLIDHJA SHQIPTARE E LEZHËS, për shkaqe të mesazheve të veta parësore rreth çështjes së bashkimit kombëtar nuk u trajtua si çëshjte historike në vete. Përjashtim, në këtë aspekt bëjnë studimet e historianëve të mirënjohura, si bie fjala, A.Buda, Ali Hadri, Kasam Biçaku, Kristo Frashëri, Petrika Thëngjilli, Selim Daci e ndonjë tjetër.

Edhe pse ushtria osmane hasi në qëndresë nga popujt ballkanik në betejën e kualicionit të parë ballkanik në Maricë, më 1371, dhe në betejën e popujve që u zhvillua në Fushë Kosovë, më 1389, sërish është për tu përmendur se shqiptarët nuk ishin në gjendje t’i bënin ballë invazionit feudal ushtarak osman, pasi sikurse edhe në vendet e tjera të Ballkanit, kryezotërinjtë feudal ishin të përçarë midis tyre. Ata mendonin gabimisht se mund t’i ruanin zotërimet e veta duke hyrë si vazal nën osmanët. Mirëpo, më vonë kur u hetua se këmba shtypëse osmane nuk ka të ndalur, e kur zotërimet e tyre i gllabëroi sistemi osman i timarëve, ata u detyruan të organizonin kryengritje, të cilat përfshinë gati gjithë trevat shqiptare. Këto kryengritje që shpërthyen gjatë viteve 30-të të shek. XV i shkaktuan telashe të mëdha sulltan Muratit II. Kryengritjet në fjalë, edhe pse kishin përmasa të gjëra, nuk dhanë ndonjë rezultat të dukshëm, meqë nuk qenë të motivuar nga aspekti i çlirimit kombëtar të atdheut të robëruar, por u nisën nga interesat feudale regjionale. Ata u ngritën jo për të çliruar të gjithë trevat shqiptare, por vetëm krahinat ku kishin pronat e tyre dhe ku ushtronin pushtetin e tyre feudal. Që këtej, kryengritjet kundër osmanëve gjatë viteve 30-të, nuk shpërthyen kudo në të njëjtën kohë dhe nuk patën një qendër të vetmë drejtuese. Pushteti osman e pati kështu lehtë që t’i shtypin një nga një kryengritjet e tilla të shkëputura.

Me gjithë kushtet e vështira, në fillim të viteve ’40, heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skendërbeu, diti të zgjidhte hallkën, që i duhej për një fillim të mbarë të kryengritjes çlirimtare. Sikurse na njohton Barleci, sapo shpalosi në Kalanë e Krujës flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenare, Skendërbeu shkoi prej një vendi në vend tjetër për ta ftuar popullatën në luftë çlirimtare kundër zgjedhjes së huaj. Krahas kësaj, ai e shikonte si të domosdoshëm thirrjen e një kuvendi të përgjithshëm në të cilin do të përfaqësoheshin sundimtarët e krerë të tjerë të vendit.

Për përgatitjen e një mbledhje të tillë, Gjergji e pa të nevojshme që më parë, ndërmjet tij dhe kryezotërinjëve të ndryshëm shqiptarë të zhvilloheshin një sërë takimesh individuale për marrëveshje. Si rezultat i këtyre takimeve u pranua mendimi për thirrjen e një kuvendi të përgjithshëm shqiptar, që do të mbahej në qytetin e Lezhës. Rruga drejt saj ishte përgatitur prej kohësh, sepse populli shqiptar dhe elita drejtuese e tij, që i ndienë shpejt rrjedhimet e rënda shkatërrimtare të pushtimit osman, u bënë të vetëdishëm se pa bashkimin e forcave nuk mund t’i bëhej ballë fuqisë më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane.

Është me interes të theksohet se, ekzistonin një varg arsyesh që të caktohej Lezha si vendi ku do të mbahej Kuvendi. Në radhë të parë, meqë në vargun e zotërimeve venedikase në trevat shqiptare, Lezha kishte një vend të veçantë. Pozita gjeografike e saj bënte të qëndronte e izoluar prej tyre dhe ekonomikisht të ishte e lidhur ngusht me tokat e tjera shqiptare rreth saj, që ishin nën zotërimin e sundimtarëve shqiptarë, e sidomos të Kastriotëve. Ajo ishte në afërsi të zotërimeve të numrit më të madh të pjesëmarrësve në Kuvend. Në jetën politike të vendit, siç do të tregojnë edhe ngjarjet që pasuan, qyteti i Lezhës inkuadrohej në anënë e forcave shqiptare dhe ishin një pikmbështetje e rëndësishme për to. Nga ana tjetër, mbajtja e Kuvendit në Lezhë e cila ishte nën zotërimin e Venedikut dhe jo të sundimtarëve shqiptarë, bëhej edhe për të mënjanuar ndonjë mosmarrëveshje ose pakënaqësi që mund të lindte ndërmjet tyre nëse mbahej në zotërimet e njërit apo tjetrit dhe për të detyruar Republikën e Venedikut që të mos ndërhynte në jetën e brendshme të Shqipërisë, duke i dhënë me këtë të kuptonte se ngjarjet nuk drejtoheshin kundër tij….

Në Beslidhjen shqiptare, të mbajtur në kryekishën e Shënkolit në Lezhë, si datë e hapjes së të cilit ka hyrë 2 marsi 1444, morën pjesë sundimtarët, midis të cilëve ishin Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikoll e Pal Dukagjini, Theodor Korona Muzaka, Lek Zaharia, Lekë Dushmani, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, si dhe përfaqësues të Malësive shqiptare dhe sundimtari i Malit të Zi, Stefan Cërnoeviqi me djemtë Gjergjin e Janin nga Zhabajaku etj.

Lidhja ose Beslidhja shqiptare e Lezhës, pra, u krijua me vullnetin e sundimtarëve të vendit, të cilët, duke nxjerrë mësim nga përvoja e së kaluarës, përpara rrezikut që u kërcënohej nga pushtimi osman, lanë mënjanë divergjencat dhe vendosën bashkimin e forcave politiko-ushtarake dhe ekonomike të vendit. Për këtë qëllim, Lidhja mori masa për krijimin e një ushtrie të përbashkët dhe të një arke lufte si organe të veta; Ajo e shpalli Skendërbeun kryetar të saj dhe njëkohësisht, me titullin “KAPEDAN I PËRGJITHSHËM”, komandant, epror të ushtrisë. Ushtria do të përbëhej nga repartet e rekrutuara në zotërimet e secilit prej anëtarëve të Lidhjes të cilët do të mbanin komandën e këtyre reparteve dhe të jepnin një kontribut në të holla për mbajtjen e ushtrisë. Si në arkën e luftës, ashtu edhe në ushtri, principata e Kastriotëve jepte kontributin më të madh. Në Lidhjen e Lezhës secili prej pjesëmarrësve ruante autonominë e vet politike; Skendërbeu si kryetar i saj nuk kishte të drejtën të ndërhynte në zotrimet e sundimtarëve të tjerë. Megjithatë, caktimi i një udhëheqësi politik e ushtarak unik ishte një hap që ndihmonte forcimin e pushtetit feudal në vend. Mjetet e bashkuara të Lidhjes së Lezhës dhe komanda unike krijuan premisa më të mira për organizimin e mbrojtjes së fuqishme të masave popullore, i dha Skëndërbeut si udhëheqës të saj, mundësinë që t’u bënte ballë me sukses situatave të vështira të një lufte të gjatë e cila u zhvillua nganjëherë në dy fronte, kundër Perandorisë Osmanëve dhe Venedikut, si dhe në kushtet e shkëputjes së disa anëtarëve prej Lidhjes së Lezhës.

Me gjithë marrëdhënjet që ishin krijuar midis Skëndërbeut dhe sundimtarëve të tjerë shqiptarë, këta të fundit vazhdonin t’i gëzonin të drejtat feudale në zotrimet e tyre. Ruajtja e këtyre të drejtave bënte që në jetën politike të brendshme të shfaqeshin dukuri, si: mospërmbushja e detyrimeve që dalin nga dispozitat e kuvendit; mospjesëmarrja e tyre në luftime të ndryshme; mosmarrëveshje dhe lëkundje para vështirësive e presioneve osmane; mosëmarrëveshje e grindje ndërmjet veti; kujdes i pamjaftueshëm në ndërmarjen e masave të ndryshme mbrojtëse nëpër zotërimet e tyre; mbajtja jashtë kuadrit të ushtrisë së përbashkët e trupave të veçanta që vepronin nën komandën e tyre, etj.

Edhe pse vetë logjika e ngjarjeve i tregoi heroit tonë kombëtar, se duke qëndruar mbi bazën e Lidhjes së Lezhës si aleancë vullnetare, nuk mund të realizoheshin detyrat që shtronte problemi kryesor i kohës, mbrojtja e vendit, prap se prap, Heroi ynë kombëtar, Skëndërbeu, besonte që populli i tij i bashkuar, edhe pse i vogël, do të korrte suksese përballë ushtrisë kolosale osmane.

Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu, dhe porositë e Kuvendit të Lezhës na mësojnë për të besuar gjithnjë në të ardhmen. Këtë porosi e shprehu edhe Papa Pali VI, në vitin 1968 me rastin e 500 Vjetorit të vdekjes së Skëndërbeut: “ZEMRAT E TË GJITHËVE TË ZBUTEN E TË HAPEN PËR TË PRANUAR KËSHILLAT E PERËNDISË DHE QË E ARDHMJA E KOMBIT SHQIPTAR, BUJAR TË JETË E DENJË PËR TË KALUARËN E TIJ TË LAVDISHME E PËR ATË MISION QË ZOTI NË KËTË SHEKULL E KA SHËNUAR”.

Edhe pse rezultatet e Kuvendit të Lezhës dhe luftërat çlirimtare të popullit tonë të udhëhequra në krye me Skëndërbeun nuk çuan në një fitore përfundimtare, ato i vunë bazat për ndërgjegjen e bashkimit dhe të traditës, shtetërore të shqiptarëve, popull që krijoi qysh në mesjetë format e veta të organizimit politik. Traditë kjo e bashkimit politik që u shpreh gjatë kryengritjeve të mëdha shqiptare gjatë shekujve që pasuan, e që u gjallëruan sërish në fund të shekullit XVIII. Dhe mbi këtë taban u mbështetën së fundmi, në vitet 1878-1881 dhe në fillim të shek XX, në kushte të reja e më të avancuara, forcat kombëtare, të cilat duke mposhtur të gjitha vështirësit, më 28 nëntor 1912 themeluan Shtetin Kombëtar të përgjysmuar Shqiptar.

Nga ajo që u tha më lartë, me plotë të drejtë mund të përfundojmë se Kuvendi i Lezhës ose Beslidhja e Lezhës, edhe pse kanë kaluar plotë 572 vite, mbetet si model I BASHKIMIT POLITIK E USHTARAK TË SHQIPTARËVE PËRBALL RREZIKUT TË HUAJ DHE SI KUVEND (BESLIDHJE) QË HAPI NJË EPOKË TË LAVDISHME NË HISTORINË TONË KOMBËTARE.

Shperndaje ne

The Author

Dr. Nebi Dervishi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.