Ç`më tha Kadare për At Zef Pllumin ?

At_zef_pluumi_dhe_ismail_kadare

Fahri Xharra

Fahri Xharra,
06.03.16 Gjakovë

Një mik më porositi që të lexoj librin e Kardelit “ Me Stalinin: e posaçërisht aty kur e pyetë Stalini për Shqipërinë se a do bashkohet me Jugosllavinë Kardeli thotë : -“S’ka problem bashkimi , sepse Enver Hoxha është njeri besnik!”

-“Besnik!?” -habitet Stalini,-“Njeriu s`ka si me qenë besnik! Besnik është vetëm qeni…Njeriu ka interesa!”

Pak e rëndë nga Stalini por një e vërtetë se njeriu i politikës në marrëdhënjet ndërkombëtare duhet t`i shikojë interesat e vendit që e përfaqëson . Por në këto që shohim nga e kaluara jo e largët , jo më shumë se një qind vjeçare ; kombi ynë e ka një problem të madh se si në Shqipëri e ( tani ) në Kosovë nuk kemi Elita Politike por kemi vetëm klube , klasë dhe parti politike. Klasat politike shkojnë e vijnë pa krijuar traditë.

Pasojat e një kurthi të madh serb janë gabimet e rënda kombëtare , gabimet e rënda politike të cilat kanë ndodhur dhe po ndodhin ende.

Ku është interesi kaq i madh i ngritjes së çështjes fetare mbi atë kombëtaren? Mashtrime, uzurpime të historisë , heshtje në momentet kur nuk duhet heshtur , “ngritje” të panevojshme të kulteve të së kaluarës së errtë e vetëm me një qëllim ; mohimi i vetvetes.

Sa e dimë ne . që të gjitha këto janë nxitura , favorizuara dhe të financuara nga serbët?
Kemi zhurmasha të mëdhenj të cilët kurrë nuk kanë dëgjuar e as nuk e kanë lexuar as Garashaninin , as Çubriloviqin , as Andriqin ; që kurrë nuk e kanë pasur para syve së paku një projekt serb antishqiptar.

Por e gjithë kjo le të mbetet në turpin e tyre ; si pasojë e një indoktrinimi nga njerëzit me qëllime të këqija të cilët e bëjnë piten pa e pasur tepsinë .

Regjimi komunist i dikurshëm në Shqipëri por edhe propaganda e ekstremit islamik në tokat shqiptare , të ndërsyer në mënyrën më perfide nga serbët punonin dhe punojnë ende për armiqësimin e shqiptarëve me Europën. Ne e dimë shumë mirë që Europa është e krishterë për kundër tolerancës së saj ndaj feve tjera . Bukur shumë !

Edhe ne ,për kundër asaj që jemi mbi 90% shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë , ne luftojmë vetveten , i ndërrojmë bindjet e Eurpës së pastër ose edhe më keq i forcojmë bindjet e “ Europës së keqe “duke treguar statistika të shpifura fetare , të cilat janë si plumbat e kallashnikovit ndaj vetvetes me të cilat e mbysim “ardhmërinë” tonë të civilizuar , europiane. Krim ndaj vetvetes me rekomandime serbe.

Në intervistë shkrimtari Ismail Kadare dëshmon se si AtZefi i kishte tejkaluar kufijtë e të qenit vetëm prift por njëkohshëm ishte edhe dëshmitari më i denje i gjithë atij brezi martirësh që u flijuan për besim dhe për mendimin e lirë, nën regjimin e ashpër komunist. “Unë kam një peng mbi at Zef Pllumin se jam njohur shumë vonë me të, duhet ta kisha njohur më përpara…”, rrëfen shkrimtari Ismail Kadare. (Shekulli )

Kadareja tha : “Sepse shpesh këtu veprimet pozitive janë më të vështira të ndodhin midis njerëzve se sa veprimet negative, domethënë në ato që quhen vende të qytetëruara gjenden gjithmonë forca që i afrojnë njerëzit, intelektualët, njerëzit e njohur me njëri-tjetrin.”

Për fat të keq me ne shpesh ndodh e kundërta. Se ka njerëz qe janë shumë të zellshëm për të larguar, për të mos të të lënë të afrohesh….. e unë e them të afrohesh me Europën.

“Dante e ka shkruar Komedinë, Ferrin e tij, për ne, jo për ju”…. i tha At Zef Pllumi ambasadorit të Italisë, dhe ishte i saktë në këtë gjë që dukej tepër e çuditshme sepse në fund të fundit ne ishim të fundit që e përjetuam njëlloj siç e kishim përjetuar sipas përfytyrimit dantesk gjithë shekujt si të thuash.
Pikërisht, lidhja e tij me Dante Aligerin nuk kishte një burim estetizant si një njeri i kulturës .

“Lidhja e At Zef Pllumit ishte organike, ishte e shumëfishtë dhe prandaj ai kur iu drejtua italianëve atje ishte në mënyrë sovrane, ishte dicka e dalë nga thellësia e tij. Libri i tij është një projektim i Ferrit të Dantes, ishte një projektim me atë mozaikun e personazheve të jashtëzakonshëm që ka, plus me atë Kalvar që ka përshkruar, me atë frymë njerëzore që ngrihet mbi vuajtjet njerëzore, mbi pesimizmin, mbi mërzinë që të shkakton kur dëgjon për një Ferr. “ – tha Kadareja.
E pse ky ferr ? -vetëm për t`iu plotësuar dëshirën e madhe të serbëve për armiqësimin e shqiptarëve Europen dhe zhdukjen e një pjese të kombit të cilët i mbeten besnik lashtësisë shqiptare.

“Pavarësisht se Europa është një kontinent që i njeh të gjitha besimet, natyrisht dhe këtu e ka çuar fryma e saj e thelle demokratike, emancipimi i saj i thellë që është kontinenti më i përparuar nga ana e emancipimit njerëzor, kontinenti që ka njohur ashpërsinë e botës, egërsinë e saj, butësinë edhe dritën e saj. Europa i ka të gjitha, Europa nuk është një kompleks idilik siç mund ta quajmë ne, rozë”.- e vazhdon Kadare

Qëndrimi im intelektual dhe emocional ndaj Kishës katolike Shqiptare ka një burim kulturor ne radhë të parë. Dhe kur them kulturor kemi thënë gjithçka. Ka një burim identitar, nuk është burim fetar, unë nuk jam katolik, nuk jam i krishterë, por qëndrimi im është normal, nuk është i pazakontë.

Është qëndrimi normal i njeriut shqiptar të kulturuar. Nuk po e them këtë si një mburrje apo si një epitet por është i një njeriu siç thuhej më përpara, të lexuar, të kënduar thoshte populli, të ndriçuar dhe kjo nuk është një gjë e rrallë. Janë me mijëra e me mijëra të tillë.

Kadare për At Zef Pllumit thotë : “Karakteristikë e artit të madh, qoftë arti direkt ta zëmë dramat e mëdha që janë shkruar ne botë, karakteristikë e artit të madh është që ti shikon tmerre të mëdha në skenë por ti nuk mërzitesh, ti nuk depresionohesh, ti nuk lëshohesh, nuk ligështohesh shpirtërisht. Përkundrazi, ti shikon gjëma që të ngrenë leshtë e kokës përpjetë dhe del prej teatrit ose prej vendit ku recitohet diçka, del me një gjendje shpirtërore të ngritur.”

E si mendoni që unë , ti , na që flasim dhe mendojmë shqip; për hatër të serbit të “ mbysim “pararojën te veprimi të pandalshëm kulturor që nuk ka reshtur asnjëherë. Natyrisht te atyre qe nuk e kanë marrë pjesën e tyre të lavdisë por për fat të keq kanë marrë edhe pjesën e tyre të martirit. “

Për të shkuar ndesh me serbët dhe të që të mbesim po ajo pjesë e Europës që ishim:”Ne e kemi detyrën morale që ta dëgjojmë zërin e tyre dhe të nxjerrim mësime të mëdha prej këtij zëri, pavarësisht se çfarë zanafille fetare ose kulturore kemi.”
Atje ne bashkohemi të gjithë.

Fahri Xharra,06.03.16
Gjakovë

Shperndaje ne

The Author

Fahri Xharra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.