Letërsi Kombëtare: Rrustem Geci-“LULET E GURËVE” – poezi promemoriale

lul_bozhuri_01

1

—————————————————-

Kosovë, bijë e luftërave  dhe e betejave

bijë e të gjitha  kohërave  nëpër  histori

ji n´çdo cep të atdheut  ku thërritet liri

dhe je  në  çdo cep  ku mbrohet atdheu

 

Kosovë, kush është më i gëzuar se unë

në damar  kam  pika  të  gjaku  pellazg

pika gjaku  që  flasin e shkruajnë shqip

pika gjaku  që dashurojnë e përqafojnë

 

Kosovë,  për  ty  kudo  e  ndjej  krijimin

në kopësht, në  male, dhe  pranë  lumit

fjalët e muzës shtyhen të hyjnë në libër

poeti e di, në  poezi  s´ka  çast të fundit
 

 

Ndodh që herë-herë të jem pak i dehur

përpara emocioneve, Kosovë-Shqipëri

atdhe, i  këndoj të bukurës së Roganës

i këndoj luftës së drejtë të popullit tim

 

Kosovë, del në shesh, e merrja këngës

e vërteta erdhi! E vërteta është brenda

nëpër  shtëpitë,  Shqipëri  të  Kosovës

nëpër  shtëpitë,  Kosovë të Shqipërisë!..

2

—————————————————-

Në  Roganë, më  quajnë  bujk  të  popullit

në Prishtinë e  Tiranë  jam  vetëm  qytetar

në  Dortmund  unë   jam  mërgimtari  juaj

pranë Drinit dhe detit jam i juaji lundërtar

 

Kosovë, ç´të bëj  me këto thërime poetike

përse djemtë  e  tu  prej  teje sot frikohen

a do ketë një luftë fisnikësh  për  bashkim

kush ia dha  gjysmën e popullit, mërgimit

 

Vendi im, s´ka fjalë  më çlirimtare  se  liria

s´ka  fjalë  më   të  gjerë  s´e fjala në ajër

s´ka fjalë më të lartë  s´e fjala  jote  e lirë

dhe s´ ka fjalë  më përtej s´e fjala në libër

 

Kosovë, atdheun  tim  unë  e  dua shumë

Por Kosova qanë  që  ta  bëjmë  më  mirë

e pëlqej natyrën  me  esencë  të jaseminit

më pëlqen të  jem  i  dashuruar  në  atdhe

 

Në Roganë  e  kam  të  kaluar  fëmijërinë

Rogana kujtoj s´e pak më mban në mend

por, lulet e gurëve ku unë bashkëbisedoja

aty unë të desha  o  e dashura ime mizore!..

3

—————————————————-

Kosovë, me gjakun e zgjedhur të luleve

dhe me  gjakun e  ma  të  thellës  këngë

muzën unë e nxora vet nga vetja  e ime

për  pak  dritë  jete,  dhe  për  pak  fjalë

 

Në atdheun tim  ku unë jam vetëm bujk

ardhja  e  së  vërtetës  kë  tani  e  frikon

ajo  me vete sjell zemrimin e një epoke

prania e së vërtetës  duhet  të na gëzojë

 

Dielli n´ëndërr është krejt i pakuptimtë

shtëpitë e dëfrimit janë disa në Kosovë

e vërteta e Kosovës  s´pranon kufizime

është  e  pandalshme, shkon  më  përtej

 

Kosovë  e  poshtëruar   nga   pushtimet

njëqind vjet e vrarë, dhe prapë e ngritur

shpirt, pushtimi shumë  na ka varfëruar

jemi vonë në kohë, por e kemi një fitore

 

Sot u takova  me  kohët  e  armiqësuara

të gjitha i pashë  në  shesh të zemëruara

i lexova dënimet që vijnë nga e kaluara

atdhe, shqiptarinë s´e meriton gjithsecili!…

4
——————————————————

Kosovë, liria është  e  lirë  aq  sa  kemi  liri

liria  është  e  lirë  për  aq  sa  kemi drejtësi

liria  është  e  lirë, sa  bëjmë  dhe  krijojmë

liria është e lirë, dhe për aq sa jemi  qytetar

 

Poezi, shpërndaje flakën  e mendimeve tua

flakën që shprehë dhimbjen  dhe  vullnetin

e popullit, flakën që shprehë qëllimin  e  të

gjithë neve, flakën e madhe  të shqiptarëve

 

Kosovë, për këtë gjysmë pavarësie ende kam

gjak në duar, gjak  të  prindërve, të  motrës

dhe të  vëllait, gjak  trimash  të  pavarrosur

hirin e shtëpisë së djegur, dhe gjënë e gjallë

 

 

Ore, më quaj si të  duash, unë  s´heqi  dorë

nga revoltat e mia, as  nga  vullneti qytetar

vendi im, unë  s´dua ty ta quaj me emër të

huaj, “Kosovo”, as popullin tim,“Kosovar”

 

Kosovë, çështja çame po vjen, dhe erdhi

ajo është midis  nesh! Me  çështjen  çame

po bashkohemi të gjithë! Zgjohu Atdhe!

Çamëria Shqipëri, është përbashkimi ynë!…

RrustemGeci

Rrustem Geci – Prill 2016 /
Poezi nga dorëshkrimet

Shperndaje ne

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.