Kush e vrau dhe e dogji Çamërinë nga vitet 1913 deri në Mars të vitit 1945

cameria1

Pas Luftës së I-rë Ballkanike në vitin 1913, Fuqitë e Mëdha njohën Shqipërinë dhe kufijt u vendosën nga një komision ndërkombëtar gjë që u kundërshtua nga Sërbia dhe Greqia. Greqia bëri përpjekje të mëdha krahas atyre diplomatike, me në krye diplomatin më të mirë të kohës Lefter Venizellosi në konferencën e Paqes ( mbajtur më 18.01.1919 në Paris), ajo organizoi edhe veprime të tjera si dinakërinë, mashtrimet, intrigat, përdori ryshfetet, mjetet materiale e monetare deri dhe në terren forma të tilla të mprehta si p.sh. kur komisioni ndërkombëtar vizitoi Shqipërinë e jugut, një gazetar sy mprehtë, vuri re se ishin të njëjtit njerëz që shfaqeshin në çdo ndalesë, duke mbajtur tabela ku shkruhej “Mirse erdhët në një qytet Grek”, kjo për të bindur komisionin ndërkombëtar se ishin gjoja në tokën Greke etj

Caktimi i kufijve e la Çamërinë jashtë tokës amë duke i a dhuruar padrejtësisht Greqisë. Me njëherë ndaj popullsisë së kësaj krahine filluan persekutimet, burgimet, internimet dhe të pashmangshmet grabitjet e plaçkitjet në masë, nga klikat qeveritare Greke në fuqi. Në Shkurt të vitit 1913, kapiteni Deli Janaqi arrestoi 72 burra nga më të ndigjuarit në zonën e Çamërisë dhe me dredhi i dërgoi në Paramëthi dhe prej andej, pasi i lidhi dy e nga dy i masakroi dhe i vrau të gjithë tek prroji i Selanit, pa as më të voglin argument.

Në Dhjetor të vitit 1918 Lefter Venizellos (lindur në Kretë në vitin 1864), hartoi një hartë të Greqisë ku përfshinte gjysmën e Shqipërise së sotme dhe Turqinë e sotme me kryeqytet Kostandinopojën (Stambollin). Kjo hartë e zgjeronte hapsirën e Greqisë dhe mbështetej në strategjinë e “Megallo Idesë”. Në Luftrat Ballkanike 1912-1913 Lefter Venizellosi manovroi mjaft mirë në skenën ndërkombëtare, ku pati një sukses aq të madh sa Greqia ia doli mbanë duke përfituar një brez të gjërë territoresh në veri, nga Epiri në perëndim deri në Maqedoni një pjese të Thrakës në lindje. Territoret e reja që ajo përfitoi e shtuan madhësinë (sipërfaqen) më tepër se dyfishin e saj.

Me nënëshkrimin e Traktatit të Bukureshtit në vitin 1913, ku u konfirmuan përfitimet e Greqisë, Lefter Venizellosi ka deklaruar: “Dhe tani le ti kthejmë sytë nga lindja”, (Me sytë nga lindja kishte parasysh Turqinë Osmane). Në vitin 1914 Venizellos, ishte përgaditur të negocionte për një shkëmbim paqësor të popullsisë me origjinë greke të Thrakës dhe të Azisë së Vogël me popullsinë e origjinës turke që banonte në Greqi. Shkëmbimi nuk u realizua në atë periudhë, ai u realizua tetë vjet më vonë dmth në vitet 1922-1923, shkëmbim i cili nuk ishte i negociueshëm, as paqësor dhe as për popullsinë që mendonte Venizellosi, por në vënd të tyre, në shkëmbim u përfshin çamët myslimanë të krahinës së Çamërisë .

Armiku më i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve ka qënë edhe shteti i Rusisë, i cili e ka ruajtur dhe e ruan edhe sot dashakeqësinë, me mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Ministri i Jashtëm i Rusisë, konkretisht me datë 9.01.1915 në një intervistë dhënë korrespodentit të gazetës “Corriere della Sera” në qytetin e Petrogradit ( Rusi ) lidhur me pushtimin e Vlorës nga Italia, ndër të tjera i paska thënë:” Përse flamuri Italian valëvitet përbri flamurit Shqiptar? Për ne, shteti Shqiptar nuk ekziston. Shqipëria vdiq para se të jetojë. Ajo pati një periudhë të gënjeshtërt. Unë nuk njoha elementët e gjallë të një shteti që nga kaosi legjendar shqiptar, prej tij nuk mund të dalë ndonjë gjë, edhe sot, pas kësaj, nuk mund ta kuptojmë se si Italia kërkon prapë dhe pranon që flamuri i saj të ngrihet afër nji flamuri tjetër që është simbol i anarkisë politike“. Ato vite për Shqipërinë, ishin shumë delikate, të ndjeshme dhe të pafavorshme për pavarësinë e sapo fituar të saj, ku të gjitha krahët ishin kundër; me përjashtim të Austo-Hungarisë që ishte e vetmja mbrojtje e fortë që na siguroi ekzistencën dhe që brez pas brezi do t’ja dimë për nder dhe nuk do t’ja harrojmë.

Me datë 10.08.1920 u nënëshkrua traktati i Sevrës, të cilin e miratoi dhe e nënëshkroi edhe Greqia.Traktati ishte një garanci për të gjitha vëndet që ju dhanë Greqisë, përfshirë dhe Çamërinë, ku shteti Grek detyrohej që të qeveriste në bazë të parimeve të lirisë dhe drejtësisë. Edhe në vitin 1923 Greqia firmosi traktatin e Lozanës (ku ndalohej ndrrimi (shkëmbimi) i popullsisë së Çamërisë me emigrantët grekë të ardhur nga Turqia). Greqia gjithmonë ka miratuar e nënëshkruar traktate bilaterale dhe ndërkombëtare, por ajo kurrë nuk i ka zbatuar ato traktate apo marveshje dhe megjithse nuk i zbatonte dhe nuk i zbaton, ajo asnjëherë nuk ka dhënë dhe as nuk jep llogari për mos zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare.

Në vitet 1923-1924 Greqia dëboi me forcë nga Çamëria 10.400 frymë, në vitet 1924-1925 përsëri ajo dëboti me forcë po nga Çamëria 20.000 frymë, në këto dy vite ( 1923-1924) Greqia dëboi me forcë 30.000 shqiptarë myslimanë nga krahina e Janinës, Kosturit, Konicës, Follorinës e Grebenesë. Kuptohen synimet e Greqisë: “Zgjerim territoresh dhe vetëm me banorë orthodoks” për banorët myslimanë : – shfarosje me thika, sopata dhe shpërngulje me dhunë.

Me datë 3 deri me datë 6.07.1944 Napolon Zerva na paska ftuar në Mininë (Neraide) fshati i parë i Çamërise kur vjen nga Janina për në Gumenicë ose Paramëthi, krerët e Çamërisë që të luftonin kundër forcës rivale të saj që do të thotë të bashkoheshin me Zervën kundër forcës tjetër po Greke, asaj partizane- ELLAS-it-. Këtë propozim krerët e Çamërisë nuk e pranuan. Mendoj se në rrethanat që u paska bërë ky takim, ku vetëm jo më vonë se një javë më përpara ushtria zerviste kishte bërë kasaphanën në Paramëthi, mos pranimi ishte i natyrshëm dhe i saktë. Por nuk justifikohet mos marrja e masave për mbrojtje ndaj hakmarrjes që dihej ishte e planifikuar (Ky takim ishte një dinakëri si gjithë të tjerat). Krerët e Çamërisë nuk duhej të binin në gjumë dhe të kujtoheshin për organizime “post tragjedisë”, dmth për të ngritur komisione apo këshilla të ndryshme në vitet 1945,1946 e 1947, që me keqardhje mund të quhen ” Këshilla post mortum”.

Çamëria po të kishte patur burra që të njihnin historinë e saj në mardhëniet me Greqinë, ashtu si dhe Kosova në mardhëniet me Sërbinë, nuk do të kishin parë tmerret e tragjeditë më therëse popullore.

Gjenerali famë keq Grek Bairas, kurdisi edhe komplotin falls në vitin 1921 kundër çamëve myslimanë.

Qeveria Greke gjatë viteve 1922- 1923 rihartoi dhe përpunoi tezën famkeqe ( të ideuar nga L.Venizellos më 1914) të turpshme, atë të shkëmbimit të grekëve me banim në Azinë e Vogël, por tani me çamët myslimanë të Çamërisë me banim në trojet e veta, se gjoja këta ishin turq. Në këtë peridhë si rrjedhojë e presioneve dhe dhunës janë detyruar të shpërngulen nga Çamëria, sidomos në zonën e Prevezës e të Pargës mbi 35.000 banorë çamë. Në atë kohë ishin të shumta përpjekjet e çamëve dhe diplomacia shqiptare për të hedhur poshtë këtë ide shpifëse dhe të turpshme të Greqise dhe si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve më 30.01.1923 në Lozanë u nënëshkrua konventa mes Greqisë e Turqisë që çamët (pasi u vërtetua se ishin të racës shqiptare) të mos këmbeheshin. Por kjo nuk zgjidhi “de fakto” asgjë, pasi qeveritë Greke vazhduan masat për realizimin e kësaj teze të çmëndur, por mjaft efikase për qeveritarët Grekë.

Qeveria Greke në vazhdimsi organizonte çeta terroriste para 1922-shit dhe pas kësaj date deri në pranverën e vitit 1945, të cilat vepronin lirshëm duke plaçkitur dhe rrëmbyer pasuritë e çamëve si dhe duke shpifur ndaj tyre që të gjenin pretekse edhe të kota për të realizuar gjyqe që dënoheshin çamët, ose provokonin duke krijuar sherre nëpër kafene, në rrugë e kudo, apo pse mbanin feste të bardhë (qeleshe të bardhë), apo pse nuk lejonin grekët të kalonin të parët në pazar, në autobuza, etj. krejtësisht të pabaza, pasi dihej se dënimet binin në kurriz të çamëve, apo edhe vrisnin e nuk u kërkohjej asnjë llogari, as nga institucionet qëndrore dhe as nga ato lokale. Shpesh bastisnin shtëpi çame me pretekstin se do gjenin libra shqipe, por edhe kur nuk i gjenin librat i akuzonin se i ksihin fshehur etj etj.

Lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, ashtu si Perandoria Osmane edhe qeveritë greke asnjëherë nuk lejuan hapjen e shkollave shqipe, përkundrazi çamët dënoheshin po të flisnin shqip, në tregje, në vënde publike, në zyra etj. Për ta vërtetuar këtë, citojmë një urdhër të prefektit të Thesprotisë, ku u drejtohej me qarkoren Nr.59, datë 11.10.1938 shefave të zyrave shtetërore, shefave të komunave të prefekturës që përmbledh Çamëria. Ja ç’far shkruante prefekti:

Kam konstatuar se në zyrat komunale, në ato shtetërore dhe në mbledhjet publike nuk flitet gjuha greke………të kuptohet nga të gjithë se si qytetar grekë kemi për detyrë në çdo mbledhje publike të flasim greqishten me kryelartësi, sepse është mëma e të gjitha gjuhëve…… gjuha e perëndive të moçme….. në këtë rast tërheq vëmëndjen e çdo patrioti grek dhe i bëj thirrje ndërgjegjes suaj që të na ndihmoni ta zhdukim këtë të keqe (Lexuesi duhet të kuptojë se e keqja për ‘të ishte, e folura shqipe, pra ajo duhej zhdukur)….Ju urdhëroj, vazhdon prefekti, që edhe në mbledhjet publike, në tregjet, në kafenetë dhe aq më shumë në zyrat komunale dhe në zyrat e shtetit të flitet vetëm greqishtja”. Pastaj përsëri bën thirrje ….” Ku janë grekët në Çamëri?”

Prefekti kërkon që me çdo kusht të jenë grekët në këtë krahinë, sepse, siç thotë dhe vetë, ata nuk ishin atje dhe në të vërtetë skishte pse të ishin, por ja që i donte zoti prefekt. Së fundi në qarkore prefekti jepte porosi që ajo të lexohej edhe nëpër kisha./shkeputur nga: Cameriaime

Fahri_Dahri_autor

Shperndaje ne

The Author

Fahri Dahri

1 Comment

Add a Comment
  1. Falenderime qe me shkrimin e botuar bete te mundesi informimin lexuesave tuaj te nderuar me te vertetat historike te kombit iliro-epirot-shqiptaret. Jam ne perfundim te librit: “Shtet qe vret ne emer te ortodoksise”, pjese prej te cilit i kam derguar per botim ne disa organe shtypi, nje nder te cilat eshte dhe shkrimi qe ju keni pasqyruar. Ju faleminderit, respekte dhe urime te sukeseseshme ne rrugen drejt Bashkimit te trojeve dhe kombit shqiptar, sigurisht duke i u permbajtur kerkesave te kohes. Respekte Fahriu 10-05-2016 Milano.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.