Figurat Kombëtare kërkojne mbrojtje me Kushtetuese

Gjergj_Kastrioti_Skenderbeu_or

Dr. Moikom Zeqo: Figura e Skënderbeut kërkon mbrojtje kushtetuese

 

Dr_moikom_zeqo_01Zoti Zeqo, si duhet të përkthehet deklarata e “historianit” turk Talha Ugurluel­it, ndaj figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut?

Ai u përpoq që të hidhte një baltë të neveritshme mbi figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Së pari, statusi i këtij njeriu është i papërfillshëm, sepse nuk është as historian dhe as shkencëtar. Mund të jetë shtetas i Turqisë, por nuk përfaqëson Turqinë. Megjithatë, mllefin dhe konceptin, që ka ndaj Skënderbeut, unë e kam vënë re, si mentalitet dhe tek njerëz të tjerë, nganjëherë edhe te diplomatë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë që disa sekte myslimane vehabite, ekstremist të skajshëm, duke e konsideruar veten myslimanë, hedhin poshtë Nënë Terezën dhe Gjergj Kastriot Skënderbeun. Në raste të tilla, deklaratat e të vetëquajturve imam, që mund të jenë edhe shqiptarë me orgjinë, kundër këtyre dy figurave, janë zëra në minorancë, që nuk përfaqësojnë asgjë.

-A duhet që të ketë një strukturë etike për mbrojtjen e këtyre figurave?

Mendoj se figurat, siç është Skënderbeu, që kanë vlerë kushtetuese (të mbrojtur kushtetushmërisht), duhet patjetër që të jenë edhe në strukturën etike të medieve shqiptare. Në mënyrë kategorike, mediet shqiptare nuk duhet të pranojnë, që të shahet Gjergj Kastriot Skënderbeu. Të gjithë heraldiket që kemi ne, duke filluar që nga flamuri, por edhe heraldiket e tjera, ku paraqitet përkrenarja e Gjergj Kastriot Skënderbeut, janë simbole identifikuese të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pra, janë kredenciale të kombit shqiptar. Unë mendoj se edhe statusi i njerëzve që flasin në medie duhet parë; përse duhet të bëhej publike një thënie delirante apo armiqësore e një të vetëquajturi historian?! Për të hapur një debat artificial, i cili është steril në esencë apo për të treguar një alarm? Alarmi që, për figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut nuk ka më tabura, nuk ka më elementë të mbrojtjes së logjikës historike, por përkundrazi mund të shahet lehtësisht. Të gjitha këto lidhen me kuptueshmërinë e medieve dhe me vetëdijen tonë për historinë e Shqipërisë. Një kritikë shkencore apo një mendim alternativ për figurat historike, pa sharje, mund të krijojë debat. Por, kjo është çështje shkencore. Ndërsa, sharjet ndaj figurave që përfaqësojnë kredencialet, shpirtin dhe çdo gjë të shenjtë që kemi në shqiptarët, në mënyrë kategorike nuk duhet as të pasqyrohen në medie, sidomos kur këto gjëra thuhen nga njerëz pa asnjë lloj përfaqësimi. Kam njohur edhe historianë turq, që kanë prezantuar tezat e tyre shkencore, por me mirëkuptim.

-Reagimi ndaj kësaj figure a duhet të jetë vetëm publik apo duhet të ketë edhe penalitet ligjor?

Kjo figurë, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ka një mbrojtje kushtetuese, prandaj çdo përçmim dhe sharje ndaj tij, duhet të ketë një paralajmërim. Detyrimisht, ambasadat turke që kemi në Shqipëri duhet të kenë një lloj përgjegjësie, t’i tërheqin vëmendjen dhe të marrin një lloj mase për të, duke nisur që nga verifikimi, nëse është apo jo shtetas i Turqisë. Që mos të përsëriten më gjëra të tilla. Mendoj se ky person duhet të shpallet non grata.

-Po nga institucionet tona?

Duhet të ketë një veprim. Kjo ka të bëjë me fuqinë konceptuale dhe me vetëdijen e shtetit dhe kombit shqiptar. Shpesh te ne, kjo vetëdije është e zbehtë. Aq më tepër që, gjenerata e re është pak indiferente dhe nuk ka njohje në thellësi për figurën madhështore të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ne nuk mund të lejojmë që thashethemet, mllefet apo deliret, kundra kësaj figure, të kenë statusin e një lirie në të folur. Në emër të kujt është kjo liri e të folurit?! Perversitetit?! Perveristeti nuk është status, është anti­status.

-Nuk është hera e parë, që hidhet baltë mbi figurën e Skënderbeut. Para dy vitesh u gjet një statujë e përçudnuar e heroit tonë kombëtar, në Qafë Kashar të Tiranës…

E vërtetë, u gjet një pseudoskulpturë në bronz, ku Skënderbeu paraqitej me forma të përçudnuara, ishte një skulpturë groteske, e cila bëri bujë të madhe në atë kohë. Dikush e ka bërë, prandaj shikoj se ky sekt ka fituar një lloj terreni, te myslimanët ekstremist, që nuk kanë të bëjnë me islamin e vërtetë. Ata mendojnë që Skënderbeu është një figurë anti­islamike, tradhtare, sepse ka tradhtuar islamin. Thjesht marrëzira të inabsurdes, por që duhet pasur kujdes. Nëse ne i ndalojmë këto, duke mos i bërë publike, fare mirë mund të shmangen dhe debatet, që mund të quhen sterile.

-Si mund ta përforcojmë statusin e këtyre figurave kombëtare?

Çdo e keqe ka një të mirë. Ne, këtej e tutje duhet të përforcojmë statusin kushtetues, që ka një figurë unikale, përfaqësuese për kombin shqiptar, siç është Gjergj Kastriot Skënderbeu. Mendoj se duhet të nxirret një mësim. Ky mësim mund të jetë një katharsis edhe për ne shqiptarët, që kemi një koncept për këtë figurë.

-Përveçse përforcimit të statusit kushtetues, brezat e rinj, si duhet t’i thellojnë njohuritë e tyre?

Njohja themelore për brezat e rinj, në mënyrë institucionale, të patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme, është vetëm arsimi. Unë jam i bindur, por nëse ne e vërtetojmë, që në këta 25 vjet arsimi i mesëm dhe i lartë në Shqipëri është me tipare virtuale, formale dhe jo në substancë, aq sa është zbehur dhe njohja e figurave të tilla, siç është Gjergj Kastriot Skënderbeu.

-Çfarë na bashkon ne shqiptarët?

Ne themi se na bashkon gjuha. Por, gjuha edhe mund të na ndajë, sepse me të njëjtën gjuhë edhe shahemi me njëri­tjetrin, në mënyrë të skajshme. Atëherë çfarë na bashkon? Janë disa figura, të cilat në mënyrë konsensuale janë të përbashkët për të gjithë ne, pavarësisht ideve politike. Është Skënderbeu, Marlin Barleti, Gjon Buzuku, Onufri, Pjetër Bogdani, Fan Noli, Faik Konica, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, De Rada, Migjeni etj. Ne quhemi shqiptarë, sepse në kujtesën tonë janë këta emra.

-Dhe së fundmi, ju si historian çfarë sugjeroni për të bërë më konkretisht?

Unë mendoj se Shqipëria duhet të ketë detyrimisht një qendër, (që mund ta hapë edhe në Itali), që mund të quhet Qendra e Studimeve Skënderbejane. Për Migel Servantes, spanjollët nuk kanë lënë shtet, pa ndërtuar një qendër servastiane. Po ashtu edhe italianët për poetin e tyre Dante Aligeri. Nëse ata janë të njohur mjaftueshëm, përse ndërtohen këto qendra?! Mendoj se, nëse nuk studiohen mund të zbehen dhe në kujtesë. Prandaj ne duhet detyrimisht të kemi Qendrën e Studimeve Skënderbejane. Kjo qendër mund të jetë edhe në; Krujë, Tiranë, por duhet të jetë edhe në Prishtinë, në Tetovë, por në Kozenca tek arbëreshët në Kalabëri. Gjithashtu duhet të jetë edhe në Francë, sepse atje ka sheshin më të madh me emrin “Skënderbe”. Populli thotë një gjë të madhe: “Kur të shoh me sy, më vjen mendja për ty”. Prandaj, tjetrin po nuk e kujtove e harron./koha jone

Shperndaje ne

The Author

Dr. Moikom Zeqo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.