Letërsi Shqiptare: “TRADITA TË FSHATIT CURRAJ I EPËRM, PËRMES NJË LIBRI…”

Mehilli_autori

Gjatë zhvillimit të veprimtarisë…

Murat_gecaj

Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues

1.

Fshati Curraj i Epërm është ndër më të njohurit, jo vetëm në krahinën Nikaj-Mërtur, por dhe në tërë Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Ai ka bukuri të rralla natyrore dhe trashëgon tradita shumë të çmuara: atdhetare e historike, kulturore e arsimore etj. Ai shtrihet  në gjirin e Alpeve të Shqipërisë dhe në Veri kufizohet  me Thethin e Luginën e Shalës, me vargmalet  Maja e Boshit, Kakia e Nikajve dhe në verilindje me Luginën e Valbonës. Ndodhet në një lartësi 730-900 m. mbi nivelin e detit dhe ka formën e një amfiteatri gjigand. Përmes tij rrjedhin me ujin e tyre të kaltër, ku notojnë troftat pikaloshe, Lumi i Currajve dhe Lumi i Qereshit. Që nga brigjet e tyre dhe deri në lartësitë alpine, aty rriten  drurë të shumëllojshëm, pyjorë e frutorë. Në to jetojnë mjaft kafshë e shpendë të egër. Pasuri e rrallë e fshatit janë edhe objektet natyrore, si Shpella e Zezë, në Qeresh, shpella e Boshit etj. Në qendër të fshatit janë ndërtesa e shkollës 9-vjeçare (e cila tanimë nuk funksionon, pës shkak të largimit të banorëve), Kisha Katolike, Kulla e Thepit etj.

Banorët e këtij fshati, me të drejtë, krenohen për traditat e lashta atdhetare të paraardhësve të tyre, në luftërat e pandërprera për liri e pavarësi dhe për figurat e shquara kombëtare, si Bajram Curri, Gjelosh Rama, Kolë Ademi e të tjerë. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja, që Shoqata “Unioni për vendlindjen, Curraj i Epërm”, krijuar në qershor 2013, organizoi  vitin e kaluar një “Akademi përkujtimore”, kushtuar 100-vjetorit të qendresës së pashoqe të popullit të këtij fshati, kundër pushtuesve serbo-malazezë.

Mhillli_2

Pamje nga salla, ku u organizua përurimi…

Veprimtaria e mësipërme dhe punimet, që u paraqitën aty, janë pjesë kryesore e librit të ri “Vjetar:Curraj i Epërm-2015”(Tiranë, 2016), i cili u pëurua dje pasdite, në lokalin “Lëpjeta”të Laprakës.. Ishin të pranishëm pjesëtarë të familjeve të këtij fshati, që jetojnë në Tiranë, Durrës etj., por dhe të ftuar tjerë, nga fshtrat e krahinës Nikaj-Mërtur.

Moderator i kësaj veprimtarie ishte studiuesi Ylli Prebibaj, ndërsa tubimin e hapi kryetari i Shoqatës “Uninioni për vendlindjen, Curraj i Epërm”, Zef Mrishaj. Ndër të tjera, ai tha se shprehë kënaqësinë që kontrata e nënshkruar me bashkësinë e fshatit, është mbajtur, së pari, me respekt e mirënjohje, por edhe në drejtime të tjera. Falë edhe kësaj mbështetjeje është bërë e mundur që të realizohen disa objektiva me vlera, siç ishte dhe botimi i këtij libri e veprimtaria përuruese e tij.

Pjesëmarrësit ndoqën me vëmendje edhe mendimet e shprehura nga Dedë Qokaj e Pashko Gecaj, të cilët treguan përmbajtjen dhe evidenuan vlerat e këtij botimi të ri, i cili është e dobishme të shoqërohet edhe me të tjerë, në të ardhmen.

Për të pranishmit në këtë veprimtari, interpretuan këngë popullore me çifteli, këngatarët Bardhok Prebibaj e Vuksan Pjetri. Pastaj ata morën pjesë në koktejin rastit dhe bënë fotografi, për t’i patur kujtim nga kjo veprimtari mbresëlënëse.

2.

Libri i ri, që u përurua nga Shoqata “Unioni për vendlindjen, Curraj i Epërm”, ka gjithësej 208 faqe dhe përmban mjaft fotografi me ngjyra, kushtuar veprimtarive të banorëve të këtij fshati alpin. Redaktor dhe korrektor letrar është Dedë Qokaj dhe ballinat, ilustrimet e diçiturat janë përgatitur nga Pashko Gecaj.  Libri është mundësuar për botim nga bashkëfshatari i tyre, Skënder Përpepaj.

Curraj_libri_ballina

Ballinat e librit të ri, për fshatin Curraj i Epërm…

Pas “Hyrjes”, që e ka shkruar Pashko Gecaj, botohen dokumentet e krijimit dhe miratimit të kësaj Shoqate atdhetare e kulturore,në vitin 2013. Në vazhdim, lexuesi njihet me punimet e lexuara në veprimtarinë përkujtimore të luftës së malësorëve të fshatit Curraj i Epërm, kundër sulmit të pabesë të ushtrisë serbo-malazeze, në vitin 1915. Kështu, punime të tilla janë: “Njëqindvjetori i luftës shqiptaro-malazeze të Qafës së Kolçit:1915-2015”, nga studiuesi Ylli Prebibaj, shoqëruar me bibliografinë përkatëse; “Etnologjia dhe etnokultura e fshatit Curraj i Epërm, në 100 vitet e fundit”, nga arsimtari e publicisti Dedë Qokaj, gjithashtu shoqëruar me referimet e nevojshme dhe “Roli i klerit katolik në kultivimin dhe ruajtjen e virtyteve të larta njërëzore, te banorët e fshatit Curraj i Eprm”, nga ing.Martin Gecaj.

Në vazhdim, në këtë libër lexuesi do të gjejë fjalët përshëndetëse, që u mbajtën në Akdeminë përkutimore, të cilën e përmendëm më lart, nga: kryetari i Bashkisë së qytetit “B.Curri”, Besnik Dushaj; nga zv.kryetari i Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, Agron Qokaj; nga emigranti Skëndr Përpepaj dhe nga Zef Mrishaj.

Një vend me rëndësi zë në këtë libër veprmtaria e Shoqatës “Unioni për vendlindjen, Curraj i Eprm”, në gusht 2015, organizuarr pikërisht në atë fshat të largët, ku nuk ka as rrugë makine!? Më tej, Pashko Gecaj ka botuar punimin e tij me vlera, “Curraj i Epërm, studim dmografik”, shoqëruar me pasqyrën e trungjeve familjare të këtij fshati.

Lexuesi njihet edhe me vargjet e poezisë së Ndue Vatnikajt, “Djepi i thyer” dhe në mbyllje të tërë librit flitet për “Potencialet turistike, në fshatin Curraj i Epërm”.

…Si për organizimin  e kësaj veprimtarie përuruese dhe botimin e këtij libri të parë, e përgëzojmë Shoqatën “Unioni për vendlindjen, Curraj i Eprm”, duke shpresuar se veprimtari e botime të tilla do të jënë në vazhdimësi edhe në të ardhmen! Ashtu siç u njoftua në këtë tubim, një e tillë do të jetë edhe më 6 gusht 2016, pikërisht në vendlindjen e anëtarëve të kësaj Shoqate, atje pranë bukurive të mrekullueshme natyrore alpine.

Tiranë, 13 korrik 2016

Shperndaje ne

The Author

Dr. Murat Gecaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.