Veprimet antishqiptare

flamuri_valvitet

Në Kosovë dhe Shqipëri ka më shumë albanofobë se sa në Serbi dhe Greqi. Identiteti shqiptar më shumë luftohet brenda se sa nga jashtë. Kur një komb sulmohet nga jashtë, mbrojtja është më e lehtë. Kur sulmohet nga brendia, atëherë synohet shpërbërja dhe mbrojtja është shumë më e rrezikshme dhe më e ndërlikuar. Sulmet bëhen në shumë mënyra, nga shumë shtresa dhe kanë një qëllim të përbashkët: rrënimin e identitetit.

Albanofobët nga jashtë, si ata nëpër vendet e Ballkanit, nuk kanë probleme me identitetin tonë, por do të dëshironin shkëputjen e ndonjë qyteti apo ndonjë krahine. Rreziku më i madh mund të vijë nga implozioni, nga shpërthimi i brendshëm. Për t’ u mbrojtur nga jashtë tani kemi NATO-n, por nga brenda, nuk mund të na mbrojë njeri. Plagët e jashtme mund të shërohen më lehtë, por jo ato që shfaqen në baza qelizore dhe prodhojnë kancerin.

Albanofobët mund të ndahen në tre grupe të mëdha që sulmojnë me kokëfortësi tërësinë shqiptare. Brenda grupeve mund të ketë mos-harmoni, por qëllimet i bashkojnë. Ata, edhe nëpër shkrime solidarizohen në mes vete. Sulmi, i pari është ai që bëhet duke u shërbyer kryesisht politikave serbe dhe pastaj edhe asaj greke. Këta mund të jenë edhe nëpër pozita të larta në shoqëri, por obligim kanë dëmtimin e interesave shqiptare. Mund të gjendet gati në të gjitha shtresat e shoqërisë. Kosova duke mos pasur një Shërbim Sekret si duhet, nuk ka arritur të bëjë identifikimin e tyre. Biografitë e tyre do të tregonin shtysën, motivin dhe ndihmonin në zbardhjen e plotë.

Grupi i dytë bazohet në religjion dhe krejt luftën që bën kundër identitetit, e bën i motivuar nga religjioni, nga fanatizmi duke menduar se kombi është i pavlerë. Disa prej tyre që janë shumë të zhurmshëm, janë me origjinë turke dhe madhërojnë çdo gjë turke dhe poshtërojnë çdo gjë shqiptare. Për dallim nga grupi i parë, këta të fundit, luftën kundër kombit shqiptar e bëjnë publikisht. Madje edhe ftohen nëpër platforma të ndryshme, ku u jepet mundësi të rrisin grupin.

Grupi i tretë janë kryesisht intelektualë që në një farë mënyre, i hakmerren kombit për pësimet e tyre. Ata janë indiferentë ndaj çdo gjëje shqiptare dhe sulmet që bëjnë grupi i parë dhe i dytë, për këta nuk janë asgjë tjetër, pos shfaqje normale në një shoqëri. Derisa nuk preken interesat e këtyre individëve nëpër grupe apo shtresa të ndryshme, ata në luftën e tyre të shenjtë kundër shqiptare, do të jenë aleatë. Kur ta kenë përfunduar projektin shekullor, do të merren me njëri tjetrin dhe do dominojë vetëm njëri.

Të dy rreziqet që bëhen nëpërmjet religjionit si ky me patriotët vahabistë në Kosovë, apo ortodoksinë të drejtuar nga një patriot grek në Shqipëri, janë të motivuar deri në vdekje për të çuar para projektet e Serbisë dhe Greqisë. Shtetet shqiptare nuk do të jenë në gjendje ta mbrojnë dinjitetin e shqiptarit, jo gjithmonë pse nuk dëshirojnë, por sepse varfëria apo epshi ndaj karrierës, i bën ata të epshëm.

Sakrilegjet mbi Skënderbeun, Nënë Terezën, Bogdanin apo humanistët e tjerë shqiptarë me bindje fetare të krishtera, nuk janë ashtu naive siç duken. Kur një godine i rrëzohen shtyllat, atëherë aty do të kemi një gërmadhë dhe pas gërmadhës, vijnë mjeshtërit e rinj për të ndërtuar atë që dëshirojnë ata dhe për çfarë janë paguar dhe e kanë përmbaruar me përkushtim.

Ata do të vazhdojnë punën e tyre dhe Beogradi do të përkujtojë Esat Pashën, që e vrau Avni Rustemi, kurse Greqia apo popi grek në Tiranë, do të organizojë përkujtimin e një tradhtari tjetër shqiptar…

Nga:

lis_bukuroca

Shperndaje ne

The Author

Lis Bukuroca

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.