PSE TË HUAJT NA QUAJNË “ALBAN”?

albanet_elena_kocaqi_fb

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Edhe sot të huajt na quajnë sipas emrit të vjetër që e kemi “Alban-Arbër, Albania-Arbëria” dhe forma të ngjashme, dhe jo sipas emrit të tanishëm “Shqiptar-Shqipëri-Shqip”.

Një ndër problemet, që kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të historisë së popullit shqiptar, është dhe ai që ka të bëjë me etimologjinë e emrit shqiptar, por dhe ardhja e tij si zëvendësues i emrit arbër.

Kur në shek. XI u shfaq emri alban dhe arvanit, ky emër nuk kishte vështrim etnik, por lidhej me emrin e krahinës Arbëni/Arbëri (Arbanon), që shtrihej në Shqipërinë e Mesme me qendër Krujën. Pas shek. XI filloi përhapja e apelativit Arbëni, Arbëri, Albani edhe në viset e tjera ku banonin shqiptarët.

Në periudhën e dokumentuar shqiptarët më parë e kanë quajtur veten “arbëneshë /arbëreshë” dhe gjatë shekujve të fundit, “shqiptarë”. Kurse të huajt gjatë kësaj periudhe na kanë quajtur dhe vazhdojnë të na quajnë me trajta fjalësh që lidhen me emrin e tonë më të hershëm. Kështu trajta latine “arbanenses” apo “albanenses”, trajta italiane “albanese”, trajta greke “arvanitis”, trajta sllave “arbanas”, apo “raban” dhe “rabënëski”, trajta turke “arnaut “etj. e kanë burimin tek emërtimi më i hershëm i vetë vendbanimit të shqiptarëve “Arban / Alban”, të cilit i është shtuar prapashtesa karakteristike, me të cilën formoheshin emrat e banorëve të një vendi në gjuhën e huaj përkatëse. Të krahasohen p.sh. latinisht “arban-ens-is”, italisht “alban-ese”, frëngjisht “alban-ais”, anglisht “alban-ian”, greqisht “arvan-it-is”, sllavisht ”arban-as”etj.

Lidhur me fjalën Arbën/ Arbër mbetet për t’u sqaruar nëse ajo në zanafillë ka qenë një fjalë e parme apo e prejardhur dhe cili ka qenë kuptimi i saj zanafillës. Gjithashtu duhet sqaruar se ku e ka burimin kjo fjalë dhe si është shtrirë në mbarë truallin shqiptar.

Në përgjithësi, është pranuar që emri Arbën(ë)/ Arbër(ë) e ka burimin tek emri i fisit ilir Alban-oi, që Ptolemeu i Aleksandrisë në shekullin II të erës sonë e përmend si një fis që banonte diku në viset e Shqipërisë së mesme, afër Durrësit . Ptolemeu, në veprën e tij, libri III,12, ku bën fjalë për provincën romake të Maqedonisë, shkruan: Në tokën e albanëve (Albanoi) Albanopolis. Por pas Ptolemeut emri i albanëve nuk del në burimet historike deri në shekullin XI, kur përmendet nga Mihal Ataliati dhe Ana Komnena. Megjithatë, lidhja e emrit Arbën(ë)/ Arbër(ë) me etnonimin Albanoi është plotësisht e mundshme si historikisht dhe gjuhësisht. Fisi i Albanoi-ve banonte në vise që përfshihen në Dheun e Arbënit. Gjithashtu etnonimi Arban – me theksin mbi rrokjen nistore, në bazë të rregullsive të evolucionit të sistemit fonologjik të gjuhës shqipe do të përfundonte fare natyrshëm në Arbën(ë)/ Arbër(ë) me reduktimin e zanoreve të patheksuara në /-ë-/ dhe me ndërrimin e rregullt /-n-/ > /-r-/ në të folmen jugore.

Gjithashtu në përgjithësi është pohuar që etnonimi Arban- a Alban – ka qenë një fjalë e prejardhur e formuar me prapashtesën -ano- . Kështu p.sh ka menduar Krahe-ja (1925,42). Mendimin e Krahe-s e kanë miratuar edhe A. Mayer-i (1959), Domi (1974), Çabej (1976) etj. Çabej pohon se Arbën(ë) “i dëshmuar kështu si emër vendi u përdor me kohë edhe për popullin, kalim kuptimor mjaft i shpeshtë në gjuhën shqipe”. Dhe pak më poshtë shton: “Morfologjikisht arbën(ë) paraqitet si një shumës me -ën -ër (më e moçmja -ënë – ërë ), i krahasueshëm si i tillë me kategorinë e pasur Bishtna, Fundëna, Karpën, Lisna, Ndërfandna, Shtiqën, që jepen në “. Një shpjegim i tillë nuk duket bindës.

Për përhapjen relativisht të hershme të fjalëve Arbën, arbënesh dhe arbënisht në veri të trevave të Shqipërisë së Mesme dëshmojnë, ndër të tjera: Përdorimi i rregullt i këtyre fjalëve jo vetëm tek Budi (1566-1622) prej Mati dhe tek Bardhi (1606-1643) prej Zadrime, por edhe tek Buzuku (1555) prej trevave më veriore si edhe tek Bogdani (1625-16896 prej Kukësi. Këtu po japim disa shembuj prej tyre me fjalët arbënesh dhe arbënisht; për fjalën Arbën(ë) Budi:…mbë gjuhu-t arbëneshe, për ndihmë të gjuhusë arbëneshe (Parathënia), prifti i lëtinë e i arbëneshë, e të popullit arbëneshë , e ndimë të priftënet e të popullit arbëneshë etj.

Literatura:
1. Kocaqi, Elena, Albanët me famë në mijëvjeçare, Tiranë, 2006
2. Myderrizi, Osman, Emri i vjetër kombëtar i Shqipërisë në tekstet e vjetra shqipe me alfabet latin e arab – Studime historike nr.4, 1965
3. Sedaj, Engjëll, Etnonimi arbëresh/shqiptar kontribut për autoktoninë e shqiptarëve, Prishtinë, 1996
4. Demiraj, Shaban, “Prejardhja e Shqiptarëve nën Dritën e Dëshmive të Gjuhës Shqipe”, Tiranë, 1999

Shperndaje ne
Updated: 8 Shtator, 2016 — 15:35

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.