HUMANISTI MARIN BARLETI- NISMËTAR I LETËRSISË DHE I HISTORIOGRAFISË SHQIPTARE

skenderbeu_atdheu_yne

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

“Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër” (Skënderbeu, sipas Barletit).
Historiografi i shquar Marin Barleti është figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane.
Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave të shqiptarëve për të mbrojtur atdheun “nga kujtimi i të cilit,- shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s’mund të shkruaj pa lot në sy”. Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik më 1504.
Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508-10. Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latinisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, italisht, spanjisht, rusisht, frengjisht, greqisht e japonisht. F.S.Noli ka shkruar me të drejtë se vepra e Barletit “fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë”.
Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye: e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet; e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben.
Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut është, në rradhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri. Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare.
Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësinë dhe lehtësinë e frazës. Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftrave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër hordhive osmane. Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, krenaria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar.
Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tyre.
Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji. Kjo është një nga idetë e mëdha të veprës. Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër, shkruan Barleti.
Duke folur për qëndresën e shqiptarëve gjatë shekullit XV, Barleti ka vënë në qendër të veprës së vet protagonistin dhe heroin e saj qendror Gjergj Kastriotin. Kjo figurë është vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla; ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit e të konceptit humanist për njeriun dhe luftëtarin e lirisë.
Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim , të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë.
Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe njerëzore, madhështor dhe legjendar – e tillë të mbetet në mendje figura e heroit , skalitur si me daltë nga pena e Barletit.
Në veprën “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”„ autori mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve.
Duke qenë një vepër historike, libri i Barletit ka rëndësinë për të dhënat dhe faktet që sjell. Pa këtë vepër, historiografisë për Skënderbeun do t’i mungonin burimet e para, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë ta ushqejnë edhe sot. Në disa raste, i rrëmbyer nga entuziazmi që i shkakton kujtimi i ngjarjeve heroike që përshkruan edhe urrejtja për pushtuesin, Barleti i zmadhon ngjarjet e‚ sidomos ndryshon shifrat e pjesëmarrësve në luftime. Por, prapëseprapë, në thelb dhe në frymën e saj të përgjithshme vepra i përmbahet së vërtetës historike.
Me librin e tij Marin Barleti qëndron në fillimet e letërsisë shqiptare, e cila e nis udhën e saj me një vepër të përmasave të mëdha. Kjo vepër është shkruar në latinisht, që asokohe ishte gjuha e kulturës në Evropë, por ajo i përket kulturës shqiptare, jo vetëm se është shkruar nga një shqiptar, por se është bota shqiptare që i ka dhënë jetë këtij argumenti madhështor të kulturës së hershme të këtij populli të lashtë.
Humanist i shquar, historian, i pari autor i njohur dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë së vjetër shqiptare, Marin Barleti i dhuroi popullit shqiptar veprën monumentale për kryeheroin tonë kombëtar. Për jetën e tij dihet fort pak. Lindi në Shkodër, përjetoi, ende i parritur, rrethimin e parë osman të qytetit, ndërsa në rrethimin e dytë, më 1478-79, mori pjesë me armë në dorë në mbrojtjen e vendlindjes. Pas rënies së Shkodrës jetoi në mërgim si prift në trevat venedikase. Këtu plotësoi kulturën e tij humaniste dhe u bë një njohës i thellë i letërsisë klasike dhe i gjuhës latine, në të cilën shkruajti veprat e veta. Në mjedisin e të mërguarve të shumtë shqiptarë, mjaft nga të cilët kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, fitoi njohuri të gjera për epokën e heroit dhe luftën e madhe të popullit shqiptar për liri, të cilat i zgjeroi edhe me të dhënat e literaturës.

Prej Marin Barletit njihen tri vepra; “Rrethimi i Shkodrës”(De obsidione Scodrensi, Venedik 1504), në të cilën jep historinë dramatike të luftës për jetë a vdekje të banorëve të qytetit të rrethuar për një vit nga osmanët. I mbështetur në shënimet e kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë, libri jep një tregim të saktë të ngjarjeve politike-ushtarake, por sidomos të aspektit të brendshëm, të vetëdijes së lartë patriotike të banorëve të qytetit. Vepra pati tre ribotime latinisht dhe 5 përkthime në gjuhë të tjera.
Vepra madhore e Marin Barleti është” Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut” (Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi, Romë midis 1508 dhe 1510). Ajo e tregon autorin si një shkrimtar të nivelit të lartë dhe si historian që përpiqet të ndërtojë kuadrin e saktë të jetës së heroit dhe, me gjithë vështirësitë objektive për të siguruar burimet, jep njohuri të gjera për «Ç’ka ngjarë në shek.XV dhe çfarë zhvillimi ka pasur në atë kohë shoqëria jonë, fshatarësia shqiptare, jo vetëm nga ana historike, por edhe nga ana kulturore, ekonomike dhe drejtime të tjera».

“Shkurtore e jetës së papëve dhe perandorëve” (Compendium vitarum pontificum et imperatorum, Venedik 1553) është vepra e vetme e Marin Barleti që nuk ka të bëjë me historinë shqiptare, përveç parafjalës-kushtesë për Pjetër Engjëllin, një nga bashkëluftëtarët kryesorë të Skënderbeut, i cili e pat nxitur dhe ndihmuar autorin në punën e tij. Vepra i përket Marin Barleti vetëm për pjesën që arrin deri në vitin 1512, kurse vazhdimi është prej një dore tjetër. Është pikërisht kjo datë që na lejon të caktojmë datën e vdekjes së Barletit rreth këtij viti.

Pavarësisht nga një varg dobësish që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet ekzaltuese që u vihen në gojë heronjve, imitimi i autorëve klasikë deri në hollësitë, pavarësisht nga pasaktësitë kronologjike dhe mungesa e të dhënave për faza e ngjarje të tëra, veprat e Marin Barletit qëndrojnë si një burim i dorës së parë e i pazëvendësueshëm për historinë e shek.XV të Shqipërisë, si dhe të Evropës Juglindore.
Krahasimi me të dhënat dokumentare që kemi në dorë sot, na jep të drejtë të themi se nuk qëndrojnë kurrësesi vlerësimet negative të bëra në të kaluarën për vlerën e Marin Barletit si burim. Koncepti i lartë i Marin Barleti për historinë e vërteton atë si një mendimtar të shquar, tek i cili kleriku zhduket prapa humanistit; historia për të ishte fryt i veprimit të njerëzve dhe jo të fuqive hyjnore. Veprën e vet ai e mendonte si një përmendore që ia kushtonte luftës për liri të atdheut dhe popullit të vet; ajo nuk do të kishte një funksion thjesht estetik, por do t’i shërbente së vërtetës, si mësuese e jetës, që do t’i mësonte njerëzit për «të hapur sytë e për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit”.
«Historia e Skënderbeut» e Barletit u bë burimi më i rëndësishëm, nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e luftërave të lavdishme të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe frymëzoheshin për përpjekjet e tyre për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë.

Shperndaje ne
Updated: 9 Shtator, 2016 — 11:54

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.