Histori Kombëtare: Marin Barleti dhe vepra e tij, “Rrethimi i Shkodrës”

m-barleti

Humanisti shqiptar, Marin Barleti (rreth 1450 – 1512), i njohur edhe si dom Marinus Barletius, çmohet si historiani i parë shqiptar, prift katolik dhe qytetar i Shkodrës. Ai qe dëshmitar e luftëtar në dy rrethime osmane të këtij qyteti. Kur Venediku, së fundmi, ua dorëzoi Shkodrën osmanëve, si shumë bashkatdhetarë të tjerë të rinj, ai emigroi në Itali. U vendos në Padova, e në këtë dioqezë kishtare shërbeu si prift famullitar e më vonë si rektor i Kishës së Shën Shtjefnit.

Mëgjithëse “Rrethimi i Shkodrës” ishte vepra e tij e parë, ai njihet më shumë për veprën e tij të dytë “Historia e Skënderbeut”. Barleti tërhoqi vëmendjen e lexuesit evropian të shekullit XVI, i cili me turqit në portat e Vjenës më 1529, po shqetësohej gjithnjë e më shumë për mundësinë e pushtimit të të gjithë Evropës Perëndimore nga osmanët.

Me 10 janar 1504 në Venedik u botua latinisht vepra e Barletit, “De obsidione Scodrensi”- “Rrethimi i Shkodrës”, një nga veprat më të njohura historike që bëri të njohur luftën e shqiptarëve kundër perandorisë osmane në mesjetë. I mbështetur në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet që rrëfen, prifti shkodran dom Marin Barleti ia kushton librin e tij jetës e ngjarjeve politike dhe ushtarake gjatë rrethimit të Shkodrës.

Vepra “De obsidione Scodrensi”- “Rrethimi i Shkodrës”, është e ndarë ne tre kapituj, apo siç quheshin pas zakonit të shkrimtarëve antikë, ne tre libra.

Në librin e parë kemi parathënien, kushtuar dukës së Venedikut Leonard Loredano, ndërsa më pas bën fjalë për prejardhjen e turqve, deri me pushtimin e Konstantinopojës me 1453 dhe mbaron me shënimet historike rreth Shkodrës dhe përshkrimin e pozitës së saj.
Libri dytë është më voluminozi apo më mirë të themi pjesa qendrore, ku bëhet fjalë për rrethimin e Shkodrës në vitin 1474 dhe 1478, ku përshkruhen operacionet e rrethimit, sulmet, dhe mbrojtja heroike e Kalasë nga shqiptarët.

Ndërsa në fund në librin e tretë, prezantohen në formë të sintezës ngjarjet e rrethimit të Shkodrës si dhe dorëzimin e saj nga ana e Venedikasve përfaqësuesve të Perandorisë Osmane.
Duke lexuar veprën “De obsidione Scodrensi” – “Rrethimi i Shkodrës”, del qartë se autori ka marrë shënime në formë ditari, edhe pse si i tillë nuk na paraqitet në libër. Por, nëse në rrethimin e parë ishte dëshmitarë okular, në ate të dytin merr pjesë aktive si bashkëluftëtar në mbrojtjen e saj. Si e tillë kjo vepër është përgatitur për një kohë të gjatë, si vëzhgues okular, por edhe në saje të kujtimeve të bashkëvendasve të tij pasi u vendosen në Venedik, ku përfundimisht u botua në vitin 1504.

Edhe pse autori ishte prift, ai na rrëfen ngjarjet e rrethimit të Shkodrës si rrallë kush deri më tash. Madje ky botim është informacioni i vetëm dhe autentik i këtyre ngjarjeve deri më tash. Në libër prezantohen të dhëna të mjaftueshme për rrethimin e këtij qyteti nga Perandoria Osmane, municionet e përdorura, luftimet, vrasjet, krimet dhe heroizmin e shkodraneve në mbrojtje të Kalasë së Rozafatit. Ajo u mbrojt me dinjitet, sakrificë e ndjenjë fetare dhe kombëtare. Ajo ishte kështjellë e pamposhtuar e krenarisë kombëtare, ku nuk mundi ta pushtojë as sulltani ma famëkeq i kohës me ushtrinë dhe artilerinë ma të madhe të kohës. Ajo iu dorëzua Perandorisë nga ana e Venedikut në sajë të marrëveshjes së arritur në janar të vitit 1479.

Pasojat e dorëzimit të Shkodrës, janë të njohura për opinionin, sepse me dorëzimin e saj së bashku me venedikasit u largua edhe paria e Shkodrës, ku llogaritet se në drejtim të Venedikut shkoi edhe pjesa dërrmuese e popullsisë së qytetit. Me heroizmin e treguar Shkodra mbeti lavdia e shqiptarëve dhe pengesa e osmanlinjve në drejtim të Perëndimit.
Lufta qe zhvilluan shkodranet nuk ishte vetëm një luftë e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj, por kishte përmasat më të gjera sepse ajo njëherit ishte një luftë e krishterëve kundër turqve myslimanë.
Marin Barleti, prift katolik, historian, shkrimtar e patriot shqiptar i kohës së humanizmit, botës kulturore i ka dhuruar një vepër me vlerë të jashtëzakonshme për historinë e popullit shqiptar në njërën prej kohëve më të vështira e të errëta të historisë që ka përjetuar. Së bashku me kujtimin e luftës heroike në mbrojtje të Shkodrës, vepra e tij është dëshmi autentike e luftës heroike të popullit shqiptar për liri dhe si e tillë është vepër tejet e rëndësishme e historiografisë shqiptare në shek. XV.

E kujtojmë se vepra “Rrethimi i Shkodrës” e Marin Barletit, është shkruar në latinisht (De obsidione Scodrensi) dhe u botua për herë të parë në Venedik më 1504, pothuajse 100 vjet pas lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Veprën e përktheu në shqip për herë të parë studiuesi i shquar Henrik Lacaj më 1962, në përvjetorin e 50-të të Pavarësisë së Shqipërisë.
Disa fjalë mbi librin
Është viti 1478. Evropa po sulmohet. Dhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët dhe venedikasit vazhdojnë t’u rezistojnë osmanëve, duke mbrojtur atdheun e tyre dhe duke i dhënë kohë Evropës Perëndimore për t’u përgatitur për sulmin e pashmangshëm.

Historia botërore e ka anashkaluar mjaft heroizmin e shqiptarëve dhe faktin që ata u bënë pengesë dhe i vonuan osmanët në synimin e tyre për të pushtuar gjithë Evropën. Marin Barleti i jep, pra, botës një rrëfim të drejtpërdrejtë heroizmi përballë një pushtimi mizor: burra të thjeshtë e gra që luftojnë për familjet, për tokën dhe besimin e tyre.

Sulltani i mundur detyrohet të tërhiqet, por Shkodrën e mban të rrethuar derisa në fund. Senati Venedikas ia dorëzon atij si një ultimatum paqeje. Atëherë, shkodranët, të zhgënjyer, zgjedhin mërgimin, për të mos u dorëzuar dhe lundrojnë përmes Adriatikut për në portet e sigurta të Venedikut.

Marin Barletit, siç mund të kuptohet lehtë, i duhej të shkruante në latinisht, sepse vepra duhej të qarkullonte dhe të njihej nëpër Evropë. Ashtu siç edhe ndodhi, pasi pas botimit më 1504 në Venedik, u rishtyp disa herë në Zvicër (1556), Gjermani (1578 dhe 1596). Pas botimeve në latinisht do të vijnë përkthimet në italisht (1565), polonisht (1569), frëngjisht (1576) dhe në të gjitha gjuhët kryesore të Evropës.

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Shperndaje ne
Updated: 10 Shtator, 2016 — 08:04

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons