KONSTANDIN KRISTOFORIDHI DHE KONTRIBUTI I TIJ PËR THEMELIMIN E GJUHËS LETARE KOMBËTARE

kristoforidhi_yneU lind në Elbasan më 1827, ndër burime të tjera figuron më 1830, i biri i tregtarit e kujunxhiut Anastas Ndelkas/Nelkos. Kur ishte 14 vjeç, mbaroi mësimet e shkollës qytetëse greqishte të qytetit dhe i ati e dërgoi në gjimnazin Zosimea të Janinës prej 1847 deri më 1850.

Në Janinë u njoh me zv/konsullin austro-hungarez J. G. Hahn, i cili merrej me studimin e gjuhës shqipe dhe muar mësime për një kohë të gjatë prej tij për të studiuar shqipen mbi tekstin e Dhiatës së përkthyer nga Vangjel Meksi e të redaktuar prej Grigor Gjirokastritit. Ndihmoi po ashtu për “Studimet Shqiptare” të konsullit të përmendur. Vitet që vijuan e gjetën mësues në shkollat greke në Tiranë më 1852, Elbasan e Berat. Më 1853 i vdesin prindët, detyrohet të shesë gjithçka dhe u vendos në Durrës ku punoi te nuni i tij Mimi Xhufka. Udhëtoi në mbarë Shqipërinë për tregti dhe në fillimin e 1857 e gjejmë në Izmir ku me gjasë u poq për herë të parë me misionarët protestantë amerikanë, ku u rekrutua nga filologu dr. Rigzi, mbrapa më 1 mars në Stamboll ku nisi punë si përkthyes për Shoqërinë Angleze dhe të Huaj Biblike. Ndoqi për katër muaj kurse në Robert College në lagjen Babek të Stambollit. Mbasandej duke parë se qe premtues e shpunë në Maltë (fund korriku 1857-1860) në kolegjin protestant, ku përfundoi përkthimin e Dhjatës së Re në të dy dialektet e shqipes. Dorëshkrimet e tij u dërguan në Londër më 15 mars 1860, por nga Londra nuk erdhi ndonjë përgjigje inkurajuese[4]. U hodh në Tunis ku u martua me Eleninë dhe mësoi greqishte në një shkollë nga 1861 deri më 1865[2]. Në fund të majit 1865 u gjend në Stamboll me përkthimin e kryer të Dhiatës së Re në gegnishte. Aleksandër Tomson i Shoqërisë Biblike përmes një njohtësie me një riosh shkodran të shkolluar, Nikollë Serreqin, i cili me të shkuar në Stamboll e ndih Kristoforidhin me redaktimin dhe sugjeron alfabetin latin me të cilin qe shkruar gegnishtja në Shkodër si traditë e autorëve të vjetër. Në nëntor të 1869 zgjedhet anëtar i Komisionit për Alfabetin e Shqipes[5]. Me Eleninë pati shtatë fëmijë: Anastasin, Poliksenin, Anastasian, Kleopatrën, Aleksandrin, Stefanin dhe Filipin.

Prej 1874 gjer më 1878 pati një ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe Shoqërisë Biblike, prejse dyshohej që nuk besonte sipas qasjes protestante nga një keqkuptim që kishte pasë në Maltë[4]. Me ndikimin e Alexander Thomson-it të degës së Stambollit u bë e mundur që të vazhdonte punën me Shoqërinë Biblike duke përkthyer e botuar, kështu që u zhvendos me këtë shkas në Stamboll familjarisht.

Më 1884 u kthye në Shqipëri dhe i ndërpreu marrëdhëniet me Shoqërinë Biblike njëherë e mirë[6]. U përpoq të hapte një shkollë shqipe në Tiranë, por qe e pamundur duke qenë se autoritetet osmane nuk e lejonin këtë gjë prej ndodhive të pas-Lidhjes së Prizrenit. Më 1888 u kthye në Elbasan ku punoi si gjyqtar, punë të cilën e ushtroi derisa vdiq[2] më 1895 te shtëpia e Taq Budës[1]. U varros mbrapa absidës kryesore të kishën Shën Mërisë.

Kostandin Kristoforidhi njihet si lëvrues dhe studiues i shquar i gjuhës shqipe, si veprimtar i Rilindjes Kombëtare, i arsimit dhe i kulturës. Ai lindi në Elbasan, dhe më pas ndoqi nga viti 1847 gjimnazin Zosimea të Janinës, ku ndihmoi J. G. Hanin për të studiuar shqipen e për të hartuar një fjalor shqip-gjermanisht.

Shkoi në Stamboll më 1857 dhe për të treguar nevojën e një pune të re me përkthimet shqip, dhe hartoi një Mernorandum për gjuhën shqipe. Kristoforidhi qëndron në Maltë deri më 1860 në një seminar protestant, ku ndërkohë përfundoi përkthimin e Dhjatës së re toskërisht e gegërisht.

Paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si edhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860). U vendos mësues në Tunis deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll.

Botoi më 1866 përtkhimin e parë gegërisht Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve dhe vijoi për shumë vjet përkthimet: Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhjata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët (toskërisht 1880), Nomi i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (toskërisht 1884).
Ka lënë dorëshkrim Krijesa dhe të dalët gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu marrëdhëniet me të më 1874 pa paralajmërim, sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës.

U detyrua të shiste dru e qymyr e të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të shqipes. U vendos përfundimisht më 1884 në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi derisa vdiq. Veprimtaria e tij themelore ishte në dy fusha të lidhura ngushtë: për gjuhën dhe për shkoIlën shqipe.

Botoi më 1867 Abetaren gegërisht, më 1868 toskërisht dhe libra të vegjël për nxënësit. Bashkë me atdhetarë të tjerë mori pjesë në Komisionin për alfabetin e për arsimin më 1867 në Stamboll dhe i vazhdoi më pas përpjekjet e përbashkëta për alfabetin.
U përpoq me Hasan Tahsinin e të tjerë të ngrinte shkollën shqipe. Idetë më të rëndësishme i ka shprehur në një letër Nikolla Naços më 1888. Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është Fjalori i gjuhës shqipe .

Më 1882 botoi Gramatikën e gjuhës shqipe sipas dialektit toskë; ka lënë edhe disa dorëshkrime me shënime gjuhësore. Përkrahte teorinë për prejardhjen pellazge të shqipes. Nxori në dritë vlera të shumta të visareve të gjuhës së popullit, dha ndihmesë të veçantë për pastërtinë e gjuhës dhe dëshmoi se dialektet e shqipes nuk kishin dallime të mëdha. Me lëvrimin që i bëri gjuhës shqipe në përkthimet e në veprat e tjera ndihmoi për themelimin e gjuhës letrare kombëtare.
Provoi prozën me tregimin e shkurtër Gjahu i malësorëve (botuar më 1902). Punoi për një sistem arsimor kombëtar, të mbështetur në një pedagogji e didaktikë përparimtare demokratike. Në pikëpamjet politiko-shoqërore Kostandin Kristoforidhi ishte iluminist demokrat.

Shpresën për lirinë e Shqipërisë e mbështeste te vegjëlia, si rrugë kryesore shihte zgjimin kombëtar nëpërmjet shkollës e kulturës dhe gjuhën amtare e shihte si mjetin më të rëndësishëm për përparimin kombëtar. Ishte ndër përfaqësuesit e parë që u bënë shprehësit ideorë të lëvizjes kombëtare dhe bëri përpjekje për ta vënë në jetë programin e rilindësve në fushën e kulturës e të arsimit.

Disa prej veprave të K.Kristoforidhit janë Tituj të veprave, Mernorandum për gjuhën shqipe (1857), Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860) , Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve (përkthim: gegërisht 1866), Psallmet (përkthim: toskërisht 1868, gegërisht 1869), Dhjata e re (përkthim: gegërisht 1869, toskërisht 1879) Të bërët dhe të dalët (përkthim: toskërisht 1880) Nomi i dytë (përkthim: toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (përkthim: toskërisht 1884) Krijesa dhe të dalët (dorëshkrim: gegërisht) Abetare (gegërisht 1867, toskërisht 1868) Alfabeti i Stambollit – anëtar komisionit (1870) .

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Shperndaje ne

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.