Çfarë faji kanë shqiponjat?

Shkruar nga Fadil Lepaja

Fadil_LepajaPasqyra ishte zbulimi më i madh në historinë e njerëzimit! Rrota ishte një zbulim i madh, po ashtu! Pajtohem! Por ku do të ikësh, mbi rrota more vëlla! Në fund të fundit, duke ecur nëpër botë do ta kuptosh se ajo është e rrumbullakët! Kështu, pasi ke shëtitur globin te vetvetja do të mbërrish! Ku tjetër?! E, pasqyra të ballafaqon me vetveten! E zbulon veten! Kështu ne e zbuluam…atdheun! Edhe kombin! Duke u parë në pasqyrë!

Kështu, derisa po e përcillja një debat politik, në televizion, se si mu kujtua ai shitësi i famshëm i gazetave në plazhin e shkriftë të Velipojës! “Hajde rrena, hajde rrena” po e promovonte ai, mallin e tij, në mes të shtretërve të plazhit, në një vend ku qytetarët po përpiqeshin të pushonin, duke ikur nga politika. Qytetarë e katundarë, patriotë e tradhtarë, pozitë e opozitë, njësoj! Sidomos pushuesit nga Kosova. Se Velipoja është një nga pretendimet territoriale të Kosovës ndaj Shqipërisë! U ngut Salua dhe e premtoi! Salua kishte dy dobësi: Kosovën dhe Fazliqin! Shqipëria e hapur ndaj Kosovës dhe Serbisë…! Edhe Kosova, njëjtë! Nejse…të kthehemi te plazhi, ku të gjithë të lodhur nga fjalët po përpiqeshin të koteshin nën hije! Ky nuk po e linte kombin të flejë! Një komb që fle vdes, pat thënë dikush! S’ka gjumë!

Tash, mos i merrni fort për zemër fjalët e shitësit të gazetave! Nga krejt ajo zhurmë, ai i kishte vetëm 10 centë për copë. Promovim hesapi! Për ta shitur mallin!

Pastaj, gazetat edhe rrejnë! Nganjëherë as vetë nuk e besojnë atë që shkruajnë! Përcjellin fjalët e të tjerëve, gazetat! Rrej politika e rrej gazetat! Nuk jetohet pa pasqyrë!

E ne më 2014, për festë, u dehëm dhe po flasim vetë me vete! E zbuluam atdheun! Krejt afër paska qenë! U desh aq pak për ta zbuluar: një dron dhe dikush që me të vërtetë nuk na do! Vetëm kur e pamë një fushë të zakonshme loje sikurse mijëra të tjera nëpër glob, dhe në tribunat e saj përplot njerëz, që çmenden sapo shohin simbolet tona, dhe kur klithin përplot urrejtje “Vrisni shqiptarët”, atëherë e pamë qartë se kush jemi ne. Atëherë i kuptuam qilimat që i endnin gjyshet tona në vek! Ato shenjat që dyshoheshin për shqiponja! Kështu ne folëm: “Nuk jemi si këta”! Kështu, e dashuruam sërish veten!

kokaAtdheun e paskemi pasur aq afër, vëlla. Nën këmbët tona! Nuk e sheh atdheun nën këmbët e tua! E sheh vetëm kur e shkelin të tjerët! Na duhej veç një… dron!

Kështu po e fillojmë këtë vit, miq të dashur, me llafe për mediet, për politikën e kalimthi edhe për ne! Llafe hesapi, se këto ditë nuk kishte ngjarje! Kryeministri i vjetër, këndej në Prishtinë, ka ikur për udhë se nuk mësohet kurrqysh me zyrën e re, e i riu ende nuk po prodhon “llafe” për medien! Se media, pra edhe ne populli, nga llafet jetojmë! Llafet motivojnë ide dhe projekte, e kur nuk janë të duhura llafet nisin edhe autobusët plot të dëshpëruar për t’ia mësyrë qendrave kolektive të pranimit, nëpër metropolet europiane. Pra, e zbrazin vendin! Qeverisja e kaluar e hëngri edhe substancën, përpos që i hëngrën edhe fjalët. Qeveria e re, substancën nuk e rikthen shpejt, por fjalët e shpresës mund t’i bëjë me krah! Me shitë “Red bull”!

Kryeministri, ai i vjetri, prodhonte lajm nga asgjëja. Fliste përçartë dhe i trazonte njerëzit! Ja fuste kot! Ngjallte emocione nga hiçi! Disa media merreshin veç me këtë punë! Prodhonin grindje dhe jetonin nga kjo! Por qytetarët dikur e dekoduan! E kuptuan se kur ai thotë se “kurrë” nuk e bën një punë, ajo punë ishte e kryer tashmë! Për shembull, kur thoshte “Kurrë nuk i bëj lëshime Serbisë”, ai tashmë e kishte bërë këtë! Kishte nënshkruar letrat! Pra, nuk e bënte… më! Premtimi është premtim! Kështu bënte politikë!

Kjo grackë logjike i çmendte kundërshtarët! Për aq sa kemi parë, ky i riu, edhe pse në moshë më i vjetër dhe më me përvojë, ka tjetër qasje! Kur ky thotë “kurrë”, kjo ka tjetër kuptim. Kjo do të thotë “punë që bëhet” veçse duhet përjashtuar të gjitha mundësitë e tjera. Për të është e rëndësishme të duket se ai nuk kishte zgjidhje tjetër. A është kjo rrenë? Nuk është! Është politikë!

E ky tipi andej, kryeministri në Tironë, po flet për sinqeritet! Me serbët po thotë duhet biseduar pa dredhi! Sinqerisht! E ka kuptuar se për dredhi dhe josinqeritet nuk ia kalon serbëve askush! Politikë?!

Por, të kuptohemi, ka gënjeshtra dhe gënjeshtra. Dikush për tokë e dikush edhe për hava! Sipas kuvendit!

“Njëherë e pashë një qen duke lehur nëpër hava” po thoshte një djalë i ri në një ndejë burrash, ndërkohë që ata po e shihnin me qesëndisje dhe mosbesim. “Hajde rren, hajde”, ia ktheu një burrë me mustaqe, i cili jo vetëm për nga pamja dukej i sertë dhe inatçi. “Nuk je në parlament or burrë! Nëse do me na rrejt, rrej nëpër tokë”!

“E kam pa edhe unë” foli vëllai binjak, i… politikanit! Ishte qen stani! Ishte aq i madh e leshator, sa vështirë dallohej nga delet. Papritmas u lëshua një shqiponjë dhe me kthetrat e saj e mori pikërisht qenin! Çobani nuk dinte të gëzohej apo të hidhërohej me shqiponjën e çuditshme që nuk e dallonte dashin e këmborës prej qenit të stanit. E lehura e tij, jehonte qiellit, sa i trishtoi të gjithë!

Pra, ndodh edhe kjo! Sido që të jetë, rren apo politikë, duket se shqiponja e kishte marrë haraçin e saj! Çobani e kishte gjuajtur me pushkë, por e kishte huqur! Ai shpeshherë kishte dyshimet e tij blasfemike lidhur me shqiponjën dhe disi ngushëllohej vetëm me idenë se kjo nuk ishte ajo e flamurit! Ajo ka dy kokë, e kjo….!

Dilemë e rëndë! A duhej lejuar shqiponja t’i merrte dashin e këmborës? A duhej vrarë shqiponja?

Nejse, të kthehemi në tokë! Shqiponjat, të bardha e të zeza, po përleshen edhe në Ballkan! Në një karikaturë, një shqiponjë e zezë e kishte kapur për fyti shqiponjën e bardhë dhe …gati sa nuk po e plaste! Nuk po bisedonin sinqerisht, sikurse thotë Edi! Karikaturë hesapi!

Tash, çfarë faji kanë shqiponjat? Si mite që janë, ngjajnë me tullumbace! Ndoshta kur të ngjiten lart në qiell, mitet, do të duken veç si dy yje, në flamurin e kaltër të Evropës!

Po shikoja nën këmbët e mia qilimin e kuq me ato shenjat e zeza që asocionin në shqiponja! Kështu ëndërronin gjyshet tona, duke punuar në vek! Kështu i mësonin edhe shqiponjat … për të fluturuar!

Ah, pasqyra!

 

Lexoni edhe më shumë

 

 

Shperndaje ne
Updated: 17 Mars, 2015 — 07:13

The Author

Fadil Lepaja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.