“FORMULA E PAGËZIMIT” E PAL ENGJËLLIT

palengjelli1

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

“Un të pagëzonj pr`emen`t Atit e t`birit e t`shpirtit shenjt”.
1.
Më i hershmi dokument i gjuhës shqipe i gjetur deri më sot, është “Formula e Pagëzimit” e vitit 1462. Ajo është një frazë e shkurtër shqipe, përfshirë në tekstin e një qarkoreje latinisht, që kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, këshilltari i Skënderbeut u dërgonte nga Mati vartësve të tij. Ky dokument i parë i njohur i gjuhës sonë jo vetëm që u lexua apo u formulua në një kishë në Mat, por edhe është formuluar në dialektin vendës, në dialektin që përdoret sot në Mat: “Unë të pagëzoj për emër t`atit e t`birit e t’shpirtit shenjtë”.

Gjuhëtari ynë i shquar, Eqrem Çabej, duke analizuar dialektin e origjinalit të kësaj formule siç është paraqitur në vitin 1462, ku fjala “shpirt” është shkruar ” shpert” ashtu siç shqiptohet në Mat, arrin në përfundimin se “Formula e pagëzimit” është shkruar e lexuar në Mat. Ai jep këtë shpjegim: “Të shpertit, më fort se një shkrim gabim një lapsus kalemi në “shpirtit” do menduar se kemi të bëjmë me një trajtë reale, një trajtë e shqiptimit krahinor, sikundër flitet edhe sot në anët e Matit e të Lumës. Atje përdoret fjala “shpert” si në shprehjen “më dulë shperti”. Prandaj, do të mendohet që shkruesi i parë i këtij dokumenti ka qenë prifti i atyre anëve.
” I pari dokument, -thuhet në një gazetë të kohës,- i datueshëm i gjuhës shqipe, “Formula e pagëzimit” e vitit 1462, pra e epokës së Skënderbeut, në pajtim me rrethanat e kohës, rinon një tipar dialektor të dallueshëm “shpertit” për “shpirtit” të ligjërimit të Matit. Fshatarët e zonës së Prellit, Shëlliut, Macukullit e Derjani edhe sot thonë “shpert”, tamam si shkruhet në formulë, komplet fjalia është shkruar në formën dialektore të Pullit dhe nga dora e ndonjë prifti lokal po të kësaj zone. Edhe sot, matjanë të zonave të tjera nuk i shkruajnë fjalët me aq korrektesë ashtu siç thuhet gojarisht në zonën e Pullit. E folmja e kësaj krahine ka disa veçori: lidhëzat i merr ngjitur me fjalën pasardhëse pa e theksuar mirë, për shembull: “…këta ishin parot e Sulës e t`Aliut e t`Shabanit e t’Hysenit…”.”Formula e pagëzimit” përfshihet në dokumentet e të parit Kuvend Kishtar shqiptar që u mbajt në Mat në vitin 1462. Çabej na thotë se formula që përdoret në pagëzim, ka qenë lashtësisht në përdorim të kishës e në gojë të popullit dhe shkruesi i Kuvendit të Matit nuk bëri gjë tjetër veçse nguliti me shkrim një traditë të trashëguar brez pas brezi, e me një trajtë pothuaj të ndryshuar”. Çfarë ishte ky Kuvend i Matit, i pari Kuvend Kishtar mbarëkombëtar? I filloi punimet më 8 nëntor 1462, në një fazë relativisht të qetë të luftërave shqiptaro-turke, me nismën e prelatit Pal Engjëlli.

Përcaktimi: “Në Kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit, Ecelesia Sancte Trinitatis de Emathia”, të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një kishë të njohur të kësaj krahine, dhe pikërisht pranë fshatit Shëlli, ku zakonisht mblidheshin deri vonë edhe kuvendet e malësorëve matjanë.

 

2.
Eqerem Çabej thotë se ky sinod i kishës u mbajt pranë Manastirit të Shëndertaut, në Mat, në një vend të kësaj treve që sot për sot nuk mund të lokalizohet më saktë. Në këtë mbledhje, përveç ipeshkvit Andrea (me seli në Kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit, në vitin e zotit 1462, indiktin e dhjetë, ditën e hënë, me tetë të muajit nëndor” (Paulus Angelus Miseratiane divina Archiepiscopus Dirrachiensis et Illirica e Regionis… in Eclesia sancte Trinitatis de Emathia Anno Dni M.çce. Lxij, Indictione Decima Die Vero Lune actava mensis novembris.)

Një shumicë klerikësh të Shqipërisë së Mesme e veriore morën pjesë në Kuvend. Gjithashtu morën pjesë edhe paria e vendit dhe një pjesë fshatarësh vendës. Kuvendi mblidhet në periudhën e vështirë të historisë shqiptare. Jemi në vjetët e fundit të jetës së heroit kombëtar, dhe jemi në pragun e pushtimit të plotë nga ana e osmanëve… Kuvendi i Matit mbahet në një kohë kur sapo kishte nisur të depërtonte ndikimi turk dhe mishëron përpjekjet për t’i bërë ballë sadopak vërshimit të kësaj vale. Këto nuk janë vetëm sinode kishtare. Janë mbledhje fetaro-politike ku krerët e kishës, bashkë me parësinë e vendit, bisedojnë e marrin vendime për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet nga visari etik “fe` e Atdhe”, koncept që për atë kohë përbën një njësi të pandarë. Mbi këto koncepte synonin në thelb edhe shkrimtarët, siç janë: Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë, e në një farë mase edhe ata të kolonive, siç është Lekë Matrënga i Sicilisë.
Në këto rrethana, nuk është çudi të mendohet që prapa Kuvendit të Matit të ketë qëndruar vetë Skënderbeu, ashtu sikurse për Kuvendin e Mirditës dha shtysë Papa Klementi XI, i cili kishte gjak shqiptarësh në dejet e tij. Dhe pikërisht zgjedhja e Matit, si vend mbledhjeje, një krahinë relativisht e lirë në atë kohë dhe vatra e derës së Kastriotëve, mbase nuk është gjë e rastit në këtë mes: Prandaj cilësohet si “Locum ad celebradum idoncum”. Shën Trinitatis de Emanthia, ku mbahet ky kuvend. Natyrisht që kuvendi mori disa vendime që kishin të bënin me përmirësimin e gjendjes nëpër famullitë e Matit.

3.
Dokumentet e Kuvendit u studiuan nga shumë shkencëtarë të Evropës. Njëri prej tyre, Nikolla Jorga, botuesi i shumë vëllimeve me dokumente historike, bashkë me nxjerrjen në dritë të fondeve dhe vendimeve të këtij kuvendi në bibliotekën Laurentina në Firence të Italisë, nxori në dritë dhe “Formulën e pagëzimit” në shqip, që u gjet në këtë fond. Për Kuvendin Kishtar të Matit jepet data e saktë, madje dhe dita e hënë. Thuhet se u mbajt në Kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit. Po në cilin vend pikërisht ishte kisha nuk thuhet, se është lënë si e ditur. Mirëpo, në atë kohë në Mat kishte shumë kisha. Prandaj, na mbetet të gjykojmë duke u nisur nga ato të dhëna që kanë arritur të dalin në dritë deri më sot. Në Mesjetë krahina e Matit, nga pikëpamja administrative kishtare organizohej në një dioqezë më vete, në shkallë Peshkopate, me seli në Lis (sot fshat në Mat) dhe varej nga Kryepeshkopata e Durrësit. Nga Kisha e Lisit vareshin të gjitha famullitë e rektorët e manastireve të krahinës. Duke parë edhe sot vendet ku kanë qenë kishat, mund të kuptohet lehtë se për çdo kishë, kishte një ose dy manastire. Më në veri të Kishës së Lizës ishin edhe dy kisha të mëdha: ajo e Stefanisë, në fshatin Shqefën të sotëm; dhe një kishë më e madhe në vendin e quajtur sot Qafa e Shën Kollit, në mes të fshatrave Dukagjin, Macukull e Urxallë, ku në vitin 1602 u mbajt Kuvendi i madh i Matit. Përcaktimi në Kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit (In Ecelesia Sancte Trinitatis de Emathia), të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një kishë të njohur të kësaj krahine, siç ishte Shën Trinia e Shëlliut. Disa studiues vendin e kësaj kishe e caktojnë në mes të fshatrave Shëlli dhe Macukull, në vendin e quajtur Tresat e Ballës, dhe kjo kishë kishte një manastir në vendin e quajtur kisha e Daznjanëve edhe sot shkëmbi i stërzgjatur në fshatin Shëlli, quhet shkëmbi i Shëndërtaut, nga ku ka marrë emrin edhe manastiri me këtë emër. Në dokumentet e kuvendit, në një nga vendimet përcaktohej se si prifti të pagëzojë fëmijën, duke thënë vetëm një herë në latinisht “ego te baptizo, in nomine, patris et filjet spiritus sancti”, jo tri herë, si bënim më parë. Në rast… me qëllim që foshnjat të mos vdisnin pa marrë pagëzimin para se t’i binin në kishë, të urdhëroheshin banorët besimtarë që ta thonin në gjuhën popullore në shqip (in vulgari albania). “Unte paghezant premenit Atit, Birit et Shpertit senit”. Kjo është formula e famshme e pagëzimit, e cila duhet lexuar “Për emër të Atit, të Birit e të shpirtit të shenjtë”.

Të shpertit (të shpirtit) do menduar se kemi të bëjmë me një trajtë reale të shqiptimit krahinor, sikundër flitet sot në anët e Matit e të Lurës, ku thonë pikërisht “Shpert” për “Shpirt”; “Më duel shperti”, prandaj thotë Çabej, do menduar se i pari i këtij dokumenti ka qenë ndonjë prift i atyre anëve. Formula e Pagëzimit, ka një rëndësi të jashtëzakonshme monumentale. Jo vetëm për arsyen se na tregon se gjuha shqipe ka qenë shkruar që në kohën e Skënderbeut e më parë, por se ajo ka pak ndryshim me gjuhën tonë të sotme. Gjithashtu rëndësi ka se formula është shkruar nga prelati Pal Engjëlli, Kryepeshkop i të gjithave dioqezave arbërore dhe në prezencën e Heroit tonë Kombëtar, bashkëluftëtarit Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Shperndaje ne

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.