Pas kapitullimit të Jugosllavisë së vjetër (1941) treva e Llapit bënte pjesë në Zonën e okupimit gjerman. Pra në këtë zonë të okupacionit bënin pjesë edhe fshatrat Halabak, Tërrnavë dhe Bellopojë. Meqë në këtë anë mbi 90% e popullsisë ishte analfabete, gjermanët e panë të nevojshme që sa më shpejt të organizoheshin kurse, seminare dhe të hapeshin edhe shkolla, të cilat kryesisht do të puninin në gjuhën shqipe.
Është kjo periudha tejet e rëndësishme për zhvillimin e shkollave dhe të arsimit në gjuhën shqipe në fshatrat e Llapit, por edhe më gjerë. Për herë të parë në këto fshatra shkolla shqipe ishte legale. Tani shqip mund të mësonte çdokush dhe kudo.
Kështu pas parapërgatitjeve të domosdoshme hapen shkollat në gjuhën shqipe, që filluan punën në vitin 1941 e më pas. Mësimet filluan në ndërtesat e shkollave ish-jugosllave, por këto nuk mjaftonin, prandaj nisën meremetimet e shtëpive për t’u shndërruar në shkolla. Mësimi u zhvillua edhe në mejtepet dhe xhamitë e fshatrave të Llapit.
Vendimtar për hapjen e shkollave shqipe në trevën e Llapit është viti 1942, kur u lidh ‘’Marrëveshja e Mitrovicës‘’(më 26.III.1942) ndërmjet palës gjermane, përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre të palës serbe. Në dokumentin e kësaj marrëveshjeje u urdhërua që të gjitha shkollat të fillojnë menjëherë nga puna (1.
Kështu u bë legale shkolla edhe arsimi shqip në fshatrat e Llapit. Si rezultat i kësaj u hapën shkolla edhe në Halabak e në Tërrnavë, por edhe në fshatrat më të largëta.
SHKOLLA SHQIPE E HALABAKUT
-Mulla Hashim Kuleta
Më 1941 ndodhi okupimi nazifashist, kështu që rrethi i Mitrovicës, i Vushtrrisë dhe treva e Llapit do të mbesin në zonën okupuese gjermane. Edhe pse gjermanët konsideroheshin okupatorë, prapëseprapë jeta e shqiptarëve do të ndryshonte rrënjësisht. Dokumentet e kohës vërtetojnë se për një kohë shumë të shkurtër gjermanët e organizuan tërë strukturën organizative edhe në Llap nga shqiptarët. Kështu që xhandarmëria, financat, gjyqësia dhe ndarja territoriale-administrative do t’u besohej shqiptarëve. Për këto qëllime gjermanët në bashkëpunim me italianët këtu do të sillnin shumë nëpunës prej Shqipërisë, të cilët dinin shkrim dhe lexim dhe dinin të kryenin punë të caktuara në administratë. Okupatori i ri tani do t’i lejonte edhe shkollat shqipe për ta zhvilluar veprimtarinë e tyre edukativo-arsimore. Do ta lejonte edhe përdorimin e flamurit kombëtar dhe zhvillimin e administratës në gjuhën shqipe. Këto fakte populli do t’i çmojë si shumë të rëndësishme.
Nga rrethanat e krijuara prej okupatorit gjerman (1941) në lokalin e Mejtepit të Halabakut vazhdoi të funksiononte shkolla me mësim në gjuhën shqipe. Këtu para okupimit gjerman ishte instaluar shkolla serbe, por zhvillohej edhe mësim me karakter fetar me alfabetin arab.
Si kudo në Llap, edhe në shkollën shqipe të Halabakut mësimet i vijonin nxënës moshash të ndryshme , të cilët vinin për të mësuar nga Halabaku, pastaj edhe nga Dyzi, nga Sharbani e gjetiu. Mësimi zhvillohej me paralele të kombinuara.
Shkolla e Halabakut kishte mbi 30 nxënës. Ajo pra funksiononte në një ndërtesë private, të adaptuar për shkollë.
Inventarin përkatës për shkollën e fshatit e kishin siguruar vetë fshatarët. Në fillim kjo shkollë nuk ishte emërtuar me emrin e ndonjërit nga personalitetet e shquara të kombit tonë.
Mësues i kësaj shkolle ishte Mulla Hashim Kuleta ( në ndonjë vend mund ta hasim edhe si Hasan Hashimi, në bazë të emrit të babës), i emëruar në bazë të vendimit VI-nr.498/17.II.1943, nga Ministria e Arsimit dhe e Fesë, Sektori i mësimit Gjerman, Beograd (2.
Ky hoxhë ishte pishtar i arsimit në këto anë, që i priu dhe e çoi përpara me zell të madh mësimin shqip. Pra, ishte mësues i parë i shkollës shqipe në lokalet e ish mejtepit, ku më parë kishte punuar shkolla serbe.
Mësues Hashimin e karakterizonte një kulturë e gjerë dhe ishte njeri me mjaft autoritet, jo vetëm në Halabak e në Tërrnavë, por edhe në Llap dhe më gjerë në trevat e tjera të Kosovës. Ishte njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe. Pos kësaj, ai e zotëronte për mrekulli edhe gjuhën turke, arabishten e persishten, por edhe serbokroatishten e bullgarishten.
Mulla Hashim Kuleta veprimtarinë edukativo-arsimore e kreu këtu prej vitit 1941 e deri më 1949 28. Përveç tij, më vonë në Halabak patën punuar edhe mësuesit Hashim M. Latifi, nga Pollata e Podujevës ( i lindur më 1926). Punoi më 1950/51; Xhemajl I. Çunaku nga Lluga e Podujevës, i lindur më 1929. Punoi më 1952. Në Shkollën e Halabakut gjatë viteve 1950-1951 pat punuar edhe mësuesi Hamdi B. Uka ( lindur më 1933 në fshatin Dyz). Pastaj ky mësues kaloi në Sharban (1951) në odën e fshatarit Rexhep Musa, ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe. Prej Sharbanit Hamdiu kaloi në Tërrnavë (1952) dhe prapë kthehet në Shkollën e Halabakut (1953-1961),Adem A. Hoxha nga fshati Penduh i Podujevës, 1928-1968 (?) etj.
Të gjith mësuesit e shkollës shqipe të Halabakut përveç edukimit dhe mësimit elementar, nxënësve të tyre u dhuruan edhe një rrezatim të pasur atdhetar dhe kulturor. Këta mendonin se shkolla, arsimi dhe kultura janë baza e kombit të bashkuar e të qytetëruar.
Siç na mëson historia jonë kombëtare, Kosova e shumë viteve dhe Shqipëria e shumë shekujve, mësuesit nuk i ka pasur në kuptimin klasik si sot, por ata bënin edhe punë të tjera për të jetuar (3 dhe njëkohësisht edhe mësonin njëri-tjetrin, ose mësonin nxënës grupe- grupe nëpër shtëpi, xhami, mejtepe, teqe, kisha e gjetiu ditën ose natën. Ata ishin hoxhallarë, shehlerë, priftërinj katolikë apo ortodoksë, qytetarë apo fshatarë të mësuar.
Këta mësues një rëndësi të veçantë i kushtuan edukimit moral, atdhedashurisë, humanizmit, dashurisë për punë etj, duke ua mësuar nxënësve të tyre edhe gjuhën dhe historinë e popullit tonë, folklorin, pastaj doket dhe zakonet tona shekullore etj.
Siç kujtojnë ata që e njohën personalitetin e Mulla Hashim Kuletës, ai shpesh kishte porositur se nuk duhet harruar kurrë se në jetën njerëzore ose kombëtare, s’ka asnjë shoqëri pa besim. Besimi ose besa është lëngu i moralit, morali është ndërgjegjja e njeriut, e cila përfytyrohet në kuptim të perendisë.
Këto porosi të këtij mësuesi të shquar na e përkujtojnë një mendim të artë :Fetë nuk janë krijuar për të përçarë e për të dëshpëruar njerëzit, por përkundrazi ato janë për të bashkuar njerëzit në fat të mirë e të keq… (4
Mulla Hashim Kuleta njihej në Llap dhe më gjerë si atdhetar dhe si hoxhë i zoti. Ky, pra ishte mësues i parë i shkollës shqipe që u hap në Halabak. Emri i tij nderohej nga të gjithë. E njohnin dhe e donin. E kishin patur mësues dhe e kishin mësues, këshillues dhe ndihmës. Pra, ky ishte person, ku shkonin njerëz për ndonjë çështje të turbulluar, apo për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshjeje. Dhe, ky me urtësi, me zemrën e tij të madhe , me respektin dhe dhembshurinë e tij për cilindo, ua zgjidhte me pjekuri çdo hall. Ishte hoxha , mësuesi dhe kryepari i fshatit.
Kështu kujtohet figura dhe personaliteti i Mulla Hashim Kuletës edhe sot nga ish nxënësit dhe bashkëvendësit e tij. Ky ishte njeri pa fjalë, por i fjalës, i heshtur, por kur fliste, e mendonte mirë fjalën, para se ta nxirrte nga goja. Ishte njeri me kulturë dhe shtëpia e tij ishte e mbushur me libra.
Pikërisht në vitin 1941, në Halabak u hap shkolla e parë e mirëfilltë legale, që më 1942 u emërtua Shkolla fillore “Naim Frashëri” (5 Shkolla fillore “Naim Frashëri” e Halabakut e vitit 1942 veprimtarinë e saj e vazhdoi në ndërtesën e mejtepit (6.
___________
1) Abdulla Rr. Vokrri “Shkolla dhe arsimi në anën e Llapit…”,fq. 119
2) Mulla Hashim Kuleta gjatë LDB kreu një kurs tremujor në Pejë dhe pastaj vazhdoi punën e mësuesit në mejtep të Halabakut. Më gjerësisht shih: Mehmet Gjevori Kujtime e shënime, botuar nga SHB Libri shkollor, Prishtinë 1998, fq.43
3) P.sh Konstandin Kristoforidhi ishte edhe mësues, por merrej edhe me shitje të qymyrit.
4) Musa Kraja Nexhip Alpan dhe mendimi pedagogjik i tij ,botoi Shoqëria mbarëshqiptare për të Rënët e Kombit, Tiranë 1992
5) E mori emrin e poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri (1846-1900)
6) Për punën edukativo-arsimore në Halabak dhe për emërtim të shkollës njofton mësuesi veteran Hamdi Uka ,gjatë një bisede me të në Prishtinë në pranverë të vitit 1996 me arsimtarët Sherif Emini, Daut Mustafa dhe Zymer Mehanja.