‘’Një komb- një gjuhë”- motoja e KONSULTA GJUHËSORE E PRISHTINËS (1968)

Idriz_ajetigjuha_kombetare‘’Një komb- një gjuhë”- motoja e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968).

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Konsulta gjuhësore e Prishtinës e vitit 1968 (Shih më gjerësisht: Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, IAP, Prishtinë, 2008 ), që u mbajt një vit pas hartimit të “Projektit të Rregullave të Drejtshkrimit të Shqipes”, e realizoi synimin për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës sonë, duke miratuar unanimisht këtë projekt të rëndësishëm në fushën e zhvillimit të përgjithshëm kulturor dhe shoqëror të mbarë popullit shqiptar.
Duke i pasur parasysh rrethanat e përgjithshme kulturore dhe shoqërore në zhvillimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare jashtë Shqipërisë shtetërore, mund të pohohet me të drejtë se për shqiptarët e Kosovës Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, pati vetëm karakter promovues ceremonial, sepse puna e njësimit të shqipes ishte bërë në Prishtinë më 22 dhe 23 prill 1968.
Akademik Rexhep Qosja me të drejtë konstaton se ‘’Konsulta Gjuhësore e Prishtinës ishte një ngjarje e rëndësishme kombëtare. Ajo ishte ngjarje e rëndësishme shkencore, kulturore, por edhe politike’’.( Po aty, faqe 11).
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës nuk ishte vetëm një ngjarje me peshë për gjuhësinë shqiptare, por ‘’ajo ishte më shumë se kaq, ngase në vijim u bë një referencë për të kërkuar afrimin gjithnjë e më të madh të një kombi padrejtësisht të ndarë’’.( Po aty, faqe 12).
Fjalën kryesore e mbajti Prof. Idriz Ajeti i cili, pasi e dha një historik të shkurtër të përpjekjeve të përfaqësuesve të Rilindjes kombëtare, propozi njësimin e gjuhës letrare. Ky diskutim shkencor më vonë do të njihej si Konsulta Gjuhësore e Prishtinës. ‘’Konsulta, me gjithë përpjekjet e ndonjë diskutuesi që, kosovarishtja të pranohej si gjuhë letare, doli me pikëpamje të qarta se shqipja duhej të njësohej’’. (Po aty, faqe 12).
Vendimet e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës ushtruan ndikim pozitiv në punimet e Kongresit të Drejtshkrimit, në të cilin do të njësohej përfundimisht shqipja letrare.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës është ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë gjuhësore e kulturore, sepse i vuri pikë rrugës veçuese jo vetëm gjuhësore, nëpër të cilën po ecnin shqiptarët. Ajo hapi kështu rrugën e njësimit tonë gjuhësor dhe bëri që Kongresi i Drejtshkrimit që do të mbahet katër vjet më vonë të quhet kongres mbarëkombëtar.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës e vitit 1968 është mbledhja e katërt gjuhësore e organizuar në Prishtinë përgjatë 16 vjetëve. Pra, me Konsultën Gjuhësore të Prishtinës nuk fillon planifikimi gjuhësor për shqiptarët që jetonin jashtë shtetit amë, në disa ndarje administrative në ish- Jugosllavi. Para saj janë mbajtur edhe tri mbledhje gjuhësore që do të shënojnë përpjekjet standardizuese për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e viseve të tjera shqiptare në ish- Jugosllavi.
Të kujtojmë se gjatë viteve ’50 e ’60 edhe në Tiranë janë zhvilluar veprimtari, diskutime e debate për çështje të gjuhës, të drejtshkrimit, po edhe të planifikimit gjuhësor.
Siç na është e njohur, më 1967, rihapet Instituti Albanologjik dhe po në këtë vit në Prishtinë do të arrijë “Projekti i Rregullave të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”, i hartuar nga studiuesit e shquar të Tiranës, i cili do të nxiste nismën e Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës që më 22 e 23 prill 1968 të organizojnë Konsultën Gjuhësore, të njohur me emrin “Konsulta e Prishtinës”. ‘’Në Konsultë po merrnin pjesë 150 intelektualë e shkencëtarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e viset e tjera shqiptare’’(Gazeta Rilindja, Prishtinë, më 23 prillit 1968, faqe 1). Fjalën e hyrjes e paraqiti Fehmi Agani, asokohe drejtor i Institutit Albanologjik, i cili duke e konsideruar mbajtjen e Konsultës punën më të rëndësishme të Institutit Albanologjik qe nga rithemelimi i tij, midis të tjerash, do të theksojë: “Detyra që kemi asht e madhe, misioni ynë asht i randësishëm”.( Po aty, faqe 1.). Më pas prof. Idriz Ajeti, protagonisti kryesor i gjuhësisë shqiptare në Kosovë, prandaj edhe i tri mbledhjeve të mëparshme gjuhësore, do të mbajë referatin kryesor me titullin “Rruga e njësimit të gjuhës letrare shqipe dhe ortografisë së re.”( Gazeta Rilindja, Prishtinë, më 18, 21 dhe 22 prill 1968). Në dy ditët e Konsultës u zhvilluan diskutime të shumta nga pjesëmarrësit në mbështetje të Projektit të Rregullave të Drejtshkrimit. U shtruan çështje praktike, u bënë vërejtje parimore, u dhanë sugjerime të shumta. Numri i diskutuesve ishte i madh. “… Tubimi pranon unanimisht gjuhën letrare dhe ortografinë e sotme të shtetit amë.”( Gazeta Rilindja, më 24 prill 1968). Ky përfundim në të vërtetë është njëra ndër ‘’nëntë Konkluzat e miratuara në Konsultë.’’(Gazeta Rilindja, më 24 prill 1968). Konkluzat u hartuan nga Komisioni i përbërë prej Hilmi Aganit dhe Besim Bokshit. Pika 7 është propozuar dhe hartuar nga Fehmi Agani. Në konkluza theksohet, pos të tjerash, rëndësia e tri mbledhjeve gjuhësore që i kanë paraprirë Konsultës, rëndësia e njësimit gjuhësor, zbatimi i menjëhershëm i projekt-ortografisë. Në konkluzën nr.8 autorizohet Instituti Albanologjik dhe Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë që ta njoftojnë USH të Tiranës me konkluzat e Tubimit dhe me vërejtjet lidhur me Projektin e Ortografisë. Ndërkaq, në konkluzën e fundit këto dy institucione “autorizohen që t’u rekomandojnë institucioneve e enteve arsimore e pedagogjike, gazetare e botuese, shkencore e kulturore që të krijojnë mundësitë e zbatimit sa më të shpejtë të konkluzave të Konsultës.”. Dhe ashtu u bë. Zbatimi i Projekt-ortografisë filloi menjëherë. Edhe vetë Konkluzat e Konsultës Gjuhësore do të botohen në gjuhën letrare. Ç’është e vërteta botimi i letërsisë në letrarishte në Kosovë kishte filluar më herët.

Konsulta Gjuhësore u mbajt më 1968 në Prishtinë. Pse më 1968 dhe pse në Prishtinë? Sepse më 1968 tashmë kishin filluar ndryshime qe kishin rrokur kontekstin politik e shoqëror për shqiptarët, rrjedhojë e Plenumit të Brioneve (1966) në të cilin do të dënohej ashpër shtypja dhe represioni shtetëror ndaj shqiptarëve për një periudhë afro njezetvjeçare, dhe në Prishtinë, sepse ishte qendra konvergjuese për të gjithë shqiptarët që jetonin në ish- Jugosllavi – qendra administrative, arsimore e kulturore, sidomos e tillë do të bëhet nga fundi i viteve ‘6o kur për shqiptarët e Kosovës do të fillojë një periudhë e re zhvillimi sidomos e arsimit dhe e kulturës dhe një bashkëpunim që do të zgjerohet çdo herë e më shumë me Shqipërinë. Konsulta Gjuhësore e Prishtinës është e nxitur drejtpërdrejt nga këto ndryshime dhe do të shprehë qartë synimet dhe dëshirat për artikulimin identitar dhe për shprehjen përkatësore.

Shperndaje ne

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.