Ahmet Koronica në mes të harresës dhe semantikës homerike

lidhja_e_prizrenit1878

kadrrush_radogoshi

Shkruan:
Kadrush RADOGOSHI

Hyrje

Dega e Lidhjes së Prizrenit në Gjakovë u krijua e para dhe ishte më e fuqishmja. Roli i saj në ngjarjet e kësaj periudhe ishte vendimtar. Ajo dha figurat më të shquara të Lidhjes Shqiptare: Sulejman Vokshin, komandant i përgjithshëm, Mic Sokolin, Ali Ibrën, Binak Alinë, prijës të shquar në luftërat e Lidhjes kundër pushtetit perandorak turk. Në mesin e këtyre figurave të mëdha të historisë sonë kombëtare shquhet ajo e Ahmet Koronicës.

Duhej të ishim bij të injorancës, për të mos parë përmasat e mëdha të kësaj figure historike, prandaj para nesh dalin dy pyetje.
• E para: a e ka kryer punën e vet në tërësi historiografia jonë?
• E dyta: a është shndërruar në figurë kulturore e në këtë kontekst edhe letrare, figura e madhe historike?

Përgjigjja është shumë e shkurt, e ndërtuar vetëm nga një ndajfolje mohimi, që përbëhet prej vetëm dy tingujve: Jo!

Për aq sa historiografia dhe kultura nuk e kanë kryer punën e tyre, për aq harresa e ka fituar luftën me kujtesën tonë historike e kulturore. Kjo harresë e jona, tanimë proverbiale, rrënjët e së cilës jemi të prirur t’i kërkojmë vetëm në rrafshin e hapësirës objektive, ka bukur shumë rrënjë në faktorët subjektivë shqiptarë. Mburrja me kulturën orale të shumtën e rasteve ka shërbyer si perde e harresës për ngjarje e figura historike. Figurës së madhe të Lidhjes në Gjakovë Ahmet Koronicës iu bë edhe një padrejtësi e madhe në vitin 1978, kur me rastin e kremtimit të 100 vjetorit u ngritën shtatoret e udhëheqësve të tjerë të Lidhjes po jo edhe atij. Ai u la në harresë. Motivi nuk u shpjegua gjer tani. Ai është i turpshëm e kriminal. Këshilli për kremtim i përbërë edhe nga individë me ndërgjegje të rënduar nga veprime antikombëtare në të kaluarën u mundua t’i fsheh gjurmët e krimit të bërë nga ata apo nga shokët e tyre pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët Ahmet Koronicën e Ri, nipin e Ahmet Koronicës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e patën vrarë si nacionalist shqiptar.

Përballë dokumenteve historike

Në gusht të vitit 1878 u dërgua në Kosovë nga Porta e Lartë Mehmet Ali Pashë Maxhari për t’i detyruar udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që të pajtoheshin me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe t’ia lëshonin Malit të Zi krahinat shqiptare të Plavës e Gucisë. Fillimisht ai u ndal në Prizren, ku luftëtarët e Lidhjes ia vranë telegrafistin, prandaj u nis për në Gjakovë, ku arriti më 3 shtator dhe u vendos në sarajet e Abdullah Pashë Drenit. Për këtë ngjarje dhe ato që e pasuan flet artikulli “Vrasja e Mehmet Ali Pashës” , i botuar në gazetën e De Radës “Fiamuri i Arbërit” ( Corigliano Calabro,nr.1, 20 korrik 1883 ), i botuar si artikull i redaksisë. Ndër të tjera në artikull rrëfehet: “Udha ishte zënë gjithkah me pushkatarë të Gjakovës e të katundeve, që ishin të shpërndarë tuba-tuba.
(……) Lumi Përroni, që shkonte për në mes të Gjakovës, lagte ndërtesën tek rrinin Pashallarët. Kur ata hynë, gjetën në kuvend me Pashën të Zotin e shtëpisë, Kadinë ( Ahmet K.R.) Koronicën, Bajram Agën (i pari i Gashit K.R.), Sulejman Agën (Vokshin K.R.), Shaqir Agën (Currin K.R.) e të tjerë bujarë, të cilët ishin të gjithë krerë të Lidhjes (……)Por pasi buarën fjalët më kot ( për largimin e Mehmet Ali Pashë Maxharit nga Gjakova dhe kthimin e tij prapa prej nga kishte ardhur K.R.), shumica u ngrenë e duallën (…..) Të enjten, mbas orës pesë filloi lufta e tmerrshme, që zgjati deri në orën njëmbëdhjetë (…)
Në orën njëmbëdhjetë, ata që ishin përjashta (luftëtarët e Lidhjes të prirë nga Sulejman Vokshi e Ahmet Koronica K.R.) hynë brenda, hodhën zjarrin dhe vranë Abdullah Pashën (Drenin K.R.) e i dogjën gjithë sarajet (…….) kurse kufomën ia hodhën nga dritarja në udhë (Mehmet Ali Pashë Maxharit K.R.)”.
Ky artikull dëshmon se njeriu kryesor i Lidhjes në Gjakovë ishte Ahmet Koronica së bashku me Sulejman Vokshin,të cilët e udhëhoqën luftën treditore ( 3-6 shtator 1878) kundër Maxhar Pashës dhe strehuesit të tij Abdullah Pashë Drenit.
Në një dokument anglez ( telegram i Kontit anglez Andressay dërguar Kontit Deym i shkruar më 15 shtator 1878, sipas autorit Skënder Rizaj:”Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze,f.118-119) lidhur me vrasjen e Ali Pashë Maxharrit ndër të tjera thuhet: “Nga të gjitha anët na u përmendën njerëzit e njëjtë si udhëheqës dhe autorë të trazirave në Shqipëri dhe si nxitës të vrasjes së Mehmet Aliut. Këta njerëz janë udhëheqës shqiptarë si Ahmet Koronica, Iljaz Pasha, Hasan Pasha, Dervish Beu etj.”.
Edhe në këtë dokument të cituar më lartë emri i Ahmet Koronicës është i pari në radhorin e organizatorëve të vrasjes së Mehmet Ali Pashë Maxharrit. Këtë fakt e vërteton edhe një dokument tjetër anglez i kësaj periudhe në të cilin në mes tjerash thuhet: “Në mes tyre ishte edhe Koronica,i përmendur më parë, i cili ishte shkaktar i vdekjes së Mehmet Ali Pashës. M’u dha rasti ta takoj. (…..) … këtu është një nga vrasësit kryesor” ( Informatë e togerit Roos të Blandensburgut dërguar majorit Wilson,R.E. sipas autorit Skënder Rizaj: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze”, f.140-141).
Në dokumentin osman “Relacion me vendimin e Gjykatës Ushtarake të Prizrenit mbi dënimin me vdekje të Sulejman Vokshit dhe me burgim të përjetshëm të Ahmet Gjakovës” të datës 1 tetor 1885 ( “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881”, botim i ASHSH, Tiranë, l978, përgatitur nga Kristaq Prifti) na e thot mendja se pas mbiemrit Gjakova fshihet mbiemri Koronica, sepse përmasat e kësaj figure janë po aq të mëdha sa ato të Sulejman Vokshit. Mjafton të citojmë tri paragrafe të shkurta nga ky dokument, për t’u bindur se me siguri është fjala për Ahmet Koronicën.
Paragrafi i parë: ,,Në pjesën shpjeguese në krye të së cilës është emri i Ahmet bej Gjakovës, shënohet se beu i sipërshënuar ( Ahmet Koronica K.R. ) është një nga ngatërrestarët më të këqij, se ka nxitur krerët e Kazasë kundër qeverisë dhe ushtarëve perandorakë, se edhe vetë, personalisht, ka guxuar t’u vënë pushkën komandantëve dhe ushtarëve perandorakë; për këtë arsye është e domosdoshme që ai të largohet në vende të largëta prej nga të mos mundet të kthehet më” (f.265).
Paragrafi i dytë: “Është e nevojshme gjithashtu që të caktohet dhe të vendoset sa më shpejt dënimi i Ahmet bej Gjakovës,që ka qenë bashkë-punëtori më i ngushtë i Sulejman Vokshit në veprimtarinë e tij antishtetërore e të mallkuar. Ekzistenca fizike e tyre në këto vende do të minonte vetë qetësinë (publike)” (f.266).
Paragrafi i tretë: “Ahmet bej Gjakova që ka qenë bashkëpunëtor i të sipërshënuarit Sulejman Vokshi në të gjitha qëndrimet e veprimet e tij të mallkuara, nën drejtimin e tij ka marrë pjesë në të gjitha veprimet e aktet e tij si dhe në komitetet antiqeveritare. Ai i ka kthyer pushkën në zyrën qeveritare të Gjakovës (të hyqymetit), ish-komandantit të vendit të Gjakovës, kolonelit të nderuar Haxhi Ahmet beut. Ka shitur një çiflig të vetin dhe me të hollat që ka marrë prej tij ka mbajtur me bukë për një kohë të gjatë qindra rebelë në shtëpinë e vet (…..)” ( f.268 ).

Letrarizimi i figurës historike

Në letërsinë shqipe është trajtuar shumë pak figura historike e Ahmet Koronicës, ndërsa për artet tjera shqiptare kjo figurë mbeti në harresë. Figurën e Ahmet Koronicës, me sa kemi informacion në këtë çast, e kanë letrarizuar dy shkrimtarë shqiptarë. Sulejman Krasniqi në romanet e tij kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe figurave të saj (,,Qielli i përflakur” e ,,Mic Sokoli”) dhe Mirosh Markaj me dramën e tij ,,Besa e Madhe” figurën e Ahmet Koronicës e kanë bërë personazh letrar.
Në të dy romanet e Sulejman Krasniqit figura e Ahmet Koronicës ka një semantikë të veçantë: ai është autoriteti absolut në Gjakovë në periudhën më të ndritshme të saj dhe njëra ndër autoritetet më të shquara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë kontekst do ta vëmë në spikamë vetëm një detaj të vogël nga romani ,,Qielli i përflakur”. Në çastet e kulmit të luftës në mes të luftëtarëve të Lidhjes në njërën anë dhe Mehmet Ali Pashës, ushtarëve të tij së bashku me Abdullah Pashë Drenin në anën tjetër, djali shtatëmbëdhjetëvjeçar i këtij të fundit e qorton të atin për tradhti ndaj bashkëqytetarëve të vet dhe atdheut në tërësi. Abdullah Pashë Dreni i përgjigjet se njerëzit që i kanë rrethuar sarajet tona janë fukarenj, që lakmojnë pasurinë tonë. Djali e shpreh mospajtimin me qëndrimin dhe veprimin e babait përmes pyetjes: ,,Po Ahmet Koronica, që është në krye të tyre mos është më pak i pasur se ne?”
Kjo pyetje e djalit të Abdullah Pashë Drenit është një akuzë kundër tradhtisë, artistikisht e materializuar mirë: djali e përkujton të atin se ka shkelur me të dyja këmbët në tradhti. Lexuesit të informuar me të dhënat dokumentare për figurën e Ahmet Koronicës s’ka se si të mos i kujtohet fakti se ky hero i Gjakovës në kohën e saj të artë, jo vetëm që nuk ka lakmuar pasurinë e dikujt, por ka shitur çifligun e tij për t’i mbajtur 400 luftëtarë të Lidhjes, të cilët mund t’i konsiderojmë bërthama e parë e ushtrisë së rregullt kombëtare në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ahmet Koronica në romanin ,,Mic Sokoli”

Në romanin tjetër të shkrimtarit Sulejman Krasniqi, të titulluar me emrin e njërës prej figurave më emblematike të Lidhjes ,,Mic Sokoli”, figura e Ahmet Koronicës (në të tria veprat letrare mbiemri shkruhet Koronica, ashtu siç haset në dokumentet historike) në pjesën më të madhe është ndërtuar në mënyrë të tërthortë, duke u sugjeruar si pikë referimi nga heronjtë historikë të shndërruar në personazhe letrare për heronjtë tjerë gjithashtu të letrarizuar, të cilët nuk janë personazhe historike po të imagjinuara, fiktive apo të trilluara. Në të gjitha këto raste ai është dhënë në mesin e figurave më të shquara të Lidhjes. Kur është dhënë në kontekstin e ngjarjeve në Gjakovë është vënë në krye të radhorit me emra heronjsh, ndërsa në kontekstin e ngjarjeve të përgjithshme të vendosura në përmasat e hapësirës në të cilën është shtrirë Lidhja, është dhënë menjëherë pas Sylë Vokshit apo me rend të ndryshuar. Ndryshimin e renditjes shkrimtari e ka bërë edhe për t’i ikur monotonisë, që mund të shkaktonte krijimi i një skeme të përsëritur shumë herë, por edhe për ta krijuar bindjen te lexuesi se ishte figurë e madhe në radhorin e figurave të mëdha historike.
Personazhi i parë që e apostrofon emrin e Ahmet Koronicës në këtë roman është Lokemadhja. Emrin e tij Lokemadhja e përmend (f.82) në mesin e figurave të shquara: Sulejman Vokshit, Haxhi Zekës e Ymer Prizrenit, një ditë para se Mic Sokoli të nisej për pjesëmarrje në veprimtarinë e Lidhjes, duke ia dhënë pinjollit të saj si të njohur personal dhe si pikë referuese. Tri faqe më vonë (f.85) në fund të Kreut VI përsëri përmendet nga Lokemadhja figura e Ahmet Koronicës në mesin e të njëjtave figura, madhështia e të cilave e tërheq figurën tjetër të përmasave homerike…

mic-sokoli-sali-shijaku-1976

,,Mici u nis. Lokemadhja e porositi:
,,Fal me shëndet Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit, Haxhi Zekës e Ahmet Koronicës!
U thuaj se Lokemadhja nuk do të mbyllë sytë pa parë rrezet e diellit mbi trojet tona…” Komenti ynë i vetëm në këtë kontekst është: Lokemadhja e nisi nipin e saj në adresën e së madhërishmes për t’ia shtuar asaj edhe figurën e pestë.
Pas Lokemadhes figurën e Ahmet Koronicës e vë në spikamë, gjithashtu si pikë referuese për Mic Sokolin e luftëtarët tjerë Sylë Vokshi, gjithmonë në situata domethënëse, po kështu vepron edhe Mic Sokoli jo vetëm njëherë, kur i adreson te Ahmet Koronica luftëtarët e tij.

abdyl--frasheri_023Ahmet Koronica në këtë roman përmendet dy herë nga Abdyl Frashëri. Herën e parë, Abdyl Frashëri, e përmend emrin e Ahmet Koronicës në Kuvendin e Komitetit për Mbrojtjen e Kombësisë Shqiptare të mbajtur në Stamboll në të cilin morën pjesë edhe Pashko Vasë Shkodrani, Hasan Tasini, Jani Vreto, Zija Prishtina, Pandeli Sotiri, Koto Hoxhi. Konteksti në të cilin apostrofohet figura e Ahmet Koronicës është shumë domethënës. Abdyl Frashëri flet se ç’ duhej të bënin në të ardhmen dhe në mes tjerash i referohet një adrese të pagabueshme…
,,…Kosova me të tëra krahinat është nën armë. U lidhëm me drejtuesit kryesorë të komisijes së Kosovës. Kemi biseduar me Sylë Vokshin, Ahmet Koronicën e Ali Ibrën në Gjakovë, me Ymer Prizrenin, Shaip Spahiun dhe Haxhi Jonuzin në Prizren, me Haxhi Zekën e Çelë Shabanin në Pejë. Janë atdhetarë të mendjes e të gishtit. Të gjitha kryengritjet nga viti 1839 i kanë udhëhequr ata. Janë të lidhur me fije të pazgjidhshme me tërë përfaqësuesit e krahinave në Veri”. (,,Mic Sokoli”, Sh.B. ,,Naim Frashëri,,Tiranë, 1979, f.323)”.
Nga analiza më e thjeshtë e këtij fragmenti del se figura e Ahmet Koronicës jepet nga Abdyl Frashëri menjëherë pas asaj të Sylë Vokshit dhe para figurave tjera të shquara në një kontekst vlerësues kulmor për rolin e tyre në luftën çlirimtare e sidomos në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Gjithashtu nuk duhet ndonjë analizë e thellë për të kuptuar se radhori i të merituarve fillon me tri figura madhështore të Gjakovës: Sylë Vokshit, Ahmet Koronicës e Ali Ibër Nezës. Kjo radhitje e bërë nga Abdyl Frashëri materializon artistikisht të vërtetën e pamohueshme se Gjakova luajti rol vendimtar në luftën e Lidhjes Shqiptare kundër Perandorisë turke dhe se Dega e Gjakovës ishte e para, që u themelua e më e fuqishmja dhe se koka e saj ishte Ahmet Koronica. E vërteta artistike me të vërtetën historike përputhet plotësisht.
Për herë të dytë Abdyl Frashëri e apostrofon figurën e Ahmet Koronicës në mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare në Prizren tri vjet pas vrasjes së Mehmet Ali Pashës…
,,…Abdyli fliste në Kuvend:
,,Përpara tri moteve në Gjakovë u treguam Sulltanit dhe Fuqive të Mëdha se ç’mund të bëjë një popull i zhuritur për liri! Si mesazh paralajmërimi i dërguam kokën e prerë të mareshalit të madh, por sulltani nuk deshi të zinte mend, aq më keq për të…
Pikërisht në atë orë të natës në rrugët e Gjakovës u derdhën i madh e i vogël, pleq e të rinj, burra e gra, djem e çika. Ata kapën patrullat e ushtrisë e policisë osmane e i çuan nëpër kazerma. Nën udhëheqjen e Ahmet Koronicës e prijësve të tjerë gjakovarë futën në një kordon të pashpërthyeshëm kazermat, aq vrullshëm, aq befasisht, sa oficerët osmanë u shushatën dhe kërcëllonin nën presionin e armëve të shqiptarëve” (Po aty, f. 577).
Kjo paraqitje e tërthortë e personazhit Ahmet Koronica paraqet pikën kulmore të njërit pikëvështrim prej të cilit ndërtohet ky personazh, është pikë-vështrimi i personazheve heronj.
Pikëvështrimi tjetër i përdorur si veprim arti-stik për ndërtimin e personazhit Ahmet Koronica është pikëvështrimi i personazheve nga tabori kundërshtar. Në radhë të parë nga tabori kundërshtar figurën e Ahmet Koronicës e vë në spikamë (kuptohet në kontekst negativ) Kajmekami i Gjakovës në letrën dërguar eprorit të katër pashallëqeve Mahmud bej Karabeut në të cilën ndër të tjera thuhet:
,,Rebeli Sylë Vokshi, ai që ma la gjytyrym djalin tim të vetëm, sipas habereve të zaptijeve, ka zbritur në Çabrat. Është takuar me dy të panjohur. Urdhërova të kapeshin dy të ardhurit nga nahije të tjera të Arnautistanit, por mileti i Gjakovës u çua në këmbë. I përcollën dy njerëzit e panjohur deri në Pashtrik. Njëri prej dyve duhet të jetë nga Jugu i Arnautistanit, se njëri prej hafijeve të mia ka dëgjuar Ahmet Koronicën dhe Haxhi Jonuzin kur i janë drejtuar të panjohurit: ,,Ç’kemi nga Toskëria?” (Po aty, f.150)
Nuk është vështirë të kuptohet se i ardhuri, të cilin e pyet Ahmet Koronica është Abdyl Frashëri.
Në një dialogim të bërë në mes të bejlerëve të vënë në shërbim të Portës së lartë shprehet mendimi se Ahmet Koronica ishte i pasur sa ata, po megjithatë ishte armik i pushtetit perandorak (Po aty, f.156-157). Në të njëjtin kontekst jepet figura e Ahmet Koronices nga Hasho Tuxhari, njeri i vënë në shërbim të pushtetit perandorak dhe konsullit rus Ivan Meshnikov Kuriakoviqit. Akuza është e thjeshtë në dukje (po e çojnë popullin në theqafje) po e mbushur hipokrizi (Po aty, f.312).
Prefekti Mahmud Pasha, në selinë e prefekturës ua tërheq vërejtjen të besueshmëve të tij për veprimet e rrezikshme kundër Perandorisë, që mund të ndërmerrnin Mic Sokoli e Sefë Kosharja, të cilët i quan ,,mendje-shkrepje”, por të tjerët janë turbulluesit më të mëdhenj të vilajetit, në mesin e të cilëve apostrofohet edhe emri i Ahmet Koronicës. (Po aty, f. 344).
Ahmet Koronica, në mesin e figurave më të shquara të Lidhjes Shqiptare, jepet nga pikëvështrimi i pushtetarit turk Hilmi Pashës, i cili i dërgon telegram valiut të Manastirit, Gazi Myftar Pashës për t’ia përcjellë kryeministrit në Stamboll, në të cilin kërkohet që prijësit shqiptarë ,,të vihen në pranga e të përcillen në kështjella si hapsanikë të rrezikshëm!” (Po aty, f. 439).
Më vonë në roman figura e Ahmet Koronicës, fillon të paraqitet nga rrëfimtari, qoftë sipas skemës së njohur të pikës referuese për heronjtë, qoftë në misione organizative të Lidhjes Shqiptare në treva tjera të hapësirës veriore kombëtare, kuptohet larg Gjakovës, në Llap e Gollak, në Lumë, në Drenicë, në Senicë e Tregun e Ri. Paraqitja e personazhit në një hapësirë kaq të gjerë të gjeografisë kombëtare vetvetiu sugjeron përmasat e një heroi, që me kohë ka kaluar kufijtë e hapësirës lokale dhe është bërë figurë e përmasave kombëtare.
Dy personazhet fiktive, luftëtarët Ndrekë Cubbibaj e Rremë Brini, shumë vjet më parë (kuptohet rrëfimtari rrëfen në retrospektivë apo prapavështrim) shkojnë njëri te Ahmet Koronica në Gjakovë ndërsa tjetri te Haxhi Zeka, pas shpartallimit të çetës së komitëve në Grykën e Kaçanikut (Po aty, f.384). Katër faqe më tutje (Po aty, f.388) përsëri figura e Ahmet Koronicës apostrofohet nga rrëfimtari krahas asaj të Sylë Vokshit, kuptohet si autoritete absolute, në shtëpitë e të cilëve Mic Sokoli nuk ka guxim të shkojë për shkak se ka vendosur të bëjë një veprim luftarak kokë më vete.
Në kontekstin e hapësirës së gjerë në të cilën vepron personazhi Ahmet Koronica sa për ilustrim mund të citojmë…
,,Sakaq te betuarit në Prizren, si ishin njohur me materialin për situatën e re dërguar nga Komiteti Shqiptar i Stambollit, kishin marrë masa të ngutshme dhe ishin shpërndarë. Haxhi Zeka ishte nisur për Drenicë e Pogur, Ahmet Koronica për Llap e Gollak, Zija Prishtina për Fushë Kosovë, Shaip Spahiu për Përdrin dhe për Malësinë e Ravecit, Ali Ibra për në Malësinë e Gjakovës dhe për Plavë e Guci, kurse Ymer Prizreni, Pashko Vasa, Sylë Vokshi udhëtuan për Bicaj” (Po aty, f.286). ,,Ahmet Koronica kapërceu Dri-nin, doli në Has dhe udhëtoi për Lumë” (Po aty, f.396). Një kapitull më vonë rrëfimtari kumton përsëri: ,,Ahmet Koronica gjendej në Drenicë” (Po aty, f. 436).
Para se ta vendos në skenën e luftës në Slivovë rrëfimtari tregon se Ahmet Koronica së bashku me Haxhi Zekën po ktheheshin nga Senica e Tregu i Ri ku ,,kishin mobilizuar dhjetëra çeta vullnetare” dhe ,,kishin vendosur pushtetin e Lidhjes Shqiptare në ato krahina” (Po aty, f.661). Kthimi i këtyre dy heronjve në Betejën e Slivovës bëhet në çastin më dramatik të kësaj beteje, kur Sefë Kosharen e kishin vënë në trekëmbësh. Konteksti i kthimit të këtyre heronjve është homerik (Mungesa e Akilit në betejë dhe humbjet e ushtrisë greke pa të, ndryshimin e rrjedhës së betejës pas kthimit të tij dëshmojnë përmasat madhështore të heroit).
Figurat autoritative të historisë kombëtare, të cilat, në kontekste të ndryshme, janë dhënë tërthorazi nga personazhet apo nga rrëfimtari i nënkuptuar i romanit e në mesin e tyre edhe Ahmet Koronica jepen duke dialoguar, më konkretisht, duke e këshilluar Mic Sokolin, që të mos ndërmerrte hapa të ngutshëm apo të mos bënte veprime të pamatura mirë. Personazhet, të cilat të shumtën e rasteve ishin vetëm tërthorazi në skenën e romanit i flasin drejtpërdrejt kryepersonazhit të romanit Mic Sokolit…
,,-Kryet që nuk ulet me shkak, duhet të skuqet me gjak, o Haxhi Zeka, – tha Mic Sokoli.
– Shumë kërkojnë atë ndëshkim, or Mic Sokoli, tha Ymer Prizreni, – por pa u pjekur rrushi, nuk i pihet mushti.
– Për tokën tonë jemi kah luftojmë, baca Ymer, – ia ktheu Mici.
– Gjithmonë për tokën e vet ka luftuar shqiptari, – tha Ahmet Koronica – por me rend e me mend” (Po aty, f. 491).
Gjersa në epet e Homerit perënditë i këshillojnë, po edhe i mbrojnë heronjtë, në romanin e Sylejman Krasniqit kryepersonazhin Mic Sokoli e këshillojnë, e ndihmojnë figurat e mëdha të historisë, të cilat në një pjesë të madhe të romanit shërbejnë si pikë e referuar për Micin nga vet ato, nga Lokemadhja apo nga rrëfimtari.
Personazhi Ahmet Koronica është pjesëmarrës në disa mbledhje të mbajtura në Prizren, kuptohet edhe në Kuvendin e Lidhjes. Edhe këtu është pjesë e skemës së njohur, të përsëritur nga rrëfimtari i nënkuptuar i romanit, por me ndryshim se radhorit të figurave të shquara i prin Abdyl Frashëri, i pasuar nga Sylë Vokshi…
,, – Të vdesim duke luftuar, ose të jetojmë të lirë! (thirri Mic Sokoli K.R.).
Ai zë i thekshëm, aq kumbues, edhe pse i thënë jashtë mureve, ushtoi si bubullimë në kuvend. Të gjithë kthyen kokat nga dritarja: Abdyli, Syla, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, Ali Ibër Neza” (Po aty, f. 428).

Për habi të lexuesit Ahmet Koronica për të cilin flitet shumë nga të gjitha personazhet e romanit qofshin ato historike apo fiktive, kur flet vet, të folurit e tij është i pakët. Ky pozicionim i shkrimtarit, që prezencën e figurës historike të Ahmet Koronicës ta japë përmes personazheve tjera e shumë pak t’i japë hapësirë për veprim të drejtpërdrejt në fabulën e romanit na e kujton ngurrimin e njohur të shkrimtarëve që figurat e mëdha historike t’i vendosin në qendër të romanit. Këtë ngurrim na e kujton fakti se shkrimtari në këtë roman hapësirë relativisht të madhe u jep personazheve të trilluara apo fiktive, prezenca e të cilave, të shumtën e rasteve, krijon pjesët më kreative të romanit. Mjafton të kujtojmë, në këtë kontekst, personazhin e Gjon Thaçit, gruas së tij Bardhës dhe vajzës së tyre Lajdjes. Mirëpo fakti se ky roman i kushtohet një figure të njohur historike, figurës së Mic Sokolit, e cila s’ka se si të mos jetë në qendër të romanit, ngurrimin e përmendur më parë e bën të diskutueshëm. E vërteta për përcaktimin e kësaj mënyre trajtimi të figurës së Ahmet Koronicës, njëlloj edhe asaj të Haxhi Zekës e të tjerëve qëndron në faktin se historiografia jonë ka bërë pak për ndriçimin e figurës së Ahmet Koronicës e të tjerëve. Shkrimtari ka pasur në tavolinën e tij të shkrimit pak lëndë historike për Ahmet Koronicën, ndërsa imagjinata e tij nuk ka arritur plotësisht ta përmbushë atë zbrazësi.

Nga sa u tha më parë, vërehet se personazhi Ahmet Koronica është ndërtuar në dy mënyra: e para, i dhënë tërthorazi përmes personazheve të romanit, qofshin protagonistë, qofshin antagonistë, ndërsa e dyta i dhënë nga rrëfimtari në misione të ndryshme. Këto dy mënyra të krijimit të këtij personazhi ndërthuren në rrjedhën e mëtutjeshme të romanit dhe që të dyja kanë nga një kulm. Kulmi i së parës është kur Abdyl Frashëri në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të mbajtur në trevjetorin e vrasjes së Mehmet Ali Pashë Maxharrit, flet me mburrje për atë ngjarje dhe kreatorin e saj Ahmet Koronicën. Kulmi i mënyrës së dytë të ndërtimit të personazhit të Ahmet Koronicës arrihet kur rrëfimtari i romanit rrëfen për te në veprim, në fushë të betejës vendimtare të Lidhjes, në Betejën e Ernalevës siç e quan shkrimtari me qëllim të korrektimit edhe të toponimit në hapësirat e të cilit zhvillohet beteja e përgjakshme. Edhe pse e jep të plagosur së bashku me Haxhi Zekën nuk pranon as ai e as Haxhiu të largohen nga beteja. Në këtë skenë, e cila për nga përmasat t’i kujton betejat homerike, shkrimtari përdor edhe teknikën e përdorur më parë, duke e detyruar personazhin e tij Sylë Vokshin ta shpreh habinë me vendosmërinë e Ahmet Koronicës për të mos u tërhequr nga beteja, ndonëse i plagosur…
,,Syla, që i kishte mbajtur në vëzhgim, nuk dinte ç’të bënte prej gëzimit të papritur. Por, kur vuri re se edhe Haxhi Zeka, edhe Ahmet Koronica, edhe Rrema ishin plagosur, kur pa trupin pa jetë të Ndrekë Cubbibajt që ishte shpuar nga dhjetëra plumba dhe luftëtarët e kishin hedhur pranë Sefës, i ngriu ngazëllimi në buzë.
– Sa ushtarë ke Sylë Vokshi? – pyeti Haxhi Zeka.
– Tri mijë – ia ktheu Syla.
– Tri mijë? – u habit Ahmet Koronica.
– Ç’po ndodh në Prizren, nuk kuptoj, – tha Syla, pastaj thirri me emra disa ushtarë dhe u foli Haxhiut e Ahmetit:
– Duhet të niseni për Shtimje.
– Pse? – pyeti Ahmeti me buzë të shtrënguara
nga dhimbja e plagës. Syla me vete: ,,Plagët i rrjedhin gjak Ahmeti pyet ,,pse”! Atyre u foli tjetër për tjetër:
– Në Shtimje do të ngremë shtabin. Shkoni atje!
– Nuk është urtësi të na largosh prej lufte, komandant! tha Haxhi Zeka, ndërsa një luftëtar ia mblidhte mishrat e varura nga plaga në llërë, ia mbushte me duhan dhe ia lidhte.” (Po aty, f. 662).

Personazhi Ahmet Koronica është pjesë edhe e dy kategorive të romanit: Fillimit dhe fundit. Romani fillon në Bujan të Malësisë së Gjakovës. Në fundin e këtij fillimi Lokemadhja e këshillon Micin të shkojë te Ahmet Koronica e të tjerët, sepse ai është pikë referuese për te. Romani përfundon gjithashtu në Bujan. Fillimi i Fundit të romanit është Beteja e Slivovës dhe rënia heroike e Micit. Kumti për rënien e Micit jepet në mënyrë të tërthortë dhe ka një simbolikë mjaft domethënëse: në fushat e Lumthatit kalin e Micit, kur po kthehej nga fusha e betejës pa të zotin, e njohu Ahmet Koronica.

Shkrimtari Sulejman Krasniqi në dy romanet e tij kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit arrin ta ringjallë të kaluarën tonë, figurat e saj e në mesin e tyre edhe atë të Ahmet Koronicës, si parahistori e të sotmes sonë. Ky shkrimtar individualitetin e heronjve të tij në tërësi dhe të Ahmet Koronicës në veçanti e lidh në mënyrë të pashkëputshme me kohën dhe idealin e Lidhjes për ruajtje të tërësisë së Atdheut dhe lirisë së tij. Tregohet domosdoshmëria historike e individualitetit të veçantë dhe roli i tij gjithashtu i veçantë në periudhën historike. Në këtë kontekst sikur na imponohet një mendim i Hegelit: ,,Historike është vetëm (figura, ngjarja K.R.) atëherë kur të sotmen mund ta shohim si pasojë e atyre ngjarjeve në vargonin e të cilave janë treguar karakteret apo veprat që paraqesin një hallkë të rëndësishme…Sepse, arti nuk ekziston vetëm për një grup të vogël dhe të mbyllur individësh, jashtëzakonisht të arsimuar, por për kombin në tërësi” (Sipas Gjergj Llukaqit: ,,Romani historik”, Kultura, Bgd, 1958, f. 43).

Met Koronica i Dramës ,,Besa e Madhe” të Mirosh Markajt

Personazhi i dytë në dramën e Mirosh Markajt ,,Besa e Madhe”, pas Sulë Vokshit është Met Koronica. Tema e kësaj drame është një nga ngjarjet më domethënëse të historisë sonë, Beteja e Lidhjes Shqiptare në Gjakovë më 3-6 shtator 1878 kundër Mehmet Ali pashë Maxharit dhe disa krerëve shqiptarë në krye me Abdullah pashë Drenin, të cilët e morën në mbrojtje ushtarakun turk, që ishte nisur për të dorëzuar Plavën e Gucinë dhe nuk pranoi të kthehej në Stamboll, duke hequr dorë nga misioni i tij. Këtë betejë e fitoi Lidhja Shqiptare. Në të u vra Maxhar Pasha dhe të gjithë mbrojtësit e tij. Figura kryesore në këtë ngjarje siç thuhet në telegramin e Kontit anglez Andressay është Ahmet Koronica. E tillë na del edhe në këtë dramë.

Dramaturgu Mirosh Markaj ashtu sikurse shumë dramaturgë, që kanë trajtuar tematikën historike, është përpjekur që frymën e kohës ta bartë në dramë, duke kuptuar thellë problemet e saj, pa rrëshqitur në ndonjë ,,modernizim” që në rrethanat e realizmit socialist do ta nënkuptonte ideologjizimin, i cili lëndën historike mund ta deformonte deri në karikim. Mirosh Markajt i intereson shkakshmëria e tërësishme historike dhe tipat e heronjve të brumosur me idealet e Rilindjes kombëtare, qofshin ato figura të njohura historike, qofshin figura fiktive apo të imagjinuara. Këto ide materializohen nga veprimet e personazheve udhëheqëse: Met Koronica, Sylë Vokshi, Prend Gulia, Mic Sokoli, Ali pashë Gucia, po sidomos nga personazhet e imagjinuara, të vëna në role episodike e sidomos në atë të Sili Bagërit, bozaxhiut të ardhur në Gjakovë nga Reka e Dibrës, i cili është vënë në pozitën e zëdhënësit të ideve të Rilindjes Kombëtare, po edhe të luftëtarit me armë në dorë.

Personazhi Met Koronica në këtë dramë është dhënë në mesin e personazheve historike dhe atyre të trilluara apo fiktive. Figura të njohura historike apo më pak të njohura janë letrarizuar, ndër to edhe Ahmet Koronica, i cili në dramë del me trajtën e përkëdhelëse të emrit të tij: Met Koronica. Të tilla janë: Sylë Vokshi, Mic Sokoli, Ali Pashë Gucia, Mehmet Ali Pashë Maxhari, Abdullah Pashë Dreni, Shaqir Aga (Curri K.R.), Patër Pjetri, Hoshi i Nurit, Hasan Batusha. Personazhe fiktive janë: Shpend Hekakeqi, Mrika, Sili Bozaxhiu, Ganiu, Hysa, Mujë Muhaxhiri, Lam Muhaxhiri, Adjutanti i Sulltanit, Sejmeni i Abdulla Drenit, Hoxhë Qitapi, Telalli etj.
Gjergj Llukaçi kur flet për dramën historike, të cilën e studion paralelisht me romanin historik ndër të tjera thotë: ,,Çdo forcë historike apo domosdoshmëri historike, e paraqitur në dramë, në aspektin artistik është abstrakte nëse nuk është materializuar në mënyrë adekuate dhe konkrete në fatet njerëzore (,,Romani historik”, Po aty, fq 100).

Drama ,,Besa e Madhe” është ndërtuar nga pesë njësi dramatike apo ,,veprime” siç i quan autori, të cilat i kanë edhe nën njësitë të shkallës së parë, të cilat autori i quan ,,pamje” dhe ato të shkallës së dytë, të cilat i quan ,,dukje”.

Në tri ,,dukjet” e para të ,,Veprimit” të parë të dramës në skenë janë vetëm personazhe fiktive, të cilat në strukturën e veprimit dramatik kanë rol episodik. Shpend Hekakeqi, është malësori që i sjellë borë nga maja e Bjeshkës së Shkëlzenit Sili Bozaxhiut në ëmbëltoren e të cilit janë edhe Ganiu e Hysa. Të gjithë së bashku bisedojnë me shqetësim e revoltë për ardhjen e Maxhar Pashës në Gjakovë dhe rreziku, që i kanosej atdheut nga misioni i tij, i cili ishte dorëzimi i Plavës dhe Gucisë. Më vonë, konkretisht në ,,dukjen 2” në skenë hyjnë edhe Mujë Muhaxhiri e Lam Muhaxhiri, i pari i shpërngulur nga Tivari, ndërsa i dyti nga Vraja. Derisa shqetësimi dhe revolta e Sili Bozaxhiut, Shpendit, Ganiut e Hysës përfaqëson pakënaqësinë e shqiptarëve atdhetarë për rrezikun, që i kanosej atdheut nga copëtimi i mëtejmë, Mujë Muhaxhiri e Lam Muhaxhiri janë dëshmitë e copëtimit dhe spastrimit etnik të trojeve të pushtuara shqiptare nga Serbia e Mali i Zi. Mujë Muhaxhirit ia ka zgjidhur problemin e banimit Met Koronica, ndërsa Lam Muhaxhirit i kanoset rreziku që Abdulla pashë Dreni nga Kasolla e Piskotës, ku ndodhej Çiflyku i tij, ta dërgojë në Kavallë, ku e kishte çifligun tjetër. Fatet jetësore të Mujë Muhaxhirit dhe Lam Muhaxhirit janë të lidhura me dy personazhe paralele të dramës: Met Koronicës e Abdulla Drenit. Të dy shqiptarë, të dy udhëheqës të Lidhjes Shqiptare, por i pari i vendosur në rrugën e heroit apo,,individuumit historik”, ndërsa i dyti i rënë me të dy këmbët në tradhti, sepse pranoi në shtëpinë e tij Maxhar Pashën, u mundua ta mbrojë duke keqpërdorur besën shqiptare dhe duke vënë në pozita tradhtare edhe disa prej krerëve shqiptarë: Shaqir Agën (Curri K.R.) Bajram Agën.

Personazhi Mujë Muhaxhiri është ndërtuar me funksion të caktuar dhe materializon në mënyrë adekuate fatin njerëzor, duke dhënë në të njëjtën kohë edhe një anë të personazhit Met Koronica. Personazhi Lam Muhaxhiri është materializimi i fateve tragjike të shqiptarëve të shpërngulur nga trojet shqiptare në të cilat u bë spastrimi etnik, po edhe materializimi i një pjese të karakterit të personazhit Abdulla Dreni, i cili në raport me Met Koronicën është ana tjetër e medaljes apo krahu tjetër i antinomisë. Derisa Abdulla Dreni është sinonimi i fatit të keq për Lanin, Met Koronica është shpëtimtari.

Edhe Personazhet Sili Bozaxhiu, Shpendi, Ganiu, Hysa janë në funksion të ndërtimit të personazheve të dy heronjve Sulë Vokshit e Met Koronicës, tek të cilët i kanë të varura shpresat për ndryshimin e gjendjes, largimin e rrezikut, tejkalimin e pengesës në shtegtimin ekzistencial të popullit shqiptar, të cilën në ato çaste e paraqiste Maxhar Pasha dhe mbrojtësit e tij. Në skenën e kësaj drame për herë të parë shfaqen Sulë Vokshi e Met Koronica në ,,Dukjen 6”. Met Koronica, i cili ka dalë te Ura Fshejit për ta pritur Sulë Vokshin, që po kthehej nga Prizreni, ia jep fjalën atij. Në kumtin e Sylë Vokshit se Maxhar Pasha ka ardhur për ta prishur Lidhjen Shqiptare e pasi nuk mundi e përçau, sepse disa nga krerët e parësimit kanë luajtur nga besa, prandaj duan ta lëshojnë Plavën e Gucinë, Met Koronica kundër-shton: ,,Kurrën e kurrës!” Kundërshtimi i tij përsëritet nga të gjitha personazhet, që ndodhen në skenë. Met Koronica është heroi që mishëron kërkesat dhe idealet e personazheve tjera, kërkesat universale për liri.
Kur tellalli i drejtohet popullit: ,,Hyqymeti i Gjakovës..”, Met Koronica ia heq lodrën, duke i thënë se hyqymeti në Gjakovë jemi ne. Lodrën ia jep Hysës për ta dhënë kushtrimin për t’u mbledhur trimëria e Gjakovës në sheshin e Terzihanës.
Në njësinë dramatike ,,Veprimi II” Met Koronica nuk vepron, por vetëm përmendet, një herë nga Patër Pjetri me mospërfillje, ndërsa herën e dytë nga Prenkë Gulia, i cili e përsërit mendimin e shprehur publikisht të Met Koronicës se në Prizren e në Gjakovë hyqymet e dovlet është Lidhja Shqiptare. Mjafton kjo përsëritje për të dëshmuar Met Koronicën autoritet kryesor i Lidhjes Shqiptare në Gjakovë.
Në nën njësinë dramatike ,,Dukja 1” të njësisë ,,Veprimi III” konfrontohen vetëm dy personazhe: Bozaxhiu dhe Hoxhë Qitapi, i pari mbron Met Koronicën, ndërsa i dyti mbron Maxhar Pashën. Hoxhë Qitapi është shqiptari i shkolluar në shërbim të pushtetit perandorak dhe është krijuar si personazh, funksioni i të cilit është ai i reflektorit që ndriçon nga një aspekt figurën e heroit Met Koronica, ndonëse hoxhë e kadi ai i prin luftës për çlirim e mbrojtje të tërësisë territoriale.
Në gjysmën e dytë të ,,Dukjes 2” të kësaj njësie dramatike zhvillohet ky dialogim në mes të Met Koronicës e të tjerëve me Maxhar Pashën:
,,MAXHAR PASHA – Ju nuk e kuptoni se në krahasim me Shën Stefanin, Berlini ishte për ne drekë bajrami.
MET KORONICA: – (I papërmbajtur.) Për ju ishte drekë bajrami se u shtruat Shqipërinë princërve të Ballkanit…, kurse për ne ditët e Kuvendit të Berlinit ishin ditë zëndani, jo ditë bajrami. (Me tjetër ton.) Ne e kuptojmë fare mirë se kështu si i keni nisur pazarllëqet me Evropën, do të na e shisni tërë Shqipërinë; prandaj kemi vendosur të mos e lëshojmë Plavën e Gucinë.
MAXHAR PASHA: – (Me ngulm.) Do ta lëshoni! Për këtë punë kam ardhur deri këtu.
MET KORONICA: – (Pa u tundur.) Pashë hazretleri, jo ti, por sikur të vijë edhe vetë sulltani, ne nuk do ta lëshojmë vatanin. E kemi trashëgim nga të parët tanë.
MAXHAR PASHA: (Me rëndësi.) Kadi efendi, kështu si flet ti, po më detyron me të nisë duarlidhur në Stamboll.
MET KORONICA: – Kij mendjen se mos të dërgojmë ne ty.
MAXHAR PASHA: – (Shpërthen.) Unë kam fermanin e Sulltanit.
MET KORONICA – (Më shtruar.) Edhe unë kam një letër nga dora e tij, ku më këshillon t’i bëhem krah Itifakut. Nuk besoj që kalifi të ketë luajtur nga fjala…(Me dinakëri.) Druaj se ti ke gisht me krajlitë e Evropës, ashtu si flitet poshtë e përpjetë.
MAXHAR PASHA: – (Nuk e përmban veten.) Kadiu i Gjakovës ka dalë mendsh. Ju të tjerët veni gishtin kokës. Ti, Ali Pashë Gucia, i pari shpërndaji trimat.”
(Mirosh Markaj: ,,Besa e Madhe”,
Buzuku, Prishtinë, 1990, F. 46)
,,MAXHAR PASHA: – Unë nuk kthehem në Stamboll pa kryer detyrën.
MET KORONICA: – Në qofsh trim kapërce Përroin, pa ta shohësh…
SULË VOKSHI: – Me ty e mbyllëm kuvendin, o i dërguari i mbretit. Kemi dy fjalë vetëm me të zotin e shtëpisë.
ABDULLA DRENI: – Urdhëroni.
SULË VOKSHI: – (Shtruar.) Mileti i Gjakovës dhe i katundeve përreth është shqetësuar shumë, qëkur pa Mehmet Ali Pashë Maxharin me një tabor ushtarë, kah po zen vend në shtëpinë tënde. Mbledhja e parisë dhe e vegjëlisë në shtëpinë e esnafëve, duke na nisur si dërgatë të Lidhjes Shqiptare, na tha me të porositë që këtë mik, të cilin e ke marrë në ndore, ta nxjerrësh nga shtëpia dhe nga qyteti ynë.
ABDULLA DRENI: – (Po ashtu shtruar.) Ti e di mirë, Sulejman agë Vokshi, se miku nuk i preket të zotit të shtëpisë. Të më lypë shka të dojë mileti i Gjakovës; mall e gjë, troje e shtëpi ja fali; nder e shpirt, mik e shtegtar, nuk ja fali. Nuk e pres mikun në besë.
MET KORONICA: (Me zemërim) Maxhar Pasha të ka ardhur vërtet si miku i shtëpisë, por ai është armiku i Shqipërisë. Kuvendi i polemit…
ABDULLA DRENI: – (I pret fjalën krenar.) Polemit të Gjakovës s’ka se shka i duhet kush hyn e kush del në shtëpinë time. Mehmet Ali Pashën e kam mik.
SYLË VOKSHI: – Armiku i vendit nuk njihet mik për askëndin. Qyshkur e fute në shtëpi këtë armik, ti na preve në besë të gjithë ne.
PRENKË GULIA: – (Ndërhyn në mes të heshtjes me të butë.) Abdulla pashë Dreni, Sulejman agë Vokshi ka të drejtë. E lidhëm a s’e lidhëm besën shqiptare në Prizren mos me lëshua asnjë pëllëmbë tokë nga trojet tona?… Ne nuk duam që ti të dalësh mikpremë, prandaj përcille mikun. Të kthehet nga ka ardhur.
MET KORONICA: – (I papërmbajtur.) Të shkojmë, o Sulë Vokshi. Dhe ti, o Prenkë Gulia, kot mundohesh me fjalë të buta, këtu duhet të kërcasë huta.” (Po aty, f. 49-50)
Në dy dialogimet e cituara më lartë, figura e Met Koronicës, i ka të gjitha përmasat e figurës së madhe historike, e cila është e pakompromis me marshalin e ushtrisë pushtuese dhe krerët e mashtruar nga Abdulla Dreni. Aq sa është i prerë në qëndrimet e tij ndaj kundërshtarit politik e ushtarak, aq është i afërt me njerëzit e thjeshtë, të cilët jo vetëm i mirëkupton, po edhe ndihmon në çdo situatë. Duke qenë e tillë figura e Met Koronicës mendojmë, që me të drejt përmbush kriteret për ta emërtuar me sintagmën hegeliane ,,individuum historikoplanetar” sepse në njëfarë forme mistika e ,,shpirtit” është kthyer në konkrete, ndërsa realiteti historik është dhënë në harmoni në mes të personalitetit të heroit dhe esencës së konfliktit (Gjergj Llukaç: ,,Romani historik”, f. 110).
E tërë nënnjësia ,,Dukja 2” e njësisë ,,Veprimi IV” është ndërtuar nga dialogimi i Met Koronicës me Tonin e Prenkë Gulisë, mësuesin e shqipes. Në këtë nënnjësi shpaloset apo materializohet një përmasë e figurës së Met Koronicës, ai është intelektual i Rilidnjes Kombëtare, i formuar në Qarkun Intelektual të Stambollit, ai ka mësuar ta shkruaj shqipen nga Gjon Vreto. Një përmasë e tillë materializohet edhe në nënnjësinë ,,Dukja 3” të njësisë ,,Veprimi V, Pamja A”. Edhe Beteja e Gjakovës nuk është një rebelim i rastit, por është pjesë e luftës çlirimtare, e cila është e udhëhequr nga Programi i Rilindjes kombëtare. Prandaj sulmi mbi Sarajet e Abdulla Drenit për vrasjen e Maxhar Pashës fillon me recitimin e poezisë së Paashko Vasës ,,O moj Shqypni” nga mësuesi Toni i Prenkës, sipas kërkesës së Mic Sokolit e të përkrahur nga Met Koronica…
,,ALI GUCIA – Një herë kemi me vdekë, atëherë le të vdesim si burrat. (Me keqardhje.) Vetëm më vjen keq për ata njerëzit tanë, që u ngujuan me Mehmet Ali Pashë Maxharin, mynafikun e Lidhjes…
MET KORONICA: – Edhe dora, edhe këmba është e jona, por kur e merr plumbi dhe ajo e mban në mish të saj, ne qëllojmë në dorën, në këmbën tonë plumbin me plumb. Kështu e djegim helmin e armikut në plagë dhe e dlirim trupin nga praja. (Të gjithëve) Të lidhim besën, o burra! Asnjë tradhtar të mos dalë i gjallë nga sarajet. Rruga jonë për në Plavë e në Guci shkon nëpër sarajet e Abdulla Drenit. Fjala-fjalë e besa-besë!
TË GJITHË: – Besa-besë!
MIC SOKOLI: (I afrohet Ali Gucisë.) Ja ku japim fjalën e burrave, o Ali pashë Gucia: sa të lajmë hesapet me Maxharë, vrik e në kufi te ty do ta ndalim yryshin. Veç duro e mbahu një javë, sa të presë e thurë opangat fukaraja, se ky Maxhar Pasha erdh papritur edhe kemi zbritur mbathë e zbathë…(Ali Pashë Gucia e përqafon.)
SULË VOKSHI: – Të lumtë goja, o Mic Sokoli trojet tona armikut s’kemi me ia lënë pa i mbushë me varre anë me anë.
MIC SOKOLI: – (I afrohet Tonit të Prenkës.) Tashti, o mësues i çunave na thuaj atë këngën e Pashko Vasës e pastaj t’ja nisim sulmit mbi sarajet.
MET KORONICA: – Thuaja ta dëgjojë Rrafshi i Dukagjinit e gjithë Kosova, se për këtë ditë të sotme e shkroi Pashko Vasa.
TONI I PRENKËS: – (I prekur.)

O moj Shqypni, e mjera Shqypni.
Kush të ka qitë me krye në hi,
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë…

Por sot, Shqypni, më thuaj si je?
Por si lisi i rrëzuem përdhe;
Shkon bota sipri me këmbë të shklet
E një fjalë t’ambël kurrkush s’ta flet.

Kujt i ban zemra me lanë me dekë
Këtë farë trimëreshe që sot asht mekë,
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë
Që njeri i huej ta shklasë me kambë.

Nuk, nuk! Kët’ marre askush s’e do
Kët’ faqe të zezë gjithkush e dro.
Para se të hupet kështu Shqipnia
Me pushkë në dorë le t’desi trimnia.

MIC SOKOLI: – (I papërmbajtur.)
Çoniu shqiptarë, prej gjumi çoniu,
Të gjithë si vllazën në i besë shtrëngoniu!
TË GHITHË: Para se të hupet kështu Shqipnia
Me pushkë në dorë le të desi trimnia!

SULË VOKSHI: – Na qoftë kjo fjala e Pashko Vasës këngë majekrahu, piskamë e batare pushkësh. Përpara, o burra!” (Po aty,f. 88-90)
Në këtë fillim të Fundit të dramës ,,Besa e Madhe” të Mirosh Markajt personazhi Met Koronica, sikurse edhe Mic Sokoli e të tjerë, bashkon tiparet e të gjithë atyre njerëzve, që rrokën armët për ta mbrojtur atdheun nga copëtimi, në betejën e Gjakovës më 3-6 shtator 1878, prandaj padyshim mund ta ripërsërisim mundësinë e ripagëzimit të tij me sintagmën hegeliane ,,individuum historikoplanetar”.
Në këtë kontekst nuk mund të anashkalohet mendimi i Gjergj Llukaqit: ,,Drama shënon eksplodimet dhe erupsionet e mëdha të rrjedhës historike”. Në qendër të kësaj rrjedhe të historisë shqiptare është edhe Met Koronica, versioni letrar i Ahmet Koronicës. Prezenca simbolike në romanin ,,Humbëtirat e kohës” të Sefedin Fetiut
Figura e Ahmet Koronicës përmendet vetëm njëherë në romanin e Sefedin Fetiut ,,Në humbëtirat e kohës” (Rilindja, Prishtinë, 1980, f.12). Nuk është personazh i romanit, por është dhënë në një kontekst të veçantë, që nënkupton gjithashtu një funksion simboliko-semantik gjithashtu të veçantë. Hoxhë Koronica është i shndërruar në një arketip të flijimit, i cili përsëritet në roman. Fatin e Hoxhë Koronicës e pëson edhe njëri nga pasardhësit e tij në idealin suprem të flijimit për mbrojtjen e atdheut dhe lirisë së tij e ky është Hysen Efendi Imami apo Hoxha i Vogël siç e quanin të gjithë e që ishte imam në Xhaminë e Kusarëve. I dërguari i Dërvish Pashës nga Prizreni i kërcënohet: ,,Të kemi në dorë, kemi fakte, mund të të katandisim si Hoxhë Koronicën, po nuk i kreve urdhërat dhe porositë tona”.
Akti i vrasjes së personazhit të Hysen Efendi Imamit apo Hoxhës së Vogël për shkak se nuk ishte thyer nga kërcënimi i të Dërguarit të Dervish Pashës, që nëse nuk do t’i bindte besimtarët të hiqnin dorë nga Lidhja dhe idealet e saj, do ta përjetonte fatin e Hoxhë Koronicës, e ka simbolikën e një miteme flijimi, e cila përsëritet dhe shndërrohet në ritualemë flijimi në këtë roman.

Prapoja

Kjo tribunë shkencore kushtuar Ahmet Koronicës e edhe ky punim imi, poqese torkasin në ndërgjegjen tonë të përgjumur, afishojnë kërkesën për t’ia dhënë vendin e merituar kësaj figure të madhe kombëtare.
Të fillojmë me ndonjë monografi, për të vazhduar me poezi, tregim, dramë, për këtë hero. Shtatorja e Ahmet Koronicës në ndonjërin nga sheshet e Gjakovës është domosdo, e cila troket me forcë në ndërgjegjen tonë qytetare.
Një version i shkurtë i këtij punimi është lexuar në një tribunë shkencore kushtuar Ahmet Korenicës të organizuar nga Shoqata e Intelektualëve ,, Jakova ” në Gjakovë, më 11. 9. 2004.
* * *
Autori ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës

Shperndaje ne
Updated: 21 Shtator, 2016 — 08:01

The Author

Kadrush Rodogoshi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.