ORIGJINA E LASHTË E SHQIPTARËVE SIPAS FAIK KONICËS

Faiku_gjuha

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Si faktor unifikues, përveç gjuhës së përbashkët, Konica, në disa raste paraqet edhe origjinën e lashtë të shqiptarëve. Në përgjithësi, faqet e revistës “Albania” që trajtonin tema historike përfshinin dy tipologji shkrimesh:
– historinë e shqiptarëve, përmes gojës së vetë popullit dhe
– dokumente të pabotuara, ose studime mbi historinë e Shqipërisë (arkeologji, folklor dhe etnografi).
Konica tërhiqej më shumë prej historisë së antikitetit, historive mbi heroin kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe diasporës shqiptare.
Qysh nga numri i parë i revistës “Albania”, Konica do të botonte shkrime mbi pellazgët, në të cilat ata vlerësoheshin si popullsia më e vjetër në Ballkan. Kryesisht kemi të bëjmë me pjesë të nxjerra nga Homeri dhe Herodoti. Synimi kryesor i Konicës ishte të tregonte se pellazgët qenë më të vjetër se grekët dhe se gjuha e tyre ishte e ndryshme nga greqishtja. Rubrika në të cilën botoheshin këto shkrime kishte titullin “Prova të shkruara mbi antikitetin dhe origjinën e kombit shqiptar”, ku qartësohej lidhja e drejtpërdrejtë që Konica vendoste mes pellazgëve dhe shqiptarëve. Sipas tij, përmes këtyre shkrimeve lexuesi do të bindej për dy gjëra,
– autorët e vjetër besonin se pellazgët jetonin në të njëjtat territore ku jetonin edhe shqiptarët dhe
– emrat e perëndive dhe të gjitha vargjet e bukura ishin marrë nga pellazgët.
Një pohim i drejtëpërdrejtë mbi vazhdimësinë mes pellazgëve dhe shqiptarëve, vjen nga dy poema të Naim Frashërit, të cilat Konica i boton në dy numra të revistës: “Shqipëria” dhe “Pellazgët- shqiptarët” . Autori mëtonte të krijonte një imazh të shqiptarëve si populli më i vjetër në rajon. Kjo vinte nga pretendimi se gjuha e pellazgëve ishte ajo e shqiptarëve dhe se të gjitha gjuhët e tjera, latinishtja dhe greqishtja së bashku, ishin degë të kësaj të fundit. Mesazhi tjetër i rëndësishëm, i përçuar nga këto poema, qe shkëlqimi i dikurshëm i shqiptarëve, i kohës së tyre të artë, në kundërshti të plotë me aktualitetin mjerues ku gjendeshin. Për më tepër që shqiptarët, siç mendonte Konica dhe intelektualët e tjerë, gjatë gjithë historisë së tyre, kishin punuar për të mirën e të tjerëve dhe jo për veten. Ky përshkrim mitologjik i historisë së shqiptarëve përfshinte në vetëvete disa elementë njëherazi. Aty janë të pranishme miti i territorit, miti i trimërisë luftarake, miti i etnogjenezës dhe i lashtësisë. Së pari, Konica përcaktonte një territor shqiptar, i cili, sipas tij, ishte territori ku kishin jetuar pellazgët. Me këtë ai u jepte shqiptarëve cilësinë e të qenit autokton. Së dyti, shqiptarët u kishin bërë ballë vështirësive të kohërave falë bëmave të tyre dhe trimërisë luftarake. Së treti, shqiptarët ishin populli i parë, pse ata rridhnin nga pellazgët.
Rrjedhimisht, Konica u njihte shqiptarëve një të drejtë më të lartë se popujt e tjerë për të jetuar në territoret ballkanike. Ideja e origjinës pellazge lidhet me atë që George Schöpflin, e quan miti i afrisë dhe i prejardhjes . Sipas tij, ky mit mbështetet te natyra organike e një grupi etnik, te koncepti që e merr kombin si një familje, duke përjashtuar grupet e huaja etnike. Konica i përdorte këto mite për të krijuar një veçori shqiptare, për t i dalluar ata nga popujt e tjerë. Shqiptarët ishin të ndryshëm nga grekët dhe nga popujt e tjerë që i kishin fqinjë. Nga ana tjetër, këto mite përdoreshin me synimin që t’ u jepnin komuniteteve të caktuara një identitet të ri, një identitet kombëtar homogjen , i cili duhej të mbizotëronte mbi të gjitha mënyrat e tjera vetëidentifikuese, qofshin këto krahinore apo fetare.
Shqiptarët si trashëgimtarë direktë të pellazgëve përshkruhen si një komunitet i bashkuar dhe jo i fragmentarizuar. Kjo mënyrë e të imagjinuarit të kombit vizionare dhe nostalgjike, që i kthen sytë mbrapa, por me orientim nga e ardhmja përkon me atë që Anthony Smith e quan natyra dyfytyrëshe e kombit, njëherazi Konica dhe patriotët e tjerë shqiptarë të kohës së tij, donin që nëpërmjet lavdisë së dikurshme t’u jepnin shpresë shqiptarëve se shkëlqimi i djeshëm mund të arrihet edhe në të ardhmen, nëse ata bëhen një komb i vetëm.
Përsa i përket funksionit të idesë së kohës së artë të kombeve, vlen të citojmë Smith-in: Ndoshta nxitja më e madhe për përhapjen e konceptit të kohës së artë vinte nga dëshira e intelektualëve nacionalistë për të rizbuluar të kaluarën e çdo kombësie për të cilën ata endërronin edhe njohje politike (të qënit i mëvetësishëm). Për këta nacionalistë, lashtësia u bë pothuajse sinonim i çlirimit të këtyre kombësive dhe i begatisë së tyre.
Teoria e pellazgëve si paraardhës të shqiptarëve nuk ishte një origjinalitet konician dhe i autorëve të tjerë shqiptarë që shkruanin në revistën e tij. Sipas Nathalie Clayer-it: Si në rastin grek, turk ose arab, shkenca perëndimore ka ushtruar ndikimin e saj mbi fillesat e konstruktimit identitar shqiptar. Ajo ofroi mjetet që u përdorën dhe u transformuan në funksion të qëllimeve të caktuara dhe në kontekstin ku këto fillesa morën jetë. Ky kontekst ishte i ndryshëm nga ai ku autorët perëndimorë kishin konceptuar idetë e tyre. Studiesit perëndimorë ( shih Clayer), u shtynë nga tre faktorë në zbulimin e popullit shqiptar:
– nga rritja në fillim të shekullit XIX e interesave politike të Fuqive të Mëdha evropiane, në drejtim të territoreve të banuara plotësisht, ose pjesërisht nga shqiptarët,
– nxitja romantike për të njohur Greqinë, që çoi në zbulimin e popujve që fqinjërojnë me ta, shqiptarët ishin njëri syresh,
– zhvillimi i shkencave të tilla si filologjia, gjuhësia e krahasuar dhe historia.
Stavro Skëndi përmend edhe shkrimet në gjuhën vendase të lëna nga kleri katolik dhe ortodoks, të cilat në sytë e intelektualëve patriotë merrnin vlerën e lashtësisë dhe vazhdimësisë së gjuhës shqipe.
Kjo lashtësi, vazhdon më tej Skëndi, u nxorr në pah një mënyrë më efikase nga punimet e studiuesve të huaj. Në të vërtetë këto studime kanë pasur peshë të madhe në përvijimin e një profili të caktuar për kombin shqiptar, shpesh i pranishëm në shkrimet e autorëve shqiptarë të kohës së Lëvizjes Kombëtare e në vijim.
Përveç origjinës së vjetër, që shkonte shumë mbrapa në kohë, pothuaj në zanafillën e historisë së njerëzimit, autorët perëndimorë i përshkruan shqiptarët si një popull luftëtarësh, të mbyllur në male, fisnikë, që ruanin të paprekura vyrtytet.
Një karakteristikë tjetër e shqiptarëve, që u huazua nga shkrimet e perëndimorëve dhe u përdor nga autorët shqiptarë, ishte karakteri sipërfaqësor fetar i tyre dhe ndarja në dy nëngrupe të mëdha. Nga njëra anë qëndronin gegët, një popullsi malore më e prapambetur dhe më fanatike nga pikëpamja fetare sesa, nga ana tjetër, toskët e jugut, që shikohen si më të zhvilluar, meqenëse janë popullsi më qytetare.
Origjina e lashtë e shqiptarëve ishte një temë e diskutuar dhe e përdorur dendur nga arbëreshët e Italisë. Përpjekjet e tyre për të ndërtuar imazhin e orgjinës së lashtë të shqiptarëve kishin filluar qysh në fillim të shekullit XIX dhe përqëndroheshin kryesisht
në dy drejtime:
– botime në gjuhën italiane mbi origjinën, historinë e kombit dhe gjuhës shqipe, dhe
– krijimi i një korpusi letrar përmes mbledhjes së këngëve popullore.
Një karakteristikë tjetër e shkrimeve të arbëreshëve ishte theksi që vihej te dallimi shqiptaro-grek, por edhe krijimi i një panteoni kombëtar me Pirron e Epirit, Skënderbeun, Filipin dhe Aleksandrin e Madh, si krenari e tij. Të gjithë këta elementë janë të pranishëm te revista e Konicës. Përgjatë shekullit XIX kontrasti shqiptaro-grek ka qenë i pranishëm në ligjërimet identitare të intelektualëve nacionalistë shqiptarë.
Konteksti politik kur sendërtohet imazhi i shqiptarëve si i kundërt me atë të grekëve, ka rëndësi esenciale, duke patur parasysh se çdo kulturë i ndërton ligjërimet e saj (identitare) në kundërvënie me një tjetër, duke i lejuar kulturës në fjalë që ta shohë veten si diçka jetëgjatë dhe unike, si bartëse e moralit të vërtetë. Sipas Clayer: Pas Luftës së Krimesë, ka qenë helenizmi, qoftë brenda mbretërisë greke, qoftë brenda Perandorisë Osmane, ai që e shtyu dhe e forcoi rrymën patriotike shqiptare, qoftë përmes asociacionit, qoftë përmes reagimit. Pas Kongresit të Berlinit në 1878, kur synimet territoriale greke u drejtuan për nga trevat e Epirit të banuara nga shqiptarët, dallimi shqiptar-grek u bë më i mprehtë.
Intelektualët shqiptarë të kohës e përdorën këtë kundërvënie, për t’ iu njohur shqiptarëve një legjitimitet territorial, si trashëgimtarë të pellazgëve, duke i paraqitur grekët si të ardhur në një kohë më të vonshme. Nuk ishte rastësi që Konica t’i shihte politikat helenizuese, si kërcënim real për ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar. Ndikimi prej teorive të origjinës së lashtë të shqiptarëve është i qartë. Konteksti politik dhe ideologjik kishte rolin tij në orientimin e ligjërimit të Konicës, për identitetin kombëtar shqiptar dhe mënyrës së artikulimit të konceptit mbi kombin shqiptar.

Shperndaje ne
Updated: 23 Shtator, 2016 — 10:31

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.