MBRESA, NGA NJË EMISION NË RADIO-TIRANA…

murat_radiotranen

Nga e majta: P.Troçi e M.Gecaj (Tiranë, 23 shtator 2016)

Murat_gecaj

Shkruan: Murat Gecaj

1.

Përmes Internetit, moderatori dhe gazetari i Radio-Tiranës, Pëllumb Troçi, më ftoi në një emision, që ai përgatitë e jep për bashkatdhetarët tanë . Sigurisht, e pranova ftesën e tij dhe shpreha kënaqësinë të flisja në një emision të tillë. Ndërkaq, lexova që miku im kishte publikuar këtë njoftim, në FB:

“Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues,sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës se Arsimtarëve të Shqipërisë,përgjegjës seksioni në Institutin e Integrimit të Kultures Shqiptare, me qender në Tiranë etj., eksluzivisht,në një intervistë për Radio Tirana-3.Të premten, më 23 shtator 2016, në rtsh.al-Radio Tirana-3, e reealizova intervisten me te! Faleminderit, prof.Murat Gecaj!”

Nuk ishte rasti i parë, që drejtohesha për te ky institucion mjaft i rëndësishëm i medias sonë. Por, nuk e di se përse, gjatë rrugës solla në kujtesë fillesat e bashkëpunimit me Radio-Tiranën dhe vazhdimësinë e kësaj pune, me mjaft kolegë e miq gazetarë e teknikë të njohur. Mbaj mend që, së pari, aty kam shkuar në një emision për fëmijët që në vitin 1963, kur sapo kisha mbaruar studimet e larta dhe kisha nisur punë në redaksinë e gazetës së kohs për fëmijët, “Pionieri”. Drejtuese e emisionit të fëmijëve në Rado-Tirana ishte e mirënjohura Stoli Beli…

Nuk dua ta lodhi gjatë lexuesin e këtyre radhëve, por tregos se edhe kur shkova me qarkullim në rrethin e Tropojës, në vitet 1966-1973 dhe punova me rininë e kulturën, përsëri i mbajta lidhjet me Radio-Tiranën. Por këto lidhje, tashmë, ishin disi ndryshe, pra duke mos shkuar në ndonjë studio. Atje na kishin sjellë një aparat të veçantë dhe përmes tij lidhesha me njërën nga studiot e saj dhe jepja informacione për jetën e njërëzve të atij skaji verior të Atdheut, si për aksione të ndryshme, për veprimtari kulturore e artistike, për jetën arsimore etj.

Vitet rodhën e unë u riktheva në shtyp, në gazetat “Bashkimi” e “Mësuesi”. Gjatë atyre viteve, me raste, kam shkuar përsëri në emisione të ndrshme të Rado-Tiranës. Por, sidomos pas daljes në pension, në vitin 2002 dhe deri tani, atje kam marrë pjesë në mjaft emisione, duke shoqëruar edhe punonjës të arsimit e kulturës, botues të shkencës e letërsisë etj. Dhe përherë kam gjetur aty bashkëpunim profesional e dashëmirësi, sidomos nga përgjegjësi i departamentit përkatës e gazetari Jaho Margjeka, moderatorja e gazetarja Kozeta Hoxha, gazetarja e re Klaudia Malaj  dhe tekniku Redi Kristo e të tjerë.

murati_me_redaktoren

Me tekniken e studios, në Radio-Tirana, Silvi Jani…

2.

Dhe ja, përsëri sot u ndodha përsëri në mjediset e Radio-Tiranës. Për rreth një orë, unë iu përgjigja pyetjeve të kolegut Pëllumb Troçi, si për ndonjë aspekt të jetës sime, por dhe për vendlindjen, Malësi e Gjakovës (Tropojë), për vizitat e mia në shtete të ndryshme të Europës, si Itali, Francë, Suedi dhe deri në Nju Jork etj. Por, sidomos, ishte kënaqsi, kur fola për vizitat e mia në trojet shqiptare të Ballkanit, si në Shkup, Preshevë, Prishtinë e Ulqin. Sgurisht, këto udhëtime të miat kanë qenë burim njohjeje e të dhënash, të cilat i kam shfrytëzuar më vonë për të shkruar e botuar libra, ndër të cilët janë: “Si e pashë unë Kosovën”, “Rrahin zemrat arbërore”(nga ushtimi në trojet shqiptare të Ballkanit), “Me zemër në vendlindje”(Shënime nga Suedia) etj. Në këta libra e të tjerë jam ndalur posaçërisht për jetën e baskatdhetarëve tanë, duke nënvizuar përpjekjet e parrshtura, që ata kanë bërë e bëjnë për t’u përshtatur me mjedise të panjohura, për ruajtjen e gjuhës dhe të tradiave kombëtare shqiptare. Këtë gjë e kanë realizuar, duke çelur shkolla në gjuhën tonë amtare, duke zhvilluar veprimtari kulturore e artistike etj.

Në emisionin e sotëm, që përmenda më lart, folëm edhe për çështje të tjera, si për zhvillimin e arsimit në vendin tonë dhe mësimin e shqipes nga fëmijët tanë emigrantë; për nevojën e përdorimit dhe ngulitjes së normave të gjuhës sonë letrare të njësuar, si në tekstet shkollorë, nga mësues e nxënës, studentë e pedagogë; në median e shkruar dhe atë elektronike, në institucionet zyrtare shtetërore etj. Kjo sepse, për fat të keq, vërehet që ka shpërdorime e keqpërdorime të pafalshme e të panevojshme të fjalëve nga gjuhët e huaja, kur ato i kemi kaq të mjafta e të bukura, nga burimi i shqipes sonë.

U ndava me moderatorin e gazetarin Pëllumb Troçi dhe tekniken e kujdesëshme të studios, Silvi Jani, duke i falënderuar përzemërsisht për ftesën dhe me kërkesën e premtimin, që do të takohemi përsëri në emisione të tillë, në mjediset e Radio-Tiranës.

Tiranë, 23 shtator 2016

Shperndaje ne

The Author

Dr. Murat Gecaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.