VENDLINDJA, PJESË E PANDARË E  JETËS DHE SHPIRTIT  POETIK TË ALBANA PONARIT

kopertina_albana_ponari

Hyrje

dr_murat_gecaj

Nga:Prof.Murat Gecaj

Emigrantët tanë, në kohë dhe për arsye të larmishme, kanë “shtegtuar” në vende të ndryshme të Evropës ose më larg, në kontinente tjerë. Një shumicë e tyre janë vendosur dhe jetojnë në shtetin fqinj me Shqipërinë, pra në Italinë mike. Atje bëjnë përpjekje të parreshtura që të përshtaten me jetën dhe traditat e vendit mikpritës. Krahas punës për mbijetesë, ata kanë gjithnjë në mendje e në zemër vendlindjen e tyre, në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Këtë gjë e kam “prekur” nga afër, që në vitin 1991, kur atje emigruan dy djemtë e mi, në qytetin Asti, ku jetojnë edhe sot, me familjet e tyre. Por, ndër ata emigrant shqiparë, të vendosur në qytete të ndryshme të Italisë janë edhe mjaft bashkëkrahinas të mi, pra nga Malësia e Gjakovës (Tropoja). Kësaj radhe, kam kënaqësinë që t’u flas, në pak radhë, për njërën nga ata, pra për poeten nga Bytyçi, Albana Ponari.

Kishim vendosur miqësi në FB dhe jorrallë lexoja poezi të kësaj mikeje të re krijuese. Ndërsa bashkëpunimin tonë, përmes Interneit, ne e shpeshtuam, kur Albana më dërgoi për t’i lexuar dhe redaktuar poezitë e saj. Ishte një kanaqëesi e dyfishtë për mua, megjithëse  nuk jam poet. Mikja ime ma besoi edhe që të shkruaja pak radhë, në hyrjen e këtij vëllimi pooetik, gjë për të cilën e falënderoj përzemërsisht!

                                              x   x   x

Pa e  zgjatur, le ta shfletojmë pak “nxitimthi” librin e ri të poetes tropojane, Albana Ponari, “Larg, m’u tret vështrimi…”.. Krijimi më i fundit poetik i saj, mban pikërisht titullin, “Moj Tropojë, si zanë mali!…”. Me mallin e pashuar për vendlindjen, u “këndon”, me pasion e mall, jo vetëm bukurive të krahinës së saj. Gjithashtu, ajo na sjell në kujtesë emrat e “bilbilave” të këngëve popullore, si: Fatime Sokoli, Gëzim Nikaj, Fatmira Breçani, Isuf Halili e Murat Alia, por dhe valltaret Xhevahire Gashi, Deli Metaliaj, Skënder Haklaj, Bubë Mici e Nafie Ferizi etj. Por nuk harron as krijuesit e talentuar, që tashmë kanë bërë emër edhe në shkallë kombëtare, si: Mehmet Elezi, Ndoc Paplekaj e Hamit Aliaj ose kompozitorët Kolë Susaj e Bashkim Gjyriqi.      

Ndër poezitë e këtij vëllimi të tërheqin vëmendjen dhe radhët e frymëzuara, që ka thurur Albana për njerëzit e saj më të dashur. Në poezinë kushtuar nënës, shkruan:”Oj, nanë, ti ma e shtrenjta fjalë,/që më fale jetë, më rrite me mirësi,/copë të shpirtit e t’ trupit më dhe,/sa do që të due, s’ta kthej kurrë, unë ty!…”. Por ajo nuk e harron as gjyshin e saj të dashur: “T’i preka flokët,/u hoqën thinjat;/ta preka ballin,/u hoqën rrudhat;/t’i putha sytë,/u shkëput një lot…”. Ndjeshmëria për vëllain ose motrën është e pakufishme, prandaj shkruan me mallëngjim: “Luaj me mua”,/më lutet gjysmë duke qarë;/ndërsa me pjatë, që ta hajë,/ e ndjek nëpër korridor…Nesër, për mua, s’do gjejë kohë, e di!…”.(Poezia “Vëllait të vogël”).

E mbërthyer nga kujtimet e vendlindjes, poetja mbyllë sytë e përfytyron çdo gjë të asaj jete aq mbresëlënëse: “Larg m’u tret vështrimi,/atje ku shpirti im,/arratiset, kur nata bie, ngadalë/thyen guackën e dhimbjes/e shtegton për të tërën natë…”. Janë disa krijime tjera poetike, që Albanën e “arratisin” në vitet e fëmijërisë e të rinisë së saj, si: “Kam-Tropojë”,”Malli”, “Në valixhen e vjetër”, “Ylberi”, “Malli, si zjarri” etj. Por ajo sjell në kujtesë e i thurë vargje edhe “bilbilit” të këngës tropojane, Fatime Sokolit: “Në ato shkrepa e ato gryka,/me jehonën e çiftelisë,/rritet Fatimja, çikë jetime,/kjo sokoleshë e Dragobisë…”.

Ndërsa autorja e këtij vëllimi, me atdhetarizmin e vetë, trajton në poezitë e saj edhe tema të mprehta, që na interesojnë të gjithëve, sidomos në periudhën, që po kalojmë. Ajo u këndon bukurive mahnitëse të natyrës shqiptare: “Ku lindin shqiponjat,/nga Jugu në Veri,/e rritin shtatin vashat/me plot bukuri;/ku djemtë si azgana/të mbrojnë me dashni,/atje gjendesh ti,/e jemja Shqipni!” Këtë motiv e përcjellin  edhe disa krijme tjera të frymëzuara, si: “Shqipnisë…”,”Oh, moj Shqipni!…”, “Jam Kosovë e jam Shqipëri”, “Plavë e Guci” etj.

Por Albana Ponari nuk u shmanget as poezive, me temë shoqërore ose kushtuar dashurisë. Jo vetëm aromën e trupit, por dhe ndjenjën e mbrojtjes së vetë, e ka ajo njeriun e zemrës: “Ashtu, e strukur pranë teje,/ e lehtësuar, gjithësesi,/do pëshpërijë lehtë e butë:/Shpirtin ma qetëson, vetëm ti!” Po ndodhë që ai është diku larg dhe vajza pret e pret, pas dritares strukur: “E, ashtu, e përhumbur mendoj/rrugën, që më sjell te ti…/Befas, kujtohem se jam pas dritares,/ti s’po vjen…e unë, pas xhamit/kam filluar të mërdhij!…”. Ndërsa mendimet e çojnë atë edhe në një kënaqësi të kërkuar:”Unë nuk i përkas askujt,/por të dua ty;/nuk kam nevojë që të më kompletosh,/por të përqafuar të më mbash,/në gji…”(Poezia “Me mua, i lirë”).

Me tematikë të ngjashme,  që kanë  shkaktuar edhe lotë të valë të poetes , janë poezi të tjera: “Përkëdhelja e parë”, “Një buzëqeshje, për çdo pikë loti”, “Grua…”, “Unaza”, “Nuk jam statujë”. Te poezia “Ne të dy” poetja është e shqetësuar, se: “Ka kohë që s’jemi parë,/ne të dy…/Vështrimi yt, ngadalë, s’venitet në sytë e mi…”.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshroj të përmendi diçka, nga poezia filozofike e autores: “Kur mbylli sytë,/ndiej errësirën,/por diku larg shoh një pikëz/dritë;/është shpresa, që lindë prej vullnetit,/si drita në fund të tunelit…” dhe më tej: “Më parë nuk kisha menduar,/se, dritë dhe errësirë, vetë unë jam;/jam vetë qendra e Universit,/dritë dhe errësirë, brenda kam…”.

Mund të flisja e të citoja mjaft vargje të bukur, domethënës dhe emocionues, nga vëllimi i ri poetik i autores Albana Ponari. Por le t’ua lëmë lexuesve, që t’i vlerësojnë dhe shijojnë, vetë ata. Ndërsa atë e përgëzojmë për krijimet, që na dhuron dhe i urojmë mbarësi e krijimtari sa më të bukur, gëzime e lumturi, si për veten, familjen dhe gjithë njerëzit e dashur të saj.

Tiranë, shtator 2016

Shperndaje ne

The Author

Dr. Murat Gecaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.