VËSHTRIM PËR LIBRIN “ADEM DEMAÇI-URA MBI TË CILËN KALON LIRIA E KOSOVËS”

adem-demaci
(Kumtesat e paraqitura në simpoziumin në nderim të 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit)

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Libri “Adem Demaçi-Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës” është ky një libër me vështrime për personalitetin e Adem Demaçit. Vështrimet për këtë figurë kryesore të rezistencës sonë kombëtare janë shumëdimensionale, sepse edhe vetë figura e bacës Adem është e tillë, madhore dhe komplekse.
Për Demaçin është shkruar dje e do të shkruhet edhe sot e nesër. Është shkruar nga miqtë, por edhe nga armiqtë e tij dhe të popullit tonë. Vallë, pse ndodh kështu? Po, përgjigja është shumë e lehtë, sepse urtia popullore thotë “Lisin e madh e rrahë era më shumë”! Prandaj, duke u nisur nga kjo thënie, s’do mend se edhe Adem Demaçi është një lis degashumë dhe me shtat të lartë, që gjatë tërë jetës së tij e rrahën erërat dhe suferina pamëshirshëm, por Baca me fuqi prej Titaniku u përballoi prore këtyre stuhive e furtunave të kohës.
Vetë Adem Demaçi është histori e gjallë, është vetë liria, të cilën shqiptarët e gjakuan me shekuj. Demaçi me jetën dhe me veprimtarinë e tij atdhetare, bashkë me shokët e tij, na ndihmoi ta gjejmë dhe ta çelim rrugën e lirisë. Atë shqiptarët gjatë errësirës nën robërinë sllave e patën fanar ndiçues e lirisht mund të themi se ai është vetë liria jonë.
Shpesh Baca na porosiste se liria nuk fitohet me fjalë, por me sakrificë.
Libri “Adem Demaçi-Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës” përmban rreth 27 kumtesa. Siç janë shprehur dhe botuesit e librit, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës dhe Fondi “Nderi i Kombit-Adem Demaçi”, qëllimi i këtij botimi është që të dokumentohet me fakte të pakontestueshme veprimtaria shumëvjeçare atdhetare e Adem Demaçit dhe e bashkëveprimtarëve të tij, pa të cilët nuk do të ishte e mundshme që ky popull ta gjejë rrugën e lirisë.
Disa nga çështjet që janë trajtuar në kumtesat e përmbledhura në këtë libër dëshmojnë për vështirësitë e shumta, nëpër të cilat po kalonte përgatitja për nisjen e luftës për liri në viset tona të okupuara nga serbosllavët. Roli i Adem Demaçit ka qenë vendimtar në frymëzimin, organizimin dhe angazhimin për formësim të ideve për organizim ushtarak të shqiptarëve për luftë çlirimtare.
Duke lexuar me vëmendje kumtesat e përfshira në këtë libër, në çdonjërën prej tyre janë theksuar momente nga më të ndryshmet të jetës dhe të veprimtarisë së Adem Demaçit. Ai e ka dëshmuar faktin që historia i ka dhënë të drejtën, prandaj është bërë edhe simbol i rezistencës kombëtare. Gjatë veprimtarisë së tij ilegale dhe legale është bërë simbol i lirisë sonë.
Në kumtesat, si: “Adem Demaçi dhe Lëvizja Popullore e Kosovës”, “Adem Demaçi-Hallkë lidhëse e brezave për liri”, “Filozofia dhe etika politike e Adem Demaçit”, “Toleranca ndërfetare dhe ndërnacionale në konceptin e Adem Demaçit”, “Adem Demaçi-Një kolos i shqiptarisë”, janë trajtuar çështje të ndryshme për veprimtarinë e Demaçit, në të cilat është theksuar veprimtaria e tij e zhvilluar bashkë me shokët.
Edhe në kumtesat e tjera të përmbledhura në këtë vepër, si: “Ndikimi i veprimtarisë së Adem Demaçit në luftën çlirimtare të Kosovës”, “Baca Adem-Feniksi i ndërgjegjes sonë kombëtare”, “Ndikimi i Adem Demaçit dhe LRBSH-së në organizimin ilegal”, “ etj., janë shqyrtuar rrethanat bashkëkohore, kushtet, por mbi të gjitha, gatishmëria e zhvillimit të veprimtarisë ilegale atdhetare, prijatar i së cilës ishte vetë Adem Demaçi.
Kjo mënyrë e shqyrtimit nga prizmi i secilit autor veç e veç, ka nxjerrë në pah edhe anën e kundërt të paqes,j që është dhuna dhe represioni, me synim për ta zhdukur këtë lëvizje atdhetare që kishte lindur dhe lëshuar rrënjë të thella ndër shqiptarët. Por, për ta shuar e zhdukur këtë lëvizje, duheshin zhdukur edhe bartësit e saj. Një pjesë prej tyre edhe janë eliminuar, një pjesë tjetër janë burgosur me vite të gjata e një pjesë tjetër është tërhequr, e lodhur, nga rruga e gjatë.
Adem Demaçi qëndroi si Prometheu. Atë s’e përulën torturat, as dhuna që i është bërë. Tek ai parësor ishte ideali për Bashkimin Kombëtar. Por, ai ishte shumë i vetëdijshëm se vetëm me ideal nuk mund të bëheshin ndryshime, prandaj u përqëndrua që procesin e madh për Bashkimin Kombëtar ta kërkonte edhe me rrugë të tjera-pra me luftë çlirimtare. Ai asnjëherë s’reshti duke takuar njerëz të paqes e të luftës për çlirim e Bashkim Kombëtar, qoftë edhe ata që lodheshin gjatë rrugës.
Në disa kumtesa që janë përfshirë në këtë vëllim, si fjala vjen, në kumtesat “Adem Demaçi dhe SHKSH “Mëmëdheu” e St. Gallenit në Zvicër”, “Adem Demaçi-Hero i përmasave botërore”, “Roli i Adem Demaçit në promovimin e të drejtave dhe lirive të popullit shqiptar”, pasqyrohet çasja ndaj procesit të Bashkimit Kombëtar, që është trajtuar nga ai, ku thoshte hapur se Bashkimi Kombëtar ishte dhe është jo vetëm ideal, por është edhe e drejtë e ligjshme historike, sepse atdheu ynë ishte copëtuar dhe okupuar me forcë. Në emër të kësaj të drejte të natyrshme historike në procesin e madh historik të Bashkimit Kombëtar, Adem Demaçi ishte vënë në krye të këtij procesi politik si zëdhënës i Luftës së UÇK-së. Pra, ishte zgjedhur Përfaqësues Politik i UÇK-së, selinë e së cilës e kishte vendosur mu në mes të Prishtinës, duke e vënë kështu kryeqytetin e Kosovës-Prishtinën, bartëse të mendimit politik të luftës çlirimtare. Prandaj, Adem Demaçi është i madh, por edhe i ndryshëm nga të tjerët, sepse atij i ka hije edhe kur kritikon, edhe kur këshillon, edhe kur qorton, qoftë politikën e ditës, qoftë bartësit e saj, që në forma të ndryshme mundohen ta pengojnë idealin për Bashkimin tonë Kombëtar.

Shperndaje ne
Updated: 3 Tetor, 2016 — 19:46

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.