MENDIMI PEDAGOGJIK I SAMI FRASHËRIT

Samiu_pushka_plot

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

(Burimi: https://orientalizmi.wordpress.com/category/orientalizmi-shqiptar/)

Të shkruash për rilindësin tonë, Sami Frashërin, është diçka jo e lehtë. Kjo, jo sepse shkrimet e tij, apo studimet rreth tij, janë të pakta, por, e kundërta, ato janë aq shumë dhe të trajtuara nga këndvështrime të ndryshme, rreth fushave në të cilat ka kontribuar Samiu, saqë është shumë e vështirë, për një shkrim modest si ky i yni, për t’i përmendur të gjitha.
Është hera e disatë që shkruaj për Sami Frashërin dhe mendimet dhe idetë e para që kam pasur rreth tij po i pasuroj edhe me këtë shkrim për rilindësin tonë të madh. Po të shikojmë veprat e S. Frashërit do të gjejmë në to një larmi shkrimesh, duke filluar nga gjeografia, historia, filozofia etj. Jo më kot e kanë quajtur Samiun “enciklopedi lëvizëse”. Sa për ilustrim, po përmendim këtu veprën e tij enciklopedike “Kamus al Alam”, në gjashtë vëllime, me gjithsej 4830 faqe, ku ka me mijëra njësi të veçanta historike dhe gjeografike me karakteristika të hollësishme, të cilat shumë prej tyre nuk i gjen dot diku tjetër. Samiu njihet, gjithashtu, edhe për temat që preku në shumë gjuhë të ndryshme, si: turqisht, arabisht, persisht, frëngjisht, greqisht etj.
Të shkruash për mendimin pedagogjik të S. Frashërit nuk është e mundur ta trajtosh atë jashtë kornizës historike në të cilin punoi dhe shkroi rilindësi ynë. Pra, jemi në kushtet e Rilindjes sonë Kombëtare, ku aspiratat për një shtet shqiptar të pavarur, me gjuhën dhe shkollën e tij, sa vinin dhe bëheshin me imediate. Në këtë kontekst historik duhet parë edhe kontributi i Sami Frashërit.
Shtytësit kryesorë që i nxitën rilindësit tanë, përfshi edhe Samiun, për të menduar mbi edukatën dhe për të shkruar vepra shkollore dhe pedagogjike, me qëllim zhvillimin dhe përsosjen e vetëdijes dhe kulturës së popullit qe, padyshim, tendenca kombëtare. Rilindësit këshillonin që populli shqiptar duhet të jetë i ngritur në pikëpamjen arsimore dhe kulturore, sepse këto përbënin elementet me rëndësi të zhvillimit të tyre shoqëror dhe kombëtar. Vepra e Samiut është dëshmia më e fortë dhe shembulli më ilustrativ sesa e çmonin rilindësit e shquar qenien e vet kombëtare, sesa i përshkonte ajo idetë e tyre mbi edukatën.
Kemi disa momente të rëndësishme në shkollimin, ngritjen dhe veprimtarinë arsimore të Sami Frashërit- baza esenciale e mendimeve pedagogjike të tij:
Momenti i parë i biografisë së Samiut që zgjoi interesimin e këtij djali…. për edukatën, ishin mësimet e para që i mori në Frashër… Mësimet e para i mori nga myderrizi Mahmut efendi Tetova.
Sipas Samiut, nga fundi i shek. XIX, në Frashër funksiononin 3 shkolla…
Momenti i dytë me rëndësi në formimin më të plotë pedagogjik të Samiut, pas mësimeve të para, ishte shkollimi i tij në shkollën e mesme- gjimnazin Zosimea në Janinë.

Gjimnazi Zosimea ka rëndësi të veçantë në ngritjen kulturore të Samiut. Me ndihmën e pedagogëve iluministë të kësaj shkolle, ai jo vetëm që “ra në kontakt me iluminizmin frëng”, por u pajis edhe me një kulturë greko-latine të vjetër dhe me kulturë moderne e racionale të Evropës. Në Zosime ai mësoi fizikë, kimi, biologji, kozmografi, gjeografi; po ashtu lexoi Hygonë, Rusonë dhe autorë të tjerë iluministë.
Momenti i tretë dhe tejet i rëndësishëm për veprimtarinë kulturore, edukative, artistike, shkencore dhe shoqërore të tij është puna dhe pjesëmarrja në lëvizjen përparimtare, shoqërore e pedagogjike të Rilindjes dhe kontakti i drejtpërdrejtë me inteligjencien liridashëse dhe progresive turke në Stamboll.
Momenti i katërt janë veprat e Samiut, si ato në gjuhën turke, ashtu edhe veprat e tij në gjuhën shqipe pas vitit 1879, që i kushtohen përparimit të përgjithshëm dhe arsimor të shqiptarëve.
Me veprat shkollore e të tjera, Samiu ndikoi në zhvillimin e literaturës pedagogjike dhe të përgjithshme dhe në futjen e përhapjen e gjuhës shqipe në shkollë.
Veprat e tij patën një rëndësi gjuhësore, historike dhe pedagogjike. Ato janë dëshmi e aftësive intelektuale të tij.
Për organizimin e mësimit dhe të mësuarit e shqipes në shkollat që u hapën më vonë, në klube, individualisht dhe për arsye të tjera pedagogjike e praktike, po në vitin 1879 u botua “Alfabetare e Gjuhës shqipe”. Ky libër ka 136 faqe dhe u botua në 20000 ekzemplarë.
Momenti i pestë në ngritjen dhe punën e Samiut është veprimtaria pedagogjike e tij gjatë viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë.
Por, pas gjithë këtyre që thamë deri më tani, është e pamundur që të kuptohet personaliteti poliedrik i Sami Frashërit dhe kontributi i tij i çmuar në fushën e mendimit pedagogjik pa përmendur veprën e tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Platforma e S. Frashërit që buron nga kjo vepër ishte edhe “një ide e qartë për sistemin arsimor në viset shqiptare. Pra, nuk ishte fjala për kurse të luftës kundër analfabetizmit, të cilat ishin shfaqur mjaft shpesh, sidomos nga mësuesit shëtitës, por edhe për shkollat shqipe të mbështetura nga populli ynë arsimdashës, që të viheshin në funksion të çlirimit kombëtar, të ngritjes dhe përparimit kulturor të popullit”.
Nuk vihet në dyshim se vepra kryesore e Samiut, “Shqipëria ç’ka qenë…”, është një burim primar për të kuptuar mendimet e tij të jashtëzakonshme dhe vizionin e tij mbi edukatën, mbi strukturat e karakteristikat e sistemit shkollor dhe përmbajtjen e arsimit.
Kjo vepër meriton një shqyrtim serioz dhe të veçantë nga shumë aspekte, një ndër të cilat është edhe aspekti pedagogjik. Njëkohësisht, “vepra kryesore e Samiut paraqet shkallën më të lartë të zhvillimit të kulturës dhe të inteligjencies shqiptare në periudhën e Rilindjes”.
Disa prej veprave të tij e meritojnë, për nga qëllimi dhe përmbajtja e tyre, plotësisht atributin pedagogjik.
Meqë synimi ynë kryesor është të merremi në mënyrë të përmbledhur me mendimin pedagogjik të S. Frashërit, le të kujtojmë, këtu, disa prej veprave të tij që kanë të bëjnë me këtë veprimtari:
1- “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” (Bukuresht, 1899)
2- “Abetare e gjuhës shqipe” (Bukuresht, 1886)
3- “Shkronjëtore” (gramatikë, Bukuresht, 1886)
4- Dy punime të Samiut te Alfabetare e Gluhës Shqipe (Kostandinopojë, 1879)
5- “Dheshkronjë” (Bukuresht, 1888)
6- “Insan” (Njeriu, Stamboll, 1880)
7- “Kadinlar” (Gratë- turqisht, përkthyer në shqip nga shtëpia botuese Logos-A-, Stamboll 1879)
Këtu përmendëm vetëm disa prej veprave të tij, por, duhet theksuar se, ka edhe shumë punime të tjera që tregojnë për kontributin e tij në mendimin pedagogjik.
Duhen përmendur edhe tekstet shkollore të Sami Frashërit në turqisht dhe në arabisht, siç janë abetaret, gramatikat dhe fjalorët.
Një meritë e madhe e Samiut është përgatitja e teksteve për shkollat e para shqipe dhe interesimi dhe angazhimi i madh i tij për hapjen e këtyre shkollave.
Samiu kishte vërejtur se autorët e librave të mëparshëm, deri atëherë në tekstet e tyre shkollore nuk i zbatonin parimet dhe metodat e reja pedagogjike, por i përmbaheshin një forme katiketike (pyetje-përgjigje). Pra, një nga shkaqet e suksesit të dobët të nxënësve në procesin mësimor të shkollave të atëhershme, përveç të tjerash, ishte përdorimi i këtyre teksteve shumë të rënda. Librat shkollorë të Samiut, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në arabisht dhe turqisht, tregojnë dhe janë dëshmi se Samiu i ka kontribuar shumë pedagogjisë së re iluministe.
Samiu nuk ishte i kënaqur me gjendjen shkollës së deriatëhershme turke, kritikonte reformat në arsim, insistonte që shkolla dhe edukata t’i shërbenin tërë popullit dhe të liroheshin nga dogmatizmi e format e vjetra e të kapërcyera të punës edukativo-arsimore.
Samiu ishte përqendruar në postulatin thelbësor se pa shkollë shqipe dhe pa edukatë solide, pa dijeni dhe kulturë të përgjithshme kombi shqiptar nuk mund të përparojë. Kjo përputhej me frymën e Vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë mënyrë, që nga Lidhja e Prizrenit e deri më 1898, me gjithë pengesat që nxirrnin rrethanat e kohës, u zhvillua një lëvizje arsimore dhe gjuhësore që, sipas Samiut, “dha pemë fort t’embla e të bukura”. Këtë periudhë ai e karakterizon si vijon: “Një shkollë u hap në Korçë e për së pari herë zuri të mësohesh gjuha jonë. Shkollat nuk’u shtuanë e të vinin mbarë si duheshe, po shkronjat shqip u përhapnë nëpër gjith’anët të Shqipërisë, edhe burra e gra, djem e vazha, gjithë mësuan në pak kohë të shkruajn’ e të këndojnë gjuhën shqip”.
Samiu kërkon, gjithashtu, që “të gjithë, fshatrat dhe njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore, edhe meshkujt edhe femrat, të kenë arsim të barabartë, unik dhe shkollim fillor pa pagesë”.
Idetë demokratike në pedagogji të S. Frashërit, duken edhe në këtë fjali: “Në pak kohë të mësojnë mjaft dituri; edhe bariu, edhe bujku, edhe mjeshtri’ i mureve do të mos jenë pa dituri”.
Në veprën e Samiut, “Shqipëria ç’ka qenë…”, është edhe një kaptinë me titull “Diturija”. Në këtë kaptinë ai prezantohet si pedagog me koncepcione vizionare, me pikëpamje përparimtare dhe me frymë demokratike. Ai do një shkollë në gjuhën amtare, të përbashkët për të gjitha shtresat, shkollimin pa pagesë, në “shkolla të para” (fillore), për “djemt’ e vashtë” që nga “7 vjeç e gjer më13”, në çdo katund dhe nga disa nëpër qytete, arsimin fillor të detyrueshëm etj. Në çdo nënngastër (rreth) propozon nga një “shkollë të dytë”, po ashtu për djem e vajza, d.m.th. progjimnaze ose gjimnaze të ulëta, të ngjashme me ruzhdije në Turqi apo me skolion në gjuhën greke.
Ai propozon, gjithashtu, që në çdo ngastër (krahinë, qark) të ketë edhe “shkolla të treta”, d.m.th. gjimnaze. Në sistemin arsimor të Samiut rol të veçantë kishin edhe disa shkolla profesionale. Sipas tij, vetëm në kryeqytet të Shqipërisë të kishte një shkollë ushtarake, një për metalet e për pyjet, një për bujqësi etj. Krahas me këto, sugjeronte që në Shqipëri të kishte tre universitete: “një në kryeqytet, një në Shqipëri të Sipërme e një në të Poshtërmet”. Për universitetin përdor termin e veçantë: gjithëmësime, ndërsa në kllapa dar-yl-funun dhe panepistimion. Edhe disa institucione dhe shoqata do të kujdesen për gjuhë dhe libra, si këshillë diturie (Akademia), një shtyptore (shtypshkronjë) për të shtypur libra shkollore dhe fletore diturie dhe shoqëritë profesionale, si, për shembull, për dheshkronjë (gjeografi), histori, dhekërkonjë (gjeologji) etj.
Kërkesat e tij që arsimi të jetë i detyrueshëm, pa pagesë dhe i njëjtë për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë sociale, fetare, gjinore etj., që shkollat të jenë të nduarnduarshme dhe pikëpamja se edukata është një proces i vazhdueshëm, faktor jo i vetëm, por i fuqishëm, që ndikon që nga lindja e në çdo fazë të jetës së njeriut, janë, njëkohësisht, ide me të cilat Samiu i pasuroi trashëgiminë dhe njohuritë pedagogjike.
Ashtu siç e përmendëm edhe më lart, Samiu kontribuoi në fushën e pedagogjisë, krahas fushave të tjera, nëpërmjet shumë librave. Një prej tyre është edhe “Kadinlar”, ose në shqip “Gratë”. Tek “Gratë” ai flet për bukurinë fizike të gruas, sidomos për gruan e re, vashën e bukur.
Samiu vazhdon më tej dhe thotë se: “Ndonëse në pikëpamje të krijimit dhe të natyrës është pak e ndryshme nga mashkulli, shihet se gruaja nuk është në gjendje të bëjë çdo punë që mund të kryejë ai, por bën edhe shumë punë që nuk mund t’i bëjë burri”. “Duke mos përfituar nga inteligjenca e shkëlqyer e sa e sa grave, … ato detyrohen ta përqendrojnë inteligjencën e tyre në gjëra të thjeshta, duke u tërhequr nga shërbimet e vlefshme që do t’i bënin njerëzisë”.
Më pas përmend atë që është edhe më e rëndësishme për ne, nga ku del edhe kontributi i tij nëpërmjet kësaj vepre në shkencën e pedagogjisë: “Çdo grua, veçanërisht për të kryer mirë detyrat e saj, duhet të dijë këndim, shkrim, matematikë, mbajtjen e llogarive, ekonomi, politikë, higjienë, fizikë, kimi, e të tjera shkenca, kurse për të mos cenuar bukurinë e brishtë, për të shpëtuar nga gabimet që mund të rrëshqasin në raste bisedash, ka nevojë të ketë njohuri edhe nga letërsia, gjeografia, historia etj. Kur një gruaje i mungojnë këto dituri, jo vetëm që nuk mund t’i plotësojë detyrat që i përkasin, por as ka të drejtë të jetë e shoqja e një dijetari”.
Samiu konstaton se: “Shoqëria njerëzore përbëhet nga grumbuj të vegjël shoqërorë që quhen familje”, dhe: “Familje do të thotë grua”, pasi mashkulli “mbetet një gjymtyrë e jashtme e familjes”. “Gruaja është themeli i shoqërisë, është shtylla e moralit të përgjithshëm. Lumturia e shoqërisë është familja e lumtur, e lumturia e familjes varet nga edukata e gruas.”
Vepra “Gratë” e Sami Frashërit, për mendimin tim, edhe pse një vepër jo shumë voluminoze, tregon edhe një herë më së qarti preokupimin e këtij dijetari shqiptar për edukimin dhe arsimimin e femrës, si përbërëse kryesore e shoqërisë. Samiu, mes të tjerash, thotë se “…kush edukon një femër ka edukuar një shoqëri të tërë”.
Vepra “Gratë” duhet parë edhe në aspektin e emancipimit të femrës në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti. Nga kjo anë vepra “Gratë”, edhe pse e shkruar në turqisht, duhet parë si një risi në fushën e emancipimit shoqëror të gruas.
Rolin e diturisë, të kulturës dhe të edukatës, Samiu e shpreh edhe në formë të anekdotave. Kjo shihet në veprën “Anekdota”, që e botoi në vitin 1883, e sidomos në një libër tjetër me titull “Fjalë të urta”. Këto fjalë të urta janë marrë nga shkrimtarë perëndimorë e të Lindjes, pjesërisht janë edhe krijime të vetë Samiut.
Vepra e tij “Fjalë të urta” tregon sesa interesohej ai për edukatën, të mësuarit dhe arsimin. Ja disa prej mendimeve të tij:
“Detyra jonë kryesore kundrejt njerëzisë është të nxejmë (të studiojmë) pa u lodhur dhe të mësojmë (të tjerët) pa u mërzitur”.
“Dijetari përpiqet të marrë mësim nga çdo njeri”.
“Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë”.
“Fëmija duhet të marrë mësime para se të bëhet 7 vjeç dhe edukimi i tij duhet të fillojë nga dita që lind”.
“Njeriu ka nevojë për arsim, ashtu si bima për ujë. Ashtu sikundër thahet pema kur është e njomë, po s’u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po nuk u edukua që në vogëli, sepse nuk i mbetet gjësendi për t’i shërbyer njerëzimit”.
“Lumturia e një kombi varet nga edukimi i grave të veta”.
“Është i ditur ai që kërkon dituri; është injorant ai që kujton se është i ditur”.
Përpara se ta përmbyll këtë shkrim, mendoj se, pas gjithë këtyre që thamë, duhet të përmendim edhe diçka: Para formimit të shtetit shqiptar rrallëkush e përmend Samiun në gazeta apo në revista si pedagog. Edhe kur përmendet si mësues i popullit, nuk analizohen idetë e tij pedagogjike dhe kontributi i tij në zhvillimin e arsimit popullor.
Jo vetëm Samiu nuk përmendet, por edhe rilindës të tjerë vetëm sa preken pak. Nga rilindësit pak përmendet Jani Vretoja, e veprimtaria e tij në Bukuresht.
Shtrohet pyetja se përse në periodikun pedagogjik shqiptar midis dy luftërave botërore nuk ka asnjë fjali për Sami Frashërin, ndërsa për pedagogë të tjerë të huaj ka disa punime, përkthime nga vepra të autorëve francezë, gjermanë dhe italianë?
Shkaku është se ende nuk ishte zhvilluar mendimi pedagogjik autentik, megjithëse, kishte një interesim për çështje arsimore dhe për pedagogjinë. Me fjalë të tjera, teoria pedagogjike midis dy luftërave botërore në Shqipëri gati kryekëput bazohej në pedagogjinë e Evropës Perëndimore. Në këtë kohë, sikurse edhe në shtete të tjera të Ballkanit, mungonte mendimi origjinal pedagogjik dhe pedagogjia ishte e gërshetuar edhe me ndikime të llojllojshme ideologjike.
Edhe pas gjithë këtyre që thamë rreth mendimit pedagogjik të Sami Frashërit, nuk mund të themi se mendimi i tij pedagogjik është i përsosur dhe pa të meta. Ajo nëse krahasohet me mendimtarë të tjerë të huaj të po të njëjtës kohë nuk është e gjithëmbarshme dhe e përpunuar. Arsyeja është se Samiu nuk ishte marrë kryekëput me pedagogji. Nuk duhet harruar e vërteta se Samiu ishte gjuhëtar aq sa historian, historian aq sa filozof, filozof aq sa pedagog, po ashtu enciklopedist, përkthyes, themelues i disa gazetave, revistave etj.
Sado që Samiu nuk është marrë me pedagogji sa pedagogët e tjerë të huaj të po të asaj periudhe, të cilët shkencën mbi edukatën e kishin gati të vetmin profesion, për pedagogjinë e Samiut edhe bazat filozofike të saj, kur krahasohet me sisteme të tjera progresive pedagogjike, mund të thuhet në anën tjetër, se ajo është më e përsosur, më progresive dhe më demokratike.

Shperndaje ne

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.