Heronjët Kombëtare: KUJTIME PËR DËSHMORIN, FERID CURRI…

1002397_484795951602535_807967336_n

Me rastin e 1o tetorit-ditëlindjes së Dëshmorit…
KUJTIME PËR DËSHMORIN, FERID CURRI…
(Shkëputur nga libri “Djali i Kosovës” i autorit Fadil H. Curri, që është në proces të botimit dhe së shpejti do ta kemi në bibliotekat tona)
DITË PRANVERORE ME DIELL

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Dita e 14 prillit po agonte me rrezet e diellit mëngjesor, ku si zakonisht dhe fillimisht e shënjestronin Majën e Zezë të Qyqavicës mitike, e cila edhe në të kaluarën kishte qenë mburojë e shumë breznive të luftëtarëve për liri.
Këngën dhe melodinë magjepsëse të zogjve, në atë mëngjes të hershëm pranveror, e ndrydhte ofensiva e ndërmarrë e hordhive policore dhe paramilitare serbe.

-Por ç’e do, ore lumë vëllai-, i kishte thënë Feridi të vëllait, Petritit, -tërë këtë bukuri natyrore, që bie ndesh me zemrat e thyera të popullit dhe të çlirimtarëve, por edhe njerëzore, që ishin fare të pashpresa?! Sepse të gjitha ato zemra lëngonin dhe vuanin e rënkonin në tokën e djegur shkrumb.

Nga ajo bregore bleroshe e gjysmë e zhveshur në Gurshkabë, qëndronin në vijën e frontit dy të rinj, dy vëllezër, Feridi dhe Petriti, të veshur me uniformat e tyre laroshe. Sa bukur u rrinin emblemat e UÇK-së në ballë, e në krahë, mitralozi e automatikët! Në sytë e tyre, të futur thellë në rrashtë, shihje një qëndrim mjaft të matur.

Ishte afruar komandant Abedin Sogojeva- Dini, por, për çudi, askush nuk po fliste fare. Me dylbi të mëdha dhe të tejzgjatura, komandanti vrojtonte mbi shpatin e Grabocit, ku ishin të stacionuara forcat serbe.

-Ç’je fundosur aq thellë në mendime, o Komandant?- foli si zakonisht Feridi. Komandanti uli dylbitë poshtë duke i fshirë sytë e stërlodhur.

-Po si mos të thellohet, o Ferid?!- ia priti i vëllai, Petriti, pa e ndërruar pozicionin.
Pasi u mendua pakëz habitshëm, drodhi kokën dhe shtoi:

-Gjithë kjo popullatë civile e paarmatosur, që gjendet prapa shpinës sonë, e pambrojtur: gra, fëmijë e pleq, gjendet para një tragjedie shfarosëse.

Ndërhyri edhe zv. komandanti, Ali Sogojeva:

-Po pra, fati i tyre mbështetet në duart tona. E vështirë qenka kjo! Ata shpresojnë te ne e mundësitë i kemi të vogla për t’u dalë në krahë. Të mjerët, po ma brejnë shpirtin si sëmundja e kancerit! Jeta nën plumba qenka e rëndë dhe e tmerrshme!

Beteja kishte filluar e armiku sulmonte furishëm nga të gjitha anët e me të gjitha mjetet. Beteja sa vete e ashpërsohej. Luftohej edhe nga afër, fyt më fyt e dhëmbë më dhëmbë.
Dheu i tokës mëmë zuri të skuqej e bari i njomë u ujit nga gjaku rrëke i Feridit e i vëllait, Petritit. U plagosën edhe disa të tjerë.

Edhe pse me shumë të plagosur, 14 prilli 1999 ishte më i gëzueshmi për Feridin, Petritin dhe të gjithë bashkëluftëtarët e batalionit të Abedin Sogojevës- Komandant Dinit, sepse nuk u lejuan forcat serbe policore paramilitare të depërtonin te popullata civile.

-As vdekja nuk më frikon,- tha Feridi.

Kjo ishte e vërtetë, sepse djaloshi Ferid Esat Curri, ishte i mishëruar me fatin e hidhur pelim të popullit të vet liridashës. Përreth bashkëluftëtarët e kishin mbuluar luftëtarin trim dhe bënin heroizëm të pashoq. Atij iu kishte plagosur edhe vëllai, Petriti në dorë, ku ca shokë e kishin mbuluar dhe po e ndihmonin.

Feridi në këtë botë erdhi më 10 tetor të vitit 1974 nga një familje dhe fis jo i kamur ekonomikisht, por me tradita burrërie e atdhetarie. Dhe fare paqësisht shpirti i tij i ndritur vajti në amshim. Atje e prisnin komandantët, Adem Jashari, Fehmi Lladrovci edhe qindra lulëkuqe të tjera të lirisë.

Dielli ende kishte për të bërë rrugëtim.

Më datën 15 prill 1999, dëshmori i kombit, Ferid Esat Curri ndërroi jetë.
Shokët bashkëluftëtarë Feridit i thurin disa vargje:
Pranë kodrinës së zhveshur
Maje një thepi në Gurshkabë
Poshoi së rrahuri zemra
E heroit kombëtar-Ferid Esat Currit
Porse vepra nuk i vdes…

Në çdo mëngjes, dielli i ngrohë martirët, dëshmorët dhe heronjtë. E tani në kryeqytet, në pjesën lindore të Prishtinës, në mesin e dëshmorëve, pushon i qetë edhe heroi i kombit, Ferid Esat Curri.

Shperndaje ne
Updated: 10 Tetor, 2016 — 11:21

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.