KULTURA KOMBËTARE: TA NJOHIM MË MIRË POETIN POPULLOR, Z. KOLË BECI

libri_kolebeci

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Njëri prej poetëve popullorë në Mirditë dhe më gjerë, është edhe z. Kolë Beci.
Ky artist i talentuar dhe poet popullor u lind në Zajs të Selitës, Mirditë, më 26 qershor 1960, në një familje bardësh të shquar të folklorit mirditor dhe shqiptar. Pas shkollimit fillor dhe të mesëm, në vendlindje, z. Kolë Beci ka punuar në sektorë të ndryshëm në Mirditë, pa u shkëputur asnjëherë nga puna krijuese dhe veprimtaritë artistike të Kurbneshit e më gjerë. Krijimtaria e tij ishte pjesë e repertorit të skenës amatore të vendlindjes, e cila u dallua për mbështetjen në këngën burimore folklorike të Mirditës.
Poeti popullor, z. Kolë Beci, në maj të këtij viti (2016) nxori nga shtypi vëllimin e parë poetik “Zogj në qiellin e vendlindjes”, një përmbledhje kjo me vlera të mirëfillta artistike.
Tani autori ka të gatshme për botim edhe një përmbledhje tjetër, e cila shpresojmë se së shpejti do ta shohë dritën e botimit.
Z. Viktor Gjikola, redaktor i librit të poetit, Kolë Beci “Zogj në qiellin e vendlindjes”, për poetin Kolë Beci ndër të tjerash do të shkruajë:
“Kolë Beci lindi dhe u rrit në një klimë të begatë të krijimtarisë popullore, i rrethuar me bardë të spikatur të trashigimisë orale dhe asaj materiale. Kur Kola shkonte te dajat për festa e dasma, i gjente dajat duke kënduar; shkonte te dajat e nënës, në Orosh dhe Përbashajt, të gjithë këndonin bukur. Shkonte te miqtë e tij, te Gjinajt e Lufajve, edhe aty çiftelia nuk dinte me pra.
Në përmbledhjen “Zogj në qiellin e vendlindjes” mbizotëron motivi i atdhedashurisë. Autori shumë krijime ua kushton bashkëvendësve të tij artistë, si poetit Gjokë Beci, lahutar i njohur; Simon Beleshit, këngëtarit Kolë Gjini; parodistëve dhe instrumentalistëve Mark Gjikolaj e Dod Buraku. Këtu gjejmë edhe krijime për artistë të tjerë selitas. Motivet autori i ka vjelë nga kuvendet në odat e Selitës dhe nga traditat e saj, ku ndjehet ndikimi i humorit dhe i sarkazmës së mirditorëve.
Edhe motivet kosovare, janë po ashtu krijime me frymë atdhetare, me ndjeshmëri të thellë e të mbështetur fort në këngën burimore shqiptare”.
Ne poetin popullor, z. Kolë Beci, edhe në këtë biografi të shkurtër për të, e falënderojmë shumë për respektin e veçantë që na bëri, duke e përzgjedhur për botim bashkë me poezitë e tij të këtij vëllimi, edhe një poezi timen. Është, pra, ky një nder i veçantë, të cilin di ta bëjë dhe vërtet e bëri i madhi artist, poeti ynë popullor, z Kolë Beci.
Po, ashtu në këtë shkrim modest për të madhin Kolë Beci, edhe njëherë shfrytëzoj rastin për ta falënderuar përzemërsisht për ftesën dhe fjalën që më dha për ta mbajtur, me rastin e përurimit të vëllimit “Zogj në qiellin e vendlindjes”, ku përjetova mbresa të pashlyeshme nga mikpritja vëllazërore e mirditorëve në Rrëshen, e në veçanti nga respekti tejet i veçantë i z. Kol Beci.
PJESË NGA FJALA IME, E MBAJTUR NË PALLATIN E KULTURËS, NË RRËSHEN, MË 29 MAJ, 20016, ME RASTIN E PËRURIMIT TË VËLLIMIT POETIK TË POETIT, KOLË BECI “ZOGJ MBI QIELLIN E VENDLINDJES”
(…)
Me poezinë e këtij mjeshtri të denjë të artit të fjalës jam i shoqëruar qe disa vjet, prandaj me përgjegjësi të plotë them se z. Kolë Beci është një zë enciklopedik i kulturës sonë folklorike mbarëkombëtare. Zjarrmia dhe freskia e vargjeve të këtij poeti derdhet nëpër vargjet xhevahire të artistit tonë të madh, duke na e shtuar ndjenjën e krenarisë dhe të atdhedashurisë, si dhe na nxitë që të mendojmë për kohën dhe fatin e vendit tonë dhe të njeriut mirditor.
Harmoninë e ngjyrave, reflekset dhe idetë, por edhe mesazhet që i kam hasur në vargjet e Kol Becit, i kam parë si në shuplakë dore edhe në realitet, sa herë që kam kaluar nëpër natyrën madhështore të Mirditës, kur më ka sjellë rruga këndejpari, dhe duke parë këto mrekulli të natyrës shqiptare të Veriut, prore kam ngelur i pagojë dhe fare pa tekst.
Me krijimet e veta, poeti Kolë Beci na bën me dije se rruga e artit është tejet e gjatë, e mundimshme, herë mjegullore, herë heshtiake, nganjëherë edhe kryengritëse, por përherë krenare.
Po e përmbyll këtë shkrim timin duke uruar që dora dhe zemra juaj, Kolë Beci, të skalisin dhe vargje të tjera të mrekullueshme, pasi që, siç kemi vërejtur, lima juaj vërtet di të rregullojë vargje të lëmuara, në të cilat prore do të flasë shpirti i kombit tonë.
Prof. Zymer Mehani, në Podujevë, më 17 tetor 2016.

Shperndaje ne
Updated: 21 Tetor, 2016 — 01:17

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.