Letërsi Kombëtare: ATË DITË

dje6

ATË DITË

(Tregim)

shefki

Shefki Përvetica

Vendi vend nuk po i zihej, dhe thënë të drejtën, edhe s’mund t’i mohohej sjellja e tillë. Kishte arsye.
T’i thuash lamtumirë vendit ku je lindë e ku je rritë, aq lehtë sa çil e mbyll sytë është punë jo e lehtë. I lidhur me çdo pëllëmbë toke dhe me vatrën stërgjyshore deri dje dhe sot ta braktisësh, kjo punë don forcë dhe guxim tejet të madh.
Guri, edhe herave të tjera ishte sprovuar në jetë. Ai kishte pasë shumë halle në jetë, por sprova e asaj dite ua kalonte të gjithave. Ngado që vështronte, sikur donte të përfalej me çdo cep e kënd të truallit të tij, të vendlindjes së tij të dashur. Ishte i kapluar tej mase prej emocionesh të fuqishme dhe prej mallëngjimit. Kjo vërehej nga sjelljet e tij. Ndërmend i silleshin shumë dromca ngjarjesh nga jeta dhe koha që kishte kaluar në këtë vend të bekuar. Kishte përjetuar sa e sa gëzime e hidhërime, që veç shpirti i Tij dhe i Malësores i dinte.
Zëri i bashkëshortes për ca çaste ia ndërpreu kutimet që i shfletonte në mendje, sikur shfletohet një libër me përralla. Sepse tek e fundit edhe vetë jeta është përrallë….ëndërr… vuajtje…. por, sido që të jetë, është e bukur për ta jetuar.
Befas Guri sikur u përmend, kur dëgjoi zërin e së shoqes:
-O njeri, çerrja është gati!
-U ngarkuan të gjitha gjërat që mund t’i marrim me vete,- po i thotë Malësorja.
-Mirë, mirë,- me zë të ngjirur u përgjigj Guri.
Përgjigjja e Gurit ishte plot përmallim. Kjo u kuptua qartë.
-Mos u ngut, Malësore! Kemi me shkue sa të duesh, po të thot Guri. Vetëm këtu s’do të jemi më kurrë.
Nga këto fjalë të të shoqit, Malësorja sikur u zu në faj dhe nisën t’i rigojnë lotët.
-Jo, Malësore, jo, nuk ban kështu!- iu drejtua Guri.
-Qenka shkrue nga Zoti i Madh m’i ndërrue oxhakun! S’kemi çka të bajmë.
-As unë nuk po mund ta marr me mend dhe nuk po kam forcë për ta mbyllë këtë derë të kësaj shtëpie; ta shuaj këtë oxhak njëherë e përgjithmonë. Ende s’po më besohet se unë Guri më këtu në këtë truall s’do t’u përgjigjem musafirëve, kur të thërrasin te dera:
-O i zoti i shtëpisë, a don musafirë, more?!!!
-Eh, Malësore! Më nuk do të kumbojë zëri im nga brenda e të përgjigjet:
-Mirë se vini, miq! Paçi këmbën e mbarë! Mirë se ju ka pru’ Zoti!
Këto kujtime Gurit po ia këputnin shpirtin. Ai po i kujtonte radhët e pambarim të deleve, qengjave e dhive, që ia shtonin Lisnajës edhe më tepër bukurinë.
E ku të gjente forcë për të qëndruar si burrat Guri?!
E ku të mirrte zemër të qëndronte burrnore dhe Malësorja para kësaj pamjeje idilike, që tash e mbas do t’u mungonte përgjithmonë?!
E Guri mendonte e mendonte:
-Vallë, a do t’i shohim më në fluturim dallëndyshet buzëmbrëmjeve verore?
-A do ta dëgjojmë më zërin e ëmbël të zogjve këngëtarë plot jetë në stinën e pranverës?!
Këto dhe shumë gjëra të tjera sigurisht se Guri e Malësorja më s’do t’i përjetonin, sikur në vendlindje, që tani po e linin.
Ia ndjente zemra Gurit se shumëçka do të përmbyllej atë ditë, sapo t’ia kthente shpinën vatrës, vendlindjes, atij vendi të bekuar, ku i hodhi hapat e parë në jetë.
Ora veç kishte mbërrijtur në pikin e ditës dhe çdo gjë ishte gati. Erdhi çasti për t’u nisur rrugës për në qytet. Guri urdhëroi të bijtë të fillojnë rrugën e t’i ngjiten rrëzës së bjeshkës me dy qerret e ngarkara me plaçka e gjësende shtëpiake. Të ngjiteshin asaj rruge, ku vite të tëra nëpër borë e shi kishte kaluar në këmbë, kur shkonte e kthehej nga kurbeti.
-Malësore, filloni ju, nisuni, se unë edhe pak po çmallem me këtë vend të bekuar!
Pa një pa dy, mori një krah dru dhe vajti e ngarkoi oxhakun, ngase s’deshi që ta lërë të fikur edhe për disa çaste. Nuk vonoi dhe tymi nisi të dilte përmbi pullaz sërish. E Guri si pa dashje tha nën zë:
-Mos u dorëzo, oxhaku im, po të thotë Guri!
-Ndizu, ndizu! Jeto e mos u dorëzo, se unë Guri me kaq e pata me ty! E mua më fal, se më duhet të të braktis! Po të lë vetëm!
Tymi filloi të ngjitej në lartësi të bjeshkëve, kurse qerrja ngadalë po humbte në rrugën e pakthim të pyllit.
Guri hecte me hapa të ngadalshëm, duke shikuar sa tymin që po ngjitej lart drejt qiellit të kaltër, sa në qerren që ish larguar bukur shumë. Kështu Guri dhe Malësorja po e mbyllnin një faqe historie të jetës së tyre të Lisnajës, për ta hapë faqen tjetër të jetës së panjohur që do ta vazhdonin në qytet.
Malësorja e përlotur qëndronte ulur në qerre me shpresën se do ta shihte edhe për ca çaste tymin e oxhakut, që daravitej në qiell.
Çaste prekëse, të rënda si vdekja.
Eh, sido që të jetë, jeta duhet të vazhdojë!

E postoi Prof. Zymer Mehani

Shperndaje ne
Updated: 31 Tetor, 2016 — 21:44

The Author

Shefki Pervetica

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.