Çamëria është çështje shqiptare, kemi të drejtën të kërkojmë zgjidhje bazuar në të drejtën ndërkombëtare…

Edi_Rama_Kuvendi02Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule akuzoi kryeministrin Rama për sulm ndaj minoritarëve në Himarë, të cilëve sipas tij, po u shemben shtëpitë me qëllim që të mposhtin frymën e tyre dhe t’u grabisin pronat. Duke përmendur urdhrin për heqjen e flamurit turk nga shkollat e një fondacioni armik të Erdoganit në Turqi, Dule la të kuptohej se kryeministri Rama po zbaton urdhrat e presidentit turk edhe për sulmin ndaj minoritarëve në Himarë.

Kreu i PBDNJ-së replikoi me kryeministrin duke thënë: “Ju shmangët thelbit të problemit. Po rrëzoni të gjitha ndërtimet e paligjshme në Himarë? Filloni nga mentori juaj, Kokëdhima. Po je i sinqertë nise prishjen e ndërtimeve pa leje nga Sarajet e Qeparoit. Mu drejtuat se jam duke u përpjekur ti bëj armiq vendit. Jam përpjekur ti bej miq të këtij vendi aq sa mundem, por është shumë e vështirë me një kryeministër të tillë. Më akuzuat se po përpiqem të nxi këtë qeveri, por a ka qeveri më të nxirë në këto 25 vite që t’i shtosh dhe një nuancë më tepër?”.

Duke replikuar me Dulen, kryeministri Rama theksoi se e folura në greqisht nuk do ta bëjë kurrë Himarën që qytet grek.

“Kur them se as e folura shqip në Athinën e djeshme nuk e bën Athinën sot një qytet shqiptar, as e folura në greqisht sot nuk ka për ta bërë kurrë Himarën një qytet grek nesër. Çështjet duhet ti zgjidhim nën dritën e shembujve të panumërt të miqësisë, vllazërisë, njëlloj të udhëhequr nga e mira  përbashkët. Dy popuj fqinjë dhe miq ne zemër të Europës në një shekull të ri sfidash të rajonit dhe familjes europiane, të cilës bashkërisht i përkasim”, u shpreh Rama.

Duke i cilësuar të pabaza akuzat e Vangjel Dules për sulm ndaj minoritarëve, Rama tha me ironi se “zëri i Dules ngrihet vetiu qoftë sikur në ëndërr ti dalë një tjegull që del nga çatia e Himarë”.

“Këtë herë na ka dalë që banorët e prekur nga projekti i ri i Bashkisë së Himarës në fakt na qenkan deklaruar grekë”, tha Rama.

Në fjalën e tij, Rama ka folur edhe për çamët.

“Nuk ka histori e të drejtë ndërkombëtare që e pranon që popullsia çame paska qënë bashkëpunëtore më nazizmin. Nuk ka të drejtë ndërkombëtare në Botë që pranon se edhe në se paskan qënë bashkëpunëtore me nazizmin popullsia çame të dënohet brez pas brezi duke i mohuar çdo të drejtë njerzore ashtu siç kanë bërë grekët me popullsinë çame.

E shkuara nuk mund të jetë një pengesë për të ardhmen e përbashkët të popujve tanë. Përkundrazi zgjidhja e bazuar në të drejtën ndërkombëtare janë në interes jetik për të dyja shtetet. Së pari ne dëshirojmë që lufta të mbarojë. Ne mirëpresim një akt të vlefshëm që të shfuqizojë dekretin mbretësor që i cili e konsideron shqipërinë  dhe greqinë në gjendje lufte.. një mbetej arkaike e mbetur aty e riciklueshem nga cdo qeveri si një kujtim, jo sepse është nëj akt që krijon pasoja konkrete për qytetarët shqiptarë.

Vangjel! Në qoftë se nuk të pëlqen çam s’ka problem, janë shqiptarë, në qoftë se nuk të pëlqen çështje çame ska problem, është çështje shqiptare, dhe për këtë çështje kemi të gjithë të drejtën të kërkojmë zgjidhje bazuar në të drejtën ndërkombëtare”, tha Rama.

Shperndaje ne
Updated: 3 Nëntor, 2016 — 21:09

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.