VËSHTRIM PËR PËRMBLEDHJEN “PËR TY” TË POETIT, ESAD MEKULI

1-Esad-Mekuli

 

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Përmbledhja PËR TY e Esad Mekulit u bë shumë shpejt libër kult. Autori e ndan librin në tri cikle sipas kriterit kronologjik:
__ Në hijen e robnis (1933-1940)
__ Flamujt e shpaluem (1941-1944)
__ Jeta e re (19445-1953)
Vetë titujt e këtyre kapitujve poetikë tregojnë që emërtimet lidhen me një ide të zhvilluar në tri kohë për lirinë e popullit të tij. Dhe natyrisht në ballë të këtyre kapitujve del poezia e veçantë “Popullit tim” .
Esad Mekuli në shënimin në fund të librit drejtuar lexuesve, jep shpjegime për përbërjen e librit dhe për historinë e shkrimit të tij poetik. Mekuli jo vetëm ndiqte modelin e poetit të angazhuar, po mbi të gjitha e shihte veten ideolog të lirisë e të barazisë së popullit. Kjo lidhje e artit me politikën i ka sjellë atij probleme të mëdha.
Këto ndeshje kanë lënë gjurmë në poezinë e tij, e cila shkon nga rebelimi në përshtatje , nga kryengritja në himnizim, nëpërmjet hoveve e tërheqjeve , ashtu si u zhvillua jeta në Kosovë, herë si iluzion i lirisë, herë si vetëdije për robërinë e mashtimit. Të gjitha këto lëkundje tragjike nuk duken askund më qartë se në poezinë e Esad Mekulit.
Uni poetik i Esad Mekulit ndahet në tri une, në varësi nga koha e shkrimeve. Uni ekspresiv, më i forti, ku poeti njëjtësohet me aktin poetik, shfaqet te vjershat e para (Unë). Uni i shpallur haptas , ku poeti shfaqet si ideologu i lirisë (Popullit tim ), dhe uni gjykues, shfaqet me ambicien për të gjykuar kohët e brezit që ëndërron dhe synon përjetësinë (Gjykimi).
Veprimtaria e E. Mekulit kalon nëpër tri faza që janë:
– Periudha e krijimeve letrare të shkruara para Luftës së Dytë Botërore
– Periudha e krijimeve letrare të shkruara gjatë Luftës së Dytë Botërore
– Periudha e krijimeve të shkruara pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Poezitë më të thella të këtij autori janë ato të shkruara para Luftës së Dytë që përmblidhen nën titullin e përbashkët “Nën hijen e robins”. Këto vjersha me një fuqi të madhe shprehëse e me emocion të veçantë, japin trazime personale dhe shfaqje të gjendjeve shoqërore të shprehura me një gjuhë mjaftë sintetike.
Ato janë shumë të ngjajshme me poezitë e Migjenit (që janë shkruar përafërsisht në të njëjtën kohë). Këtu provohet thënia se rrethanat e ngjajshme shoqërore e shpirtërore i bëjnë të ngjajshëm poetët shqiptarë të një brezi, dhe kur nuk e njohin njëri-tjetrin.
Esad Mekulin nuk e ka munduar numri i veprave, siç ndodh sot, kur ka raste që një autor të botojë 3-4 vepra brenda vitit, por e ka tërhequr fjala e bukur dhe e angazhuar. Edhe të kishte shkruar vetëm veprën “Për ty” ai do të mbetej poet dhe poet i dashur që mund të lexohet në çdo kohë. Poezive të bukura nuk u kalon koha kurrë.
Poezinë e tij e karakterizon bukuria e shprehjes, stili i rrjedhshëm i të shkruarit me një harmoni të veçantë të të gjitha elementeve poetike, guximi për t’u rrokur për tema të nxehta e të ndjeshme, me të cilat vështirë që kanë guxuar të merren politikanët dhe institucionet e kohës.

Shperndaje ne
Updated: 7 Nëntor, 2016 — 12:38

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.