NJË KOMUNIKIM MIQËSOR MES EPIROTASIT DHE ARVANITASIT Z. Th. PANGALOS

suliotet_shqiptare01

fahri_dahri_reja

Nga Fahri Dahri
Më, 09 tetor 2016

                            I nderuar z. Pangalos!,

Ju uroj përzëmërsisht për adhurimin mbresëlënës që tregoni për origjinën tuaj arvanite. Personalisht nuk heq asnjë presje për sa shkruani në artikullin: “Aρβανίτες και Αλβανοί” ku bëni për arvanitasit, sepse kështu qendron e vërteta. Ashtu siç ju shkruani, të gjithë popujt gjatë periudhës së pushtimit bizantin quheshin “bizantë”, më pas popujt që u pushtuan nga perndoria “ottomane” quheshin ottomanë, e kështu deri sa u arrit që popujt të zgjoheshin dhe të kuptonin se duhej të “mblidhnin mendjet” për tu shkëputur nga “kombi roman”, “bizantin” apo “ottoman”, domethënë të shkëputeshin nga identitetet e pushtuesave dhe të bashkoheshin në bazë fisesh, gjuhe, zakoneve dhe territoreve, pra, ashtu siç e rrëfeni edhe ju, u arrit tek ndërgjegja kombëtare.

Edhe pasardhësit e dardanëve, arbërorëve, kaonëve, thesprotëve, me nën fiset e tyre (banorët e atyre fiseve që nuk ishin larguar nga vendi i të parëve) arritën mbas shumë peripecish të shfaqnin “ndërgjegjen kombëtare shqiptare”, pavarësisht se ishin të fundit në Ballkan, por e “mblodhën mendjen”, siguruan të ardhmen e ruajtjes së fiseve, të gjuhës (me gjithë dialektet), territorin, zakonet, etj.

Sikundër shpreheni mjaft qartë dhe bindshëm për krenarinë që ndjeni për origjinën tuaj, ashtu edhe ne, që nga viti 1700 e këndej që quhemi shqiptarë, kemi po ato ndjesi si dhe ju, jo për qindra mijë, por për miliona njerëz që kanë parakaluar ndër nesh (sigurisht bashkë me ju) duke trashëguar brez pas brezi nga familjet e tyre krenare, të nderuara, të dijes dhe pushkës, që jo vetëm luftuan për çlirimin e vendit të tyre, por dhanë kontribute shumë të çmuara edhe për çlirimin e popujve të tjerë, bile duke i ndihmuar paasnjë rezervë për fitoren e pavarësisë së tyre, siç është edhe fqinji ynë, shteti Grek.

Gjatë shekujve, popujt tanë, si fqinjë që jemi, po thuaj kanë patur pushtues të njëjtë, sëbashku kaluan të mirat dhe të këqiat, ashtu siç edhe ju i permendni, duke na sjellë në kujtesë suliotët, arvanitasit ku shumica e tyre nuk dinin greqisht, por u a mësuan kishat. Drejt shpreheni për pamundësinë e ndërhyrjes së besimeve fetare në marrëdhëniet mes dy popujve tanë, dhe e argumntoni me luftën kundër Ali Pashë Tepelenës, ku aleatët kryesorë të arvanitasve krishterë të Sulit ishin çamët myslimanë. Pra në ata shekuj, feja nuk kishte rrënjë të thella dhe nuk arriti të depërtonte tek ndjenjat fisnore, traditat, zakonet, territorin, fqinjësinë. Por me fitoren e arritur, ishte pala greke në ato vite, që e shkeli marrëveshjen me çamët myslimanë dhe ish kryengritësit plaçkitën dhe përdhosën fshatrat myslimane të rrethinave të Artës, Prevezës, Filipiadhës, veprime që njihen nga historia.

Historia dhe gojëdhënat, gjysh pas gjyshi, na e kanë bërë të njohur prejardhjen tonë, ajo është e kapshme, jo shumë e lashtë, e cila filloi të shpërbëhet nga romakët në dy shekujt e fundit para Krishtit, me coptimin e Ilirisë në katër pjesë, duke e bashkuar me fise të huaja, të ardhur prej veriut të lumit Danub, etj. që pa asnjë dyshim, ju arvanitasit dhe arbëreshët i dini fare mirë. Prandaj në ato kohëra, nuk kishte popull me emërtimin shqiptar, as grek, as gjerman, as italian, apo francez, turq etj. Por e sigurtë ishte që kishte fise të ndryshme ilire, që nga veriu i gadishullit të Ballkanit deri në jug të tij, në Peloponez.

Nuk është vendi për tu ndalur tek fiset ilire të asaj kohe, sepse dihen nga tekstet e historisë, por duhet theksuar se për arësye që dihen, po thuaj 2/3  e popullsisë së trungut të fisit arbëror, u çvendosën nga Arbëria dhe morën dy drejtime. Një pjesë u vendos në Thesali, Greqinë qendrore, More etj, gjatë atyre shekujve që ju citoni; ndërsa një pjesë tjetër, sidomos gjatë shekullit të 15 mori drejtimin për në Itali. Të parët quhen edhe sot arvanitas, nga fjala arbanë (por shkronja “b” në greqisht lexohet “v”), dhe të dytët quhen arbëreshë, po nga fjala arbanë. Të dy, janë ish arbanët e shekujve 12, 13, 14, 15. Ndërsa ata që nuk u larguan nga vendi autoktone (ishte pjesa e tretë e popullsisë ish ilire), nga viti 1703 morën emrin “shqiptar”, por janë po ai trung arbëror. Kështu, sido ti vërtisim emrat: arvanitas, arbëresh, allvanoi, shqiptar, baza e emrit të popullit është arbër dhe vendi quhet Arbëri, Albani, por ja që quhemi edhe shqiptar dhe vendi quhet Shqipëri. Pra është i njëjti brumë, i gatuar me miellin e gjuhës, traditës, vendorigjinës së truallit të Ilirëve.

            E shoh me vend të ndalem në disa çështje që ju me të drejtë i trajtoni.

  • Deri para krijimit të shtetit Grek, dhe sidomos para “Megalloidesë”, marrëdhniet mes fiseve arbërore, mollose, kaone dhe thesprote, me fiset përkatëse greke, ishin të pëlqyeshme, pa konflikte, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe, sç cilësohet nga ju, “as feja nuk mund të shpjegojë marrëdhëniet midis dy popujve”. Por me konsolidimin e shtetit dhe kishës greke, filluan diferencimet fetare, prej tyre edhe dallimet etnike, pra dolën në pah, egoizmat e epërsive fetare dhe prej tyre përcaktimet e kombeve. Kisha greke, përfaqësonte besimin ortodoks, shpalli për kombësi greke, të gjithë njerëzit e besimit ortodoks. Pra çdo i krishterë ortodoks, sipas kishës greke, është grek, ku u përfshitë edhe ju arvanitasit. Ndërsa pjesa e popullit arbëror, që nuk u lagua nga vendi autokton, mbeti “arbëror”, as grek, as sllav, as turk, pavarësisht nga tre besimet fetare (katolik, mysliman dhe ortodoks). Këtu është pikënisja e synimeve për shpërbërjen e identitetit të të njëjtit popull, të cilat me mjeshtëri u shfrytëzuan nga kishat dhe xhamitë, duke i cilësuar arvanitasit grekë dhe shqiptarët, me që shumica ishin shndërruar myslimanë, i cilësoi turq, ose siç përdoret edhe sot, sidomos nga fillogrekët, “turkoshakë”.

    Në parantezë, prej këtyre grupimeve, kur i erdhi shansi në derë shtetit dhe kishës ortodokse, në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, përfshi dhe atë Ballkanike, realizoi pastrimin e kombit grek nga jo ortodoksët, me metoda çnjerëzore, vrau, theri, i çpronësoi dhe i dëboi dhunshëm të gjithë banorët autoktonë të etnisë shqiptare nga trojet e veta. Gjesti i fundit tepër tragjik ishte masakrimi i çamëve myslimanë të Thesprotisë-Çamërisë. Absolutisht shteti Grek nuk duhej ta lejonte atë kasaphanë që përfundoi në gjenocid.

    Arvanitasit, me që ishin të besimit ortodoks, u vetshpallën, ose “gëlltitën”kombësinë greke, e përjashtojnë të qënurit me origjinën e djeshme arbërore; ndërsa arbëreshët e italisë, pjesërisht ortodoksë dhe katolikë, e pranojnë origjinën arbërore, ruajnë gjuhën, zakonet, traditat dhe respektojnë vendin e paraardhësve të tyre, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje për të krijuar marrëdhënie të mira mes shtetit Italian me Arbërinë e tyre (Shqipërinë) dhe ja kanë arritur. Shqiptarët, ose alvanoi, siç e shprehni dhe ju në krye të shkrimit, i kanë konsideruar dhe i konsiderojnë vllezër të një gjaku, të një gjuhe, me zakone dhe tradita të njëta si arvanitasit dhe arbëreshët, sepse të tillë jemi. Por fatkqësisht, feja tek disa, ka ndikuar jo drejt.

            Ne, shqiptarët, ose alvanoi, nuk e përcaktojmë identitetin kombëtar me besimin fetar cilido qoftë ai, por nga etnia, gjuha, zakonet, traditat, farë e fisi, territory. Prandaj, krahas ndërgjegjes tonë kombëtare, ashtu dhe tekstet e shqiptarëve, qofshin katolikë, myslimanë apo ortodoksë gjatë Rilindjes, u përpoqën mes përndjekjeve çnjerëzore që u bëheshin nga patriarkane e Stambollit, nga sulltanati, etj. që të mos shkruhej gjuha shqipe, ose gjuha e arvanoit, por ata, ortodoksët shqiptarë, myslimanë apo edhe vllahë që ju i cilësoni, nuk u ndikuan nga besimet fetare dhe krijuan alfabetin shqip, që sot njihet nga të gjitha shtetet, besoj kjo dihet edhe tek ju. Këtu gjenden rrënjët dhe arësyeja e tolerancës që trashëgon populli shqiptar, ndaj çdo besimi fetare, etnive, racave, ngjyrave të popujve kushdo qofshin, sikundër nuk kemi pushtuar territore të të tjerëve, përkundrazi  të tjerët na kanë rrëmbyer.

Nisur nga sa sipër, personalisht kam arritur në përfundimin se: “Nëse arbëreshët dhe sidomos arvanitasit, do të arrijnë të kuptojnë se Arbërisë dhe Epirit në mesjetë dëmet katastrofike i janë shkaktuar nga përcaktimi i kombit mbi baza fetare, atëhere do arrihet të vihet në vend njësimi etnik mes nesh. Do të rritet respekti dhe uniteti i vllazërisë arbëroro-epirote-shqiptare, i munguar pothuaj prej 6 shekujsh. Kjo,  rrjedhojë e nxitjeve përçarëse sllavo-greke me petkun e besimit fetar, pa lënë mënjanë edhe pasojat jo të mira që kërkoi të kultivonte komunizmi botëror.

  • Nëse arrihet të thuhet një e vërtetë historike nga ana shqiptare, nuk duhet dhe as nuk është e arësyeshme që ajo të keqkuptohet nga pala greke. Sigurisht në shekullin e 17, deri diku është e vërtetë që nuk kishte shqiptar me emërtim, por dihej edhe se kush nuk ishte grek. Nëse në kohën që jetoidespoti i Athinës-Dushmani, “në qoftë se në të vërtetë quhet Dousmanis?”, siç dyshoni juve, nuk quhej shqiptar, deri sa nuk njiheshin me këtë emërtim, atëhere ishte mollos, kaon, thesprot etj. por jo grek. Personalisht nuk arrij ta konceptoj të trajtuarit e një njeriu që ka kryer vepra të mëdha, me origjinën, por do ta përgëzoj dhe lavdëroj për vepën e tij, kjo është kryesorja, origjina përdoret për të kuptuar fqinjësinë e mirë mes popujve. Homeri, Enea, Herakliu e shumë të tjerë, kanë lënë vepra të pavdekshme që çmohen. Për origjinën e tyre, ju andej thoni se janë grekë, kur në kohën e tyre nuk kishte emërtim grekë; ne këndej themi janë shqiptarë, kur nuk kishte emërtim shqiptarë, etj. etj. Megjithatë, edhe gjatë mesjetës kemi fenomene të tilla, por që nuk duhet të shqetësohet askush. Fakte të tilla, ndeshim në rastet e të krishterëve suliotë dhe të krahinave të tjera si ajo e Çamërisë, ku kishte edhe krishterë edhe myslimanë që luftuan krah për krah me fqinjët e tyre grekë kundër ç’fardo pushtuesi. Përmenden heronjtë si Boçari, Xhavella, Karaiskaj, Kollokotroni, etj etj. dhe nuk sjellin shqetësim kur edhe ata ishin jogrekë, por të krishterë të Çamërisë, apo të rajoneve të tjera, por jo grekë?. Sado të deklarohen raste të tilla, nga e vërteta nuk duhet të trembemi, as të trimërohemi, por ashtu siç e përmendni edhe ju në fillim të shkrimit, duhet të krenohemi, të nderohemi me njerëz që kanë dhënë për popujt e të dy vendeve tona. Unë personalisht kështu e konceproj dhe kam bindjen se kështu është e drejta.
  • Ju shpreheni se arvanitasit, si dhe disa të krishterët suliotë që nuk dinin greqisht, e mësuan gjuhën greke në kishë. Kuptohet ashtu ka qenë dhe, të mësosh gjuhë të tjera nuk është herezi. Të folurit arvanitase, nuk duhet të trajtohet si dialekt dhe si dialektet e tjera qenka folur nga arvanitasit deri sa televizioni i zëvëndësonte me greqishten. Personalisht nuk e quaj aspak dialekt, por është gjuhë nga më të vjetrat. Lidhur me shuarjen e saj dhe zëvëndësimin e gjuhës greke, e cila erdhi si rrjedhojë e televizionit, na jep të kuptohet se gjuha arvanitase është censuruar, megjithë është e ditur, mbasi shteti Grek nuk e njeh dhe nuk e lejon të flitet gjuha arvanite, apo shqipe ose arvanoi, sepse me njohjen e gjuhës arvanite, detyrohet të njohë pakicat etnike. Kjo gjë do ishte “vdekjeprurëse”për kombin grek, prandaj gjuha arvanitase, po vjen duke u shuar nga brezi në brez tek arvanitasit, qartësisht theksohet nga ju me gjyshen dhe vajzën, që me njëra-tjetrën komunikojnë arvanitçe dhe grekçe, veprime të ndërgjegjshme në synim të përmbushjes së strategjisë “Megalloidesë”.
  • Një çështje tjetër që e vlerësoj për ta trajtuar, është pikërisht vendi që zënë arvanitasit në shtetitn Grek. Ju shpreheni qartë kur thoni se: “Arvanitët janë një komponent i rëndësishëm i grekëve të sotëm”. Konkluzioni juaj është i saktë. Në strukturën e përbërjes së kombit grek, arvanitasit renditen të dytët, me 40- 45 % të popullsisë, mbas të ardhurve aziatikë nga Turqia, sipas marrëveshjes greko-turke të “antallaisë”. Ky realitet, i njohur edhe nga ju, vetvetiu krijon një boshllëk të theksuar në zbatimin e parimeve themelore të të drejtave të njeriut, sidomos kur ndodh në shtete demokratike.

 Duke qenë komponent i rëndësishëm i shtetit Grek, është e pajustifikuar mos përfshirja e gjuhës arvanitase në Kushtetutën e Republikës së Greqisë, si gjuhë zyrtare dhe njohja e etnisë së kësaj popullsie, por ndodh e kundërta, gjuha arvanite, ajo që është e bëlbëzuar nga nënat që mëndin fëmijën, po shkon drejt shuarjes dhe zëvëndësohet me gjuhën teknike greke. E theksoj, të dish gjuhë të tjera është kulture, pasuri dijesh, akoma më e nevojshme kur bashkëjeton me një gjuhë tjetër, por të injorohet dhe të shuhet gjuha e origjinës, sigurisht në vështrimin tim, është e papranueshme.

Shuarja e gjuhës së nënës, për banorët e etnive të tjera në shtetin tuaj, është fakt real dhe ju na e përcillni të saktë: “Arvanitët e Atikës dhe pjesës tjetër të Greqisë Qendrore, Peloponezit, Epirit, Thesalisë, edhe në prefekturën e Evros ku ekzistojnë dy fshatra, në Kaso dhe në Arvanitohorin e mrekullueshme si dhe shumë arvanitas në ishullin Kea, ku sot  askush nuk flet gjuhën arvanitase, arvanitasen ka qenë gjithmonë pjesë e formulimit të helenizmit modern”. Ndofta duhet të korigjohen veprimet që nuk i përgjigjen parimeve demokratike, sepse duhet të shkëputemi nga disa karaktere të papranueshme, siç janë këmbëngulja, egoizmi, fetishizimi i njërit apo tjetrit besim fetar, ekspansioni bizantin apo otoman dhe të përulemi sinqeritsht tek parimet themelore të shoqërive demokratike.

Së fundi, kam bindje të plotë se shoqëria shqiptare në Republikën e Shqipërisë nuk ka as më të voglin kompleks, nëse takohet me një apo me shumë arvanitas, askush të mos mendojë se emri apo mbiemri arvanitas do të krijojë probleme të ndërlikuara; përkundrazi tek ne, ndjehen emocione pozitive, vëllazërore, sepse mes nesh rrjedh gjaku etnik, rrjedh trashëgimia e patjetërsuar që nga lashtësia. Askush mos të krijojë ndrydhje, nëse ndjenjat e tij janë të pastra etnikisht, por janë të mirëpritur dhe së bashku të përpiqemi për të krijuar vetëm miqësira reale dhe të forcojmë bashkëpunimin mes shteteve tona, të ndërtojmë vërtet “ura miqësie” dhe jo të ndodhin veprime të papëlqyera, që ngandonjëherë, me keq ardhje disa arvanitas kanë nxjerrë dhe nxjerrin vrerë ndaj shqiptarëve, duke u nisur thjesht nga besimi fetar ndryshe. Me këto sjellje ata duan të tregohen më katolik se “Papa”, themi ne këndej nga anët tona.

Respekte të sinqerta Fahri Dahri

Më, 09 tetor 2016

Shperndaje ne

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.