Histori Kombëtare: Fati i Shqipërisë

skenderbeu-300x191

 

prof_Zymer Mehani

E Pergaditi Prof. Zymer Mehani

(Shkëputur nga libri “SH Q I P T A R Ë T” të George Fred Williams, Tiranë – Shtypshkronja “Dielli” – 1934 )

Asnjeri nuk mundet të thotë se Shqiptarët nuk janë të zotët për vetqeverim, sepse asnjë rast prove nuk u qe dhënë për të formuar një qeveri të vetën. Markezi San Xhuliano ka patur të drejtë që ka thanë: “Shqiptarët janë një fuqi e paprovuar për sa i përket vetqeverimit, as prej vehtes e as prej të tjerëve”. Në zakone, në udhëheqje, në karakter ose në mundësi u ngjajne shumë Skocezëve të hershëm; janë pikërisht si ata të papërkulur dhe liridashës, gjëra që karakterizojnë edhe malësorët e Svicrës. Koha më e volitshme që pritet për vendimin e fatit të Shqipërisë do të vijë kur të bëhen traktatet e paqes Europiane. Kur të vijë kjo ditë, pa lejuar ndërhyrje intrigash e shpirtkeqsije, Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë si avokate të një populli të vogël e pa fuqi që me plot të drejtë e arësye kërkon lirinë e vet. Duhet shënuar se Austria, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, që të gjitha dëshirojnë me e patur Sliqipërinë; është edhe aq e drejtë se asnjeri prej tyre nuk dëshiron që tjetri të dali fitues. Në këtë gjendje të punëve është shpresa më e madhe e Shqiptarve. Ata janë një popull i veçantë, flasin gjuhën e tyre dhe kanë kufi krejt të shquar nga tjerët si në zakone ashtu edhe nga natyra e tokës. Është larg mendjes që Europa të mundi të ushtrojë paqen duke humbur të drejtat e këtij kombi ose duke e ndarë tokën e tyre. Ngjarjet e kohës së Vidit e pasqyrojnë faktin që pa u siguruar liria e plotë e Shqiptarëve është i pamundur ndalimi i luftës dhe parimi për të ndarë tokën Shqiptare do të hapi një plage të re e të helmatisur në politikën e Ballkanit. Dardanelet do të hapin një problem mjaft të rëndë, zhvillimi i të cilit është i tepërt për fuqitë e mëdha, e për këtë nuk është nevoja ta ngarkojnë vehten edhe me një problem tjetër si ky i Shqiptarëve.
Të drejtat e një kombi
Me sa duket, Gjermania dhe Austria nuk e mendojnë më zgjerimin e fuqive të tyre në Shqipëri. Dhe as nuk besohet të kenë ndonjë kundërshtim mbi deklaratat e Sër Eduard Greit që thotë: “Gjithë kombet e Europës të jenë të lirë të formojnë sipas dëshirës vetqeverimin e tyre e t’i prinë vetë përparimit të vet në liri të plotë; ky ideal i jonë përfshin pa përjashtim gjithë kombet e Europës, të vegjël e të mëdhenj”. Kjo deklaratë mëshiron të vërtetën dhe të vetmin parim mbi të cilin mund të bazohet një paqë pak a shumë e gjatë. Kjo përjashton çdo marrëveshje e çdo mendim për të hequr Shqipërinë nga radha e shteteve. Meqenëse fuqitë e mëdha janë detyruar me dhënë pavarësinë Shqiptare si shtet, deklaratat e Sër Eduard Greit janë një garanci për vetqeverimin e tyre. Pra, vetëm një konditë mbetet për t’u mbushur nga Shqiptarët vetë, dhe kjo konditë është nënshkrimi në mes tyre dhe organizimi kombëtar. Në qoftë se Shqipëria është e zonja me dalë para Konferencës së Paqes me prova të sakta se ka zotësi të vetqeveriset, lutjet e saja për liri dhe për të mbledhur gjithë tokat që i përkasin në bazë të së drejtës do të jenë të pranueshme dhe pa vonesë.
Opinioni popullor i Shteteve të Bashkuara mund t’i kujtojë mundimet e veta për liri dhe mund të bashkohet me ta. Prandaj dera e lirisë është e hapur për Shqiptarët. Unë kisha me thënë se ata e kuptojnë rastin, por meqenëse janë të këputur e të varfër kanë nevojë për ndihmë që ta realizojnë krejtësisht faktin. Sigurisht Amerika nuk mund të gjejë rast më të nderuar bamirësie se sa me ndihmuar dhe me udhëhequr Shqiptarët për të siguruar një paqe kombëtare dhe një rregull të mbrendshëm. Një rast i tillë nuk ka shembull në historinë moderne. Organizatat e paqes mund të shpenzojnë miliona në bamirsira, por kurrë nuk kishin me bërë punën që bëjnë pak mijra duke i përdorur për të ndihmuar këtë popull të varfër, të munduar, të vuajtur e të shpërdoruar, për të formuar një qeveri dhe si komb i organizuar të dali para Konferencës së Paqes e të kërkojë autonominë e vet dhe “vendin e vogël nën rrezet e Diellit”. Është shpresë e madhe se prej këtij konflikti kontinental do të lindi një vllazëri e re në mes të kombeve dhe meqenëse Shqipëria nuk ka autoritet të brendshëm për shkak të atyre që ndezin cmira apo zemërime në konflikte, ajo do të jetë i vetmi shtet që do të kërkojë më tepër vetminë dhe qetësinë pa u perzjerë në ngatërresat e të tjerëve.

Shperndaje ne
Updated: 15 Nëntor, 2016 — 06:56

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.