Etnogjeneza iliro– shqiptare e harruar …

moikomo_zeqo_qytetet_arberore_te_harruara

Nga Dr. Moikom Zeqo

Para disa ditësh isha në qytetin dikur shumë të famshëm në mesjetë të Drishtit. Drishti, njësoj si Shkodra, ka pasur një statut, një kodik juridik të rrafshit europian në kohën e vet mesjetare. Ende janë disa rrënoja të kështjellës, rruga kalldrëmore, një sternë e madhe, stema heraldike në muret e shtëpive dhe relikte të tjera, që dëshmojnë madhështinë e zhdukur. Tashmë Drishti është një fshat i rrënuar frikshëm, i harruar nga Zoti dhe njeriu. Ura madhështore e Mesit që lidh Postribën me qytetin e Drishtit, një kryevepër inxhinierike e ndërtimit, është lënë pa asnjë kujdes, u është ekspozuar dëmtimeve serioze dhe shteti shqiptar nuk tregon asnjë vullnet dhe projekt të restaurimit.

Një turp për shtetin shqiptar të vitit 2016. Ky motiv është stimulimi i këtij shkrimi apel! Drishti është një qendër e qytetërimit shqiptar mesjetar dhe tani është një gërmadhë. Ka një problem të madh shkencor dhe njëkohësisht shoqëror: një grumbull i madh monumentesh që lidhen me Veriun e Shqipërisë, por edhe të Shqipërisë Qendrore gati janë harruar fare dhe janë lënë në mëshirën e fatit. Pse vallë?

Ky shpërpjesëtim është tragjik. Instituti i Arkeologjisë, në fakt departamenti i Arkeologjisë, në Tiranë këto vitet e fundit është marrë brenda mundësive, ose edhe në lidhje me disa projekte të të huajve vetëm me disa gërmime në Jug të Shqipërisë, kryesisht në Parkun Arkeologjik të Butrintit, në Finiq, në Sarandë, në Apoloni dhe në Durrës. Në këto qendra arkeologjike ne kemi pasur një traditë gërmimi të hershme. Në këto, krahas kulturës ilire, ka edhe kulturë greke dhe romake. Por arkeologjia shqiptare nuk është marrë pothuaj fare me qendrat arkeologjike të Veriut.

Janë harruar gërmimet institucionale në Mat, është lënë krejtësisht pas dore Gërdheshi, janë injoruar qytetet arbërore të Sapës, Drishtit, Shurdhahut, Balecës dhe Danjës. Tërë zona rreth Shkodrës, që ka qenë kryeqendër e shtetit ilir apo provinca e Prevalit nuk ka gërmime arkeologjike, për rrjedhojë as studime madhore shkencore. Kryeqyteti i shtetit ilir, Shkodra, është gati e harruar, por një epik arkeologësh polakë kanë vite që gërmojnë brenda perimetrit të kështjellës së Shkodrës.

Po pse shteti shqiptar është krejt indiferent në këtë pikë konceptuale të trashëgimisë? Pse Ministria e Kulturës as nuk ia ka idenë rëndësisë kolosale dhe të patjetërsueshme të kryeqendrës së Shkodrës? Nuk janë bërë gërmime në Shqipërinë e Mesme, është një hartë e tërë me monumente antike, por edhe mesjetare, sidomos një numër i madh bazilikash krejtësisht të pavëzhguara dhe studiuara. Mundet që kushtet dhe mundësitë e departamentit Arkeologjik janë të pakta. Por është e padrejtë që të lihen në heshtje, sidomos grupi i qyteteve arbërore të Mesjetës.

Qytetet arbërore përbëjnë dëshmi më të fortë të formimit dhe zhvillimit të popullit shqiptar, që lidhet me etnogjenezën iliro– shqiptare. Për sa i përket problemit ilir, edhe të ndërthurur me kulturën greke dhe romake, kjo është një çështje e hapur shkencore, ku shpesh ka edhe teza të dështuara. Dihet që kombi shqiptar u formësua në antikitetin e vonë në shekujt V dhe VI pas Krishtit. Kjo kulturë e hershme arbërore shpesh njihet në arkeologji si kultura arbërore e Matit. Mbi bazën e kësaj kulture u ngritën qytete të fuqishme arbërore që kanë një rol kolosal për zhvillimin progresiv të Mesjetës shqiptare që nga Dhimitri i Arbërit në shekullin e XII, nga epoka e principatave shqiptare deri te shteti i Gjergj Kastriot Skënderbeut në shekullin XV.

Pse duhet lënë pas dore këto monumente të patjetërsueshme? Mos vallë atributit i turizmit të lidhur me arkeologjinë qenka vetëm për Jugun e Shqipërisë? Si ka mundësi të harrohet Veriu i Shqipërisë, trevë e plleshme shumë e rëndësishme e qytetërimit shqiptar, madje e dy monumenteve kolosale e Eposit të Veriut dhe e Kanunit të Lekë Dukagjinit? Mosvlerësimi shkencor ka bërë që arkeologët dhe studiuesit të heqin vëmendjen nga jeta e zhvilluar qytetare e shqiptarëve në Mesjetë. Unë që po shkruaj këto radhë këto vitet e fundit kam udhëtuar dhe parë shpesh qytetet arbërore të Veriut, ku nuk shkojnë më arkeologët, por as edhe restauruesit e Institutit të Monumenteve.

Nuk është e drejtë të mos ketë projekte arkeologjike dhe të turizmit për këto qytete arbërore, që përbëjnë një dëshmi të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme të qytetërimit shqiptar, si dhe të problemit të madh shkencor të origjinës dhe formimit të kombit shqiptar. Një harresë e pajustifikuar apo indiferenca është krim. Kurrë nuk duhet harruar kjo gjë!

Shperndaje ne

The Author

Dr. Moikom Zeqo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.