Paqja e Europës

i

 

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

(Shkëputur nga libri “SH Q I P T A R Ë T” të George Fred Williams, Tiranë – Shtypshkronja “Dielli” – 1934 )

Simbas opinionit tonë, paqa e Europës do të jetë një zbutje e përgjithshme. Në të tilla raste paraqitja e Shqipërisë si komb i vetqeverisur patjetër do të sigurojë lirinë e saj. Sikurse çdo shtet tjetër i Ballkanit, as Shipëria nuk mund të coptohet e t’u ndahet shteteve fqinjë. Europa që do të bëjë paqen dhe ka krijuar shtetin e pavarur të Shqipërisë nuk mund ta mohojë dhënien e lirisë së plotë në qoftë se Shqipëria e organizuar u del përpara dhe ngul këmbë në të drejtat e veta. Një shtet i formuar në këtë mënyrë nuk do të ishte një kanosje për paqen e Ballkanit; nuk do të mund të kishte flotë që të alarmojë Italinë ose Austrinë në Adriatik. Ngritja e hekurudhave dhe përmirësimi i porteve të saj do të lejonin miqësisht dhe me anë traktatesh tregtare edhe daljen e Serbisë në Mesdhe se sa me shkelje e barbarizma. Shqipëria e pavarur nën zhvillimin e saj ekonomik do të niste një jetë të re duke kthyer shpatat në plugje, rrugët e verbëta në rrugë të gjëra, katundet në qytete të vegjël dhe qytetet e vegjël në qytete me rëndësi. Shqiptarët, përveç të drejtës, mund të kërkojnë edhe ndihmë nga Europa, sepse mbi Europën e krishterë bie përgjegjësia dhe shkaku që ky popull qe bërë skllav e qe varfëruar. E kam thënë që Europa e krishterë në kundërshtim me protestën time shkaktoi që të emigrojnë në qarkun e Vlorës 100’000 katundarë, të cilët tani po zhduken nga uria dhe as vend ku me shtirë kryet nuk kanë; e vetmja çati e tyre është qielli.
Detyra e krishterë
Ndaj Shqiptarëve, krishtërizmi Europian dhe mohamedanizmi shkaktojnë si njëri ashtu dhe tjetri varfërinë dhe robërinë. Krishtërimi që në Shtetet e Bashkuara jep liri të plotë, vetqeverim, lumturi e mbi të gjitha dashurinë, do të japi një shembull vllazërimi dhe bashkimi në mes të Shqiptarëve. Kundër gjithë shpifjeve që i janë ngarkuar këtij populli me fjalën e ngurtë “barbar”, unë vej këto fjalë të zotit Erikson, i misionit Amerikan, i cili është dhënë mbas Shqiptarëve, ka punuar dhe ka vuajtur me ta: “Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm në Europe sesa Shqiptarët. Ata si elementë fuqie, burrnie dhe kuraje mblidhen me më të madhen besnikëri dhe japin jetën për fjalën e dhënë”. Shqiptarët njohin Mohamedin dhe Krishtin si profetë, por më kot u luten si për njërin ashtu edhe për tjetrin. Në emër të kujt t’i bëjnë tanimë lutjet për lirinë e tyre? Unë kam një besim të qëndrueshëm se kur shtetet kundërshtonjës të lirisë Shqiptare do të jenë duke heqë frymën e fundit, të përgjakur e të shkatëruar dhe grindjet e konfliktet të kenë marrë fund, vetëm atëhere do të arrijnë në veshët e tyre thirrjet dhe lutjet e Shqiptarëve për lirinë e vet. Shpresat Europiane tani përqëndrohen për një paqe duke u bazuar më shumë mbi drejtesi se mbi forcë në një vllazërim dhe bashkëpunim të përgjithshëm. Një paqe e tillë do të dijë dhe do të pranojë se çdo racë e çdo besim ka të drejtë me ekzistuar dhe se kufijtë e kombeve do të vendosen si është e drejta dhe ku gjejnë më pak kundërshtime.
Detyra e Amerikës
Unë kam në ndërgjegjen time të drejtat dhe lutjet e këtij populli sepse më ra mua shorti të flas e të them për ta të vetmen fjalë shprese, prej një burimi politik, e cila duhet të ishte thënë shekuj më parë. Për këtë arsye dhe më tepër pse unë jam Amerikan, shumica e kryesisë Shqiptarë më shikojnë me një farë mirëbesimi. Edhe tani e ushqejnë shpresën se unë do t’u jap zemër dhe bashkëpunim në mundimet e tyre për liri. Unë vetëm mund të bëj shumë pak për ta, por kam besim të plotë se shtypi Amerikan do të vejë gjithë fuqinë e tij për të ndihmuar formimin e vetqeverimit Shqiptar. Është një qëllim i shenjtë ky, e prandaj Amerika do ta bëjë medoemos.
Rasti i Amerikës
Pres këshilla dhe ndihma prej të gjithë miqve liridashës. Sigurimi i pavarësisë Shqiptare mund të jetë edhe një sherbim i madh për bashkimin Ballkanik dhe për paqen Europiane. Ndihma e Shteteve të Bashkuara mundet, ose patjetër që shkakton lulëzimin e kësaj shkretie të bërë nga duar njerëzish, edhe të japi fruta shumë të mira. Kur parmenda e drujtë të zhduket dhe vendin e saj ta zejë plugu i çeliktë, atëhere toka pjellore e Shqipërisë mund të kthehet nga kullotë e padobishme në ara gruri e drithi, pyjet do të nxjerrin miliona nën një përdorim të mirë, fuqitë e ujrave mund të shfrytëzohen, shtretërit e miniereve mund të hapen, kënetat të thahen e të mbillen, pemishte të mëdha të krijohen, fara të përmirësohet dhe e gjithe bujqësia dhe industria e vendit me metoda shumë të lehta mund të shtohet. Princi Odeskalki i Austrisë thotë se delet e Astrakanit mund të zëvëndësojnë racën e mjeruar të deleve Shqiptare dhe t’i sigurojnë katundarit një të ardhur të mirë. Me një qeveri të mirë, portet dhe lumenjt do të thellohen e do të përmiresohen, do të bëhen rrugë dhe hekurudha, do të bëhen të holla të vendit e do të krijohet kredidhënia dhe shërbimet e postave do të bëhen të qëndrueshme. Pjesët e mëdha të tokave qeveritare do t’u ndahen me vëmendje bujqëve, të cilat nën një administrim të mirë do t’i sigurojnë qeverisë një të ardhur të madhe. Do të ngrihen edhe shkolla dhe do të përgatiten mësues që të zhvillojnë mendjen e të rinjve. Kam folur me mësues në Vlorë të cilët ma kanë treguar shumë të madhe zgjuarsinë e djalit Shqiptar. Në pak vjet kjo lloj pune do t’i ndërrojë kushtet e këqia të sotme. Arkeologëtët e rinj do ta lartësojnë mburrjen e Shqiptarëve për heroizmin e të parëve të tyre dhe do t’i japin shkencës jo më pak se ata të Shlimanit (1822-1890); biles kjo pasuri e pafund në lashtësi është akoma e virgjër.
Shpëtimi i një kombi
Shumë Shqiptarë të Amerikës më premtojnë se janë gati me u kthyer në Atdheun e tyre posa të jepet një farë lirie në Shqipëri. Këta, të bashkuar me disa Amerikanë të vërtetë, do të rikrijonin një tokë të begatë dhe në vendin e tiranisë e të mizorisë së ndryshkur prej shekujsh do të mbillnin farën e lirisë. Doja të thoja se nuk ka rast më të mirë me bërë mirësi në asnjë vend të botës se sa në Shqipëri. Jo, nuk ka rast ma të mirë bamirësie se me vu në vijë vetqeverimin Shqiptar dhe me hap dyert e qytetërimit mbi ta, tëcilat magjia e politikë Europiane i ka mbajtur mbyllur. “Jo bamirësi, por drejtësi” është thirrja e Shqiptarëve. Po si? Këto thirrje të bien në vesh të shurdhët?
Shpirtërimet për liri
E dij se ka burra e gra që do të ndjenin një kënaqësi të madhe duke shikuar këtë popull të mjeruar të kthehet në lirinë e bekuar të të parëve të vet, të cilën natyra e ka përgatitur për ta por njerëz shpirtligj e kanë penguar. Ka burra në Shtetet e Bashkuara që janë gati me i pre rrënjët e tiranisë kudo që të duken; në Shqipëri, a nuk jane këto fare në shesh? Ka shumë gra që me pasuritë e tyre të mëdha kërkojnë të bëjnë bamirësira për shpirtin e tyre. Sa gëzim të madh do të ndjenin këto duke parë një popull që do ngrihej nga fundi i tiranisë drejt lirisë së tij! Ato pastaj do ta kuptojnë vetë bamirsinë e tyre në jeten e rë të një populli të përvujtur dhe sigurisht do të radhiten në fletët e lirisë së këtij kombi. Përmbi retë e zeza të imperializmit dhe të militarizmit Europian, rrezet e shkëlqyera të demokracisë Amerikane duhet t’i ndriçojnë rrugën njerëzve për një jetë më të mirë dhe për idealin pa fund: “Paqë mbi tokë, vullnet të mirë njerëzve”. Këto mund të shkëlqejnë tani mbi Shqipërinë e përvujtur që po kërkon lumturinë e saj me anën e lirisë, se nuk është fajtore për ndonjë ofendim veçse për mbrojtjen e saj. Nuk ka mundim më të mirë se mundimi për të nxjerrë lirinë e një kombi. Me ndihmuar një njeri është një bamirësi; me liruar një popull nga zgjedha është një bamirësi e pavdekshme.
FUND

Shperndaje ne
Updated: 15 Nëntor, 2016 — 20:56

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.