Bashkimi kombëtar, obligim i shenjtë!

Shkruar nga Nehat Hyseni

Sa i përket çështjes së bashkimit kombëtar, që këto ditë u riaktualizua me deklaratat e Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani, se “qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nuk janë duke bërë asgjë për bashkimin kombëtar”. Ky deklarim eksplicit i kreut të shtetit të Shqipërisë ka bërë jehonë të fuqishme pozitive në opinionin mbarëshqiptar, meqë është një kritikë serioze e performansës aktuale të dy qeverive respektive, dmth të Shqipërisë e Kosovës, që aktualisht paraqiten para publikut me skena spektakolare, si ajo e 11 janarit 2014, nga e cila “u tronditën malet” por nuk lindi as miu!

hartaere_jaPra, vërehet shumë qartë se tubimet e tilla midis dy qeverive kanë për qëllim qetësimin e opinionit shqiptar se ato e kanë brengë realizimin e aspiratave të popullit që përfaqësojnë. Por, megjithatë, sjellja demagogjike e tyre nuk mundi të mos demaskohej nga ata vet. Sepse, ata e bënë “namin”, duke ndarë nga 50.000 euro dy qeveritë, dmth gjithsej 100.000 euro për “vëllezërit në Luginë të Preshevës. Këtu u vërejtë qartazi dhe botërisht se sa të papërgjegjshme, minimizuese e përbuzëse ishin dy qeveritë ndaj këtij problemi nga një lëmoshë përbuzëse që e ndanë, siç u shprehë dikush me shpoti, “sikur t’i dhurohet një fëmije një cent dhe t’i thuhet me zemërgjerësi: ja merri këto një cent dhe ndërto pallate dhe ardhmërinë e mirëqenien tënde!”

Për të qenë absurdi edhe më i madh, ato para u vonuan aq gjatë që t’u jipen atyre, sa që as në këto momente nuk e dijmë me saktësi të plotë se a u dhanë, apo jo. Asnjë komb i Europës sot nuk sillet me kaq fodullëk primitiv, demagogji e papërgjegjësi morale e patriotike, se sa shqiptarët dhe dy qeveritë e tyre ndaj çështjes kombëtare.

Dhe, absurdi këtu nuk merr fund. Jo, jo, nuk merr fund. Përkundrazi, asnjë komb tjetër në Europë sot, përveç shqiptarve (dhe serbëve ndoshta) nuk e ka më të përmbushur retorikën e vet politike me aq patetizëm (kuazi) patriotik se sa shqiptarët! Pra, retorikë, “patriotizëm” dhe mburrje kombëtare, sa të duash, por punë hiç. Siç thotë fjala popullore: “Punët si Demushi, e punën si kurrkushi”! Derisa deri dje ankoheshim se “nuk po na len Serbia për t’u bashkuar me Shqipërinë, për të punuar bashkërisht dhe për të realizuar projekte të ndryshme nga lëmi ekonomik, kulturor, artistik e politik, po tani, vallë, kush po na pengon që të bashkëpunijmë pafundësisht në të gjitha sferat e jetës edhepse jemi të vetëdijshëm se bashkimi formal do implikonte shumë barriera e pengesa ndërkombëtare? Por ama, për bashkëpunim të mirëfilltë e vëllazëror midis nesh, nuk ka gjë, nuk mund të ketë kurrfarë barrierash e pengesash të tilla, pos që varet nga vullneti ynë politik dhe dashuria ndaj vlerave kombëtare.

Pra, askush nuk na pengon! Vetëm se vetë na po e pengojmë vetveten.

Nga Serbia u çliruam disi, duke na ndihmuar Amerika e NATO, por nga vetvetja jonë, zor se do del dikush të na shpëtoj. Sidomos në rrethanat aktuale, dramatike do të thoja në të cilën gjendet Kosova tani, e sfilitur e katandisur si është më së keqi nga korrupsioni, papërgjegjësia dhe arroganca, duke e zhgënjyer tmerrësisht popullin e vet që tani ka marrë përmasa dramatike të shpërnguljes dhe ikjes nga “Kosova e lirë dhe e Pavarur”! Ashtu si gjermanët dhe shumë e shumë kombe të tjera, nuk mundën të jenë të ndarë pafundësisht si komb dhe ai dy shtete, mendoj se as shqiptarët nuk do jenë të ndarë pafundësisht.

Por, ajo që duhet të bëjnë doemos dy qeveritë shqiptare dhe të gjithë ne, është obligimi i pashtyeshëm i vendosjes së bashkëpunimit të ngushtë e vëllazërorë midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha sferat e jetës shtetërore, ekonomike e politike, në interes të popullit shqiptar, duke vendosur hallja dhe ura të fuqishme e afatgjata bashkëpunimi të ngushtë, si një organizëm i përbashkët, unik.

Me këtë do vendoseshin themelet faktike të bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të vetëm të shqiptarëve në Ballkan. Urojmë që kjo të ndodhë sa më parë!

Shperndaje ne
Updated: 16 Janar, 2015 — 10:17

The Author

Nehat Hyseni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.