UJI ËSHTË I ÇMUAR NË SHQIPËRI

thirrjet_shqiptare_pellazge_01
Nga MELVILLE CHATER
Shkurt 1931.

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Dy ditë më vonë arritëm në Berat e Elbasan, mallet shtriheshin më larg, duke krijuar një rrethore pambarim të pasur me gjelbërim në brigje. Lugina zgjerohej e përshkuar nga dy lumenj të vegjël- një pamje e gjallëruar e freskuese. Uji në Shqipëri është shumë i çmuar, sepse vendi ka vetëm dy lumenj të mëdhenj që sjellin ujin e pijshëm dhe ata në stinë të thata kanë më pak prurje, përveçse në pak degë. Ujëvara zbresin të vrullshme nga malet në dimër, e gjysmë të thara në verë: ky është problemi i ujit në një vend ku ndërtimi i liqeneve artificiale do të ishte bekim i Zotit.
Sapo kishim kaluar një lumë dhe po vazhdonim udhëtimin tonë, kur një djalë i ri u shfaq papritur përpara nesh dhe na bëri me shenjë që të ndalonim. Pa asnjë lloj mirësjelljeje e edukate na kërkoi që ta çonim deri në Berat, rreth katër orë larg.
“Përse?”- e pyetëm, duke e ditur që ai mund të shkonte falas me çfarëdo qerreje që mundet të kalonte aty pranë.- “Është diçka urgjente?”
“Përse?!- na u përgjigj me mendjemadhësi- Sepse jam djalë beu, ja përse!”…
Nik Karteri i tha diçka dhe shkeli gazin. Më vonë na shpjegoi duke qeshur: “I thashë atij të mençurit se juve jeni djali i presidentit të SHBA!”
Ky ishte edhe kontakti ynë i parë me një shoqëri primitive, por edhe të fuqishme të feudalëve, shoqëri që kishte mbijetuar për shekuj me radhë në Shqipëri. Sipas politikës së ndjekur në Shqipëri, Porta e Lartë u jepte poste disa feudalëve vendas, duke i bërë bej e pasha, u dhuronte toka që trashëgonin nga brezi në brez, si shpërblim i detyrave ushtarake të tyre në shërbim të perandorisë osmane. Rendi feudal në Shqipëri, ashtu si edhe në mjaft shtete të tjera ballkanike, u shpërbë me vështirësi.
Berati, i ndërtuar mbi faqen e malit e kodrinat përreth, nën borën e pashkrirë të malit Tomorr, dhe Elbasani janë nga ato qytete në të cilat ndër të parat gjëra që të zë syri janë majat e minareve që shpojnë qiellin e jo oxhaqet e fabrikave.
Pothuajse e tërë popullsia merret me bujqësi, çdo familje merret me pastrimin e lëkurëve, përpunimin e leshit e tjerrjen e tij. Do të ishte një fakt shumë domethënës e i rëndësishëm sikur të ngrihej në qendër të qytetit një përkujtimore për nder të Dhaskal Todrit nga Elbasani. Përpjekjet e para për shkrimin gjuhës shqipe i detyrohen punës e këmbënguljes së disa murgjve e priftërinjve, të cilët u përpoqën që të kthenin në shqip ungjillin e pikërisht në gjuhën e folur. Përpjekja e tyre nuk pati aq rezultat sa ajo e Dhaskal Todrit, me mendje shumë të ndritur e që nuk tërhiqej kollaj nga qëllimi që i kishte vënë vetes. Kur dëgjoi për një shpikje të çuditshme që të tjerët ia vishnin Zotit dhe të tjerët Djallit, shkoi në Venecia që të hetonte mbi këto zëra. Kur u kthye, të vetmet bagazhe të tij ishin disa arka me …ç’ishte ai thesar që Todri e ruante me aq fanatizëm si të ishte drita e syve të tij? “Ar!”-pëshpëritnin nën zë shoqëruesit e mushkave që e mbartnin. E kështu vranë Teodorin, që të vinin dorë mbi “thesarin” e tij. Tek i hapnin panë me çudi mijëra copëza prej një metali të formave të çuditshme. Duhej të ishin ndonjë vegël e Djallit ato forma të vockla të ngulura mbi mbërthecka gozhde! Marrëveshje me Djallin! Të tmerruar karvanarët u larguan duke e lënë mësuesin të vrarë mbi germat e tij tipografike. Kështu tipografia erdhi në Shqipëri.

Shperndaje ne

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.