Letërsi Kombëtare: KANGA PËR ATDHETARIN SELMAN MAHALLA

hqdefault

(E shkruajti Zymer Mehani)

Nji ditë t’vitit Nëntëqind e katër
U hap lajmi në mahallë,
Se Shabanin dhe të shoqen
I g’zoi Zoti me një djalë!
Ja kanë lanë emrin Selman
Nanë e babë për të bajnë lumë
Ju rrit shtati dalëngadalë
Sikur lisi dega-shumë
Babë Shabani i fliste djalit
Kur e kishte afër vetit,
-Mos harro, je bir shqiptari
Kurrë nënshtrim krajlit as mbretit!
Në Zaskok të Ferizajit
Kjo familje rrajtë thellonte,
Zakonisht si krejt shqiptarët
N’ kushte t’randa po jetonte!
Gjatë Luftës së Dytë Botnore,
Kjo Kosovë shumë po lëngonte
Donin çetnik’t ta shfarosnin
Nga shqiptarët ta pastronte
Kushtrimi i bashkoi trimat,
Kurtishin, Avdylin, Ramën,
Hajdinin, Nebihun,Shaqën
Luftën S’bashku kurrë s’ e ndalën,
Trim Selmani ish i njohur,
Si për besë dhe për trimni,
Në flamur kish ba betimin
Këtë Kosovë ta baj Shqipni
Shumë i zgjuet u ba trimi
Me njerëz të ngritur po rrinte
Burra n’za të asaj kohe,
E pyesnin, se gjithçka dinte
Ishte i saktë kur merrte fjalën,
Rrug’s së drejtë hecte me hapa,
Mençurisht i bënte planet,
Pas vendimit s’kish kthim prapa!
Dy dhjetor Dyzet e katër
Shpërthen Lufta n’Ferizaj
Prinë Selmani Zog shqiponje
Bashkë me shokët si luaj
Shtyllë e kishte babë Shabanin
E mësoi si t’ përparonte,
I mësoi dhe këngë kreshnike,
Vatrën, kombin si ta mbronte!
Parti e tij ish Nanën Shqipnia
Dhe Balli Kombëtar Shqiptar
Bashkë me grupin e Ramë Bekës
Asnjëherë luftën s’e ndalë
Përballej me zullumqarët,
Egërsisht ata i luftonte
Partizani dhe çetniku
Shumë zullum popullit po i bënte!
Kurrë nuk trembej biri i Shqipes
As prej hurit e litarit
As prej pushkës e martinës
As prej mbretit as prej krajlit
Shtoheshin forcat partizane,
Nga Serbia që po vinin
Gjuanin n’fshatin e Selmanit,
Përpiqeshin të gjallë ta zinin!
Jo i gjallë asnjëherë s’ zihet ,
Ky strateg dhe trim i rrallë,
Mban armikun në shënjestër,
Provokimeve po u ban ballë!
Rugët ishin plot çetnikë,
Por kjo hiq nuk e ndalonte
Çdo pusi e çdo rrethim
Me trimni trimi e kalonte!
Por një ditë t’ bukur behari
Me Një maj Dyzet e gjashtë
Ra dëshmor, Selman Mahalla
Për këtë tokë që e pat dashtë
N’Male t’Gremes t’Ferizajit
Seç u ndez lufta sërish
Ranë Hasani e Bislimi
T’ Nukudimit- fisi Berish’
Ra Nebihu Nga Zaskoku
Bajram Dërguti nga Varoshi
Dhe Selmani u godit,
S’e lanë trimin me pa drit’!
Ti moj Greme tokë arbnore
Gjithë besnike qendrestare
Tanë Kosova asht’ n’habi
Pse ta vranë Selmanin Ty?!
Le ta dijë mirë serb dushmani
Milosavi e Dushani
Se nuk vritet kurrë Selmani
Për pa u ba i lirë vatani
Jehon kanga, përhapet fjala
Kurrë nuk vdes Selman Mahalla
Se e ka lind nji nanë e zonja
Si zogun q’e lind shqiponja
Mbi kulshedren me shtatë koka
Turren trimat ta ndajnë n’copa
Për ta zhdukë kët fare të zezë
Që s’ ka fe, nuk ka as besë
Për gjuhë shqipe dhe flamur
Për kto male shkamb gur
Për lirinë e popullit tonë
Trim Selmani jetë po ndrron
Mbarë Zaskoku po rrënkon
Trim Selmanin po e loton
Emrin, veprën, kontributin,
Kurrë Kosova s’ia harron!
As sot varri nuk i dihet
I ndrittë shpirti në amshim,
Do t’ përmendet sa t’jetë jeta,
Nuk harrohet kurrë ky trim!

Shperndaje ne
Updated: 20 Nëntor, 2016 — 17:28

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.