O me Perëndimin, o me Lindjen!

u1_FahriXharra

O me Perëndimin,

o me Lindjen!

Publikuar: E premte 31 Tetor 2014

Identiteti i rrezikuar kombëtar

Pse ne të jemi viktimë e propagandave fetare?

“Kishat financohen nga Athina, ndërkohë që xhamia e Tiranës do të financohet nga Stambolli. Sa përdellohen për ne “miqtë” tanë!!! Po mundohen me të gjitha mënyrat që të na bëjnë “shqiptarë të denjë “. Se ku fle lepuri i Athinës dihet, po se ku fle lepuri i Stambollit shumë syresh s’e dinë akoma

Shkruan: Fahri Xharra

Historikisht jemi në ballafaqim shumë serioz me Lindjen. Nuk është e rastit që rilindësi Naim Frashëri në kohën e tij kishte thënë që për ne shqiptarët Dielli lind në Perëndim.
Sllavizmi dhe turqizmi në mënyrat e tyre janë ashtu edhe si ishin në këto 500 vitet e fundit, shumë të interesuar që të na turbullojnë  ujin tonë të pastër që mos të rriteshin troftat tona, të cilat do ta ndërronin emrin e habitatit dhe në atë ujë të pastër të gjithë do ta shihni valën e së vërtetës.

Donin të na merrnin diellin, që të ngrijmë në tokën tonë

Kishte shumë mënyra; përdornin dhe po i përdorin të njëjtat metoda si dikur ashtu edhe sot. Qielli vazhdimisht shpohej e ne bënim sehir. Dikur nuk dinim se po na e zënë Diellin, se pa na shponin Qiellin dhe na ikte ozoni. Serra e prapambeturisë ishte shumë e madhe; efekti negativ i saj ishte shumë i madh. Donin të na zhvisheshin vetëtimën, që të humbim rrugën. Donin të na shurdhonin bubullimën, që zëri mos të na dëgjohej.
Donin që të na shkulin yllin, e të mos dinim se ku jemi. Dhe prapë vazhdohet, por tani me vetëdijen tonë.
Një fakt i gjallë nga një dëshmitar i gjallë (Hasan Elshani nga Sllovenia) më shkruan: ”Po, po shumë e vërtetë për atë që thua ( flitnim për ndikimin sllav në rritjen e etjes sonë për Turqinë) … Unë në një vizitë në Moskë, ishte viti 1973, e takova një burrë të shtyrë në moshë ( 74-vjeçar, por i mbajtur mirë), i cili kishte shërbyer si imam në Mitrovicë në xhaminë e ashtuquajtur Xhamia e buzë Ibrit. Ai quhej Efendi Ksamijev, pra me origjinë ruse dhe ishte shkolluar në Stamboll. Vitet që kishte shërbyer në Mitrovicë ishin 1921- 1925. E kishte për krenari atë kohë, rusi i ardhur me porosi në anët tona“.
Ju merr mendja, pse nga Rusia në Turqi e në Kosovë? Sepse, donin të na nxinin hënën, që të mos shohim të kaluarën. Donin të na merrnin diellin, që të ngrijmë në tokën tonë. Donin të na shtrydhin shpirtin, që mos t’i ngjajmë askujt. Donin të na ndërrojnë emrin, që të na humbin në rrymat e pafundme.
Turqia e vazhdon planin e saj afatgjatë për riislamizimin e tokave shqiptare, të investon në “Arnautlluk” me  xhamitë e veta, këto “fabrika për prodhimin e turqve”, siç thoshte në një vështrim mbi pasojat e islamizimit, dramaturgu i madh, tashmë i ndjeri Teki Dervishi…
“Kishat financohen nga Athina, ndërkohë që xhamia e Tiranës do të financohet nga Stambolli. Sa përdellohen për ne “miqtë” tanë!!! Po mundohen me të gjitha mënyrat që të na bëjnë “shqiptarë të denjë “. Se ku fle lepuri i Athinës dihet, po se ku fle lepuri i Stambollit shumë syresh s’e dinë akoma. Jo për gjë, pasi turqit i kemi “vëllezër”!!! E ka thënë ditën për diell ministri turk, Ahmet Davutoglu, që synimi i Stambollit është ringjallja e Perandorisë Osmane. Më kot kanë vërshuar telenovelat turke ekraneve tona? Tani do të na bëjnë  dhuratë dhe një kalë të bukur Troje që t’i bashkëngjitet atij tjetrit, maje të cilit rri i krekosur Janullatosi (I. Sh ).
Sa të mjerë që jemi, derisa ne ndërtojmë xhamia  e kisha… të tjerët krenohen me historinë tonë si të tyren, e ne me historinë e huaj si të tonën!
“Janë edhe turkofilët që e kërkojnë, politika e aprovon me nga një ashtë në pjatë dhe kështu “zgjerohet” feja më e mirë që të “krijon dashuri” për vajzën e axhës, hallës e pse jo edhe më të afërm, por edhe dashuri që në botën njerëzore diagnostikohet: rrezik gjenetik. Kjo politikë pa cak po i kushton edhe Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare. Bota e civilizuar zbulon galaktika, bota ime shqiptare kërkon “inteligjencën” primitive orientale të fillimit të humanoidëve të një race tjetër kurse nëpër sofrat e njerëzimit shtiret e “kulturuar”.

Të këqijat që ia bëjmë vetit nuk i shohim

Ashtu siç jemi dhe trajtohemi! Të këqijat që i bëjmë vetit nuk i shohim kurse i akuzojmë tjerët që janë të detyruar të kushtëzojnë me standarde që të nga largojnë nga epoka e humanoidëve primitivë dhe sjelljen në botën reale! (autori i pa njohur)”. Shqiponjat fluturojnë lart, por kthehen në folenë e tyre.
Ne jemi një komb i vjetër, me histori martirësh që kemi vuajtur në shekuj.
Ne jemi një vend evropian, që punojmë për popullin dhe atdheun tonë!
Mirë bre? Pse ne të jemi viktimë e propagandave fetare?
Kur do të vetëdijesohemi që me ndërgjegje të pastër ta pranojmë se çka jemi?
Përkundër të gjitha kërkesave; treni i historisë e vazhdon rrugëtimin e tij dhe jona është të ruhemi që të mos na gjuajnë jashtë nga ai vagoni i fundit në të cilin kemi ngelur. O me Lindjen o me Perëndimin! Xhamia e Tiranës do të financohet nga Turqia!!!

Shperndaje ne
Updated: 1 Janar, 2015 — 23:48

The Author

Fahri Xharra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.