Gjokë Dabaj: NË KËRKIM TË SYVET…(”Strategjia e Shqiptarvet”)

14671375_1445383362156882_5536293927405193406_n

Nga Gjokë Dabaj
Pjesë nga libri:”Strategjia e Shqiptarvet”

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Në këta çaste po më vijnë në mendje kuajt e verbër të Ismail Kadaresë. Përballë të gjitha përpjekjeve për të gjetrur një rrugë sa më të sigurtë drejt së ardhshmes, ne iliro-arbro-shqiptarët, në të gjitha kohët, filluar qysh prej mbretërivet të Ilirisë (e mbase edhe më parë), duket se na ka shoqëruar dhe mbisunduar sindroma fatale e kuajvet të verbër. A do të arrijmë më në fund që t’i vëmë sy, t’ia transplantojmë një palë sy, këtij lloj “kali”, i cili është më i fismi midis të gjithë “kuajve” të tjerë?!
… NË KËRKIM TË GJENERALËVET
Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, botim 1980, STRATEGJI është arti dhe shkenca e përgatitjes dhe e drejtimit të veprimevet të gjërë me njësi të mëdha ushtarake ose të luftës në tërësi. Fjala STRATEGJI, thonë, vjen nga greqishtja στρατηγία (strategia). Ndërkaq, STRATEG do të thotë: komandant që drejton veprime të gjërë luftarakë, njohës i zotësisë për të luftuar.
Por ne, shprehjen STRATEGJI E SHQIPTARËVET, do ta marrim me kuptimin e një tërësie parimesh e rregullash konkretë, hartuar me qëllimin që t’u tregojë shqiptarëvet çfarë duhet të bëjnë e çfarë nuk duhet të bëjnë sot, në mënyrë që e ardhshmja t’u dalë më e mirë se e tashmja. Thënë më shkurt, strategji për ne do të thotë të dimë ç’na del nesër nga kjo që po bëjmë sot.
Ose: të dimë ç’të bëjmë sot, në mënyrë që nesër të mos na dalë keq.
Kuptohet, fjalët sot dhe nesër po i përdorim, sipas natyrës së gjuhës shqipe, me domethënien kohë e tashme dhe kohë e ardhshme. Pra, shqiptarët, si edhe popujt e tjerë, duhet të ecin me një synim sa të jetë e mundur më të qartë për të ardhshmen e
vet, por edhe të pasardhësvet të vet. Kjo ka rëndësi:
Edhe të pasardhësvet!
Për ta arritur këtë qëllim tonin të madh, del e domosdoshme të plotësohen së paku 3 kërkesa: Kombi duhet të ketë një pale “gjeneralë” të aftë për t’i shkruar strategjitë dhe një palë tjetër “gjeneralësh” për t’i vënë në jetë ato strategji. “Gjeneralët” që shkruajnë janë shkencëtarët, “gjeneralët” që e vënë në jetë strategjinë janë politikanët dhe shtetarët në përgjithësi.
Por ka në praktikën e popujvet edhe një lloj tjetër “gjeneralësh”.
Këta janë udhëheqësit shpirtërorë të kombit, propaganduesit e përditshëm të strategjivet tashmë të shkruara, madje imponuesit (me fuqinë e popullit, në rastet kur është e domosdoshme) si dhe modifikuesit e përmirësuesit e herëpas’hershëm të tyre.
Asnjë strategji nuk mund të ketë kontinuitet, nëse mbështetet vetëm te ata që kanë pushtetin. Duhet doemos të ketë ndërthurje, kombinim, midis udhëheqjes shpirtërore të një kombi, e cila qëndron mbi të gjithë dhe është konstante, dhe strukturavet shtetërore, të cilat mund t’i përkasin, por edhe mund të mos i përkasin tërësisht të njëjtit komb.
Cilësi thelbësore e një strategjie është: T’i marrë parasysh rrethanat, por të mos u dorëzohet rrethanavet. Ajo mbështetet në veprimet shumë të mençur dhe thellësisht të vetëdijshëm të subjektevet. Pëndryshe, nuk meriton të quhet strategji.
Cilësi tjetër thelbësore: Të gjithë llojet e “gjeneralëvet”, po deshën që t’u shkojë populli prapa, duhet të jenë atdhedashës të përkushtuar. S’qenë të tillë, “ushtria” së cilës ata i prijnë, mbetet sërish llahtarisht e verbër dhe rroposet, shembet lemerishëm turma-turma në gremina e në rrëpira.
Mirëpo, “gjeneralët” dalin nga vetë “ushtria”.
Rrjedhimisht, përgjegjësia është prapë e vetë “ushtrisë”, madje e secilit ushtar një për një, nëse lejon të komandohet prej kopukëvet dhe prej askushëvet.
Ky do të jetë edhe qëllimi kryesor i këtij libri: Të mësojmë si ta bëjmë dhe si ta vëmë në jetë një strategji sa më të mirë për Kombin, të cilit i përkasim.

Shperndaje ne
Updated: 26 Nëntor, 2016 — 16:03

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.