MAJA LAPSASH… JETË ROZAFASH

14731100_907449226052213_8178774875479257395_n
Nga libri i GJOKË DABAJ-T
“STRATEGJIA
E
SHQIPTARËVET”

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Çdo komb ka nevojë për strategji, por Kombi ynë më shumë
se cilido tjetër. Thënë ndryshe: Të gjithë njerëzit kanë nevojë për kujdes mjekësor, por i sëmuri më ngutshëm se kushdo. Është një e vërtetë e hidhur kur shohim që ne shqiptarët më një anë i kemi pasë karakteristikat, predispozitat, për të qenë shumë më mirë, më anë tjetër, jemi aq keq, sa jemi cilësuar dhe vazhdojmë të cilësohemi si kombi më i prapambetur në Evropë.
Nuk duhet të lejojmë të mbetemi në këtë gjendje. Nuk duhet
të mbetemi në pozitën e bredhjevet qorrazi nëpër mjegull, pa e ditur ku duam të mbërrijmë. Ku duam të mbërrijmë, por edhe ku mund të mbërrijmë.
Nuk pretendojmë që kemi hartuar strategjinë më të mirë të
mundshme, por jemi të bindur se kjo rrugë, nisur e mos bitisur
prej shumë së tjerësh, shekuj pas shekujsh, apo bitisur përgjysmë e copa-copa, duhet të marrë fund njëherë e mirë. (Natyrisht, nëse rrjedhat e historisë nuk na zhgënjejnë, siç na kanë zhgënjyer thuajse në të gjitha kohët.)
Sa për të hyrë në thelbin e thelbit të çështjes, po e rahasojmë
veten psh me izraelitët apo me grekët. Edhe ata kanë në histori një jetë shumë të gjatë, por duhet vërejtur midis nesh dhe atyre një dallim thelbësor dhe tepër domethënës. Ata, ndonëse kanë qenë etnose numerikisht të vegjël, nuk janë zhdukur, por përkundrazi, kanë krijuar nga një histori të madhe. Secili në mënyrën e vet.
Kurse ne kemi qenë një etnos i madh, madje shumë i madh
(përfytyro Ilirinë), por kemi ardhur duke u ngushtuar, duke u
copëtuar dhe duke u zvogëluar. Cili është shkaku?! Shkaku kryesor, sipas nesh, është se ata kanë arritur të vënë shkrimin në përdorim, gjë që ne nuk e kemi bërë dot. Nuk besojmë të mos kemi pasur përpjekje individësh apo grupesh për t’i dhënë shkrimit vendin që i takon në jetën e një etnosi, por nuk kemi arritur, nuk ia kemi dalë dot që shkrimin, në gjuhën tonë, ta përdorim gjithanësisht në jetën e përditshme.
Ata, hebrenjtë dhe grekët, kanë qenë popuj shumë të vegjël
dhe me siguri do t’ishin zhdukur prej kohësh, po të mos u kishin
kushtuar rëndësinë e duhur atyre milingonavet të vockla që
quhen shkronja, për t’i përdorur në gjuhën e vet. Po ta kishim
“ulur” edhe ne veten aq “poshtë” sa të merreshim me punë të
tilla “të vogla”, me siguri do t’ishim sot një komb shumë madh.
Nuk e dimë si ka ndodhur në të kaluarën, por në 2 a 3 shekujt
e fundit kanë qenë pikërisht shkrimi dhe shkollimi në gjuhën
tonë, që armiqtë tanë kanë dashur të na i vrasin. Kanë dashur të na i vrasin dhe na i kanë vrarë, më shumë për fajin tonë se për fajin e tyre.
Nuk duam të themi me këtë që shkrimi në gjuhën vetjake
është çdo gjë. Por themi me bindje që ai është themeli.
Për të ngritur një kështjellë apo urë, duhen, përveç themelevet, edhe shumë gurë, llaç, drurë e tjegulla, por pa bëje kështjellën, qoftë edhe kasollen, pa ia bërë më parë themelin! Përvoja jonë në këtë punë është më tepër se monstruoze. Që të na qëndrojnë themelet e kështjellavet, ne nuk kemi bërë kalkulime me lapsa, por kemi murosur atje nuse të reja, Rozafa. Dhe mburremi që i kemi detyruar muret e kështjellavet të mos na rrënohen!
Një vërë në ujë kemi bërë! S’e kemi, të saktë dhe të ruajtur,
as edhe një prej tyre! Të gjitha na janë rrënuar! Shko në Greqi, në Itali apo në Francën, krahasimisht shumë më të vonë se ne, dhe shih sa kështjellat, sa skulpturat, sa monumentet, i kanë në këmbë dhe sa mirë e kanë të siguruar jetën e përditshme: Punë, ushqim, veshmbathje, banesa, ambiente të këndshëm! Ne, ndërkaq, vazhdojmë ta mbulojmë me baltë vetëveten.

Shperndaje ne
Updated: 27 Nëntor, 2016 — 16:55

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.