DY URAT DHE KËSHTJELLA E ROZAFËS -LEGJENDA APO PROFECI?

keshtjella_rozafa01

DY URAT DHE KËSHTJELLA E ROZAFËS

LEGJENDA APO PROFECI?

 Fahri_dahri_yneKam ecur nëpër vende të ndryshme gjatë jetës. Kam banuar dhe shikuar në shumë fshatra si të varfëra dhe të begata, qytete të niveleve të ndryshme për nga madhësia dhe bukuria; kam parë dhe jetuar në shtete të ndryshme brenda dhe jashtë kontinentit tonë. Jam rritur me familje të plotë, me prindër, motra dhe vllezër. Kam mësuar në disa shkolla me mësues e pedagogë të vendit dhe të huaj, po ashtu kam punuar me njerëz të niveleve kulturore dhe arësimore të ndryshëm, me bindje politike, besime fetare të krahëve të ndryshëm, edhe asnjanjës, moskokëçarës, të pavëmëndshëm, pse jo dhe me karaktere të kundërt, gënjeshtarë, grindavecë, shpifës, kapriçiozë, egoistë, mëndje mëdhenj, karagjozë dhe shkatërrues, mosmirënjohës, sikundër kam punuar edhe me njerës të humorit, shakaxhinj, tolerues, dashamirës, seriozë, të drejtë dhe të përgjegjshëm. Kjo është e vërteta. Sigurisht kjo nuk është vetëm e vërteta ime, por e shumë njerëzve, të djeshëm dhe të sotëm, sepse kjo është vetë jeta.

Kështu po mendoja një ditë, i ulur në karrike në sallën e një aeroporti madhështor, në pritje për të udhëtuar drejt vendit tim. Me këto realitete të shkuara, duke i risjellë ndërmend me përfytyrim, kaluan 3 orë e gjysëm fluturime, kur piloti njoftoi se mbas 10 minutash do të fillonte ulja në aeroportin e Rinasit.

Të nesërmen u ndesha me shqetësimet, telashet, hallet dhe dëshpërimet e njerëzve, të cilat për orë dhe ditë të tëra diskutohen nëpër tavolinat e “Bareve”, duke pirë kafe, apo qoftë dhe një gotë ujë, e të gjitha këto, sipas shokëve dhe miqve të mi, bëheshin për të mposhtur hidhërimet, sikletet, recetë e sajuar për lehtësimin e anktheve të pashërueshme. Dikush, i menduar filloi të fliste me vargjet e Millosh Gjergj Nikollës, nga “Apoteosat e misrit” (hyjnizim) . E shikuam me dhimbje, por dhe me një buzëqeshje të lehtë, shprehje me të cilën tregonim miratim dhe njëkohësisht dëshpërim ndaj gjendjes së mjeruar “statukuosë” të këtij vendi dhe populli, si atëhere, në fillimet e “Shekullit të Ri” Migjenian.

          Gjatë ditës, javës, muajit, apo vitit, ndodh diçka në jetën e njeriut, e cila lë mbresa të forta, ngulitëse, që nuk të shqiten nga mendja, bile pa e fetarizuar, ndjen shqetësime edhe në gjumë, përpëlitje, siklete, pse jo, të shfaqen ëndrra të palidhura, por që janë efektet e ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur dhe që të therin në shpirt. Nuk ka njeri nga shoqëria shqiptare që të mos ndjejë shqetësim, ankth, dëshpërim për situatat që po kalon vendi dhe banorët e saj. E shkuara iku si iku, të gjithë e dimë. Mbi 30 vjeçarët e sotëm u gëzuan se “hodhën lumin”, menduan se shpëtuan nga varfëria, nga ndrydhja, nga çensura deri edhe brenda familjes, nga spiunllëqet, nga “burgjet” klasore e mbiklasore, dhe u “turrën” drejt demokracisë së shumëpritur.

Sa shpejt na ikin vitet, kemi kaluar njëçerek shekulli me “demokracinë”, përsëri vuajtje, varfëri, papunësi, skamje ekonomike, politike, skamje dhimshurie, pa e tepruar edhe hapa mbrapa nga ana sociale, e dukshme tek largimet e afro gjysmës së popullisë. Shqetësime të të gjitha llojeve, janë të pranishme tek 80-85 % e familjeve shqiptare, duke filluar nga uji, buka, shtrenjtësi kudo, papunësi, vjedhje, korrupsion, ryshfete, trafiqe disallojesh, padrejtësi e vendosur nga “drejtësia”, pasiguri e vendsosur nga “siguria”, jopolitikë e bërë nga “politika”, ekonomi e vjedhur nga “eko-bankierët”, arsimim nga “të paarsimuarit”, morali diktohet nga “imoralitetet”, etj.  Të përmbledhura, sipas të veçantave, specifikave, sipas individëve, grupeve apo shtresave të  popullsisë, rezultatet e arritura  janë të prekshme, të dukshme dhe të pranishme tek të gjithë, ashtu siç dhe dihen.

           Shqipëria e pas nëntëdhjetës, përballë shpresave, synimeve, përpjekjeve për të ndryshuar gjithçka, ka arritur të shfaqet me forma të reja, ashtu siç ishte në realitetet e vjetra, gjendja ekonomiko-sociale, me gjithë programet, projektet, premtimet, ka ngecur tek shkallët e grupeve shoqërore të korrupsionit, të trafiqeve, të nepotizmit, militantizmit, të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë.

Sot, duam nuk duam, na vjen mirë, apo nuk na vjen mirë, Shqipëria është ndarë në dy pjesë (jo të baraspeshuara). Shqipëria qeveriset nga dy pushtete paralele, njëri ligjor dhe tjetri partiak. Kuvendi i ndarë në dy pjesë, të cilat nuk shprehen për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit, por flitet me zëra të çjerrë për parimet demokratike, të cilat çdo forcë politike kur merr pushtetin i anashkalon dhe kur ikën nga pushteti vazhdon dhe ligjëron me patos të madh për ato parime, duke sulmuar palën në pushtet edhe për veprimet e mos veprimet e saj kur ishte në pushtet. Një lëmsh i endur në vegjet e djallëzisë, një labirinth me pasqyra të zeza. Është kjo gjendje e rëndë, që shqetëson shqiptarët dhe që krijon vuajtje, ligështi, ankth, dëshpërim.

           Nisur nga realitetet e dukshme, në analizë të pavarur, më tërhoqën vëmëndjen tre  objekte ndërrtimi shekullore, ndofta mesjetare, të cilat na vijnë në ditët tona, veç realitetit ekzistues edhe në formën e legjendave, baladave, por që duhen gjykuar dhe analizuar me kujdes, pikërisht për qenien e tyre vërtet si legjenda, balada apo janë profecira që na kanë treguar dhe tregojnë fatin e banorëve të trevave Ilire deri në mesjetë dhe shqiptarëve sot?.Le të njihemi me ‘to.

           Ura e Mitrovicës, tregon veriun e banorëve etnikë shqiptarë; Kështjella e Rozafës, mesi i banorëve shqiptarë dhe Ura e Artës, jugu i banorëve shqiptarë. Ç’farë na tregojnë baladat apo legjendat për këto tre objekte të ndërrtuara në hapësirën ku prehen, dergjen dhe jetojnë shqiptarët, objekte të drejtuara secila në çdo rast nga tre vllezër, nga një nuse për flijim dhe nga tre vjet punë?

           I.- Ura e shenjtë (në veri) Nja tre vllazën, tre t’hasjanë; kankan çue e janë ra n’Gjakovë; të tret mjeshtër ishin kanë;  Shum haletet po i tubojnë; n’stom të Drinit ata po shkojnë; Urën e Shejt kanë nisë p’e marojnë. Nja tri vjet n’to po punojnë; nja tri vjet n’to kanë punue; hiç qemer s’po mujnë me i vnue; dishka natën jav kish rrxue; Të tre vllaznit shka kanë punue; nërmjet yeti janë kuvenue;- Domë m’u nalë ni natë m’e rue; me pa zidin kush â tuj na rrxue; ­që tri vjet jem tuj punue; puna marë s’asht tuj na shkue; qemer ures s’po mujmë me i vnue; trupi i jonë krejt ka marue…….

II.- Kalaja e Rozafës.

Dihet, emri i Kështjellës është i lidhur me legjendën e murosjes. Përfaqsohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të “Besës” legjendare. Rozafa, nusja e vllait më të vogël ndër tre vëllezër, u muros e gjallë në themelet e kalasë, në zbatim të këshillës, që sipas legjendës paska dhënë një plak. Legjenda e trajton si një sakrificë për të ndalur “syrin e keq” që shkatërronte muret për çdo natë. Uji gëlqëror që kalon ndër muret e kalasë lidhet me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës ishte kushti për të pranuar sakrificën, ishte lën’ja e anës së djathtë të trupit: «sýnin e djathtë që t’shoh birin t’em, krahun e djathtë qi t’a mbâj, gjinin e djathtë qi t’a ushqej, kâmben e djathtë qi m’e përkûnd djepin», që të kujdesej për të birin e sapolindur.

III.- Ura e Artës (qytet jugor i Çamërisë).

Fat të njëjtë gjejmë edhe gjatë ndërrtimit të urës së Artës, e cila po nga tre vllezër ndërrtohej ditën dhe prishej natën, dhe për të siguruar qëndresën duhej flijuar një nuse. Në rastin e Urës së Artës, ndodhia na vjen me vargje, në të folurën çame, e cila këndohet edhe në ditët e sotme, sidomos gjatë bregdetit të Artës:

Tre vllezër kaha Lluri; Ki Panua, ki Mihal Guri; Kiçua i vogël si nuri; Të tre vllezër jemi;  Dizet punëtorë kemi; Urën e Nartës dërtojmë; Natë e ditë nuk pëshojmë; Dot në këmbë se qëndrojmë; Tre vllezër duarartë; Po dërrtonin urë në Artë; Ura ditën lartësonej; Vinte nata e rrëzonej; Vjen atje një plask magjistar;“O fatkeqër punë të barë; Kur një nuse të flijoni; Urën e Artës do mbaroni!…..”

Siç vihet ré, në të tre rastet kemi po thuaj ngjashmëri balladash lidhur me ndërtimet, që tregon se zakoni i murosjes se gruas ka qenë i egër, por ai kaloi shkallë-shkallë në flijimin e bagëtive dhe të shpendëve. Po ashtu dihet, murimi i njeriut të gjallë u zëvendësua me murimin e hijes së tij, p.sh. kanë murosur një fill pe, në masën e një trupi, ose kanë murosur një bust druri të një vajze të re. Edhe gjatë ndërtimit të një shtëpie, të një ndërtese tjetër apo të një ure, theret zakonisht një dash, por edhe një gjel ose pulë, kokat e të cilave zakonisht i hedhin në themelet e shtyllave të urës. Në çdo themel të banesave shqiptare është patjetër koka e një “flije”, zakonisht e një dashi. Ditën kur theret “flija” dhe muroset koka e kafshës, ndërtuesit dhe pjesëtarët e familjes e festojnë. Në darkën festës, ata hanë mishin e “flisë”.

Sidoqoftë, në të tre rastet kemi tre vllezër, tre nuse, tre ndërtime dhe që kryhen tre “flijime”. Pavarësisht kalimit nga tradita e vjetër në një të re, qëllimi këtu nuk është tek përqëndrimi i murosjes, por tek ekzistenca e një veprimi, i cili siguron mbijetesën ose e thënë ndryshe, qëndrueshmërinë e një objekti ose të një shoqërie dhe për të siguruar ecjen përpara të saj.

           Legjendat, apo balladat, që shtrihen në trupin e shqiptarizmës, vallë mos duan të na kujtojnë diçka që neve e kemi harruar? Mos vallë ka diçka që fshihet pas tyre dhe që ne duhet ta zbulojmë? Mos vallë është profeci, që shqiptarizma të jetë e bashkuar, të sigurojë unitet të qëndrueshëm, e, për këtë duhet të sakrifikojë në emër të prishjes së “syrit të keq”?

Nëse shkëputemi për një çast nga të thënurit se janë bestitny, le të ndalemi për të parë realitetet në sy se ku qëndron “syri i lig” për ne!

Dikur ilirët i bënë karshillëk romakëve. Romakët përdorën metodën “përça dhe sundo”, joshjen dhe stimuluan tradhëtinë brenda mbretërisë Ilire. Në përfundim ata fituan. Iliria u nda në katër pjesë, ku pjesa veriore e këmbës së urës Ilire u shkërmoq, u asimilua. Mesjeta e gjeti Arbërinë dhe Epirin të përfshirë në Perandorinë Bizantine, e cila u drejtua edhe nga perandorë të racës me prejardhje ilire, por u shërbyen interesave perandorake dhe privilegjeve vetiake.  

Ishte një kohë kur “syri i kerq”, në saje të bashkimit dhe unitetit të fiseve, lidhën “besën” mes principatave ra në letargji. Arbëroro-epirotët mbrojtën jo vetëm feudet e tyre por dhe Europën nga shembja e “urave” dhe “kështjellave”. Më pas përsëri “syri i keq” apo “magjia e zezë” u rizgjuan, kur Arbëria dhe Epiri u gjendën mes dy pashallëqeve të mëdha dhe të fuqishëm, me mbështetje të sigurtë nga sulltanati. Të dy pashallarët shqiptarë, u përfshinë nga egoizmat ndaj njërit-tjetrit, me vizion deri tek hundet e tyre, të joshur nga “gradat” i shërbyen interesave perandorake, gëlltitën kapadaillëkun, mendjemadhësinë dhe dëmtuar popullin me shkatërrime, vrasje, shitje, tradhëti. Po kështu vazhdoi historia edhe me periudhën prej Pavarësisë deri në vitin 1944. Luftë për pushtet personal, ndarje dhe copëtim të Shqipërië mbi baza fisnore, apo feudale deri në tradhëti, duke e dorëzuar vendin pa rezistencë shteteve të huaja.

Erdhi epopeja e Luftës për Çlirimin  nga okupatorët. U ngrit i madh e i vogël në mbrojtje të vendit. U çlirua Shqipëria. Përsëri nuk na u shqit “syri i keq” i shoqëruar edhe me “magjinë e Zezë”. Hasmëri dhe ndasi mes vetvetes. Disa “komunistë”, disa “Ballistë”, “disa Legalistë”. Ligjërata nga më të shëmtuarat për të ulur prestigjin e njëri-tjetrit, luftë klasash, gjykime, pagjykime, vrasje, burgosje, internime, deri në eliminimin moral dhe fizik edhe të vetë “elitës udhëheqëse” nga njëri-tjetri.

Iku dhe epopeja e komunisto-socialsitëve, populli dhe vendi, ecte me shpirt nëpër dhëmbë, i vrarë, i sakatosur, i ngjyrosur me nofkat komunist, ballist, legalist, kulak, armik. Epope e vuajtjeve, mjerimit, izolimit dhe e përçmimit mes të dy palëve, si e komunistëve ndaj ballisto-legalistëve ashtu dhe e ballisto-legalistëve ndaj komunistëve, pa gjykuar se veçimet specifike rëndonin në shpirtin, zemrat e vllezërve të një gjaku, të të njëjtit popull, të së nëjëjtit fis apo familje, ku njëri ishte armik, kulak dhe tjetri komunist dhe për hir të së vëertetës, spiunoheshin, akuzoheshin mes tyre, për idealet e partive përkatëse. U arrit krijimi i një “morali” deri antifamiljar. Tymi fjollë i “Magjisë së Zezë”.

Erdhi demokracia. I gjithë populli, “i pangjyrosur” doli në rrugën e shpresës, në sheshet e përbashkëta, brohoriste për demokracinë, për një jetë pa vuajtje, larg burgosjeve politike, ideologjike apo fetare, për lirinë e fjalës, për shkëputjen nga intrigat, tradhëtitë, internimet, dallimet klasore, për të hyrë në epokën e dëshiruar të “Rilindasve”, drejt një shoqërie të denjë, europiane demokratike. Po besonim në mbytjen e“syrit të keq”, atë që na kish shembur urat, kështjellat, unitetin vllazëror, që na kishte lidhur “duar” e “këmbë”. Po gëzonim se “Urat”, “Kështjellat“ që do ndërrtonim në vazhdim, nuk do të kërkonin më flijime njerëzore, jonjerëzore, por do të siguronin qëndrueshmëri e siguri edhe për brezat.

Por nuk ishte e thënë, “syri i keq” i bashkuar me “magjinë e zezë”, nuk u shqitën po thuaj edhe në këtë çerekshekulli. Përsëri e njëjta sëmundje, urat, kështjellat nuk kanë qëndrushmëri, në mos njëra kombë tjetra do rrëzohet, jo se mungonte uji, çimento, hekuri, apo mjeshtëria, jo asnjëra nga këto. Na mungon “flijimi” për të mposhtur “syrin e keq”, dhe “magjinë e zezë”.

Ku ta gjejmë këtë “flijim”, për të hequr “syrin e keq”, “magjinë e zezë”?

“Syri i keq”, ashtu si gjahtari, e drejtoi shënjestrën tek orientimi i vazhdimit të fenomenit “luftë klasash”, por në drejtimin e hakmarrjes ndaj të djeshmes. Njerëzit vazhduan top-rrotullimin sa majtas, djathtas, para, mbrapa, duke u marrë orë e çast me të djeshmen. Mllefi, ndasia vazhdojnë me epërsi, herë të njërit krah dhe herë të tjetrit, pa e kuptuar se këta njerëz që top-rrotullohen, janë po vetë ata; por është “syri i keq” që shemb urat e unitetit vllazëror, kështjellat e qendrueshmërisë.

Mjerisht nuk kuptohet se baza e të vepruarit me këtë mënyrë, gjendet tek ndjenjat e ushqyera nga e djeshmja, për të penguar të ardhmen. Nuk kuptohet se e djeshmja duhet të jetë e kaluara. Jo e sotmja, si tërësi e shoqërisë njerëzore, të veprojë kundër të djeshmes, por ndaj së keqes së djeshme të veprojë ligjshmëria, e bazuar në parimet e shoqërive demokratike me përvoja.

Të etur për tu shkëputur nga skamja, varfësia, boshllëku i krijuar në ndjenjat e shoqërisë nga e djeshmja, e kanë rrëmbyer shoqërinë tonë, e cila ka kaluar, pa e kuptur, në ekstremet e etapave të zhvillimit ekonomiko-shoqëror. Dëshirohet për të luftuar varfërinë dhe për tu pasuruar sa më parë, por nuk arrijmë të njohim, ose nuk duam të respektojmë normën e fitimit. Krijojmë bisnese, por nuk njohim, ose nuk duam të respektojmë kërkesën dhe ofertën. Krijohen institucione të pavaruara që mbikqyrin fushat e zhvillimit ekonomik e shhoqëror, por mungojnë përvojat profesionale, etike, morale dhe ligjore për konsolidimin dhe mbarëvajtjen e institucioneve të pavarura, të shoqërive anonime, shoqërive me përgjegjësi të përkufizuara, etj. të cilat kthehen në institucione personale, private!.

Ndasitë e djeshme të krijuara në shtresat shoqërore, shfrytëzohen me mjeshtëri për të frenuar zhvillimin e sotëm dhe të së ardhmes. Përplasje serioze, të ashpra, konfliktualitet i acaruar në ekstrem, na  shoqëron për mbi 25 vjet. Ekstremizmi i individualizmit personal, apo i grupimeve nepotike dhe militante, të glorifikuar me hakmarrjen ndaj të djeshmes, me shtritje konfliktesh mes shtresave, gjoja të trashëguara nga e kaluara, përbëjnë bazat e ngecjes së përparimit tonë shoqëror. Asnjë gjykim nuk mund të justifikojë veprimet e gabuara trashanike në dëm të Shqipërisë  dhe shoqërisë shqiptare, kur shqelmohen shanset historike tepër të favorshme që ofrohen, as heshtja ose mos marrja e përgjegjësive për zgjidhjen e traumave, qoftë edhe ato të ndodhura në brezin e djeshëm.

Nuk do parakalojmë këtu shanset e shumta historike, ato le t’i mbeten për trajtim degëve të ndryshme të historisë, sociologjisë, politologjisë, etj. por për korrektësi ndaj lexuesave dhe gjithë shoqërisë tonë, përmendim veprimet e pajustifikuara të realizuara nga të dy krahët e politikës tonë të ditës, të realizuara haptazi kundër përmbushjes së kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Opozita e djeshme i vinte kushte pozitës së atëhershme për të kaluar miratimin e tre ligjeve, ndërsa pozita nuk toleronte, nuk pranonte konsensus. Koha kaloi, Shqipëria mbeti në klasë. Shoqëria shqiptare, gjykoi dhe vendosi me anën e elektoratit, bërjen e rrotacionit politik, me shpresë se klasa politike do të kuptonte qendrimt e pajustifikuara kundër njëra-tjetrës në zgjidhjen e problemeve kombëtare me ndikim të drejtë për së drejti në interes të mbarë shoqërisë, do të merrnin fund, do arrihej bashkëpunimi politik në përmbushjen e kritereve të caktuara. Situata po ajo, asgjë nuk ndryshoi. Kundërshtitë u shtuan, u forcuan dhe u sofistikuan më tej. Pengesa serioze herë të justifikuara, herë jo, as politikisht, por të motivuara në interes sa personal, aq dhe në interes grupimesh politike.

Disa institucione të rëndësishme shtetërore dhe grupime profesionistësh, në konflikte interesi (rrjedhojë e amullisë, e lejimit të zhvillimit liberal të ekonomisë, mos zbatimit të normave ligjore, stimulim i korrupsionit, trafiqeve, mos kontroll për lulëzimin e tregit të zi, përfitime pasurish të siguruara në mënyra korruptive, mungesa e llogaridhënies etj.), janë bërë barrikadë për mos kalimin e disa reformave tepër të rëndësishme, jo aq për integrimin e Shqipërsië në BE, se sa për shndërrimin e shoqërisë shqiptare, nga një shoqëri e mbytur në errësirat perandorake dhe diktatoriale, në një shoqëri të lirë, të hapur dhe demokratike.

Në këto situata, ku “urat”, “kështjellat” nisim për ti ndërrtuar, por nuk i përfundojmë, padyshim kërkohet të gjejmë objektin e përshatshëm për qëndrushmëri, mesa duket qenka “flijimi” për të shkatërruar “syrin e lig”, “magjitë e zeza”, që përmbysin synimet tona.

“Flijimi” duhet gjetur dhe realizuar me doemos. Dhe “flijimi” nuk kërkohet të bëhet me koka njerëzish (koka burrash, grash, djemsh apo vajzash), koka kafshës apo shpendësh, ato le të mbeten për legjendat, baladat. Koha kërkon që të “flijojmë” dhe objekti i flijimit gjendet brenda nesh. Janë veset brenda qënies dhe ndërgjegjes tonë!. 

Sëpari, për të arritur në “flijimin” e domosdoshëm, detyrimisht duhet të realizohet institucioni i dorëheqjes nga postet, detyrat dhe profesionet, prej të gjithë atyre, që kushtet e krijuara në këto 25 vite, kanë lejuar përlyerjen gjatë kryerjes së detyrave. Të realizohet pendimi publik, i shoqëruar me kthimin e pasurive të paligjëshme, qoftë me baza të vullnetshme dhe ato ligjore. Pas këtyre “flijimeve”, deomos shoqërisë shqiptare i duhet të realizojë institucionin e faljes, vetëm atëhere do të arrihet të shpëtojmë nga “syri i keq” dhe nga “magjia e zezë”.

      Nga legjendat, baladat, e dy urave dhe kalasë Rozafa, të cilat kanë arritur deri në ditët tona, del profecia e popullit, e cila na këshillon të rigjejmë unitetin dhe qendrushemërinë e bashkimit mes nesh, të cilat janë harruar nga lodhjet e shumta, ankthet, çoroditja, pabesia, të ndikuara nga pushtimet dhe agresivitetet e ndryshme. “Urat” duhet ti ndërrtojmë dhe tu sigurojmë qëndrueshmëri, sepse lidhin unitetin mes nesh, eliminohen ndasitë klasore që na kanë nxirë dhe shkretuar jetën; ndërsa “kështjellat”, edhe ato na duhen të qëndrushme, sepse tregojnë pathyeshmërinë, forcën e unitetit, ruajtjen, sigurinë ndaj veseve të këqia brenda nesh, sigurisht dhe ndaj agresioneve të natyrave të ndryshme që vijnë nga faktorë të jashtëm shoqërorë dhe natyrorë.

Gjithçka kur gjykohet, analizohet në kushte paanësie, mirëkuptimi dhe me dëshirën e mirë për të zgjidhur problemet sado të ndërlikuara të jenë, përfundimet janë pozitivisht të arrira dhe jeta shoqërore merr drejtimin e duhur.

Gëzuar Festat e Nëntorit!!

Më 26 nëntor 2016.-

    Nga Fahri Dahri  

Shperndaje ne
Updated: 27 Nëntor, 2016 — 18:14

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.