KOHA ILIRE

larisafb
Nga libri “Strategjia e shqiptarëvet” të Gjokë Dabaj-t

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Iliria para pushtimit romak.

Kjo është koha të cilën shqiptarët duhet ta njohin si histori të vetën. Nuk mund të mjaftohemi me një vështrim panoramik. Periudha deri në sh VI p.e.s. nuk është studiuar thuajse fare. Për këtë epokë duhet të bëhen kërkime jo në 1 por në disa disiplina. Arkeologjia, kuptohet, jo vetëm në territorin gjymtak të Shqipërisë Londrase” prej 28000 km katrorë, por që nga Istria e rrjedha e epërme e lumit Sava deri në Pind (të paktën deri në Pind) e nga Beogradi deri në Selanik. E gjithë kjo hapësirë është atdheu ynë i dikurshmi, një pjesë e të cilit është edhe i sotmi. (Në njohjen e kësaj pjese të historisë sonë mund të
ndihmojë, siç po shohim, edhe gjuhësia, sidomos antroponimia, toponimia, hidronimia). Por mund të hyjnë në shërbimin e studiuesvet edhe gjenetika, analizat e ADN-së, në rastin e hapjes së varrezavet tumulare, numizmatika etj.
Periudha nga sh V p.e.s. e deri në pushtimin romak njihet diç më mirë, por nuk i është kushtuar pasioni i nevojshëm.
Kur merresh me jetën e të parëvet të tu, duhet pasion. Duhet nderim e devocion ndaj atyre, pa të cilët ne nuk do të kishim ardhur në jetë. Në një thellësi kohe deri në 10 breza, njeriu (individi) ka 2 046 paraardhës. Kur është autokton, ai i ka rreth vetes varret e të gjithë atyre paraardhësve. Kurse në 20 breza numri i paraardhësvet shkon në 1 991 900 (një million e nëntëqind e nëntëdhjet e një mijë e nëntëqind). Kudo që ta hedhësh hapin, nëse je autokton, të duket sikur të gjithë ata paragjyshër të tu janë aty. Është puna e tyre, janë muret, është dheu, janë dëshirat, shpresat, peripecitë, tragjeditë. Mirëpo 20 breza s’janë më shumë se 600 vjet. Po kur mendon se ne kemi qenë këtu 2 500 vjet, 3 500 vjet, 4 000 vjet?! Të jesh një popull i lashtë, s’është gjë e pakët. Është një krenari dukshëm e veçantë në krahasim me krenarinë e atyre që janë ardhës. Një arab që ka ardhur këtu në Ballkan nuk i ka të parët e vet këtu. Nuk e ndien erën e tyre, nuk ua sheh dheun, nuk ua sheh gurët. Ndërsa shqiptari, që rron këtu në vendin e vet, një copë tjegull të marrë, mund t’i shkojë mendja: Këtë mund ta ketë prekur edhe dikush prej të parëvet të mi. Ndjesë pastë! Sigurisht, kur nuk kemi të bëjmë me ndjenja e mendime kuazimodernësh të çoroditur.
Në 2 shekuj e gjysmë, deri sa kanë ardhur përfundimisht romakët, ne kemi pasur mbi 60 mbretër. Shqiptarët duhet t’i njohin ata mbretër. T’ua dinë emrat, të dinë ndonjë gjë nga jeta e tyre, të dinë vendin, mbretërinë, ku kanë qenë mbretër.
Këta mbretër duhet të mësohen nëpër shkolla e jo të na ndodhë që,kur pyet ndonjë shqiptar: A kemi pasur mbretër ne në të kaluarën? , ai të të përgjigjet: Po, e kemi pasur 1 mbret, Ahmet Zogun. Të 60 mbretërit ilirë nuk kanë qenë “mbretër” të fisevet “të egër”,  por kanë qenë mbretër popujsh të qytetëruar.  Këtë e dëshmojnë qytetet e shumtë që i kemi pasur ne në ata shekuj.
Që popujt e Ilirisë kanë qenë popuj të qytetëruar, e dëshmojnë monedhat që kanë qarkulluar e që janë gjetur nga arkeologët në të gjithë hapësirën ilire. E dëshmojnë sendet zbukurues, e dëshmojnë armët, e dëshmon qeramika, mënyra e ndërtimit e fortifikimit të qytetevet, ujësjellësit, akveduktet. Në mënyrë të veçantë e dëshmojnë flotat tona të asaj kohe, aq të fuqishme, sa ato i shërbyen Romës si kazus beli (casus belli), për të filluar pushtimin e shtetevet tanë. Të gjitha këto është e domosdoshme t’u shpjegohen bukur e me pasion njerëzvet tanë, rini e të moshuar, në mënyrë që shqiptari ta kuptojë që ne nuk jemi një komb pa rrënjë. Nuk jemi pa rrënjë e nuk jemi as rrënjëshkulur.
Ne po i japim këtu emrat e atyre qyteteve sipas trevavet ku janë ndodhur dhe emrat e mretërvet, jo sipas shtetevet ku kanë sunduar, por sipas alfabetit. Është detyrë e historiografisë që t’i trajtojë gjërat më përshkrueshëm dhe është detyrë e muzeologjisë ta paraqesë të shkuarën tonë më shikueshëm. Është detyrë gjithkështu edhe e artevet figutativë, veçanërisht e skulpturës.

Shperndaje ne
Updated: 1 Dhjetor, 2016 — 11:27

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.