Urrejtja nuk është fjalë e Zotit tim

Fadil_Lepajashkruar nga Fadil Lepaja

Ka ende njerëz të cilët mendojnë se Krijuesin duhet me e mbrojt nga fjalët. Me armë. Me u bë ushtarë të Zotit. Nuk besojnë në aftësitë e Zotit për të mbrojtur vetveten. Ata besojnë se Zoti është aq i brishtë sa edhe një humor sado i lehtë e rrezikon atë, sikur një rreze Dielli që e shkrin brymën. Mjafton një fjalë apo skicë…

Unë nuk do të bëj karikatura, përse të rrezikoj kot! Do t’ju rrëfej dy barsoleta dhe ju tregoni se cilën prej tyre preferoni! Apo mbase e doni një të tretë?!

Ju kujtohet barsoleta për lepurin, i cili po qeshte me të madhe, ndërkohë që një qen i madh gjahu po e hante? E ai? Ai, hiç! Po qeshte duke mbajtur brinjët.

“Bëj çfarë të duash, se jam çmendur nga frika”, po i thoshte lepuri, zagarit, ndërsa ky i fundit krejtësisht i hutuar po e pyeste: “A nuk e sheh se po të ha, përse i zbardh dhëmbët”?!

Barsoletat nuk janë si prezervativët. Këtë mund ta keni dëgjuar edhe herë të tjera, por një barsoletë mund të përdoret sërish, derisa dikush të (buzë)qeshë.

Pra, ik e ik e ik dhe lepuri apo qytetari, u çmend. Pastaj, qesh e qesh e qesh derisa paraushtarakët të caktojnë një termin me Zotin.

Pra, me një fjalë, na çmendën. Fillimisht i ngritëm duart lart dhe kërkuam mbështetje te Zoti, por këta betohen se me Zotin i kanë punët krejtësisht në vijë. Më mirë se ne.

Lëre fare! Terroristë dhe antiterroristë. Fashistë e komunistë. Ateistë e xhihadistë. E kuptuat? Ku të mbyten qytetarët?!

religjionetKësaj radhe, të dashur lexues, temë e ditës janë ushtarët. Pa ushtarë nuk je fuqi. Të gjithë e kanë biznesin e vet të luftës. Kanë (para)ushtarakët e vet. Ushtarët e shtetit. Ushtarët e Zotit. Ushtarët e kombit. Ushtarët e rrugës. Ti, si civil, detyrimisht do të zgjedhësh në mes tyre. Cilin të zgjedhësh, ushtar do të jetë.

Është militarizuar jeta. Sapo të përmendësh Zotin, të asocion në kallash apo eksploziv. Na e morën edhe strehën e fundit intime.

Pra, Zoti paska ushtarë, të armatosur deri në dhëmbë, të cilët e mbrojnë Atë.

Në shtet, më saktë, në shumë shtete ka ushtarë për me e mbrojt shtetin nga qytetarët. Më së shpeshti nga artistë, gazetarë, intelektualë e… të ngjashëm. Këta edhe ushtarët, si macja me miun.

Kjo që do të lexoni më poshtë, nuk është humor i zi. Nuk është as art. Janë (para)ushtarët e Zotit në veprim. Andej e këndej. Si e dini, të gjithë përbetohen se ka veç një Zot. Ai i tyre. Atë duhet me e mbrojt nga të tjerët!

Para pak vitesh, një gjykatë norvegjeze, pasi vlerësoi se Anders Behring Breivik ishte krejt në rregull nga trutë, kur e kreu sulmin nga i cili mbetën të vrarë 77 persona, e dënoi atë me 21 vite burg. Kuptoj, dënimi mund të duket i mjaftueshëm për një vrasës ordiner, por ai nuk ishte vrasës ordiner. Ai ishte një ekstremist fetar, i krishterë. Në ditën kur, në emër të Zotit të tij, do të kryente masakrën, ai sikurse e do edhe rendi, e kishte publikuar në internet një manifest politik, ku “përmblidhte” në 1500 faqe pikëpamjet e tij. Luftë e shenjtë. Kryqëzatë. Siç e dini, lufta e shenjtë si tregon edhe emri, bëhet për me e mbrojt Zotin. Tregimi nuk përfundon këtu.

Ai u bë simbol. Një vit më vonë, në Francë arrestohet një norvegjez tjetër, i cili bashkë me bashkëshorten po bëheshin gati për një sulm tjetër përmasash të mëdha. Ishte ky një muzikant me mbiemrin Vikerness, i cili ishte i frymëzuar nga “idetë” dhe nga masakra që realizoi Breivik, në Oslo. Ky, më herët ishte marrë me muzikë, me vrasje dhe me djegie të kishave. Tash i mbronte, kishat… edhe Zotin. Me pushkë!

Tash, jo vetëm Jezusi kishte roje. Inkuizicioni ka vdekur, me përjashtime të vogla. Para pak ditësh, ushtarë të tjerë, i dolën në mbrojtje Zotit të tyre. Edhe ai paska nevojë për mbrojtje (para)ushtarake. Në fakt, ata po e mbronin profetin… nga gazetarët dhe karikaturistët. Përcollën selame, direkt nga ai. Ata, nuk besonin se Zoti ka fuqi të mjaftueshme t’i dënojë ofenduesit, qoftë në këtë botë, e sidomos në atë tjetrën. Kishin frikë se Zoti mund të harrojë. Edhe më keq, duke qenë i mëshirshëm Zoti mund edhe të falë. Por, ushtarët janë ushtarë dhe nuk lejojnë. Ata veprojnë me komandë, prej toke. Për mos me e lënë Zotin të gabojë.

Me gjithë këto debate, blasfemi e urrejtje, nëpër tempuj, e sidomos nëpër mediat virtuale, gjithkush mund të përfshihet nga urrejtja. Veçohen komentet të cilat janë anonime. Komente me kapuç të zi. Rreziku vjen nga fjalët, të dashur (ar)miq, klithin të gjithë. Se “Fjala ishte e para!” Prandaj, ushtarët e ruajnë… Zotin.

Këto ditë nuk po i ndjek fare lajmet. Më çmendën nga të dyja anët. Me kallash mbi karikaturistë. Karikaturist, apo kolumnist, kush i dallon këto?! Më mirë të hesht dhe të rrëfej barsoletën tjetër, të cilën e premtova. Kjo nuk është fabul. Këtu nuk ka lepurush. Nuk ka as ndërgjegje.

Personazhi i kësaj barsolete është një hoxhë i varfër. Ai dhe gomari i tij besnik e kanë përmendoren në Turqi. Pra, e kuptuat?! Nastradin Hoxha, vetë!

“Ka rënë murtaja në shtet”, i thanë hoxhës. Ai nuk u trazua. “Shteti është i madh, veç mos të vij në krahinën tonë”, tha ai. “Erdhi në krahinë”, i thanë. “Veç të mos vij në fshatin tim”, mërmëriti nëpër dhëmbë dhe fjeti. “Por, erdhi edhe në fshat”, i thanë.

“Të gjithë, në shtëpi”, e urdhëroi ai familjen. “Mos dilni në fshat”!

Pas disa ditësh hoxha ishte mbyllur, krejt i vetëm në dhomën e tij dhe prapa derës po dëgjonte ulërimat e familjarëve të frikësuar. Ky nuk ua hapte derën.

“Më ruaj Zot, së paku mua, nga murtaja”, po lutej hoxha.

Këtu e tutje, askush nuk di me siguri të rrëfejë, të ketë shpëtuar nga murtaja apo jo?! Sidoqoftë, mesazhi arriti deri në ditët e sotme.

Ai kishte aq mundësi. Kaq mundësi po ka edhe shteti ligjor. Ligjet e njeriut dhe ato të Zotit, nuk po përputhen. Kush është sovrani: qytetari apo Zoti?

Këto ditë, katër nga krerët fetarë të Shqipërisë, të kapur për krahu, parakaluan nëpër qendër të Parisit, në marshin e madh protestues kundër urrejtjes. Ata besojnë ndryshe, por besojnë në një Zot. Ata nuk dolën të mbrojnë Zotin, sepse ai nuk ka nevojë për këtë. Dolën të mbrojnë jetët, lirinë e fjalës dhe … qytetarët. Ata thanë:

Në fillim, ishte veç fjala, o njeri. Fjala e lirë. Thuaje!

Urrejtja nuk është fjalë e Zotit tim!

Shperndaje ne
Updated: 17 Janar, 2015 — 04:05

The Author

Fadil Lepaja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.