Qeveria Noli: Çamët janë shqiptarë dhe vendi i tyre është Çamëria

Noli_gjate_bisedes

Greqia lipset ta dijë që për çka u përket çamëve, ka të bëjë me ShqipërinëQeverisja jetëshkurtër e Nolit, e cila gjeti kohë dhe interes të artikulojë fuqishëm Çështjen e shqiptarëve të Çamërisë

Material i marrë nga Gazeta “Dajti”, gusht, 1924.

Populli çam, ai popull që nga origjina, nga gjuha dhe nga zakonet është shqiptar edhe jeton në Çamëri që prej kohërave prehistorike, ka 12 vjet që shtrydhet nga ana e autoriteteve greke, të cilat sot po përpiqen, direkt dhe indirekt, për ta detyruar atë popull fatkeq të emigrojë ne Anadoll, duke e konsideruar si turk dhe të ndërrohet me grekët e Azisë së Vogël.2

Autoritetet greke, me sjelljet e tyre çnjerëzore për deportimin dhe për çrrënjosjen e popullit shqiptar të Çamërisë, kujtojnë që realizojnë qëllimet imperialiste të megalo-idesë së tyre qesharake, në dëm të popullit dhe të shtetit shqiptar. Por nga ana tjetër, qeveria greke, me sjelljet e saj të gabuara në kurriz të popullit pa mbrojtje të Çamërisë, harron që shkakton dëme të mëdha në interest e dy shteteve, dhe sidomos të Greqisë, e cila do të jetë përgjegjëse për rrethanat e hidhura që mund të ngjasin në kohën e ardhshme.

Qeveria greke, me sjelljet e saj të çuditshme dhe të rrezikshme për paqen e Ballkanit, popullit shqiptar të Çamërisë, jo vetëm që i grabit të drejtat që trashëgon në vatrat e tij që prej mijëra vitesh, këto të drejta që ia ka falur natyra, etnologjia dhe historia, por shkel sheshazi edhe zotimet zyrtare që ka dhënë përpara shoqërisë “Lidhja e Kombeve”, mbi respektimin e të drejtave të pakicave.

Shekulli XX i quajturi shekulli i qytetërimit, nuk duhet të jetë, besojmë, shekulli që bota sidomos Lidhja e Kombeve të gëlltisë hapet (ilaçet) e hidhura dhe të fandaksura të ngallemanisë greke!

Studentët e Athinës, në vend që të bëjnë mitingje që shkaktojnë zemërimin e popullit fqinj do të kryenin një detyrë atdhetare sikur të përpiqeshin t’i mësonin popullit grek që të heqin dorë nga megalo-ideja e kotë dhe të stërviten të respektojnë edhe të drejtat e gjithkujt, studentët shqiptarë dhe rinia shqiptare, në mitingun e tyre që mbajtën më II-VIII-924 në Tiranë, si përgjigje ndaj mitingut të studentëve grekë. Populli mbarë i Shqipërisë do të përpiqet me çdo mënyrë për mbrojtjen e vëllezërve të tij që vuajnë nën mizoritë greke dhe që shtrëngohen të lënë vatrat e tyre në Çamëri e të zvarriten në rrugët e Stambollit e të Anadollit.

Qeveria greke përpiqet me çdo mënyrë të manipulojë komisionin miks dhe Lidhjen e Kombeve që populli shqiptar i Çamërisë e dëshiron emigrimin e tij në Anadoll. Vegla të verbra të këtij qëllimi qesharak bëhen edhe disa faqezinj si Shahin Bej Dinoja i Esat Pashës dhe disa injorantë fanatikë. Por sa do që të bëjnë grekët dhe faqezinjtë pa shpirt, dielli nuk mbulohet me shoshë; çamët janë shqiptarë dhe vendi i tyre është Çamëria ose Shqipëria dhe kurrë Anadolli!

Greqia lipset ta dijë që për çka u përket çamëve ka të bëjë me Shqiprinë; edhe është kundra interest të miqësisë së dy shteteve fqinjë që Greqia të hyjë në negociata me turqit e Azisë për të ndërruar shqiptarët e Çamërisë me grekët e Anadollit.

Ne shqiptarët kurrë nuk dëshirojmë të shkaktojmë armiqësi me asnjë popull në botë, dhe sidomos me fqinjët tanë. Por kur na cënohen të drejtat tona njerëzore e kombëtare, dimë të vdesim, megjithëse nga numri jemi më të pakët se të tjerët.

Fletorja demokrate e Gjirokastrës “Drita” thotë shumë bukur: “Dajti me Akropolin janë larg edhe nuk mund të piqen, por shqiptari me grekun janë shumë afër dhe një ditë do të piqen.”

Interesi dhe aktiviteti i deritanishëm që ka treguar ministri ynë i punëve të jashtme mbi Çështjen e Çamërisë meriton lavdërimin e gjithë kombëtarëve të vërtetë. Por, nuk mjafton me kaq: Qeveria shqiptare e kryesuar prej kryeatrit të demokracisë kombëtare, për t’i dhënë fund kësaj çështjeje jetike, duhet të marri masa praktike, masa reciproke.

Jemi të sigurt se kabineti Noli do t’i marri gjithë masat që lyp nevoja, interesi dhe nderi i Shqipërisë;edhe shpresojmë se nuk do të ketë nevojë t’ia kujtojmë herë tjetër qeverisë detyrën e saj.

Përgatiti për botim në 27.al  Alba Haruni

Shperndaje ne
Updated: 3 Dhjetor, 2016 — 04:44

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.